Lacani ruante një kujtim të hidhur nga fëmijëria

Kultura

Lacani ruante një kujtim të hidhur nga fëmijëria

Nga: Skender Sherifi Më: 14 janar 2023 Në ora: 17:42
Jacques Lacan, psikanalist francez

Jacques Lacan lind në Paris në vitin 1901, nga një familje e borgjezisë së mesme franceze, e cila nuk ka qenë e klasës elitare intelektuale, por më tepër tregtarë që janë pasuruar gjatë periudhës 1890–1915, që është quajtur «La Belle époque» ose Epoka e Bukur, sepse janë shënuar në atë moment kohorë shumë progrese teknike, shkencore dhe ka funksionuar biznesi për mrekulli, gjer në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Bile po në atë kohë si korolar i atij revolucioni dhe zhvillimi industrial, lind edhe në fushën artistike, rryma “Art Nouveau” ose Art Déco, e cila vazhdon edhe pas luftës, me disa artistë të cilët e përfaqësojnë, sikurse Alfons Mucha (piktorë, prof, grafist dhe ilustrator çek, i famshmi Gustav Klimt, Hector Guimard (arkitekti më i madh i atij stili) siç ka qenë edhe Viktor Horta në Belgjikë… pastaj, e keni piktorin prestigjioz të kabareve franceze Henri de Toulouse Lautrec, i cili ka lënë gjurmë edhe në kinematografinë botërore, Louis Majorelle (artist, dekoratorë, ebenist, piktorë… e keni Vilën Majorelle në Francë dhe në Marrakesh të Marokut, me një kopsht gjenial, ku ka jetuar gjeniu i modës Yves Saint-Laurent disa dekada), Gerda Wegener (ilustratore dhe piktore franko-daneze ), tjetri danez Kay Nielsen, i cili ka punuar për studiot Whalt Disney, Koloman Moser, piktor dhe dekorator austriak, i cili ka vepruar në Vienë dhe arkitekti i njohur italian nga Palermo, zoti Ernesto Basile. Pastaj keni Emile Gallé, René Lalique, Viktor Prouvé, të cilët kanë lërë gjurmë kudo në dekoracionin tipik të arteve të reja.

Jeta e Lakanit

Gjyshi i Lacanit, zoti Emile, tregtar i rëndomtë, e sharmon martohet me vajzën e pronarit të një firme të njohur franceze, e cila prodhonte uthull, në qytetin mjaft pro mbretëror Orléans. Nëna e Jacques Lacanit, zonja Emilie Baudry, është vajza e një dembeli, i cili nuk punonte fare, ngaqë ka fituar loton (ha… ha… ha…) është mjaft e mbyllur dhe zhytet në fé për t’u pajtuar me fatin e saj të mjerë. Ndërsa, babai i tij është përgjegjësi financiar i prodhimeve të uthullës, të firmës Dessoux në Paris. Ngaqë, gjithë familja e tij notonin në uthull, në mesha, në formalizëm dhe rregulla strikte mjaft absurde, ja lanë në kujdestari djalin e tyre Jacques Lacanin, një mamice, ose pseudo guvernatore edukative, siç bënin dikur mbretëritë dhe aristokracitë.

(Kurse mua, ma ka pas dhënë gjirin një nënë e dytë simbolike në fshatin Beguncë, të Vitisë, kur mori mëhalla vesh, se nëna ime Xhevahiria kishte marrur tuberkulozin. Prej, asaj dite, jam thelluar pak a shumë, në historinë e gjireve femërore).

Lacani e ka ruajtur një kujtim të hidhur nga fëmijëria dhe nga familja e tij, çka mund të kuptohet dhe e urrente atë lloj ambienti të rëndë mortuar, si në disa filma të Bergmanit apo të Michael Hanneke, të cilët të çojnë në prag të depresionit kronik.

Janë 4 fëmijë, Zhaku është i madhi, pastaj i dyti do vdes nga një hepatit, kurse vëllai i ri do tw bëhet murg në një manastir (pas kongresit të gjuhës shqipe) duke e ndryshuar edhe emrin dhe tani e thwrrasin kafexhinjtë e lagjes: «po si dukeni Baba François»?

Mund të themi lirisht, që i shkreti vjen nga një familje me disa burma mangu!

Jacques Lacani shkon në shkollën fillore dhe të mesme në kolegjin e njohur katolik Stanislas të Parisit 6 – dhe është serioz dhe i suksesshëm si nxënës. E kap një flutur të bardhë si bora dhe ia ofron një shoqeje klase, e cila e puth për ta falënderuar. Ndërsa, në moshën 14 vjeçare, e zbulon etikën e filozofit holandez Spinoza (një vepër madhore referenciale, e shkruajtur në gjuhën latine mes viteve 1661 dhe 1675 dhe e botuar pas vdekjes së tij në vitin 1677) dhe ajo vepër e ka një ndikim të madh në formimin e tij… siç e ka pasur tek unë në të njëjtën moshë, Artur Remboja.

Spinoza, e propozon një lexim apo interpretim gati puro matematik, me logjikë të ftohtë analitike dhe deduktime racionale, të çështjeve madhore filozofike apo metafizike. Është një interpretim linear, që duket i thjeshtë, por është mjaft kompleks në praktikë: arsya – pasojat ose konsekuencat – dhe aktet (ose si duhet me vepruar, çka duhet për të bërë, për t’iu përgjigjur dy të parave)? Thënë ndryshe: ndodh një eveniment, një ngjarje IKS… do të thotë vjen ashtu papritmas, gati arbitrarisht, pa na pyetur ne fare, porse na imponohet… Pse? Sepse, vjen nga natyra apo nga zoti (këtu natyra mund të jetë zoti dhe anasjelltas, tek Spinoza) dhe tani na detyron ajo ngjarje për t’iu përgjigjur me një veprim të caktuar. Mirëpo ai veprim, ose akt që do e bëjmë ne, na imponohet si pasojë e atij evenimenti që ka ndodhur, pra, na është diktuar e jo që e kemi pas zgjedhur apo planifikuar ne vetë, me një skicë intelektuale… vetëm që i përgjigjemi situatës, kaq… d.m.th. Zotit apo Natyrës. Pra, kjo është pak a shumë, nëse e kam kuptuar edhe unë, ideja e filozofit. Pastaj, prej nga viti 1918, Jacques Lacani ndahet definitivisht me rrethin e tij familjar dhe i len të zihen në kazanet e provincave të mbyllura dhe pa perspektivë. Në kurset e filozofisë, lidhet me profesorin e tij, Jean Baruzi (filozof, historian i feve dhe më vonë do emërohet profesorë në shkollën prestigjioze dhe elitare franceze, le Collège de France në vitin 1933 – ku libri ‘Mein Kampf’ i Hitlerit do bëhet një best-seller). Ajo shkollë është gjigante në historinë e Francës, sepse është hapur që në vitin 1530 nga mbreti François 1er. Aty kanë kaluar Georges Charpak (fizikant, me çmim Nobel në 1992), Jean François Champollion (gati babai i egjiptologjisë, me famë planetare, ngaqë i ka deshifruar hieroglifet faraonike), Giuseppe Ungaretti, poeti italian, Claude Bernard (profesor i mjekësisë), Umberto Eco (profesor në vitet 1992-93) bashkë me Bronislaw Geremek, Claudio Magris (autori italian), Maurice Bloch… pra, të gjithë kanë qenë dikur pedagogë në atë shkollë prestigjioze.

Babai i Lacanit rikthehet i dëmtuar dhe gjysmë i luajtur nga Lufta e Parë Botërore.

Zhaku merr distancat me botën fetare dhe shkon rregullisht te libraria e poeteshës franceze Adrienne Monnier, e cila organizonte takime dhe mbrëmje letrare. Po aty takon André Bretonin dhe Philippe Soupault, themeluesit e surrealizmit, të cilët do i flasin për eksperimentet e tyre letrare dhe për shkrimin automatik, në bazë të hipnozës, ëndrrave apo drogave stimuluese. Bile do e ilustrojnë në librin e tyre: «Fushat magnetike». E kam pasur një miqësi të rrallë dhe të thellë me Soupault-në, për të cilin do ju flas një herë tjetër, pas emisionit «Dancing with a Star» në Top Channel.

Kriza ekonomike dhe sociale e thellë

Jacques Lacani fillon studimet e tij në Mjekësi në vitin 1919, në lagjen e njohur emblematike të Parisit, «le quartier latin» epiqendra e gjallërisë, sidomos gjatë asaj periudhe 1920 dhe deri në vitin 1929 në Amerikë, pak para depresionit ekonomik e social dhe kriza delirante, që quhej CRASH i vitit 1929, falimentimi financiar, ku leku nuk vlente asgjë dhe ku me një valixhe plot me letra, e bleje një bukë ose e ndizje koftorin në dimër me 30.00 dollarë… ha… ha… ha… A nuk është situatë surrealiste dhe dadaiste kjo? Fillonin njerëzit, kapitalistët e rrënuar për t’u ngjuajtur nga buldingjet amerikane dhe për të bërë vetëvrasje, sikurse Lemingat apo Delet e pa mend. (I kap një stres i pakontrolluar, një çorientim i busullës së tyre biologjike dhe veprojnë verbërisht apo mekanikisht të diktuara nga një instinkt thanatosi, vdekjeje, sikurse Rajhu III Gjerman, që mendonte për ta sunduar gjithë botën).

Më kujtohet një film i vëllezërve Ethan dhe Joel Cohen – ‘the big Lebovski’ i vitit 1998 më duket ose Fargo, ku pas një këshilli administrativ, në katin e sipërt të një kulle amerikane gjigante, hidhen të gjithë bosat në ajër për nga dritarja. Ndërsa, në Francë vazhdon hajgarja globale deri nga vitet 1931… Mirëpo, ai interval 10 vjeçar quhet për opinionin publik “les années folles – ose vitet e marra”, ku ka qenë liria në kulm, bota e natës, e klubeve, e seksit, e shpikjeve artistike… një lloj para maji i 1968 në fakt. Por kriza ekonomike dhe sociale e thellë, zhvillimi i forcave të errëta fashiste dhe komuniste nëpër botë, krijuan një atmosferë ankthi dhe depresioni gjeneral dhe na plumbosën ambientin festiv, deri pas Luftës së Dytë Botërore, nga vitet 1946, me bodrumet e Saint-Germain-des-Prés, me jazzin, twistin dhe rockun amerikan.

Gjatë vitit 1923, për herë të parë dëgjon Zhaku emrin e Freud, themeluesi i psikanalizës në Vjenë, të cilin e demonton pamëshirësisht filozofi Michel Onfray, duke ia shpalosur të gjitha mashtrimet dhe manipulimet e tij në Vjenë, në një libër biografik, që ia ka kushtuar (ka shumë elemente të vërteta, pa dyshim, mirëpo është tepër ekstrem dhe i një anshëm, sepse, nuk ia njeh meritat e tij… pos anëve të ulëta që i ka pasur realisht në jetë, ngaqë ishte egocentrik edhe abuzues)!

Jacques Lacani është gjermanist i shkëlqyer, i aftë për ta lexuar direkt Niçen, në gjuhën gjermane dhe fascinohet nga vepra e tij “Përtej të mirës dhe të keqes” e botuar në vitin 1886. Po ashtu, e lexon edhe Ulisin e James Joyce. Pastaj, në vitin 1924 është mjaft konfuz, kontradiktor, e kapin disa ethe dhe delire.

Mendon për ta braktisur Fakultetin e Mjekësisë dhe për të shkruar si aventurist në Afrikë, nga Senegali (ku ka pas lindur shoqja e ish presidentit normal dhe anormal, François Hollandë, i cili debatonte me një cigane shqiptaro-maqedone, 15 vjeçare, mbi të drejtën e emigracionit, një farë Leonarda dhe e turpëronte funksionin e tij dhe Republikën – e kisha fjalën si dekonstruktivist i lindur – për Segolène Royal, të cilën e mundi Nicolas Sarkozy, në zgjedhjet presidenciale me 53 për qind të votave).

Lacani afishonte një simpati për mbretërinë, si një pjesë e Mërgatës së Qyqeve.

Takohet me gjeneral Weygand, anëtar i Akademisë Franceze dhe me shkrimtarin dhe politikanin francez Léon Daudet. Është në atë periudhë pak nacionalist dhe mbretëror i djathtë. I beson teorisë së ‘determinizmit’ do të thotë që çdo gjë është e shkruar, e diktuar apo e përcaktuar, sipas principit të arsyes (pse ndodhi kjo gjë, nga na erdhi) dhe të efektit të saj, ose pasojës (çfarë pasoje la tek ne), cilin efekt e shkaktoi) me idenë që çdo eveniment rrjedh si pasojë apo si rezultat i një evenimenti tjetër, i cili ka ndodhur para tij… pra është i diktuar, i kondicionuar.

Me atë logjikë, kuptohet që vetëvendosja e jonë, liria e veprimit, është mjaft e reduktuar dhe tingëllon më tepër si një ëndërr, si një iluzion, sesa si një realitet. Pra, e kundërshton aty teorinë e René Descartes mbi “Le libre arbiter”.

E bën po ashtu të vetën analizën e antropologut më të famshëm botëror dhe babai i strukturalizmit, miku im Claude Lévi Strauss, sipas të cilës, zhvillimi i psiqikës individuale, varet nga rrethanat, pra, nga struktura sociale dhe kulturore nga e cila vjen ai individ. Konkretisht, nëse rritesh në Savanat afrikane apo në xhunglat amazoniane, nuk do zhvillohesh tamam, si një amerikan i Manhatanit në New York apo një francez i rritur në Paris. Do të thotë që rrethanat IKS e YPSILON, kushtet, backgroundi, do e përcaktojnë më vonë zhvillimin e filan individit dhe deri dikund pastaj, edhe zgjedhjet e tij personale, vendimet e tij në jetë (por me një përqindje më të vogël). Tani e kam pyetur shpeshherë veten: a do isha Skënder Sherifi i sodit, po të isha rritur, edukuar dhe shkolluar në Shqipërinë e Enver Hoxhës, si djalë i një familje të kataloguar armike, reaksionare dhe anti-komuniste? Absolutisht, që jo!

Tani Jacques Lacani, rikthjellohet pak me veten e tij, e harron Afrikën, mitin klishé të eksploratorit të bardhë që sjell civilizimin dhe i rivazhdon studimet e mjekësisë. Punon në spitalin super të njohur të psikiatrisë franceze, SAINT-ANNE, që ekziston prej vitit 1867 me dëshirën e Napoleonit të tretë. E ka për shef dhe më vonë mik, profesorin me famë ndërkombëtare, zotin Henri Claude. Mirëpo, Jacques Lacani, është super kurioz dhe jo aq i kornizuar vetëm në disiplinën e tij profesionale. Dhe do interesohet nga afër, edhe bile duke ndjekur kurse, stazhe, seminare, për arritjet e reja në fushën e linguistikës, me teoritë e Ferdinand de Saussure dhe Roman Jakobsonit dhe po ashtu në filozofinë krijuese të dadaistave dhe të surrealistave, por edhe në tezat e filozofëve strukturaliste dhe fenomenologjike.

Për momentin Zhaku jeton te rue de la Pompe, në Paris-in, 16, me dashnoren e tij, Marie Thérèse Bergerot, 15 vite më e pjekur se ai… ec e kuptoje pse? E pyeta ambasadën shqiptare marksiste-leniniste, që ishte aty afër: «a bën dikush qebapë dhe suxhuk Prizreni këndej; a e dini me çka po merret zoti Lacan, që e keni komshi; a mos e keni një dosje mbi të? Por më thanë – nuk e njohim, or zotëri dhe mos u duk më këndej, se nuk merremi me zogista, as me ballista, por me Nasho Jorgaqin dhe Isuf Emurlain, i cili hante dhe pinte qyl, në odat e emigracionit shqiptar në Bruksel.

Pastaj, nga viti 1929, e merr për mikeshë të rastit, gruan e dytë të autorit depresiv pro fashist, Pierre Drieu la Rochelle, miku i ngushtë i Arragonit, një farë Olésia Sienkiewiecz, një artiste polake, i cili tani e ka gjetur një mecene të pasur nga Argjentina, shkrimtare dhe botuese me emrin Viktoria Okampo. Pas kësaj tangoje të Gardelit, pa tlyen… vazhdon duke u zhagitur nëpër klubet letrare dhe artistike të kryeqytetit francez, ku takon autorin e zi dhe nihilist Georges Bataille. Në vitin 1930, pasi që e lexon librin “Gomari i qelbur” i piktorit të famshëm katalan Salvador Dali, shkon për ta takuar në banesën e tij disa herë, sa për t’ia sqaruar në detaje, çka ai e quante, «teorinë e tij mbi metodën paranojake-kritike» dhe si ka ndikuar praktikisht në krijimtarinë e tij artistike, në pikturë dhe në skulpturë?

Dhe siç ju thash më parë, duke i amalgamuar dhe sintetizuar të gjitha këto informata, duke ua gjetur ndonjë lidhje së bashku, fillon për ta formuluar një mendim të tij origjinal, mbi psikologjinë dhe psikanalizën, duke e fituar gradualisht një autoritet dhe një famë, dhe duke e krijuar ashtu një «shkollë mendimi». Kështu, që në vitin 1931-32, do bëhet realisht lideri i një shkolle lacaniane në fushën e psikanalizës franceze, një lloj Maestro, një Guru, një personalitet referencial, të cilin një pjesë e inteligjencës do e adhuronte në ekstrem, ndërsa pjesa tjetër do e urrente dhe do e luftonte, po ashtu gjer në fund. Porse, do jetë ky vetë, epiqendra e të gjitha debateve, diskutimeve, prononcimeve, deri në atë shkallë, ku çdokush do detyrohet për t’u pozicionuar dikur, ose në favor, ose në të kundërtën, me teoritë psikanalitike të Jacques Lacanit. Pra, e ka dominuar skenën psikanalitike franceze në aspektin ideologjik, pedagogjik dhe kulturor gjatë 30 viteve, mjedisin e Parisit.

Në vitin 1932, i pranohet teza e doktoratës mbi temën: «Psikoza paranoiake dhe marrëdhëniet e saj me personalitetin» duke e cituar filozofin Spinoza në fillim dhe në mbarim të punimit të tij. Në një farë mënyre, e afron mendimin filozofik të Spinozës, anën matematike dhe deduktive (sesi rrjedhin gjërat automatikisht në fakt, të diktuara nga urgjenca e rrethanave dhe e ngjarjeve), idenë e disharmonisë ose e frakturës freudiane, mes UNIT të dyzuar (i cili do përjeton në konflikt të hapur mes realitetit objektiv të jashtëm, të cilit UNI racional do i përgjigjet normalisht dhe logjikisht dhe urgjencave pulsionale apo instinktive që rrjedhin nga subkoshienca, një botë e panjohur dhe tepër irracionale, do të thotë e rrezikshme, sepse e dalur komplet jashtë kontrollit racional të individit … gjithë mjeshtëria është për ta gjetur ekuilibrin e duhur mes të dyjave, dosazhin e saktë).

Tani, një pjesë e madhe e psikanalistëve francezë ja hedhin atë tezë poshtë dhe e luftojnë radikalisht. Dhe çka është më e çuditshmja, vijnë për ta fuqizuar disa artistë me reputacion, autorë, apo filozofë, që janë komplet jashtë atij profesioni. Persona sikurse Paul Nizan, René Crevel, Salvador Dali, Jean Bernier, të cilët e ngrenë në qiell dhe deklarojnë që ky është kryemjeshtri absolut i psikanalizës franceze. Lacani fillon për t’u interesuar ndaj filozofisë fenomenologjike, e themeluar nga gjermanët Husserl dhe Heidegger, via specialistit të asaj fushe, një filozof francez me origjinë ruse, Alexandre Kojève, i cili e ka riaktualizuar komplet Hegelin në Francë.

Persekutorë dhe të eksploatuar

Takon edhe Koyré, Paul Eluard, Man Ray, të cilët i kërkojnë që të prononcohet si psikanalist mbi procesin apo gjykimin e motrave Papin, të cilat kishin vrarë pronaren e tyre dhe që riskonin dënimin me vdekje, pra gijotinës. Dhe me këtë rast, vjen Lacani përmes Hegelit dhe Spinozës, për ta argumentuar veprimin e këtyre motrave, si diçka e diktuar nga Revolta e Klasave (eksploatues, persekutorë – dhe të eksploatuar, të persekutuar, që dikur do revoltohen! Një logjikë puro marksiste!

Gjatë vitit 1934, martohet me piktoren Marie Louise Blondin dhe hap një kabinet për konsultime psikologjike në bulevardin Malesherbes, që e kalon Parisin 8 dhe 17, lagje të pasura mjaft borgjeze. Një vit pas, e takon mikun tim, po ashtu depresiv dhe nihilist Michel Leiris, poet, etnologë dhe autor i Afrikës së Lugetërve, mbi Dogonët. E ndjek seminarin e Aleksandre Kojève, filozofit, në shkollën e studimeve të larta (école des hautes études). Aty e takon Raymond Aron, kundërshtuesi kryesor, bashkë me André Camus, me argumente plot të drejta, i Jean Paul Sartrit në fushat politike dhe sociale, me disa pozicionime mjaft debile, sikurse ato të Luis Aragoni. Bisedon me Merleau-Ponty, Georges Bataille, Raymond Queneau, Henri Corbin dhe me mikun tim Pierre Klossowski, të cilin e kam njohur nga afër, duke i ndarë disa aventura delirante me të, bashkë me vëllain e tij Balthus, piktor dhe shkrimtar, filozofiko-erotik dhe transgresiv, me origjinë nga Polonia, ku nëna e tyre, artiste ishte dashnorja e poetit fantastik gjerman Rainer Maria Rilke… ndërsa unë, u lazdroja me Zazinë, nëpër Metro të Parisit.

Jacques Lacani, do i ketë 3 fëmijë dhe do okupohet personalisht në spitalin Saint-Anne, për autorin, aktorin dhe dramaturgun pak të krisur, poet sublim, aktor hipnotik dhe i pashëm, shpikësi i shkollës teatrore – «teatri i egërsisë, ose i pamëshirësisë – théâtre de la cruauté» zoti Antonin Artaud, edhe ai mu ka dhimbur shumë si figurë e djegur dhe e sakrifikuar. Për ta harruar atë dramë njerëzore të papërshkrueshme, dashurohet me shoqen e Georges Bataille, që e favorizonte një erotizëm makabër bodlerian, me aktoren delirante por të gjallë, Sylvia Bataille, e cila kishte merita për ta duruar atë spektër hamletian. Me 13 qershor 1940, kur hyn trupat gjermane në Francë, Jacques Lacani ikën në zonën e lirë në Marseille, ku e takon autorin e madh André Malraux, i cili ka marrë pjesë direkt në luftën civile spanjolle, një ndër të vetmit persona, që e ka admiruar edhe Charles de Gaulle, duke e ftuar rregullisht si mik intim tek shtëpia e tij private në Colombey les deux Eglises. Kurse unë, isha më tepër i koncentruar në këngën e gjinkallave, në blunë e detit mesdhetar, në dolce vitën feliniane dhe në vajzat që defilonin duke buzëqeshur në shëtitore. Lexoja më tepër Marcel Pagnolin dhe Jean Giono për t’u ambientuar, ndërsa sot ka ndryshuar ambienti, sidomos në lagjen 11 të Marseilles, ku kartelet e improvizuara qërojnë hesapet e tyre si në filmat serialë B – amerikanë, me kallashnikovë të blera në Ballkan, për pak lekë. Bravo, çfarë evolucioni… për ta mahnitur Oksfordin dhe Harvardin!

Kurse Lacani do e ketë një vajzë ilegale me Silvën… në vitin 1941, pavarësisht që janë të dy të martuar. Çka e detyron Georges Bataille për të divorcuar… Lacani, rifillon punën e tij si psikiatër në spitalin Saint-Anne dhe shkon për t’u instaluar tani në numrin 5, rue de Lille, në Parisin 7, një lagje super e qetë në këtë kryeqytet francez. Del nëpër klube, kafe, bare dhe takon Jean Paul Sartrin, Simonën e rrethuar me disa admiratorë të Sorbonës, Raymond Queneau, Pierre Reverdy, fotografin Brassai, aktoren gjeniale Maria Casarès, e dashuruar në autorin fenomenal Albert Camus. Ah, shyqyr që na kaloi edhe kjo Luftë e Dytë Botërore muti!

Silleni shampanjën dhe ta festojmë duke vallëzuar Shotën dhe vallen e Rugovës… / Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat