Pse nuk doli asgjë e ré tek ne? Më thoni, çka kemi shpikur konkretisht? Asgjë! Pse?

Kultura

Pse nuk doli asgjë e ré tek ne? Më thoni, çka kemi shpikur konkretisht? Asgjë! Pse?

Nga: Skender Sherifi Më: 16 janar 2023 Në ora: 16:12
Jacques Lacani psikanalisti, themelues i "Shkollës lakaniane të psikanalizës"

Tani jemi pas viteve 1945: kush është sjellur mirë, kush na ka tradhtuar? Kënd duhet për ta celebruar, kënd duhet për ta qethur, ngjuajtur me gur apo pushkatuar?

A ka dikush ndonjë karton, për të dëshmuar që kam qenë rezistent anti gjerman?

Do ua shpërblej me napolona ari dhe bizhuteri të vjedhura tek Hebrenjtë…

Franca e pas luftës, ka qenë kulmi i ultësisë dhe i hipokrizisë, diçka e paparë.

Nuk e di, a kanë pas rezistuar seriozisht 5 deri në maksimumi 10 për qind tamam?

Vetë Charles de Gaulle, ka qenë i gërditur dhe deklaron një ditë në dëshpërim:- shikoni, nuk kemi tjetër alternativë, o miq dhe me këta horra duhet ta ndërtojmë tani një shtet demokratik dhe profesional, duke i kontrolluar aq sa mundemi… sepse, përndryshe, duhet që t’i përjashtojmë apo pushkatojmë 90 për qind të francezëve.

Lacani e merr bazën e teorive freudiane, ose thelbin e Freud-it

Sa njerëz janë bashkangjitur realisht me mua në Londër dhe në lëvizjet e rezistencës franceze brenda territorrit? Ne, të gjithë e dimë realitetin… por na duhet për ta mbyllur tani atë kapitull të zi të historisë sonë!

Lacani lidhet tani me Mélanie Klein, psikanaliste austro-britanike, e cila ka krijuar një farë fame në Europë. Ndërsa në vitin 1949, do botohet një vepër referenciale shumë me rëndësi për Lacanin, që quhet «Strukturat elementare të lidhjes familjare – Les Structures élementaires de la parenté» të antropologut Claude Lévi Strauss, i cili e ka pas lexuar me shumë vëmendje Sigmund Freudin.

Sipas psikanalistit francez, fenomeni i nënvetëdijes ose subkoshiencës, i shpëton fushës puro biologjike, sepse përben edhe ai, një strukturë gjuhësore të tij… ndërsa fenomeni Edipian është universal dhe simbolik e jo natyror.

Në vitin 1951, kur arratiset ilegalisht babai im nga kufiri i Tropojës, përmes bjeshkëve të veriut, për në Gjakovë, tek Jugosllavia e Titos, si refugjat politik, në kohën e Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviçit, zoti Jacques Lacan e blen një pronë të madhe me kopshtë gjigant, terren dhe një Pallat, në regjionin e Yvelines, ku punon çdo të diele, konsulton disa pacientë të privilegjuar dhe organizon mbrëmje, dreka, darka, takime me Muharrem Bajraktarin, Abaz Kupin, Nik Sokolin, Shpend Sherifin. Koleksionon vepra arti, dhe çka pak kush e di, e ka pasur tek shtëpia e tij, veprën skandaloze të Gustave Courbet «Origjina e Botës». Po ashtu, kishte disa vepra të Balthusit, Renoir, André Masson, Derain, Monet, Giacometti; disa vizatime të Pablo Pikasos dhe plot statuja të periudhës aleksandrine të Egjiptit dhe greko-romake, pa folur për 5000 libra, me botime origjinale. Mund ta imagjinoni ju vetë, se në çfarë niveli ka qenë? Kush mundet për ta pasur sot, një koleksion të tillë? Pos, çka më ka mahnitur gjithmonë tek personalitetet franceze madhore që i kam njohur, përkundër Beneluksit, Zvicrës, Gjermanisë, pa folur për Ballkanin, është fakti, që e vendosnin artin dhe kulturën në epiqendrën e bisedave dhe të preokupimeve të tyre, ishte çelësi për t’u afruar me ta, në fakt dhe pos asaj, pos fushës së tyre profesionale, të cilën e zotëronin perfekt, nuk do mend… e kishin të gjithë një diapazon kulturor tepër të pasur, të gjerë, ngaqë ishin të etshëm për dije dhe kuriozë mbi çdo gjë të re, të cilën nuk e njihnin.

Çka për fat të keq, nuk e kam përjetuar kurrë në Belgjikë, edhe me elitën e vendit, as në Shqipëri, apo në Kosovën e sotshme (ndërsa, deri dikund, por në një nivel më të ultë natyrisht, e kam pas përjetuar gjatë qëndrimit tim në Prishtinë, pranë Ibrahim Rugovës dhe disa prej shokëve të mi intelektualë apo artistë të asaj kohe, me çiftet e Fadil Hysajt, Agim Sopit, Ismail Ymerit, Rexhep Ferrit, Rexhep Ismajlit, Qani Mehmedit, Tahir Emrës, Musli Mulliqit, Xhevdet Xhafës, Xhevat Mustafës, Fehmi Aganit, e ca të tjerë… biseda dhe debate kulturore me orë) gjatë viteve 1976-‘80, kurse sot, ka mbaruar përfundimisht ajo epokë (psikologjia mund të thuash post-studenteske, ose nostalgjia e kampuseve universitare) … vijnë dhe të takojnë formalisht apo mekanikisht për një kafe, duke e shikuar orën, kinse janë super të angazhuar dhe personalitete tepër të rëndësishme. Pra, kanë ndryshuar radikalisht raportet njerëzore, me një çoroditje… por jo aq për mirë, sipas meje!

Tani, për sa i përket fushës psikanalitike, e cila më ka pas pasionuar edhe mua, në rininë time, Jacques Lacani e merr bazën e teorive freudiane, ose thelbin e Freud-it, atë çka i duket profesionalisht e pranueshme, por e kontekstualizon, e modernizon, e ri-interpreton përmes teorive të linguistikës, të cilat, i ka huazuar tek Saussuri dhe Jakobsoni, përmes teorike filozofike të strukturalizmit dhe të fenomenologjisë, me Hegelin, Sartrin, Heideggerin, Claude Lévi-Strauss-in dhe Ramadan Byberin nga Ponasheci… por edhe nga eksperimentet dadaiste dhe surrealiste, me hipnozën, me shkrimin automatik, apo me deliriumet e Salvador Dalisë… dhe tani, të gjitha këto inspirime dhe huazime, i vendos në shërbim të shkollës freudiane, sepse i duket që Freudi është baza profesionale e psikanalizës (edhe pse ai vetë ka pas devijuar në shumë pika, porse e kanë keqkuptuar, shpeshherë me fajin e tij). Mirëpo, tani vjen Lacani, për ta pasuruar dhe strukturuar pak ndryshe… dhe kështu, lind gradualisht ajo çka quhet sot në Francë «shkolla Lacaniane e psikanalizës», e cila e ka dominuar gjithë skenën kulturore dhe shkencore franceze gjatë 30 viteve.

A u kuptuam siç duhet, si burrat e Malësisë? E keni një birrë prej meje!

Jacques Lacani e zhvillon idenë e tij, (Le Stade du Miroir) mund të themi «Etapa e Pasqyrës», por jo si një farë Narcizi, i cili e admironte vetveten në pasqyrë…

Por, duke na shpjeguar që kur çdo fëmijë, i cili fillimisht nuk është fare i vetëdijshëm mbi ekzistencën, trupin, apo imazhin e tij (çka është e logjikshme) kur e sheh për herë të parë, pastaj të dytë, të dhjetë, imazhin e tij në pasqyrë, pos efektit që i shkakton (e kam verifikuar me macen time siameze havana, pro Fidel Castro), fillon për ta kuptuar që e ka një trup specifik të tij dhe një imazh që i korrespondon dhe është dikur koshient që trupi i tij, sikurse edhe imazhi, dallon me trupat e tjerë të familjes. Pastaj më vonë, vjen ideja e «dëshirës, tërheqës, i atij pulsi të erosit, ndaj nënës… ah, po më bën mirë kur po më përkëdhel dhe përqafon nëna, por paralelisht, po e dëshiron edhe babain tim (burrin e asaj), pra trupin e babait… E pra, nuk qenkam i vetmi, i privilegjuar në një marrëdhënie fuzionale shkrirëse me nënën time dhe po mu dashke për ta ndarë nënën time me babain tim… i cili më do dhe e dua, deri në një shkallë të caktuar, por njëkohësisht, edhe është rivali im. E këtu, jemi tamam tek ideja e Freudit, në bazamentin e tij psikanalitik.

Lacani e perfeksionon atë teori të pasqyrës, me mbështetjen e profesorit Henri Vallon (mjek, psikolog, politikan, profesor në shkollën e famshme, le Collège de France) dhe të mikut të tij filozof, Alexandre Kojève. E mban një fjalim të dallueshëm në Romë, në vitin 1953, për t’i argumentuar pikëpamjet e tij mbi shkencën psikanalitike. Ndërsa, kushëriri im Fellini gjiron filmin «I Vitelloni», me Alberto Sordin, të cilin e kam pas takuar në Bruksel dhe Michelangelo Antonioni: «Zonja me Kamelia» me Gino Cervi, Alain Cuny dhe Lucia Bose. Ec e merrni vesh sepse, por kinematografia më ka ndjekur gjithë jetën, hap pas hapi, kudo që kam qenë dhe ndoshta më tepër sesa letërsia… jam dikund, një regjisor i dështuar, Motherfucker!

Të shkoj për një konsultim ekspres tek Jacques Lacani, për ta zbërthyer këtë nyje, këtë mjegullnajë ballkanike. Mirëpo, në vitin 1955, ishte në Fribourg të Zvicrës, duke pi kafe me Martin Heidegger. Ishte me siguri më interesant, sesa një pirat poetik ilirian i Valbonës. Ja huazon me delikatesë idenë mbi «hulumtimin, dëshirën për t’iu afruar së vërtetës» në paralel me «lindjen dhe zhvillimin e dëshirës» si vjen ai proces i dëshirës dhe në cilat etapa kalon për t’u realizuar? Po ashtu, e ka bërë të njëjtën gjë me konceptin e Ferdinand de Saussure: «Le signifiant et le signifié » qysh mund ta integroj në teorinë time mbi psikanalizën? Pra, dallimi mes fjalës së shkruar, me germa, silabe, morfema, shenja alfabetike, po atë fjalën e shkruar që e shohim me sy, sipas një konventi leksikor dhe gramatikor… E sheh fjalën e shkruar «tavolinë apo shtëpi» e pastaj, «le signifié» është interpretimi simbolik i asaj fjalë në kokën e Njeriut, qysh e sheh ai vet konkretisht atë fjalë, qysh e koncepton, si e përfytyron, e tjera…? Pra, kur e prononcon fjalën «shtëpi»: çka i vjen në kokë, si sens, si imazh, si domethënie konkrete? Ndërsa, për Lacanin, idenë linguistike: «le signifiant» e intepreton në sferën e tij psikologjike, si elementin «gjuha» pra, një mjet komunikimi esencial (ku ka akustikë, tinguj, fonetikë, por edhe simbolikë konceptuale). Dhe aty, i vjen me siguri ajo ideja, e cila mua, m’u ka dukur mjaft gjeniale: “subkoshienca apo nënvetëdija është strukturuar si një gjuhë në vete”.

Kemi dëgjuar çfarëdo lloj deliri, jam Napoleoni, Papa, Zoti, kam bërë këtë e këtë…

A ju thashë që gjuha është mjet komunikimi? Po! Por edhe të çmendurit, psikotikët, paranojakët, skizofrenët komunikojnë nëpër azile, përmes gjuhës së tyre, apo jo? Kemi dëgjuar çfarëdo lloj deliri, jam Napoleoni, Papa, Zoti, kam bërë këtë e këtë… disa, edhe kanë shkruar tekste të çuditshme, kanë bërë vizatime fantastike, piktura… Por, si mund të futesh ti, si intelektual, si psikolog, si filozof, në botën e tyre për të tentuar me i kuptuar deri dikund? Si mund të deshifrohet çmenduria e tyre… tamam si me i deshifruar hieroglifet apo shkrimet etruske? Natyrisht, vetëm përmes gjuhës, si instrument komunikimi. Është krejt evidente, porse Jacques Lacani e ka thënë dhe e ka teorizuar perfekt, e këtu qëndron ajo madhështia e tij. Pastaj, në vitin 1938 e takon dhe lidh një miqësi të gjatë dhe besnike me Françoise Dolto, e cila na ka lënë një gjurmë madhore, në studimin e psikologjisë fëminore dhe e ka mbështetur këtë teori të Lacanit mbi «strukturën gjuhësore të subkoshiencës» – pra, si artikulohet, si zhvillohet, me luhatjet dhe nuancat e saj? Kur më thoshte për shembull në Bruksel, gjyshi im shpirtëror, zoti Marash Tushi nga Nikaj-Mërturi – «More djalë, ti nuk e di se çfarë lufte të ashpër kam bërë në malet tona me një kuçedër 6 metra të gjatë… jam kacafytur me të me orë, derisa mezi kam shpëtuar gjallë»! Në të cilën botë ishim? E çka me i thënë? Me e thirrur shpejt Lacanin në telefon? I thashë: “Bravo të qoftë, se e ke nderuar Malësinë e Gjakovës”!

Mes viteve 1953 deri në 1963

Jacques Lacani mban për çdo javë një lloj seminari të improvizuar mbi lloj-lloj teme intelektuale të ditës, një farë banketi post sokratik të shekullit 20… edhe kjo, mu ka dukur mua një idé mjaft gjeniale, sepse, e kam pas ëndërruar këtë gjë me vite, për në botën tonë shqiptare, por kam folur në ajër. Ideja e AGORES helenike… për t’u mbledhur si burrat me të gjitha dallimet dhe specifikat tona respektive, për të shkëmbyer ca ideja së bashku, rreth një tavoline, simbolikisht një sofre me pjata dhe pije, sa për të biseduar miqësisht, debatuar mbi problemet e kohës, por duke e respektuar njëri-tjetrin paraprakisht. Por LACANI, e ka realizuar gjatë 10 viteve së paku dhe ka qenë gati një laborator idesh dhe hulumtimesh të llojllojshme. Imagjinojeni, Jacques Lacanin për çdo javë, i rrethuar me miqtë e tij të fushës psikanalitike, me disa shkrimtarë, piktorë, dramaturgë, sociologë, filozofë, linguistë, muzikantë… tamam, si në odat shqiptare. Imagjinojeni nëse dikush i ka regjistruar, filmuar, apo shënuar rezultatet e të gjitha atyre seminareve miqësorë lakanianë? (Janë në minimum mes 400 ose 500 takime). Kurse tek ne mezi mblidhen 3 shqiptarë rreth një tavoline. Më lehtë i mbledh po themi 3 pleshta, siç thoshte Fishta më duket apo dikush tjetër! A është normale? Sa herë ua kam shpjeguar bashkatdhetarëve të mi këtë problematikë qendrore. Si janë shpikur rrymat, shkollat e mëdha filozofike apo artistike, si për shembull: kubizmi, fovizmi, dadaizmi, surrealizmi, kobra, bauhaus, pop arti i Wahrolit, nouvelle vague kinematografike franceze me Godarin, vala e ré gjermane me Fassbinder-in, Wim Wenders-in, Schlondorfin, Werner Herzogun, Alexander Kluge, arkitektura e destrukturuar me Frank Ghery për shembull, muzika eksperimentale me Pierre Boulez dhe Olivier Messianin, ekzistencializmi, strukturalizmi, e ca rryma të tjera…?

Sepse, 5 deri në 10 persona kanë vendosur për t’u takuar rregullisht së bashku gjatë disa viteve, për t’i konfrontuar miqësisht idetë e tyre, nëpër kafe, restorante, shtëpi, kinemateka, qendra artistike dhe pastaj si rezultat konkret, kanë dalur këto inovime, revolucione estetike dhe shkolla, që kanë përforcuar dhe pasuruar shekullin 20.

“A jeni me Lacanin zotëri apo kundër Lacanit”?

Pse nuk doli asgjë e ré tek ne? Më thoni, çka kemi shpikur konkretisht? Asgjë! Pse? Sepse, funksionojmë komplet për dallash, me shkollën negative të shejtanit, sistematikisht njëri kundër tjetrit e jo njëri me tjetrin, me një ego absurde të sëmurë, të cilën nuk e justifikon aspak fillimisht niveli i veprimtarisë sonë personale. Me logjikën e atij seminari, kuptohet mirë, pse Jacques LACANI mbretëron, si figurë qendrore e inteligjencës franceze për disa dekada? Sepse, e ka orkestruar vetë me shumë mjeshtëri atë punë! Prandaj, gjithë historia e psikanalizës moderne aktuale, fillon me pozicionimin fillestar «a jeni me Lacanin zotëri, apo kundër Lacanit»?

Nuk e di a ekziston një intelektual tjetër francez, i cili e ka mbërri atë statut në Francë? Ndoshta, deri dikund Jean-Paul Sartri, por jo në atë shkallë… po ashtu, Jean Luc Godard, në film (a jeni pro apo kundër Godarit)? Nuk ka debat kulturor në Paris, që nuk kalon herët apo vonë gjer tek citimi i Lacanit. Bile, shkon puna bukur thellë dhe me disa kriza madhore. Si pasojë e gjithë kësaj rrëmuje do anulohet, do shkrihet Shoqata Franceze e Psikanalizës (S.F.P). Këto janë pasojat lacaniane…

Dhe do ju duhen 10 vite, për të qenë akoma të pranuar dhe të njohur nga shoqata internacionale e Psikanalizës, të cilën e zotërojnë më tepër amerikanët dhe anglo-saksonët (I. P. A – International Psikoanalitik Association), e cila shoqatë, ju kërkon për t’i njohur dhe anëtarësuar, që ta ekskludojnë përfundimisht Jacques Lacanin dhe Françoise Dolton prej grupit të tyre së pari dhe bile t’ua ndalojnë për t’i formuar si pedadogë, studentët e ardhshëm të fushave psikologjike. Si rezultat praktik i kësaj kërkese radikale, plas komplet dhe përçahet psikanaliza franceze në dy grupe: «kush është me Lacanin dhe kush është kundër»? Gjithë këta që janë prononcuar kundër, do e krijojnë më vonë me liderin zotin Daniel Lagache, «Shoqatën Psikanalitike të Francës». Ndërsa, këta që kanë qëndruar besnikë ndaj ideve të Jacques Lacanit, i cili është tani 63 vjeçar (në vitin 1964), do e themelojnë në emrin e tij “Shkollën freudiane të Parisit” të cilën do e drejton ai vet, gati si Guru dhe pak autokrat, Maestro absolut. Filozofi fenomenologjist François Wahl, do ia botojë “Shkrimet – Ecrits” në shtëpinë e njohur parisiane, «Le Seuil» në vitin 1966 dhe libri korr një sukses pranë inteligjencës franceze, duke e afruar psikanalizën lacaniane me strukturalizmin.

Kështu, që Jacques Lacani do bëhet emër prestigjioz dhe referencial, si emblemë madhore e strukturalizmit, me Claude Lévi Strauss, Roland Barthes dhe Michel Foucault, të cilët, duke qenë ikona të adhuruar, e kanë pasur një influencë shumë të madhe në skenën parisiane dhe mund të thuash edhe planetare. Duke përfituar nga kjo famë, shkolla freudiane e Lacanit, ka një sukses të paparë, saqë nuk mund t’i pranon të gjithë studentët e interesuar. Dhe natyrisht ata që studiojnë në atë shkollë, e konsiderojnë Lacanin, si Majkëll Xheksonin apo Princin, gati si Zotin. Fenomeni i guruve dhe i star sistemit amerikan… ose shoqëria e spektaklit permanent! Si zotëri Shpendi, i cili mbretëronte nëpër Odat e Brukselit, dhe hynte pa pagesë, në romanin e Nasho Jorgaqit. Fama e Lacanit kalon çdo kufi, ngaqë e admirojnë edhe ata të majit ’68, grupet e majta maoiste, kurse në realitet, ishte pak më konservator i djathë dhe mbështeste sikurse unë De Gollin, por dikur edhe unë, u lodha me stilin e Babë Gjyshit, më hyri rock and rolli në gjak… dhe dëshiroja me dalur pak mendsh!

Vazhdojnë përsëri krizat dhe përplasjet

E themelon në Universitetin e Vincennes në Paris 8, departamentin e Psikanalizës, të cilin do e drejton dhëndri i tij, zoti Jacques Alain Miller, që do jetë edhe botuesi i të gjithë seminareve që ka dhënë Lacani në Francë dhe në botë, të cilët janë të dokumentuar apo të evidentuar dikund. Mirëpo, në skenën parisiane, vazhdojnë përsëri krizat dhe përplasjet, pro dhe kundër Lacanit dhe ia sulmojnë rëndë shkollën e tij freudiane, po ashtu edhe veprimet brenda Universitetit në Vincennes, ku kanë ndodhur disa anomali dhe skandale. Dhe dikur do të detyrohet për ta mbyllur shkollën e tij freudiane të Parisit, në vitin 1980. Dhe në moshën 80-vjeçare, vdes nga pasojat e një kanceri gjatë vitit 1981, në banesën e tij të fundit, numri 74, rue d’Assas, në Parisin 6.

Tek botimet e Freud-it, Lacani i ka pasur po themi këto 3 vepra si referencë ose si kult: «Interpretimi i ëndrrave – Psikopatologjia e jetës së përditshme – dhe Marrëdhënia e fjalës me subkoshiencën», bile dy prej tyre, i kam pas lexuar…

Pastaj, e ka pasur si referencë madhore edhe veprën e mikut tonë të përbashkët, antropologut me prestigj planetar, zotit Claude Lévi Strauss, çuditërisht i lindur në Bruksel në vitin 1908… vepër me titullin “Strukturat elementare të lidhjeve familjare – Les structures élémentaires de la parenté”.

Ndoshta, filozofia lacaniane në psikanalizë, mund të përmblidhet me këtë formulë farmaceutike: “Një orkestrim magjik i teorisë strukturale të dëshirës, dhe të formulimit të saj, përmes gjuhës? Pra, si lindin dhe si zhvillohen”? Sepse pulsi i dëshirës, është i shënuar që në esencën e Njeriut, është puls jete, puls erosi, është i vendosur në epiqendrën jetësore, si motor, si karburanti esencial. Pra, jetojmë për të dashur diçka dhe për ta realizuar, konkretizuar. Jeni dakord? Kurse në fazën e dytë: e kemi gjuhën, si instrument komunikimi mes nesh, si mjet përshkrimi, por edhe si element për t’u futur në botën misterioze të ëndrrave, të fantazisë dhe të subkoshiencës tonë të thellë dhe të errët, pra, për të hyrë në zonën e paformuluar deri tani me fjalë, por që vetëm gjuha mund ta formulojnë dikur. Këtu, jemi në thelbin e filozofisë lacaniane, siç e kam kuptuar unë, me antenat e mia.

E kishte atë teorinë e tri rregullave: «le réel – le symbolique – et l’imaginaire – pra, realiteti – symbolika – dhe imagjinata « me idenë sipas mendimit tim, i pa shkollë…

Realiteti, realja: ajo që është, që ekziston paraprakisht, gati bruto, natyrshëm, por që nuk mund të emërohet menjëherë.

Simbolikja: është mjeti gjuhësorë, me të cilin komunikojmë dhe i përshkruajmë gjërat apo fenomenet e jetës, një botë shenjash, tingujsh, fjalësh, leksikesh, kodesh që simbolizon diçka precize, dhe të cilën e kemi ndërtuar dhe artikuluar ne si njerëz tokësorë, sipas një rangu, një rregulli arbitrar dhe simbolik dhe në bazë të vlerave që i kemi dhe në të cilat besojmë. Pra, pse e kemi thirrur këtë gjë, kështu me këtë fjalë, e jo ashtu ndryshe, me një fjalë tjetër?

Imagjinarja: është ana subjektive, emocionale, se si individi e percepton vetën dhe boten që e rrethon, në marrëdhënie me të tjerët dhe përmes përdorimit të gjuhës?

Nuk e di sesa isha i qartë, or miq dhe mikesha, se nuk jam specialist i asaj fushe. Specialist i verërave dhe i djathërave franceze me Jusuf Vrionin, i piteve dhe i flijeve në Tropojë dhe Kosovë, i qofteve dhe i pilafëve malësore. Ma bëfshi natën e mirë!

Në Amerikë, e ka popullarizuar një filozofe e Universitetit Berkeley

Tani, po ua lë këtë temë për doktoratë. Por, nuk kam kohë, as durim për të qenë mentor tezash, as tezesh… paguajeni dikënd tjetër, për sevap, se më duhet tani së paku 6 muaj meditim në TIBET, me Dalai Lamën, për të ardhur në vete.

Disa filozofë e kanë dashur dhe mbështetur Jacques Lacanin, sidomos marksisti i njohur Louis Althusser dhe Michel Foucault. Në Amerikë, e ka popullarizuar një filozofe e Universitetit Berkeley, zonja Judith Butler. Ka interesuar jashtë mase edhe filozofen franko-bullgare, specialiste e çadrave të helmuara, Julia Kristeva, pastaj François Regnault, Philippe Labarthe, Jean Luc Nancy, Barbara Cassin, Catherine Clément, filozofin slloven mjaft në modë Slavoj Zizek dhe marksistin Alain Badiou. Mund të themi që Jacques Lacani ka influencuar në një mënyrë direkte apo indirekte edhe disa personalitete të tjera sikurse, Philippe Sollers-in, Jean Bertrand Pontalis, Roland Castro, Antoinette Fouque, Françoise Giroud, Félix Guattari, Dora Maar, një ndër shtatë shoqet e Pablo Picassos, Mariane Oswald, François Perrier, François Wahl dhe autorin belg, çmimin Goncourt, zoti François Weyergans. Ka qenë i pranuar dhe i diskutuar edhe në meset militante feministe.

Në veprat e tij kryesore mund të citohen:

De la psychose paranoiaque dans ses rapports avec la personnalité – Le Seuil 1975

Ecrits – Le Seuil – 1966

Le Séminaire – Le Seuil … vepër e paraparë në 20 volume – filluar në Paris – 1973

Autres écrits – Le Seuil – 2001

Pas tout Lacan – Ecole de la cause freudienne de Paris – në 2012

Pastaj, ka aty-këtu intervista televizive, dokumentarë, incizime të seminareve dhe të leksioneve nëpër universitete apo salla ku ka qenë i ftuar…

Unë personalisht e kam dashur jashtë mase atë njeri dhe më ka kthyer për mirë. Më ka këshilluar, kam kaluar momente të bukura, humoristike dhe të afërta me të. E di, që na ka funksionuar energjia pozitivisht, ngaqë ishim dikund të dy, pak rebelë dhe antikonformistë. Me ka qetësuar kur isha i mbushur me nerva dhe me energji negative. E donte sinqerisht artin, muzikën, pikturën dhe poezinë… Ishte pak teatral dhe aktorial, por jo me mua në privatësi intime… e bënim njëri-tjetrin për të qeshur, sepse e dinte mirë, që ja kam asimiluar truqet, manovrimet në shoqëri… sharmonte çdokënd, nganjëherë disa e urrenin në ekstrem, por pa e ditur as vet sepse? Filozofia e tij psikanalitike, nuk ka qenë aq e lehtë për ta kuptuar qartë, ngaqë ai e shprehte me qëllim, në një mënyrë tepër teknike, zhargonike dhe universitare. Kur ia formuloja unë vetë, në një stil më të thjeshtë dhe popullor, më thoshte: shiko, ti mik, nuk duhet me vepruar ashtu, sepse kur Pleba i asimilon të gjitha këto dituri, kush do na bindet dhe do na respekton neve për elitë? Pleba, ishin populli, apo proletarët e kohës romake. Pra, për ta mbajtur rangun universitar të dijes, duhet për ta komplikuar në maksimum formulimin e ideve tona teorike. Por, unë nuk isha dakord. Më thoshte, duhet mundim dhe djersimë për të mbërri deri në këtë shkallë.

Dija meritohet dhe nuk ofrohet ashtu krejt falas, pa asnjë sakrificë apo investim!

Kurse unë, isha si Dervish Luzha, për të thjeshtësuar dhe për të ofruar çdo gjë falas.

Ka qenë person super i rafinuar dhe i kultivuar dhe unë e falënderoj sinqerisht për gjithçka më ka ofruar mua në jetë. Janë kujtime që nuk mund të fshihen kurrë…

Ndoshta, në botën tjetër, mund të ma rezervosh dikur, për t’i kuptuar më mirë disa enigma dhe absurditete tokësore, ndonjë seancë psikanalize të improvizuar alla Sherifi. Më merr disa herë malli për shikimin tënd, plot pikëpyetje dhe buzëqeshje, atë ironinë anglo-saksone, në momente kundërshtimi… All the best my dear friend, nga ana ime dhe e futbollistit aventurier Georges BEST! Edhe kjo është kulturë…

Mund të përfundojmë me këngën e Tina Turner: Let’s go… «Simply the best»! / Fund

Me 1 janar 2023 në Bruksel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat