Claude Lévi-Strauss-i, babai i antropologjisë botërore, pendimi dhe dështimi më i madh i jetës sime…

Kultura

Claude Lévi-Strauss-i, babai i antropologjisë botërore, pendimi dhe dështimi më i madh i jetës sime…

Nga: Skënder Sherifi Më: 17 janar 2023 Në ora: 12:54
Claude Lévi-Strauss-i

Kur e mendoj edhe sot lidhjen speciale që kam pasur gjatë gjithë atyre viteve parisiane (për mua periudha më e artë), me antropologun, me siguri i famshmi i planetit tokësor, zotin Claude Lévi-Strauss, më vjen një mërzi e përzier me një mall dhe një plagë shpirtërore, gati për të qajtur… Sinqerisht, rrallëherë e kam ndier veten më keq, më nul dhe i dështuar, se në atë moment, ku jam detyruar moralisht për ta refuzuar propozimin e tij aq të ndershëm, të papritur për mua dhe i cili ishte një privilegj dhe një sukses madhor në realitet, për gjithë botën tonë shqiptare, kur më tha: “shiko, i dashur Sherif, po ta formuloj një kërkesë konkrete… a jeni dakord, nëse marr një buxhet korrekt nga institucionet franceze, që të shkojmë unë dhe ti, për t’i studiuar në detaje, të gjitha ritet, zakonet, folkloret, mitet, legjendat dhe kanunet e Shqipërisë veriore, në zonat e Malësisë, të cilat m’i ke pas përmendur dhe shpjeguar disa herë miqësisht tek shtëpia ime. Pra, do shkojmë pse jo, 3 muaj nëse duhet së bashku, do i verifikojmë, do i studiojmë dhe do t’i analizojmë seriozisht, duke i takuar njerëzit, të cilët i praktikojnë konkretisht në jetën e tyre të përditshme. Do flasim me Pleqtë dhe Plakat, do i marrim në pyetje, do i përjetojmë me ta ritet e odave, të cilat do m’i komentosh life, ato të fejesave, martesave, vdekjeve, festat, këngët e vallet dhe domethënia e tyre precize, besimet e njerëzve, logjika reale e atyre kanuneve, e kodeve gojore dhe mënyra sesi interpretohen, sesi praktikohen…

Si me më pas dënuar dikush me pushkatim

Do e marrim një magnetofon dhe një aparat fotografik dhe t’i do m’i përkthesh të gjitha pyetjet e mia, që do i shënoj paraprakisht në një fletore të etiketuar ALBANIA: ritet dhe zakonet antike! Plus, ato që do më vijnë spontanisht në vend… dhe do m’i përkthesh përgjigjet e tyre, duke m’i dhënë disa sqarime. Pastaj, mundesh për të m’i dhënë edhe sugjerimet e tua, nëse ke diçka shtesë për ta kompletuar studimin, pa asnjë problem… A je parimisht dakord me këtë princip, zoti Sherifi”?

Nuk mund ta imagjinoni, të dashur miq dhe mikesha, gjendjen time shpirtërore, si me më pas dënuar dikush me pushkatim… e përjetoja brenda vetës një gëzim dhe një krenari teorike, sepse propozimi ishte tepër gjigand dhe nuk e besoja as vetë, kur ma shprehu. Por nuk dilte në sipërfaqe, sepse ishte i fundosur gëzimi me një ton pikëllim, zhgënjim, disfatë, mallkim të fatit, ngaqë e dija që do jam i detyruar për t’ia refuzuar dhe për t’u tërhequr, natyrisht komplet jashtë dëshirës, apo vullnetit tim, por i shtyrë ose i diktuar nga rrethanat e poshtra politike, nga absurditeti i situatës, nga deliri dhe patologjia e sistemit stalinian alla shqiptar. E çfarë idioti mund t’i thoshte ‘JO’ … Claude Lévi Strauss-it?

E qysh me ja thënë (unë Skënder Sherifi, që në atë moment, e kam pas urryer vetveten në maksimum, duke e konsideruar të pafalshëm, për nga idhnimi dhe zhgënjimi, unë që e kisha futur vet në atë lojë, duke e interesuar me vite të tëra, mbi natyrën dhe realitetin tonë specifik si popull shqiptar… dhe çfarë fati ishte për ne si shqiptarë, interesimi i tij… dhe tani, unë malësorë nga ato vende legjendare dhe mitike të Shqipërisë veriore, kanunore, fishtiane, me atë kujtesën e lashtë gojore, rapsodike, epike dhe përvojën e odave, do i them ‘Jo’!

M’u dukte gati kriminale, për të merituar pushkatim (por ishalla me poetin Frederiko Garcia Lorca në Grenadë të Spanjës, me një përcjellje dinjitoze, me kitare, flamengo dhe vallet e Carmenëve andaluze. Më falni, o burra, nëse nga ligështia apo mos kuraja e ime, e kam koritur Malësinë antike)! Por qysh me i thënë jo, Claude Lévi-Straussit dhe si me ia argumentuar?

Mos harroni që ishim në vitin 1976 dhe që flitej këtu për një udhëtim studimor 3 mujor, në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, i cili e konsideronte veten si model absolut i asaj ideologjie të sëmurë dhe anti-njerëzore, më komunist se gjithë komunistët e botës, një model shoqërie, të cilin jemi akoma duke e paguar shumë shtrenjtë edhe sot brenda Shqipërisë, ngaqë funksionojmë deshëm apo nuk deshëm, direkt apo indirekt, në një mënyrë subkoshiente, përmes atij sistemi shoqëror dhe politik, në mënyrën sesi vendosim, sesi i drejtojmë gjërat, sesi e interpretojmë Demokracinë, me autokraci dhe autoritarizëm, si në modelet e Erdoganit apo Viktor Orbanit… pra, jemi po në atë lloj psikologjie post komuniste edhe sot në vitin 2022, për edhe 30 vite me siguri, po themi gjer në 2050.

Pastaj do shohim, se deri në çfarë shkalle jemi pastruar apo auto-pastruar nga ai sistem pervers, patologjik, delirant dhe psikopatik, i cili ka lënë tek neve si popull shumë pasoja… dredhi, spiunimin, egocentrizmin, mosbesimin, oportunizmi, hipokrizinë dhe dallaveret, të ngritura si shkencë mbijetese, dhe antivlerat të propaganduara si vlerë… pa folur për traumat e shumta, defektet psikologjike dhe morale, mes nesh dhe brenda familjeve, psikozat, nervozat, skizofrenitë… saqë asnjë psikoanalist, nuk mundet për t’iu bërë ballë, pa luajtur vetë mendsh, apo pa ushtruar dikur vetë një vetëvrasje? Më patën thënë në një moment, dy këngëtarë të droguar dhe alkoolik, me plot ironi dhe duke qeshur, bile njëri prej tyre, ishte një gjeni absolut i muzikës, zoti Serge Gainsbourg, që dy-tre psikoanalista të cilët janë marrë me ne, e kanë vrarë dikur veten, ngaqë nuk e kanë përballuar më, atë situatë. Ha… ha… ha…!

Dhe jam tani ulur afër Claude Lévi-Straussit, si mbreti i debilave, për t’ia refuzuar propozimin. Waouw shit! I mjeri unë… dhe i tash duke folur me shpirt dhe pa asnjë kalkulim, ashtu siç më vinin fjalët: “I dashur mik, zoti Strauss, dije që të dua dhe të respektoj jashtë mase, dije që e konsideroj për nder dhe për privilegj të rrallë dhe jashtë çdo çmimi për mua dhe aq më tepër për kombin tim shqiptar, propozimin që ma keni bërë në mirëbesim, për ta studiuar imtësisht Shqipërinë antike të Veriut. Të falënderoj 100 herë për atë gjest madhështor dhe burrëror ndaj nesh. Por, me shumë keqardhje, me mërzinë më të madhe, jashtë çdo dëshire time, intime dhe e kuptoj, jashtë çdo logjike puro shkencore (se është me të vërtetë tepër absurde), jam i detyruar me të thënë – jo miku im i dashur, nuk mund të vi me ty për 3 muaj në Shqipërinë komuniste aktuale. Nuk e imagjinon as ti, sesa më vjen keq, për të qarë dhe bile ka shanse, që nuk do ia fal kurrë vetes, sa të jam gjallë, atë refuzim. Ndoshta jam i lig dhe më mungon kurajo, nuk e kam stoicizmin e samurajve japonezë. Por zoti Lévi-Strauss, më len për ta argumentuar këtë refuzim dhe më thuaj pastaj, a e ke kuptuar apo jo, a jeni i bindur realisht, apo jo?

Djali i një anti-komunisti - Oficer i Mbretit Zog

Shiko, o mik i nderuar, unë jam djali i një anti-komunisti, zotit Shpend Sherifi, që ka qenë Oficer i Mbretit Zog dhe i cili i ka pas pësuar dy dënime me burg në Shqipëri, në Shkodër dhe në Porto Palermo dhe pastaj kur e kanë liruar, është arratisur me familjen e tij të afërt, duke e kaluar klandestinisht kufirin, tek Alpet e Shqipërisë veriore, pikërisht tek ato zonat e kanunit antik, për në ish Jugosllavinë e Titos, ku qyteti kryesor Gjakova ishte rreth 3 orë larg kufirit shqiptar. Jemi në vitin 1951! Tani, si pasojë e kësaj arratisje, ai do shpallet ‘Armik i Popullit dhe i Regjimit komunist” dhe do figuronte në listën e zezë të asaj Qeverie staliniane. Pastaj, konkretisht të gjithë familja e tij, e cila ka pas ngelur akoma brenda territorit të Shqipërisë, pra, motrat e tij, të martuara me familje, kushërinjtë e afërt dhe gjithë farefisi, janë dënuar, dëmtuar dhe e kanë paguar atë arratisje të babait tim, me burgje, me depërtime, internime dhe janë konsideruar si Muzhikë, si Skllevër, si qytetarë të zonës së dytë, si familje armiqësore dhe nuk i kanë lënë për të avancuar apo për t’u shkolluar nëpër universitetet e vendit. Kanë jetuar si viktima të përjetshëm të atij Regjimi komunist, pa e bërë asnjë faj personal ata vetë, por vetëm që kanë pasur një lidhje familjare me zotin Shpend Sherifin. Dhe tani, zoti Strauss, unë jam djali i tij i madh dhe me statut Refugjat Politik i Kombeve të Bashkuara – i mbrojtur nga ajo konventa e Gjenevës të vitit 1951 – pra, konkretisht i ikur nga një shtet diktatorial komunist dhe i strehuar në botën demokratike dhe liberale kapitaliste të Europës Perëndimore. Por, nuk jam as me nënshtetësinë belge, por me statusin e një refugjati politik pa atdhé, një apatrid! Tani, me ardhur unë me ty në Shqipërinë e Enver Hoxhës, çka do ndodh sipas teje? Ty, si francez, mund të pengojnë, të bllokojnë, ndoshta edhe të arrestojnë për pak kohë, me pretekst që ke ardhur si spiun apo ku me e ditur për çka, me një përcjellje permanente, pra, do ta nxijnë komplet udhëtimin dhe do të sabotojnë… Mirëpo, me prestigjin që ke, me emrin që ke dhe me statusin francez, për ty, do ndërhyjë direkt FRANCA dhe do të nxjerrë jashtë pa problem, porse studimi yt do dështojë, sepse nuk do të lënë për të vepruar lirisht siç do ti andej gjatë tre muajve. Ndërsa mua, zoti Lévi-Strauss, do më arrestojnë si djali i Shpend Sherifit, si armik klase i regjimit dhe do përfundoj përjetësisht në një burg, apo te gulagu stalinian dhe do mbaronte filmi im me aq! A po më kupton, miku im? Pastaj, me statusin që kam, as Belgjika nuk mund të ndërhyjë në favorin tim si shtet, sepse nuk jam belg me nënshtetësi, por refugjat apatrid dhe politik i Kombeve të Bashkuara, me disa të drejta udhëtimi mjaft të kufizuara dhe të kushtëzuara. Por edhe me ndërhyrë po themi Belgjika, nuk do funksionojë, sepse nuk pyet fare Enver Hoxha për Belgjikën. Nuk kanë peshë apo ndikim, sikurse Franca në Shqipërinë komuniste. Tani, si rezultat konkret, miku im Claude – ty të pengojnë në maksimum, por do nxirresh nga situata, atje brenda Shqipërisë, se e ke Francën me vete dhe prestigjin tënd ndërkombëtar. Ndërsa, unë do përfundoj në një Gulag muti dhe do mbaronte aventura ime tokësore. Dhe tani, pyetja është kjo: A mund ta riskoj këtë udhëtim fantastik me ty, miku im, apo jo? A ia vlen për ta marrë atë rrisk apo jo”? Dhe me të thënë të drejtën, nuk e kam atë kurajo, sepse jam i bindur që për mua do jetë një vetëvrasje përfundimtare. Dhe nuk e shoh mirë, se çka do fitojmë më në fund? Me një fjalë tjetër: propozimi yt është tepër gjenial, madhështor dhe i papritur për mua, si edhe për të gjithë bashkatdhetarët e mi shqiptarë… unë, vetëm do kam mirënjohje të përjetshme ndaj teje, për këtë gjest aq fisnik dhe i pabesueshëm për mua. Mirëpo, konkretisht dhe praktikisht, nuk vjen në momentin e duhur, pra nuk jemi në timingun, ideal dhe mund të themi, që të dy, jemi viktima të këtyre rrethanave të ulëta politike, të një konteksti absurd dhe të pafavorshëm, pos asaj edhe i rrezikshëm për mua. Na ka sabotuar këtë studim grandioz mbi ritet malësore, regjimi komunist i Shqipërisë. Ka qenë e shkruar ashtu, ku me e ditur, çështje fati, nuk i kemi pasur kushtet dhe rreshtimin e Planetëve në favorin tonë… si e mendon, zoti Claude Lévi-Strauss”?

“Po, të kuptoj zoti Sherifi, ta kuptoj zhgënjimin, por mos ki merak, kështu e ka jeta. Ka shumë gjëra, të cilat i mendojmë me të drejtë, porse nuk mund t’i realizojmë. Duhet ta pranojmë me urtësi. Ku me e ditur, ndoshta do na jepet dikur një rast tjetër. Por të falënderoj për të gjitha informatat që m’i ke dhënë mbi botën zakonore antike shqiptare të veriut, të cilën para njohjes me ty, nuk e kam pas njohur fare”.

E përqafova me disa lotë në faqe, nga përmallimi… dhe më shtrëngoj si gjysh.

Tani, kur e gjykoj me distancë, mund të them që objektivisht, nuk isha fajtor për atë dështim tragjik për ne si komb shqiptar. Kush më tepër sesa unë, do e kishte ëndërruar një studim ultra profesional të Claude Lévi Straussit mbi zakonet, ritet, besimet antike, kanunet, mitet dhe legjendat e Shqipërisë veriore nëpër fshatrat alpestre të Tropojës, Hasit, Pukës, Mirditës, Malësisë së madhe, e tjera zona malore? Por, a kishte sens për mua, me ardhur vullnetarisht brenda ferrit të Shqipërisë staliniane, kur e dija që si do të përfundojë ajo histori? Dhe askush nuk mund të jetë më i mërzitur se unë, për atë mosrealizim të asaj ëndrre… por nuk ishte e shkruar.

Si të isha para komisariatit të Policisë intelektuale parisiane…

Mirëpo, edhe sot, nuk e di sepse, por e ndiej prapë veten, pak a shumë fajtor! E kam takuar përsëri disa herë Lévi-Straussin edhe pas atij episodi të mjerë, por kurrë nuk ma ka ripërmendur, se ishte njeri delikat, i thellë dhe i edukuar. Kemi folur për literaturë, filozofi, pikturë, film, sociologji, zakone antike, takimet tona me disa personalitete dhe kishte dëshirë me më pyetur mbi disa subjekte precize, ngaqë i interesonte mendimi im. E dinte, që unë do i përgjigjem pa protokoll dhe me një autenticitet maksimal, ashtu siç e perceptoj atë problem, përmes antenave të mia subjektive. Dhe pikërisht, këtë gjë, e prisnin të gjithë personalitetet franceze prej meje. Për t’iu thënë eventualisht diçka, që nuk ua ka thënë askush më parë, para meje. Çka edhe ndodhte në disa raste dhe ma thoshin ata vetë me shumë gëzim. Mirëpo, pastaj, e keqja ishte, që më vendosnin në provim intelektual universitar, nga deformimet e tyre profesionale, çka e kuptoja super mirë. Donin që t’ua justifikoj me argumente shkencore dhe me referenca bibliografike precize, çdo afirmim timin.

Më thonin: “Bravo, zoti Sherif, analiza juaj është sublime dhe e jashtëzakonshme, por si keni mbrri në atë analizë, me të cilën metodë dhe cilat etapa duke i kaluar? Cili autorë të ka shërbyer, cila vepër, cilat referenca”? Waouw… shit! Prapë, para komisariatit të Policisë intelektuale parisiane… gjithë jetën në provime shkollore!

U thoja nganjëherë si provokim: – Duke i kaluar bjeshkët e Pireneve dhe të Provancës si çiklistët e Tur de Francës. Çka po ju nevojitet ju më tepër. Nëse jeni të kënaqur me përgjigjen time, e cila ju ka frymëzuar… it’s okay, gëzohemi për ju dhe mbaroi muhabeti. Përndryshe mund ta rregullojmë atë çështje si burrat, përmes një dueli, me ‘Magnumin 357’ të Clint Eastwoodit! Dhe ja plasnin gazit… ha… ha… ha…!

Ec e mos u stërvitë, ec e mos u përforco! Ose, me u gjuajtur direkt në Senë…

A mos më vajton dikur ndonjë poet, ndonjë laper, apo ndonjë dashnore, ndonjë gjyshe malësore… Boll më ka pas vajtuar në vitin 1991, miku im Jusuf Vrioni.

A po ma harroni emrin, nëse mundeni, se jam lodhur tani edhe me veten time.

Shiko, i dashuri zotëri Strauss dhe ju të dashurit miq elitarë të inteligjencës franceze dhe planetare: “Ju dua shumë, jeni të gjithë model për mua, ua admiroj kulturën, disiplinën dhe rigorozitetin profesional universitar, metodologjinë analitike dhe shkencore, anën tuaj bibliografike dhe referenciale… të gjitha këto, i kuptoj shumë mirë dhe ua heq kapelën… Por unë nuk jam ju, por jam UNË! Së pari, një primitiv, instinktiv me disa antena, me ndonjë dhunti natyrore apo prej Zotit, një malësor i odave, me një traditë gojore antike, një memorje të lashtë, një transmetim apo mishërim gjenetik misterioz, i cili iu shpëton gjithë formulave gjuhësore racionale alla franceze… jemi në metagjuhë, në diçka që ekziston para gjuhës, në perceptime, imazhe, ndjenja shpirtërore, shenja, diçka paralele, o miq… kemi huazuar diçka edhe nga bota orientale, pa e kuptuar as vetë shumë qartë… dhe pastaj, unë jam mbi atë primitivitet antik, mbi atë pirateri iliriane, mbi atë mister pelasgjiko-etrusk, mbi atë enigmë orientalo-ballkanike, mbi atë kujtesë pulsionale dhe gjenetike, mbi atë llavë shqiptarofone, mbi atë ekuacion IKS të fillimeve burimore, një Artist ose një Poet i lindur postmodern dhe me siguri avangardist, i cili eksperimenton çdo gjë për qejfin e tij, me një liri të lirë, që ju nuk e keni, se m’u ka ofruar mua ajo dhuratë, e jo ju të abonuar nëpër biblioteka, sa për ta verifikuar se deri ku mund të shkohet? Sepse, unë vi së pari dhe prioritarisht nga jeta, nga natyra, nga bota intuitive, nga gjërat e përjetuara dhe pastaj e kam plotësuar me literaturën, artet dhe kulturën. Dhe prapë këtu, në botën e artit, si në botën shqiptare antike dhe gojore, të dashurit miq francez të multi-diplomuar dhe prestigjiozë në fushat tuaja… nuk ka nevojë për formulime intelektuale të referencuara, sepse, jemi në gjestin krijues dhe pikë! Flet vepra vet, flet simfonia, flet piktura, flet poezia e Rembosë me gjuhën dhe kodet e saj… A mos duhet që Mozarti të na japin ne me detyrim shpjegime mbi simfonitë e tij? JO! Por, ju do jeni ata specialistë, kritikë, teoricienë, të cilët do i analizoni më vonë, të gjithë ato vepra artistike, sikurse ritet antike të disa popujve, përmes filtrave tuaja intelektuale dhe bibliografike. Por unë, nuk i kam, të nderuar miq, edhe pse nuk jam totalisht i paditur, ngaqë i kam lexuar mbi 3.000 vepra, por në mënyrën time dhe nuk e di as unë, se çka më ka ngelur prej tyre… e di shpirti im i thellë apo subkoshienca ime. Ndërsa, më vijnë fjalët, idetë, shpikjet poetike, ashtu natyrshëm, sipas thënies të Pikasosë ‘nuk kërkoj, nuk hulumtoj, por gjej’ – ‘je ne cherche pas, je trouve’! Pra, ndoshta këto ide që po ua propozoj unë tani, mund të më vijnë nga odat shqiptare, nga ndonjë çoban malësor, një plakë në një fshat, një indian apo një pigmé, një muzikë, një tablo, apo një film? Pse më duhet për t’ua justifikuar, o miq? Nëse përgjigja ime ju konvenon, ju intereson dhe ju frymëzon për mirë, gëzohemi për ju edhe unë… por duhet që t’iu mjaftojnë me kaq, okay? Ngaqë unë funksionoj si autodidakt intuitiv dhe si primitiv kurioz, e jo si ju, si makina robotike të programuara, edhe pse ju admiroj! Jam çdoherë në improvizim total, në lirinë e lirë pa vargonj as zinxhirë… dhe e di, që për ju është diçka gati e pamundur për ta kuptuar dhe asimiluar. Pra, më konsideroni si një malësor apo afrikan i savanëve.

Pse ju mahnitin aq shumë primitivët afrikanë me maskat dhe skulpturat e tyre?

Ma shpjegoni, të nderuarit miq parisianë: ju, pse ju mahnitin aq shumë primitivët afrikanë me maskat dhe skulpturat e tyre, që edhe për mua janë gjeniale, ose ata bushmenët e Australisë, Maoritë, aziatikët antikë, indianët, çka e quani ju, ‘kulturat e para burimore’? Sepse, ju me 2000 vite kulturë të institucionalizuar, bibliografi kolosale, traditë shekullore universitare e keni humbur pikërisht këtë frymëzim poetik dhe shpirtëror burimor, magjinë e gjestit të parë, pafajësinë fëminore dhe natyrore, e cila mund të shprehet vetëm në artin e tyre… Ngaqë, jeni pak a shumë të rënduar, të burgosur ose të diktuar nga tradita, historia, zhvillimi linear apo kronologjik, referencat e gjithë asaj kulture gjigante, e cila është me të vërtetë për t’u admiruar… porse ju, ju ka bllokuar dikund në psikologjinë e veprimit dhe të inspirimit. Prandaj, ju mahnitin afrikanët e xhunglave me artet e tyre dhe ua kushtoni me plot të drejtë, Presidenti Jacques Chirac një Muzeum.

Tani, edhe juve, i dashur Lévi-Strauss, ju kanë interesuar indianët, e jo francezët e lagjes tënde, të Parisit 16… apo jo? Prandaj, befasoheni të gjithë me Anijen e dehur të Rembosë, 16 vjeçarë, me simfonitë e Mozartit, 12 vjeçar, me Jean Michel Basquiat prej Haiti, e tjerë… sepse, ata lloj krijuesish dalin pikërisht prej gjithë asaj kornize kulturore gjigante dhe mijëvjeçare, siç kam dalë edhe unë spontanisht me poezinë time. Sepse, o miq francez, me ngelur edhe unë brenda asaj kornize dhe tradite aq të pasur franceze, përballë Muzeumit të Luvrit, Akademisë franceze dhe gjithë institucioneve tuaja prestigjioze, para British Muzeumit të Londrës, institucionet e Vjenës, Romës, Amsterdamit, Madridit… nuk do mend, që jam i mbaruar, i vdekur dhe nuk kam asnjë shans për të ekzistuar! Nëse, do e ndjekim me besnikëri traditën dhe logjikën historike dhe kronologjike kulturore mijëvjeçare të Europës: i cili autor i sotëm nga Parisi apo Londra mund të shtojë diçka të re në raport me gjithçka është shkruar tash 2000 vite në këtë kontinent? Absolutisht asnjëri! Cili piktor apo skulptor i kontinentit evropian mund të shpikë diçka më të ré dhe më të fuqishme, se gjithë çka kemi parë nëpër muzeumet madhore të Europës dhe të Amerikës, deri sot? Prandaj, jam i detyruar për t’i eliminuar të gjitha këto referenca mijëvjeçare nga kujtesa ime, për të qenë 100 për qind Skënder Sherifi dhe për t’u imponuar me botën time, pa e bërë mundësisht asnjë koncesion. Është çështje mbijetese! Pse kanë kaluar sot amerikanët dhe evropianët e artëve plastike, në instalacione dhe në fotografi apo videografi, ku është sot kultura pikturale? Sepse, pikërisht nuk e zotërojnë fare dhe e dinë që janë komplet të dështuar… nuk kanë asgjë të re për të thënë përmes pikturës së vërtetë dhe pos asaj nuk e kanë 20 për qind të teknikës apo mjeshtërisë të Vermeer-it, Rembrandt-it, Dürer-it, Georges de la Tour, Poussin, Géricault, Giotto, Goya, Velasquez, Rubens, Breughel, Van Eyck, Jéronimus Bosch, Ingres, Fragonnard, Watteau, Delacroix, Da Vinci, por as Picasso, Dali, Chagalli, Miro, Kandinsky, Max Ernst, Magritte… dhe për t’i ikur vështirësisë dhe punës serioze, kanë gjetur lehtësinë e tyre me çfarëdo instalacionesh, ndër të cilat për mua 90 për qind, janë të kota dhe përbëjnë vetëm se një mashtrim intelektualë të paparë. Prandaj, befasia na vjen nga bota primitive afrikane, oqeaniane apo aziatike, sepse ata na imponojnë diçka komplet të re, një botë të tyre komplet jashtë kodeve dhe alfabeteve tona teorike dhe në një mënyrë, na dhunojnë krejt natyrshëm, pa na marrë leje, na shkundin mirë trurin, poetikisht, me shumë fuqi dhe mjeshtëri. Bile me një flashback kinematografik alla Stanley Kubrick, më kujtohet kur Pierre Seghersi më çoj për herë të parë tek Claude Lévi Strauss, duke më thënë – “ti djalë, a ke lexuar diçka prej tij apo je si turistët japonez para kullës së Eifel”?

“Jo mos u shqetësoni Pierre, jam i përgatitur për pleqëri dhe debate me mikun tënd antropolog. Kam lexuar ‘Tropikët e trishta’ – Mendimet e egra, ose primitive – La Pensée sauvage – dhe disa Mythologji… plus, kam qenë në Oda me Muharrem Bajraktarin. – Okay, shko te shtëpia e tij në Parisin 16, lagje super borgjeze për klasa të larta dhe të favorizuara, ai banon në rrugën e gështenjave – avenue des Marronniers numri 2… Paç fat, ti djalë dhe do më thuash, sesi të kaloj takimi, okay?

Po, faleminderit Pierre, tek është shenjë i mirë adresa e tij, sepse prindërit e mi për nga babai në Tropojë, kanë pasur toka dhe male me plot gështenjë dhe femrat kanë ra nëpër pazaret e qyteteve të përafërta, për t’i shitur gështenjat. A t’ia çoj një kile gështenja, si gjest simbolik? – Po, çun, nuk është idé e keqe, ja vlen!

Dhe mbërrina tek ajo rrugë aq e pastërt, e gjerë, në një lagje tepër të qetë, saqë i thashë vetes, të ulem kudo në një bankë, për një meditim budist.

I rashë ziles dhe hyra në banesën e Claude Lévi-Straussit, i cili, si të gjithë personalitetet, të cilat i kam vizituar si mik, si psikolog shpirtëror, si humanist, apo aventurist tek shtëpia e tyre, jetonin në muzeume private të gjallë dhe unë ju merrja lakmi, sepse ishte edhe ëndrra ime, për të qenë çdoherë në pallate alla franceze apo italiane, i rrethuar me piktura, skulptura, maska dhe punime primitive afrikane dhe aziatike, objekte antike kineze dhe egjiptiane dhe libra me botime të vjetra origjinale, dhe natyrisht parqe të mëdha për jashta, alla franceze dhe angleze. Po, po… edhe pse isha malësor prej Valbone, i kam pasur gjithmonë edhe unë vetë, ato lloj shijesh. Mirëpo, duke mos mujtur për t’i realizuar vetë, i kam shijuar me elitën franceze gjatë atyre 15 viteve të arta në Paris. Aty, shihet qartë që je në zemrën e kulturës autentike! Ky është sharmi dhe specificiteti i Francës për mua, çka e dallon komplet atë shtet evropian, me të tjerat shtete. Pra, kultura, arti, rafinimi, bagazhi, përvoja jetësore, ta mundëson për t’u ulur me një personalitet madhor në një tavolinë dhe për të qenë i respektuar, për atë çka i sjell ti me backgroundin tënd specifik. Më kujtohet, që nuk më ka pas pyetur askush në Paris gjatë gjithë atyre viteve, se qysh jeton, sa fiton, çka ke si pasuri, por vetëm janë bazuar në vlerat dhe në përmbajtjen e personalitetit tim. /Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat