Prindërit tanë na kanë transmetuar atë genin e shqiptarizmit, një farë memorie shqiptare

Kultura

Prindërit tanë na kanë transmetuar atë genin e shqiptarizmit, një farë memorie shqiptare

Nga: Skënder Sherifi Më: 18 janar 2023 Në ora: 11:45
Claude Lévi-Strauss-i në rini

Ndërsa në Belgjikë, kanë pshurrur, si në Shqipëri, mbi atë pasuri kulturore dhe shpirtërore tënden, ngaqë janë shtete me popuj komplet materialistë, me një sfond katundaresk dhe popullor bazik… nuk ka qytetari shekullore të rafinuar, e cila është imponuar si shembull edukativ dhe kulturor brenda shoqërisë… Pra, baza është puro fshatare apo tregtare dhe dikur, një pjesë prej tyre kanë akumuluar pasuri, mirëpo, në thelbin e tyre kanë ngelur viça të pakulturë… kaq! Siç e keni shtresën ultra të pasur dhe oligarkike tek ne në Shqipëri, në Rusi, apo në gjithë shtetet e lindjes evropiane ish-komuniste. Nuk mund të krahasohen me miliarderët francez, që kanë baza solide në fushat kulturore apo teknologjike, apo shkencore, siç janë familja Dassault, François Pinault, Bernard Arnaud, e tjerë… të cilët e dinë se çka do me thënë letërsia, piktura, opera, baleti, muzika, ose teatri. Ndërsa, në disa shtete, jemi tamam si Amerika e Donald Trump-it, e Teksasit, Nevada, Utah, Oklahoma… nuk pritet tradita e Rilindjeve, as ajo e filozofëve gjermanë, në gjithë ato treva, as tradita dadaiste dhe surrealiste në Tropoje, apo në Junik, Pejë, Fier ose Has? Janë gjëra evidente… është një trashëgimi apo programim historik shekullor, i shënuar në ADN ose në kujtesën tonë gjenetike. Nuk jemi Firenca, as Venediku, as Vjena, as Parisi, çka nuk është as Brukseli ku jetoj, as Luksemburgu, po as Lozana e Zvicrës… deri dikund New Yorku, San Francisko dhe Los Angeles-i, në Amerikë… dhe mbaroi muhabeti kulturor dhe filozofik me aq! Rroftë hamburgeri, Las Vegasi dhe dollari…

Komplet një shtet i pa baza, pa vlera...

Kur jam në Shqipëri, edhe pse e dua jashtë mase vendin tim dhe popullin shqiptar, jam super i mërzitur, i zhgënjyer, i revoltuar me indiferencën totale që kanë për artin, kulturën, sferën shpirtërore dhe intime… e shoh që shkalla e bastardimit global dhe e çoroditjeve, ka mbërri kulmin, me ardhjen e demokracisë kapitaliste të shthurur, pa norma, pa ligje, mbi një sfond komunizmi irracional, me plot perversione psikologjike, i cili ka shkaktuar rezultate katastrofike mbi këtë popull shqiptar… saqë, jemi sot, komplet në një shtet i pa baza, pa vlera, pa identitet specifik të qartë, hibrid, i verbët dhe i mjegulluar dhe anti-kulturor. Sepse, çdo gjë të cilën e ka përjetuar, ose që ka pësuar jashtë dëshirës së tij, çdo eveniment historik apo politik madhor që ka ndodhur në këto troje, ka ngelur i pa analizuar, i pa kuptuar, i pa asimiluar, i pa bluar, i pa pleqëruar siç duhet dhe ka kaluar në mullirin e showt dhe të amnezisë, si të mos kish ndodhur asgjë… Prandaj, flotojmë në ajër, të humbur në Kozmos, siç thotë nëna Xhevahire, sepse nuk jemi të vetëdijshëm për asgjë, përgjegjës për diçka dhe me një fjalë gjithçka rrëshqet mbi ne pa na lënë ndonjë leksion jetësor, ndonjë mësim mbi të ardhmen… kështu, që ngelemi komplet të destrukturuar, pikërisht nga mungesa e mendimit filozofik dhe psikologjik të thelluar mbi ngjarjet, evenimentet, që kanë ndodhur tek ne gjatë shekujve. Kjo situatë globale më duket tragjike!

Mund t’i kuptoj perfekt Nolin apo Konicën, me çiftet e tyre… e di se çka kanë përjetuar shpirtërisht në Shqipëri, me qeveritë dhe popullin e tyre. Për shembull, kur vi unë me një eksperiencë unike jetësore dhe me një bagazh kulturor krejt atipik për botën shqiptare: kujt i intereson realisht në Shqipërinë apo në Kosovën e sotme? Në realitetin objektiv: askujt! Në Japoni, për shembull, këto lloj njerëzish që kanë diçka unike për t’iu transmetuar të tjerëve, bashkatdhetarëve të tyre, sepse jeta e tyre aq e pasur dhe rrugëtimi i tyre, aq i jashtëzakonshëm i ka shndërruar automatikisht në ekscepsione. Dhe atje, ku dielli zgjohet, e kanë statusin e nderit: “Trésor National vivant – do me thënë Thesar Kombëtar i gjallë” dhe natyrisht që vlerësohen dhe respektohen, siç e meritojnë. E jo si tek neve, ku nuk respekton askush asgjë! Pse? Sepse, duke e ditur mirë, apo perceptuar intuitivisht, që nuk kanë ndonjë vlerë reale në vetvete, pos pseudovlera false, të uzurpuara, të blera apo të sforcuara, nuk janë në gjendje që ta vlerësojnë dikë tjetër. Pyesne veten: kujt i intereson sinqerisht sot në këta 5 milionë shqiptarë (me Tiranë dhe Prishtinë së bashku) Niçe, Kanti, Prusti, Le Clezio, Modiano, Houellebecq, Ginsberg, Keith Jarreth në jazz, Charlie Parker, Mahler, Dvorjak, Lizt, Oshima, James Gray, Godard, Eric Röhmer, Jean Vigo, Luis Bunuel, e tjerë? Kujt i intereson Jean Grosjean, poeti i preferuar i Jean Marie Le Clézio, i cili ma ka thënë mua vet, apo Blaise Cendrars?

Atëherë, çka ke për të thënë? A ju duket kjo gjendje shpirtërore krejt normale?

Kështu që detyrimisht do e ndiej veten, të vetmuar, të izoluar dhe të pa kuptuar … më vjen nganjëherë për të qajtur, ngaqë më dhimben shumë bashkatdhetarët e mi.

Karnavali i rrenave dhe mashtrimeve

Askush, prej tyre, nuk e ka sot aftësinë, apo kredibilitetin shkencor dhe intelektual për t’i afirmuar dhe fiksuar me sinqeritetin dhe autoritetin e duhur, se cilat janë vlerat reale, mbi disa argumente të padiskutueshme dhe cilat janë antivlerat, e pse? Është mjerim për ne, si edhe për gjeneratat e ardhshme. Por, shpresoj që dikur do formohen siç duhet nëpër universitetet e mëdha botërore dhe do na i thonë ata ne, të 4 të vërtetat, që i meritojmë për të na i thënë me kohë…

Pra, me dalur një herë dhe përgjithmonë, prej ‘karnavalit të rrenave dhe të mashtrimeve’ së paku, në fushat kulturore dhe artistike. Tani, po rikthehemi me një mik arvanitas, basist i një trio jazzi, me Porsche Carrera, tek miku im galez, specialist i fiseve amazoniane.

Më priste antropologu francez, pas telefonit të Seghers-it. Shkova i dekontraktuar… U ula tek Claude Lévi-Straussi, ia ofrova një kile gështenjë, duke i thënë – janë prej Malësie të Shqipërisë dhe vijnë nga baçja familjare – dhe më tha: “Nuk e besoj, që nuk do ishin konservuar aq gjatë, por faleminderit për delikatesën tuaj. I respektoni simbolikat, siç po e shoh. Qëllimi ishte i bukur … përrallat kanë rëndësi! Ma rikujtoni emrin tuaj, zotëri! E di që ju ka rekomanduar Seghers-i, për tek unë”?

-Po, jam poeti Skënder Sherifi dhe jam mysafiri i tij në Paris.

-Ah, Sherif… a mos jeni me origjinë arabe?

-Jo, zoti Strauss, ndoshta po më ngatërroni me aktorin Omar Sharif, egjiptian. Por unë, edhe pse i dua kuajt për nga tradita e jonë malësore, nuk jam aspak i thelluar në bastet sportive apo në garat e kuajve nëpër hipodrome e aq më pak, s’jam amator i bixhozeve dhe i pokerit. I kam pas njohur disa njerëz adikt, të cilët i kanë pas fikur komplet familjet e tyre dhe përfunduar mjaft keq. E kam dashur shumë si aktorë, më ka lënë gjurmë të forta në vitet 1960, me ca filma mitikë siç janë ‘Lauwrence d’Arabie – Doktor Jivago’ të David Lean – 1962 dhe 1965, më duket dhe pastaj nga 1968 në filmin e William Wyler me zonjën Barbara Streisand në ‘Funny Girl’ dhe tek Terencë Young-i, në filmin historik ‘Mayerling’ ku luajnë Catherine Deneuve, Ava Gardner dhe James Mason. Kurse, unë vetë, jam një albanez, i nderuar Claude… e jo libanez, por albanez!

– Po, faleminderit, e di ku është Shqipëria, dhe thuhet që jeni një popull i vjetër, por konkretisht kush jeni dhe çka i keni sjellur civilizimit evropian? Sepse, jeni mjaft të panjohur dhe të paidentifikuar brenda kontinentit evropian… e nga vjen kjo mosnjohje e juaj?

Imagjinojeni se çfarë pyetje i bëhet nga antropologu më prestigjioz i botës, një djaloshi të ri dhe të pa formuar siç duhet, 21 vjeçar… si të isha unë në Paris, avokati apo përfaqësuesi i popullit shqiptar. E tani, çka me i thënë tani?

Improvizova, siç e kam zakon në ato raste: i thash vetës, ishalla qielli, zoti, nëna ime Xhevahire Sadria, dervishe dhe bija shpirtërore e Sheh Ahmed Shkodrës, Dervish Luzha, Rexhep Beli, Krishti, Buda, Muhamedi, Moisiu, me Charlton Hestonin në 1956, vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Fishta, Konica, Noli, Bajram Curri dhe Mic Sokoli, Shpend Sherifi, Demir Manuka, Nezir Spahiu apo Marash Tushi nga Nikaj e Mërturi, James Bondi, Indiana Jonsi, Tarzani, Zorro, trafikanti i Bruksel Nord-it, emigranti, kanë për të m’inspiruar diçka, përndryshe, ngela në klasë dhe më hangër dreqi!

-E keni me të drejtë, zoti Lévi- Strauss, por është fifty-fifty, faji jonë dhe i juaji, sepse na keni neglizhuar, injoruar dhe mohuar për një kohë të gjatë. Tani, për me folur sa më objektivisht me ju, për aq sa di unë, sepse nuk jam aspak specialist i historisë apo i antropologjisë, etnologjisë dhe linguistikës… jam vetëm artist dhe e kam një kulturë më tepër autodikate, atë çka e kam pas mbledhur unë vetë për qejfin dhe nevojat e mia, si bleta aty, këtu, duke shëtitur nga një lule në tjetrën… Por ne albanezët, jemi me të vërtetë një popull mjaft i vjetër në Ballkan dhe në kontinentin evropian. Thuhet që origjina jonë lidhet më tepër me ILIRËT sipas studimeve që janë bërë deri tani. Ka teza që na afrojnë me pellazgët dhe etruskët, por vjetërsia jonë është më se evidente. Pastaj, kemi kontribuuar në civilizimin evropian, por duke i shërbyer më tepër të tjerave shtete dhe fuqi botërore të kontinentit e jo vetvetes, çka do t’ishte më logjike, por edhe pse, nuk na kanë njohur si shtet sovran dhe i pavarur brenda një territori të caktuar, kështu, që dikund edhe mund të shpjegohet, ai lloj mercenarizmi permanent. Por zotëri Strauss, kemi dhënë disa Papë në Romë, me origjinë ilire, kemi luajtur një rol madhor në Turqinë otomane, në pavarësinë e shtetit grek modern, në Egjiptin me Ali Pashën, Farukun, etj… Ndërsa, brenda Shqipërisë, nuk kemi realizuar shumë gjëra bindëse apo gjigande, sepse siç ju thashë, nuk na kanë njohur, së pari, dhe kur prindi nuk i njeh fëmijët e tij, ata fëmijë, nuk do i njohin as prindërit dhe as vetveten. Pastaj, fqinjët tanë me pëlqimin e evropianëve, kanë pretenduar për të na i copëtuar territoret shqiptare çdoherë, ndoshta edhe për të na fshirë nga harta gjeografike, na kanë invaduar, pushtuar, djegur, depërtuar, masakruar me shekuj të tërë… na kanë denigruar dhe sulmuar bile edhe pas pavarësisë sonë legalisht të njohur nga fuqitë e mëdha, pas vitit 1912, imagjinojeni… dhe me një fjalë, nuk na ka lënë bota pra, (pyesni veten sepse?) vetëm për t’u zhvilluar në paqe si çdo shtet dhe popull normal… Tani, ne jemi këtu në Europë, gati si të imponuar me zor, si të pa dëshiruar nga askush, a më kuptoni, zotëri Strauss? Prandaj, kjo gjë, ky fakt konkret, kjo diagnozë psikologjike kolektive që na karakterizon, ka krijuar trauma të thella dhe disfunksionime. Kemi shërbyer në një mënyrë bile tepër brilante të tjerët, të cilët me siguri i kemi admiruar më tepër sesa vetveten dhe konsideruar si model civilizimi, por duke qenë të pandershëm dhe hipokritë, me 100 dredhi, nuk na kanë falënderuar kurrë deri sot. Ndërsa ne si shqiptarë e kemi harruar apo neglizhuar në një mënyrë gati irracionale dhe debile, ndoshta, nga komplekset shekullore që i kemi trashëguar në jetë, dhe gjithë tragjeditë e shumta, të cilat i kemi pësuar, por shumë shpejt i kemi fshirë nga kujtesa, (përkundër hebrenjve), kemi denigruar vetveten dhe shtetin tonë aktual, i cili i ka vetëm 60 vite ekzistencë, që në vitin 1912 të pavarësisë sonë kombëtare… e në realitet, më tepër në 1920, kur na kanë njohur përmes Presidentit amerikan Wilson – SDN (Kombet e Bashkuara të asaj epoke). Tani, nëse kufizohemi brenda Shqipërisë, zoti Strauss, e vërtetë është që nuk do gjeni tek ne me mijëra kështjella marramendëse, pallate fenomenale, biblioteka gjigande, institucione prestigjioze të rangut të Luvrit apo British Muzeumit, institute me kilometra arkiva të ruajtura, shkrime, dëshmi, piktura, skulptura, tempuj, fortifikata… As xhaminë e Stambollit, as Katedralen e Parisit, as Taj Mahallin indian. Por, e kemi një kulturë antike dhe mijëvjeçare gojore, tradicionale, zakonore, fisnore, kanunore, me rite, kode, folklore, oda, besime, mite, legjenda, epose, rapsodi, këngë dhe valle, të cilat janë përcjellur si një trashëgimi identitare, gjeneratë pas gjenerate dhe unë zoti Claude, i kam përjetuar disa prej tyre personalisht. Kam qëndruar me vite nëpër Odat shqiptare të Brukselit dhe të Kosovës. Dhe ti si antropolog, i dashuruar në fiset indiane, se të kam lexuar, besoj që ke diçka origjinale për të mësuar edhe nga memoria e lashtë gojore shqiptare, të cilën supozoj që nuk e njeh fare. Provoje, se nuk të kushton asgjë.

Babai im, ishte simboli emblematik, udhëkryqi i Odave shqiptare në kryeqytetin belg

-Okay, zoti Sherif, atëherë, do vish disa herë tek unë dhe do më tregosh në detaje, gjithë atë çka di ti mbi Shqipërinë antike, ritet dhe zakonet.

-Pa problem dhe me gjithë qejf, zoti Strauss, është nder për mua. Por, po më vjen keq që nuk njoh këtu në Paris, ndonjë kuzhiniere tradicionale shqiptare, se do kisha ardhur me ndonjë gjellë tipike tonën apo ndonjë tepsi, për ta ushqyer më lezetshëm muhabetin tonë. Por do e marrë një shishe verë me pak djathë dhe do i them një fallxhoreje për të na i lexuar filxhanat me kafe…

Dhe kështu, i kam shkuar për disa seanca tek shtëpia, sipas orareve të tij natyrisht. Dhe më ka dëgjuar me shumë vëmendje, duke marrë shënime në një fletore dhe duke m’i bërë disa pyetje më të detajuara mbi subjektin në fjalë. Mu duk gati diçka e pabesueshme… Waouw, më fton mua personalisht Claude Lévi-Straussi, si amator qesharak, i cili nuk i ka studiuar me themel, shkencëtarisht këto fusha antike, për t’i dhënë shpjegime mbi memorien tonë shqiptare? Por u paraqita me një sinqeritet dhe transparencë totale para tij.

I thash shumë qartë, që do ja shpjegoj ato që i di unë dhe që i kam përjetuar. Mos kërkon më tepër prej meje, miku im! Jam analfabet i alfabetizuar! Dhe fillova për t’ia komentuar ritualet e Odave shqiptare. Babai im ishte nga ajo zonë e Malësisë, në alpet veriore të Shqipërisë, buzë lumit Valbona, në Tropojë ku janë praktikuar gjithë këto rite dhe zakone antike dhe kanunore, si rezultat i një trashëgimie kolektive. Pas dy burgjeve në periudhën komuniste, arratiset dhe dikur mbërrin me 1 gusht 1956 në Belgjikë, me valën e parë të emigracionit shqiptar, i cili ishte i konsideruar si politik (kanë ikur nga sistemi diktatorial komunist). Me qenë që nuk ishin qytetarë universitarë të filtruar nga metropolet madhore planetare (Paris, Londër, Romë, Madrid, Vjenë…), as Profesorë Doktora të Sorbonës apo Harvardit, për ta ruajtur çka ata vetë e quanin kulturën dhe identitetin e tyre shqiptar, brenda Europës Perëndimore, u bazonin në këto rite dhe zakone antike malësore, në diçka specifike, që ishte komplet e tyre, çka mund të kuptohet shumë mirë me logjikën e tyre… se nuk mund të mbështeteshin në arkivat e Bibliotekës së djegur të Aleksandrisë, të Sarajevës ose asaj të Parisit, të Londrës apo të Brukselit. Dhe shumica prej tyre, e kanë transpozuar botën e tyre shqiptare, aty ku kanë emigruar dhe i kanë ruajtur normat antike shqiptare brenda shtëpive të tyre, duke ua imponuar edhe fëmijëve të tyre, si trashëgimi shqiptare, si mënyrë praktike për ta ruajtur atë identitet të lashtë. Dhe tani, zoti Strauss, për në Bruksel, mund t’iu them që babai im, ishte simboli emblematik, udhëkryqi i Odave shqiptare në kryeqytetin belg, ngaqë i vinin rregullisht të gjithë emigracioni ynë, por edhe shqiptarët e Francës të partisë mbretërore të Zogut, ata të Ballit Kombëtar, të Bllokut, por edhe marksistët pro enveristë dhe pro titistë tek oda e tij dhe në disa raste, edhe shqiptarët e Amerikës, kur ishin për vizitë nëpër Europë. Kështu, që me kohë, do bëhet jashtë vullnetit të tij, edhe një ndër personazhet kryesor të një romani ironik dhe grotesk, (Mërgata e Qyqeve) ku figuron me emrin e tij, zotëri Shpendi, i shkruar nga një agjent i sigurimit shqiptar, ngaqë, ata vinin rregullisht si mysafirë tek shtëpia jonë, për të ngrënë dhe pirë, por edhe tek shqiptarët e tjerë, për të mbledhur informacione… çka ne e dinim, por na u deshte për t’i mirëpritur në bazë të zakoneve kanunore (pra, kur të vjen tek shtëpia jote, edhe një armik, i cili ta ka borxh një gjak, ngaqë, ta ka vra dikënd prej familjes tënde për shembull, të duhet me e pritur sipas rregullave të mikpritjes malësore, si t’ishte një mik, brenda të gjitha normave e sjelljeve dhe me e përcjellur gjer tek rruga), ndërsa të nesërmen apo pas pak ditësh, ke të drejtë për t’u hakmarrur dhe për ta vrarë. Pra, këto janë kodet e burrërisë (si dikur tek Noblesa apo Aristokracia franceze… a i kanë pasur edhe ata kodet e nderit, sipas normave të tyre?). Do me thënë, zoti Strauss, që shtëpia, por në atë kohë, kanë qenë kulla të vjetra, të rrethuara, si mini fortifikata, çka i ke sot disa modele edhe në Provancë, që quhen (les anciennes Bâtisses provencales) dhe kur e sheh mirë arkitekturën e tyre, e kupton, që janë të ndërtuara për mbrojtje, për strehim dhe për t’u siguruar në maksimum, me dritare tepër të vogla, ku nuk mund të dallohet aq lehtë një figurë njerëzore. Bile, kur isha nëpër odat e Kosovës, një muaj me babain tim, nga viti 1969 më duket, tek familjet e mëdha tradicionale, më ka pas bërë shumë përshtypje si adoleshent, dhe i pyeta: “Po pse, në një vend jugor të Europës, me klimë të mirë dhe aq të favorshme, shumicën e vitit, me qiellin blu dhe me diell të plotë, diçka e cila ma rikujton spontanisht Mesdheun, jetoni nëpër ambiente aq të mbyllura, gati si t’ishi të auto-burgosur brenda shtëpive tuaja, mezi për ta parë dritën e jashtme kur qëllon brenda kulle? Më duket e çuditshme dhe anti-logjike! Pse, ky paradoks sipas jush”? Dhe mu përgjigj një plak, i dashur Claude, isha 14 ose 15 vjeçar në maksimum në ato vite 1968 – 69 (më kujtohet ajo turné e parë një mujore nëpër Odat kryesore të Kosovës dhe e kam ruajtur si kujtim të bukur dhe mjaft interesant) dhe më tha: “He, ti djali i Shpend Sherifit, je i ri për t’i kuptuar disa punë, se ti je atje në Europë, në një liri totale, ku nuk të ngacmon askush. Ke të drejtë për atje… Por këtu, je në botën kanunore shqiptare, ku kris pushka, ku njerëzit janë në gjaqe dhe ku ndiqen akoma disa rregulla shekullore… Prandaj, i kemi këto kulla si vend mbrojtje dhe tek ne kulla apo shtëpia është diçka e shenjtë, respektohet dhe kur ta shkel çfarëdo mysafiri tokën afër shtëpisë dhe t’i troket derës, duhet për ta mirëpritur me respekt, bile ne ua shprehim përmes këtyre formulave, të cilat e kanë një sens të thellë: – hoxhëgjeltën u qoftë, o burrë, allarrazola…. mirë se ju ka pru Zoti në shtëpinë tonë… hajdeni, burjum, mirë se keni ardhur dhe ju lumshin këmbët! Pra, shtëpia është gati si një tempull, e simbolizon shpirtin e asaj familje, identitetin e saj…”. A t’i thotë francezi apo belgu i droguar dhe i amerikanizuar këto fjalë? A ta çel derën e shtëpisë?

“Zoti Sherif, ju keni diçka speciale, por nuk e di saktësisht se çka?”

Dhe filloi për të qeshur me gaz… çka rrallë e bënte, ngaqë ishte një person mjaft strikt, serioz dhe rigoroz, por surprizat e mia e befasonin aq shumë, sepse i vinin si elemente të papritura dhe komplet jashtë programit të tij mendor, por e pashë që i pëlqenin, se dilnin prej rutinës parisiene. Më thoshte shpeshherë: “Zoti Sherif, ju keni diçka speciale, por nuk e di saktësisht se çka?… Por jeni super interesant si person… e keni një shpirt të vjetër dhe të pasur, brenda një trupi të ri. Ndoshta këtu është çelësi”? – I thoja: “Nuk e di as vetë Claude, por po e vazhdoj anketën psikanalitike edhe disa vite me Jacques Lacan-in dhe disa inspektorë të Policisë”!

Qeshte (por çuditërisht gati jashtë dëshirës së tij racionale, si me i pas shpëtuar ai reagim i pakontrolluar… kështu m’u dukte mua në realitet) dhe për t’iu rikthyer statutit të tij monumental më fliste si babë, me autoritet: “Sherif, e ke të komplikuar për të qëndruar serioz, pa devijuar çdoherë në anën burleske”? Studimi intelektual do disiplinë dhe rigorozitet, nuk është një skeç i Charlie Chaplinit!

Më fal zoti Strauss, por serioziteti i tepërt më lodh, më mundon, më asfikson, sepse e kishte edhe babai im, i cili nuk qeshte kurrë, rrinte çdoherë si ushtarak, mjaft i shtrënguar dhe hijerëndë, deri në atë shkallë, sa që kur qeshnim ne në familje, e irritonim dhe na merrte për të çmendur. Për mua, i nderuar mik, qeshja, humori, deliri, janë gati sikurse liria, një lloj oksigjenim i shpirtit dhe i trurit. E ka një tekst poeti popullor Jacques Prévert, ku i thotë dikujt: “A po ma ruan seriozitetin, sa t’ia mbaroj vetes të gjitha qejfet dhe kur do më duhet, do të thërras përsëri për ta rimarrë në shoqëri”! Pse e përjeton një kënaqësi intime njerëzore me mua si mik, si t’ishe duke e bërë një faj, si t’ishe i penduar që ia lejove vetës këtë moment komik? Kënaqu, o burrë dhe lëshoje vetën lirisht në humoret e momentit, pa rezervë. Por dije, që në odat malësore, janë sikurse ti, super strikt dhe nuk e praktikojnë shumë ironinë, apo hajgaren, se për një moskuptim, mund të kërcas pushka!

-Po si organizohen Odat, zoti Sherifi? Çka ke përjetuar brenda tyre, ti vet?

T’i kesh si referencë krahasuese, sallonet apo tavolinat e borgjezisë të lartë apo të aristokracisë franceze nëpër kështjella gjatë shekujve. A ftonin edhe atje njerëz të ndryshëm për të biseduar duke pirë çaj, kafe, verë, shampanjë, ose duke ngrënë darka dhe dreka rreth tavolinës, me një ekip shërbëtorësh për t’i shërbyer sa më mirë… A kishte rregulla, norma, kode, se ku me u ulur, sesi me vepruar, se qysh me folur? Tani edhe tek ne, zoti Strauss, pavarësisht që ishim pa shkolla të larta apo universitete, e kishim një kulturë të lashtë gojore, fisnore, zakonore dhe kanunore, një lloj trashëgimie antike, e transmetuar brez pas brezi, brenda disa kodeve precize. Edhe i kemi pasur Odat (pra sallonet tona, por alla shqiptare, ose malësore… ku fliste memoria antike e Bjeshkatarëve të Alpeve, sepse ata, nuk ishin të abonuar në sportet dimërore apo në sllallomet me ski, por në muhabete të ritualizuara) pra, i ndanin eksperiencat e tyre së bashku.

-Më fal, zoti Sherifi, a më lejon me marr ca shënime në një fletore, a të pengon, se po m’intereson?

-Po, po, pa problem, por mos ia dërgo CIA-s, apo STASI-t, mundësisht!

Nuk mund të përzihemi fare me ta

-Shiko, miku im, kam marrë pjesë vet në Odat shqiptare që nga mosha 14 vjeçare, me babain tim në Bruksel. Imagjinoje tani, një praktikë mesjetare mjedis kryeqytetit belg dhe evropian, për një fëmijë, i dalur bebe 1 vjeçar si emigrant politik në Belgjikë. Diçka e imponuar nga Familja, nga Fisi, nga Klani, nga Mërgata, nga Malësia, nga Atdheu burimor… por, në Europën Perëndimore! Vjen një ditë babai im dhe më merr për veshi duke më thënë: “Tani je 14 vjeçar, nuk je më fëmijë, por burrë dhe je djali i madh i familjes, pra, trashëgimtari im moral dhe shpirtëror. Do të thotë, që e ke për detyrë, për ta përcjellur memorien dhe trashëgiminë familjare, me vlerat e saj, se ty të takon ajo punë dhe do jesh përgjegjësi nëse dështon. Duhet që ta ruajmë të gjallë kudo që të jemi atë shqiptarizmin tonë, a more vesh more idiot? Tash e pas, do hysh në Oda, për t’i pritur dhe respektuar mysafirët e shtëpisë dhe për t’i dëgjuar me vëmendje! Dhe iu përgjigja – okay, babë, por këtu jemi në Belgjikë dhe çka na duhen ato zakone primitive, ne që jemi të rritur dhe të shkolluar në Bruksel? Ma dha një shuplakë dhe më tha: “More i droguar, jemi shqiptarë e jo belgë dhe këtu brenda shtëpisë sime, do jemi ekskluzivisht 24 orë në 24, si në serialin televiziv amerikan, me të gjitha elementët, ambientet, muzikat, gjuhën, ritet, kuzhinën, brenda Shqipërisë, Tropojës, dhe Malësisë, a more vesh? Belgjikën do e kesh vetëm kur të dalësh prej derës së shtëpisë, okay? Këtu, përbrenda, nuk ka Europë, as Perëndim, okay? S’dua asnjë element të jashtëm, se të han dreqi, vetëm çka është e jona shqiptare.

Ishte një lloj diktati autoritarë, zoti Claude, i cili në atë moment m’irritoi dhe mu duk krejt abuziv dhe i padrejtë, por me kohën, pasi që e kam analizuar më thellësisht, mu ka dukur normal dhe i justifikuar, duke e vnuar vetën në kokën dhe në psikologjinë e tyre, natyrisht. Qysh me e ruajtur shqiptarizmin?

Duhet kuptuar që prindërit tanë ishin mjaft bazikë dhe praktikë, pa ndonjë shkollë të madhe universitare dhe nuk e kishin nivelin e Konicës, të Fan Nolit as të Fishtës (tek ju, po themi të Albert Camus apo të Sartrit), porse ishin të gjithë në mënyrën e tyre dhe me kapacitetin e kufizuar që kishin, mjaft patriotë dhe atdhetarë… dhe tani, e kishin për detyrë morale dhe shpirtërore si prindërit tanë, për të na transmetuar ne, atë trashëgimi dhe ato vlera kombëtare, pra atë kujtesë të shqiptarizmit, si identitet individual por edhe kolektiv. E tani, si dhe qysh me na transmetuar? Përmes bibliografisë së Oksfordit dhe Harvardit ishte e pamundur… se nuk e kishin ata vetë, atë nivel intelektual… prandaj, ju ngelte kanuni, zakoni, folklori, ritualet, kuzhina, vlerat specifike shqiptare, muzika rapsodike, kostumet, duke i konservuar të gjitha këto brenda një hapësire të mbyllur dhe të kufizuar, si në një geto… duke jetuar në rrethe të ngushta mes nesh alla shqiptarçe dhe duke u larguar sa më tepër nga ambientet evropiane perëndimore. Pra, duke e jetuar brenda shtëpisë, një jetë 100 për qind shqiptare dhe malësore, pa elemente të tjera të jashtme, të cilët mund të vijnë për ta prishur apo kundërshtuar atë realitet paralel shqiptaro-shqiptar… ndërsa, jashtë shtëpie natyrisht, ishte komplet e pamundur, për të mos e shijuar realitetin objektiv belg, francez, anglez, gjerman, austriak, holandez, pra perëndimorë. Me idenë anekse, që u deshte për të qenë dy herë më i kujdesshëm për vajzat tona, për t’i kontrolluar pak më tepër, a mos po na marrin rrugën e gabuar, duke i përjetuar disa aventura me evropianët e jashtëm të lirë dhe të degjeneruar (sepse ata, janë të pa vlera morale, as identitare, siç i shihte komuniteti ynë i asaj kohe dhe janë jashtë kanuneve tona… kështu, që nuk mund të përzihemi fare me ta)! Por mirë, apo keq, në mënyrën e tyre, mund të them, zoti Strauss, që prindërit tanë na kanë transmetuar atë genin e shqiptarizmit, një farë memorie shqiptare dhe unë sot, i falënderoj dhe ua shpreh për veten time një farë mirënjohje. / Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat