Lajmërimi i vrasjes, e ka një ritual preciz, sikurse pamja mortore, sipas Kanunit

Kultura

Lajmërimi i vrasjes, e ka një ritual preciz, sikurse pamja mortore, sipas Kanunit

Nga: Skënder Sherifi Më: 19 janar 2023 Në ora: 14:06
Claude Lévi-Strauss gjatë një ligjërate

Pse? Se nuk kam qenë komplet i shtypur, i asgjësuar nga ai diktat shqiptarofon i prindërve, nuk e kam pas përjetuar keq apo tragjikisht dhe nuk e kam ndier veten si viktimë e tij… Pra, për mua personalisht ka qenë më në fund pozitiv. Kurse për shumë të tjerë, ka qenë me të vërtetë diçka katastrofike, ngaqë, ata e kanë përjetuar komplet ndryshe, si një dënim, si një burgim, një diktaturë e verbër, por pa ja kuptuar thelbin apo sensin dhe pa e pasur brenda tyre, atë personalitet të fortë, kurioz dhe analitik, për t’i ndarë elementet pozitivë dhe negativë dhe për ta operuar më vonë me distancën kohore, një sintezë pak më objektive. Dhe pos asaj, nuk e kanë pasur me siguri, sikurse unë, një botë të brendshme mjaft të pasur dhe të konsoliduar, sa për ta pranuar atë jetë të dyfishtë skizofrenike apo paralele, por me një qëllim të qartë, të njohur dhe të asimiluar. Unë, zoti Strauss, i kam përjetuar të gjitha eksperiencat jetësore, edhe më radikalët prej tyre, me pafajësinë dhe kuriozitetin natyror të një fëmije, si aktor dhe si spektatorë i ngjarjes dhe i vetvetes, por edhe si analist, si filozof dhe si psikolog… nën një prizëm aventurist, po, por me shumë filtra multi-dimensionalë dhe më në fund, nuk më kanë dëmtuar ato përjetime, edhe kur kanë qenë mjaft ekstreme apo të rriskuara. Fati i natyrës sime! Në një farë mënyre, kam qenë aktor dhe spektator i jetës sime, por edhe analist, filozof dhe psikolog i saj… e kam vendosur në pyetje për ta kuptuar.

Jemi në amnezinë moderniste

Tani, në odat shqiptare, e kishe një dhomë, ose një sallon të madh, i cili quhej ‘Oda e Burrave’ ku sipas zakonit antik malësor uleshin njerëzit këmbëkryq, në tokë të shtruar me qilima dhe jastëkë, rreth një tavoline gjigande, e cila tek ne quhej SOFRA, një objekt druri i rrumbullakët, i cili në formën e një rrethi e simbolizon me logjikë rruzullin tokësor, diellin, planetet që sillen… dhe tani njerëzit ulen gjithë së bashku simbolikisht rreth kësaj toke, që po na mban dhe po na ushqen (nuk është ide banale, miku im, për njerëz që nuk e kanë pas kryer Sorbonën!) dhe në një qoshe të sallonit, gjendet një Oxhak, ku ndizet zjarri për t’i ngrohur mysafirët e shtëpisë. Tani, kur të vijnë disa burra si vizitorë tek shtëpia jote, (tek Kulla – tek Oda) së pari, simbolikisht janë duke ta nderuar shtëpinë tënde, me atë vizitë që janë duke ta bërë dhe prandaj Zoti i shtëpisë ju thotë «mirë se keni ardhur dhe mirë se ju ka pru Zoti tek shtëpia ime”, me ato formulat tradicionale, që ua përmenda më sipër), por më praktikisht, e kanë bërë një mundim për të ardhur deri tek ti, zoti Strauss, ngaqë, në ato kohëra nëpër fshatra alpestre, male dhe bjeshkë, nuk ka pasur taksi, autobusa apo metro dhe mysafirët të kanë ardhur ose me kuaj ose me këmbë, duke e llogaritur mesatarisht një distancë mes 5 deri në 10 kilometra. Kjo do të thotë, që për ata që kanë ardhur me këmbë, të veshura me opinga plastike, duke ecur nëpër gurë, shkëmbinj e rrugë të vështira… vijnë tek ti mjaft të lodhur dhe ndoshta me këmbët e tyre pak të dëmtuara… pra, e kanë bërë një sakrificë, për me të vizituar dhe me të nderuar ty si zot shtëpie. Gjithë kjo, është domethënia dhe simbolika filozofike e vizitës. Kurse çfarë simbolike ka nëse shkoj unë për ta vizituar sot një mik, një shoqe apo një dashnore në Paris dhe kush ta vlerëson atë akt? “Eja dhe ta pimë një ekspreso apo një birrë në filan kafe dhe ditën e mire”! Pra, jemi në amnezinë moderniste, ku na ka humbur komplet simbolika e vlerave dhe sensi i thellë i veprimeve njerëzore.

-Po, jam dakord me ty, Sherif, prandaj nuk më interesojnë fare parisianët apo shoqëritë e sodit, jam më shpirt antik sesa ti në thelb… Por si organizohen bisedat në odat e juaja shqiptare… a llafosin mbarë e mbrapshtë si galezët apo vikingët dhe dehen si kafshë, apo ka ca rregulla?

-Jo, Claude, ka rregulla si në teatrin antik apo në sallonin famoz tek kështjella e Konteshës Madame de Pompadour ose Madame de Maintenon… ku nuk ishim të ftuar as unë, as ju! Së pari, e ulin vizitorin i konsideruar si kryesor, sipas disa kritereve precize: mosha, përvoja jetësore, nga na vjen, pra distanca gjeografike, a është mysafirë eksepcional, i rrallë, i rregullt apo i zakonshëm. A është një personalitet i njohur dhe me famë, i përmendur, me emër, me një prestigj? Çfarë titulli apo funksioni ka pasur, çfarë roli ka luajtur, apo vendi që ka zënë në shoqëri? Çfarë fisi i takon, nga cila familje vjen? Dhe tani, në bazë të gjitha këto kritereve, do vendosë Zoti i Shtëpisë, se ku do ulët çdo Vizitor i Kullës? Tani kryesori, personaliteti më i madh, do ulet afër Oxhakut, ku është zjarri, në qendrën apo në ballin e sallonit dhe gjithë të tjerët do ulën pastaj përreth tij dhe sofrës së rrumbullakët, që simbolizon tokën, sipas rangut që kanë, rëndësinë dhe peshën që kanë në shoqëri dhe natyrisht edhe lidhjeve fisnore apo familjare. Zakonisht, vendi kryesor në Odat shqiptare i takon një Plaku të dijshëm dhe të urtë, që e njohin dhe respektojnë të gjithë, i cili është i eksperimentuar dhe mjeshtër i muhabeteve, pra i debateve publike, e jo i kakofonive televizive me pretekst politik, si nëpër televizionet shqiptare, ku pos zhurmës dhe narcisizmit banal, nuk e dëgjon askush askëndin dhe bile nuk e dinë askush se çka është duke thënë?…

Një teatrologji egocentrike dhe absurde

Vetëm një teatrologji egocentrike dhe absurde, qëllimisht e kultivuar, sa për opium dhe pastrim truri dhe e mirë paguar, nga sponsorizimet private dhe politike? Kurse në Odat antike, ka pasur rregulla në biseda. Zakonisht të rinjtë u ulnin afër derës, për të dalë dhe hyrë lehtësisht dhe për t’i shërbyer mysafirët e kuqshëm brenda Kullës. Unë për shembull, zoti Strauss, rrija afër derës, i dëgjoja bisedat dhe e shikoja se kush e ka mendjen për të pi cigare apo raki? Sepse e kisha për detyrë, si shenjë respekti, për t’ua ndezur cigaret dhe mbushur gotat me raki, me dorë në zemër duke ju thënë “urdhëroni zotëri”. Kurse sot ke vetëm lapera komplet të çorientuar, të cilët nuk e dinë as kush je, as çka përfaqëson dhe të cilët nuk janë në gjendje për ta vlerësuar asnjë normë apo vlerë njerëzore? Pastaj, zoti i shtëpisë i thotë Mysafirit kryesor, ulur në ballë të Oxhakut, se me logjikë Plakut mund t’i narthin eshtrat dhe ka nevojë për t’u ngrohur.

“I nderuar, zotëri filani – a mund ta hapish fjalën, apo muhabetin tonë”?

Dhe, ia fillonte i pari, duke e propozuar ai vetë një temë të ditës, të cilën e inauguronte me pak fjalë dhe pastaj ia jepte ai vetë fjalën të dytit, për ta vazhduar dhe zhvilluar atë temë bisede, pastaj të tretit, e të katërtit me radhë. Mirëpo, tema e bisedës, duhej shpjeguar dhe zhvilluar përmes disa shembujve periferike si anekse, me alegori, metafora, tërthorazi, në një mënyrë poetike, si t’ishte një lojë shahu apo një labirinth i mendimit intelektualë, një gjuhë me aluzione, alla orientale, diçka alla Borgès, Sadi, Hafez, Khayam ose Khalil Gjibran… ku nuk flitet direkt mbi temën e saktuar, në një mënyrë të shpejtë, super racionale dhe pragmatike, por me plot devijime anësore, mjeshtëri kamuflimi dhe zbulimi… sa për ta zhvilluar imagjinatën poetike, alegorike, teknikën e bisedave nëpër Oda dhe psikologjinë e interpretimit, kështu, që çdokush e nënkupton se për çka po flitet saktësisht, por pa e emëruar direkt.

Sikurse, në Aristokracinë franceze, zoti Claude, ka pasur në Shqipëri, me përvojën shekullore, Oda të përmendura, të cilat kanë pas fituar prestigj apo zona gjeografike të lëvduara për bisedat e burrave, si në Odat dibrane për shembull, apo në Malësinë e Gjakovës janë celebruar apo kënduar disa histori të cilat janë shpalosur me mjeshtëri nëpër Kullat e Shaban dhe Ali Binakut, të Avdyl Qerimit, të Sali Manit, në Kosovë, tek Oda e Hoxhëve të Junikut, ose Oda e Nik Sokollit, Hysen Prushit… Ashtu siç kanë pas fituar një reputacion disa sallone precize franceze… tek miqtë e Marcel Prustit në Normandi, për shembull. Mirëpo, në odat shqiptare, ka edhe disa rituale praktike, miku im. Më kujtohet në Kosovë, nëse dikush kishte nevojë për të shkuar në tualet, ishte nevojtorja (salla e banjos aktuale) jashtë Kullës, diku në një kolibe tek kopshti i shtëpisë. Dhe e shoqëronte për çdo rast, një çun i ri Mysafirin, me një gjygym me ujë, nëse në rast të një nevoje të madhe, mund t’u pastronte, pra të mirrte tahret. Më kujtohet, kur ja patën propozuar një ish kushëriri në një fshat tek një Bajraktar i vendit, që kishte 10 mysafirë për darkë, pavarësisht që ai djalë 25 vjeçar kishte kryer ekuivalentin e Masterit të sodit në shkenca politike në Zagreb. Por këto ishin traditat kanunore, pa asnjë ekscepsion!

Mysafiri

Kishin burrat zakonisht kuti të çelikët me duhan dhe tani dikush nga të ftuarit, nëse jo kryesori pranë Oxhakut ia propozonte sipas rangut ku ishin ulur rreth Sofrës, të parit për shembull i thonte: “Ma mbështill, i nderuar zotëri IKSI, një cigare duhan, për nderin tim» dhe ai iu përgjigjet: “t’u rritë ndera, o Filani … » dhe i dyti ia jepte kutinë e duhanit të tretit dhe ashtu me radhë duke e prononcuar formulën: “Mund ta mbështillni një cigare duhan, për nderin e zotëri filanit”!… të cilët i thonin pastaj të gjithë njësoj – t’u rritë ndera zoti IKS! Tani, gjatë muhabetit, ndodhte që dikujt, të cilit iu kishte ofruar fjala, për ta zhvilluar një temë të caktuar sipas teknikave të bisedës nëpër Oda… nuk i funksiononte muhabeti, u bllokonte, nuk ishte asnjë ide se çka me thënë… dhe dikur ishte i detyruar për ta pranuar vetë duke kërkuar indirekt falje me formulën: “Më falni, zoti Filani, por nuk po di si për ta vazhduar, nuk kam asnjë ide, po e kaloj radhën dhe po ja jap fjalën YPSILONIT…” Tani, një herë, deri në dy e kalonin në heshtje dhe pa komente. Kurse me ndodh të tretën herë, i thoshte ose Zoti i shtëpisë, ose Mysafiri kryesor: “Shiko, zotëri filani, faleminderit që na ke ardhur në këtë odë dhe na ke nderuar, por me siguri keni punë të tjera shumë më me rëndësi për t’i kryer dhe nuk është vendi juaj nëpër Oda, aq i rekomanduar”. Çka do të thoshte, me një farë delikatese relative: “hup e mos të shohim… mos na hajde më këtu, sepse nuk e ke vendin në Oda mes nesh, se nuk e ke nivelin e muhabetit or zotëri… atëherë kur nuk di sesi me e zhvilluar një bisedë burrash, pse vjen këtu për të qëndruar kot me ne, duke ia zënë vendin dikujt, ndoshta më inteligjent dhe i rafinuar sesa ti”? Dhe konkretisht, mbaroj puna jote në Odat malësore, me aq… je përfundimisht i përjashtuar! Në odat franceze, sallonet e borgjezisë dhe aristokracisë, në tavolinat e mëdha dhe të përmendura franceze, aty ku unë kam marrë shpeshherë pjesë, ishte e njëjta logjikë themelore. E hapte dikush një temë, por më tepër kulturore, mbi një libër, një film, një teatër, një ekspozitë, një opera, apo temë historiko-politike dhe u deshte për ta zhvilluar me rafinim dhe inteligjencë. Nëse dy herë apo tri dështoje, sepse nuk e njihje fare subjektin e bisedës, nuk të thoshin asgjë në një mënyrë direkte, për mos me të fyer publikisht, porse në praktikë, nuk të ftonin më mes tyre në takimet vijuese, drekat apo darkat dhe tani, ti dikur e kuptoje vetë që ke dështuar, i ke zhgënjyer dhe që të kanë përjashtuar, të kanë eliminuar nga lista e të ftuarve. Janë të pamëshirshëm dhe prandaj, siç ua kam thënë, kam qenë çdoherë super i përgatitur në takimet e mia, edhe miqësore me francezët. Ishte e komplikuar dhe kishte pak punë, sepse m’u deshte për të lexuar libra dhe për t’i pa 100 spektakle apo ekspozita, për të qenë në nivelin e tyre të bisedave dhe i pranueshëm.

Por pas bisedës të ritualizuar në Oda, çka ndodhte më vonë?

Por u përshëndesnin me respekt, nëse ishin vetëm për kafe. Pastaj, nëse ishte darkë vonë, mund t’u zgjaste deri në ora 2 e natës dhe aty ishin të tjera rituale suplementare. Së pari, u shtronin me rakinë, kafen dhe duhanin, disa meze, të cilat e paraprinin darkën. Pastaj, e pyeste Zoti i shtëpisë, Mysafirin kryesor, po themi Kryeplakun, Bajraktarin e ulur në krye të vendit afër Oxhakut… “Zotëri Filani, a jeni dakord që ta shtrojmë sofrën”? dhe ai u përgjigj “Po, i nderuar, kur të doni”!

Dhe tani vinte Plaka e shtëpisë, gruaja më e vjetër, Zonja, do me thënë më e eksperimentuara, ose vetëm, ose e shoqëruar me një nuse si asistente, për t’ua propozuar të ftuarve për t’i la duart me një peshqir, një sapun, do ujë, një kusi dhe e shtronin sofrën dhe vinin pjatat, të gjitha për një herë, gjella, pilafi një tepsi me mish dhe oriz, pitja, byreku, flija, çorba, kosi… me ca lugë dhe pirunë. Tani, zoti Claude, për sa i përket çorbës, kosit, orizit, të gjithë i hanin së bashku me lugë në të njëjtën pjatë, tenxhere, kolektivisht… okay?

Ndërsa, për mishin, pitet, flijë, i thonin Musafirit kryesor nderi, po e mbarim si shembull Bajraktar filani “A po na e ndan mishin, i nderuar Bajraktar dhe a po na e ç’prishë këtë pite”? Kështu, që ai tani me dorën e tij e ndante mishin mes gjithë të ftuarve, duke ua hedhur në sofër, aty ku ishin ulur dhe nganjëherë duke ua gjuajtur si me pas qenë ndonjë qen apo mace… çka më bënte mua për të qeshur, por nuk guxoja, se më përjashtonin direkt nga Oda.

Pastaj e shprishte copa-copa piten apo flijen me dorën e tij dhe ua jepte një fije të gjithë mysafirëve, që e falënderonin… e më në fund, e falënderonin për atë darkë të Zotin e shtëpisë dhe zonjën që i ka shërbyer, duke ju thënë: “Shumë faleminderit prej jush për këtë darkë dhe këtë ndejë që bëmë së bashku. Zoti ua shpërbleftë dhe ua shtoftë bereqetin”!»

Atëherë, u pastronte sofra, por vazhdonin muhabetet me kafe, çaj dhe raki. Dikur pas orës 1 ose 2 të natës, ndodhte që dikush ia fillonte një kënge me çifteli apo sharki, sa për ta argëtuar mbrëmjen e zotit të shtëpisë me të ftuarit e tij, dhe për ta treguar ndonjë histori në mënyrën rapsodike dhe epike. Por dikur vinte pyetja: “A do ta mbyllim sonte me kaq apo do vazhdojmë, duke i marrë leje Kryesorit”? Nëse ai thoshte “po, do e përfundojmë këtu” atëherë do mbyllej. Pyetja tjetër ishte: “Okay – kush do kthehet tek shtëpia e tij, në mes të natës dhe kush do rrijë për të fjetur tek Kulla e Filanit”? Vinte pastaj zoti i shtëpisë dhe propozonte: “A po rrini sonte për të buajtur tek unë, or burra dhe po ju shtrojmë për të fjetur; jeni si tek shtëpia e juaj”! Dikush u përgjigjet po, dikush jo… dhe jepte urdhër me kryesorin, për t’iu shtruar mysafirëve postaja, pra lëkura kafshësh, dyshekë, batanije, çarçafë, jastëkë, për të fjetur. Mirëpo, më ka pas bërë përshtypje, zoti Strauss, vinte përsëri Plaka e shtëpisë me një kusi me ujë dhe një peshqir, për të na propozuar për të na i pastruar ajo vetë ose me asistenten e saj, një nuse të shtëpisë, këmbët tona? Pastaj, flinim të gjithë burrat në tokë, mbi lëkura kafshësh dhe dyshekë në odë dhe u çonim në mëngjes herët, pas këndimin të parë apo të dytë të gjelit.

-Interesant, zotëri Sherifi, ky ritual i larjes së këmbëve nga zonja e shtëpisë! Po sipas teje, çfarë sensi ka dhe pse e kanë në praktikë? Qysh e interpreton? Supozoj që është diçka specifike e juaja… s’më kujtohet tek popujt e tjerë!

Nuk e di miku im… jam autodidakt i improvizuar, e jo specialist i fushës. Amator për profesionistët madhorë dhe profesionist për amatorët e shkretë. Por, a të kujtohet që para 2 mijë vitesh, Marie Madelena, ja lanë këmbët Krishtit në episodin e Biblës. Pra, është një shenjë respekti, zoti Strauss. Vjen zonja e shtëpisë dhe për të falënderuar ty dhe të tjerët vizitorë, që ja keni nderuar konakun ose shtëpinë, me vizitën tuaj burrërore, çka nënkupton siç ju thashë më parë, një farë mundimi apo sakrifice, sepse të merr 1 deri në 2 orë të mira duke ecur me këmbë (ngaqë çdokush nuk ka pasur kalë shale apo 4 kuaj me karrocë, si Kirk Douglasi, Burt Lancasteri, James Stewarti apo John Wayne) dhe respekti i tyre, është me t’i lehtësuar këmbët, që ta ndiesh veten më mirë dhe më i relaksuar. A po e sheh, e kemi edhe ne një mirësi dhe një mëshirë kristiane. Më kujtohet si anekdotë, zoti Strauss, që në një odë të Kosovës, tek Bajraktari i fshatit Morinë, nëse e kam memorien në rregull, në vitin 1968 ose 69, gjatë asaj turneje 1 mujore me babain tim, nëpër Odat e mëdha të Kosovës, kur erdhi Plaka e shtëpisë, e shoqëruar me një ndër nuset e saj, për të m’i la këmbët, nga gicilimi fillova për të qeshur (porse isha 14 vjeçar) dhe nuk e kuptoja fare në atë kohë, ngaqë isha tepër i ri dhe pa ndonjë eksperiencë, që ai gjest fëminor apo adoleshent ishte i perceptuar si një provokim apo ofendim ndaj Zotit të shtëpisë. Dhe më tha dikur një burrë: “Përmbaju ti, djali i Shpendit, se këto lazdrime nuk pranohen aq lehtë… a nuk të ka mësuar babai yt sesi duhet me u sjellur nëpër Oda”? Mu gërmua dhe më shau baba im dhe kërkova direkt falje, duke e shpjeguar qeshjen time. U informova më vonë, se ku ishte problemi? Dhe e kuptova që së pari, tek burrat nuk shprehen fare emocionet dhe luhatjet shpirtërore. Janë të formuar në stoicizëm si Aziatikët, të fortë si shkëmbi, në prototipin e personazheve të Sergio Leonës, shpikësi i Westernit Spaghetti me Clint Eastwood-in, Henry Fonda, Charles Bronson-in, Lee Van Cleef-in, Eli Wallach, James Coburn-in… dhe muzikën gjeniale të Enio Morriconës.

Nuk kishte asnjë keqkuptim apo nëntekst pervers apo devijues

Pastaj, me qeshur me gruan e huaj, zonjën e shtëpisë, e merr kuptimin që po e provokon, po e nënçmon ose po e sharmon, që nuk po e respekton fisnikërinë, burrërinë dhe dinjitetin e asaj shtëpie të Filanit. Dhe në bazë të kanunit, vjen në pyetje, çështja e nderit dhe për atë idiotësi të pamenduar fare, e cila të ka shpëtuar pikë së koti nga mos kujdesia jote, mund të vritesh, ose së paku të jesh Persona Non Grata nëpër të gjitha Odat e Vendit! Njësoj është, kur ta jep zonja e shtëpisë, e aq më tepër një nuse e re dorën për të thënë: “Mirë se keni ardhur zotëri, si jeni”, e tjera nuk duhet për t’ia mbajtur dorën gjatë në dorën tënde, apo për ta shikuar drejt në sy me insistim, se mund të hanë Kalukënxha… Vetëm, si eksepcion, zoti Muharrem Bajraktari e kishte atë të drejtë nga babai im, sepse, kur u përshëndeste me nënën time, zonja Xhevahire Sadria, bijë Vuthajsh nga Plava e Gucia dhe fis i vjetër dhe i filtruar Kelmend, koloneli i përmendur ia mbante dorën bile 30 sekonda duke e shikuar në dritën e syrit, çka mua më çudiste sinqerisht dhe i thashë vetes “po qysh e toleron babai im, pa reaguar fare”? Por ishte e qartë që nuk kishte asnjë keqkuptim apo nënteskt pervers apo devijues, sepse e kishte autoritetin dhe e bënte krejt haptas, burrërisht dhe me transparencë. Me siguri, janë marrur vesh mes veti dhe ia kanë ditur njëri-tjetrit disa sekrete intime. Dhe dikur e kam pas kuptuar edhe unë, që zoti Muharrem Bajraktari e ka pasur edhe ai, një besim sufist, i lidhur me Dervish dhe e ka pa direkt atë energji mistike, tek nëna ime, e ka kuptuar që edhe ajo, e ndan me të, atë rrugë mistike dhe ato kode shpirtërore dhe e ka ditur që nëna ime ka qenë e zgjedhur nga Zoti, por edhe nga Baballarët e mëdhenj, për atë drejtim special, pra e predestinuar… sepse ma kanë konfirmuar Dervishët kryesorë iranianë, algjerianë, marokanë, me të cilët jam konsultuar dikur, për ta analizuar pak më racionalisht çështjen e saj. Bile edhe filozofi dhe autori francez, miku im Jacques Lacarrière, specialist i besimeve dhe i mitologjive antike, më pyeste rregullisht mbi nënën time, sepse donte për t’u informuar mbi gjendjen dhe botën e saj shpirtërore. Pastaj po ua tregoj një episod tjetër, i cili flet vet, sipas meje… Kur nëna Xhevahire martohet në moshën 17 vjeçare me babain tim 30 vjeçar dhe shkojnë për të jetuar në Gjakovë, tek shtëpia e Ali Lilës. I vijnë, pa qenë fare të thirrur tek banesa e tyre, 10 ose 15 dervishë të njohur të Gjakovës, për t’ia uruar martesën… A nuk është pak befasuese? Pra, nuk vijnë fare për babain tim, sepse nuk e njohin. Porse vijnë për ta uruar një vajzë të re 17 vjeçare, një adoleshente utopiste dhe mjaft naive në pamje, e ardhur nga Mali i Zi… Tani, sipas jush, a ishin idiotë të paditur, gjithë liderët e mëdhenj të sufizmit gjakovar? Natyrisht, që jo! Mirëpo, me antenat e tyre të besimit, e kanë kuptuar direkt se kush është Xhevahire Sadria nga fshati Vuthaj? Kurse babai im nuk e ka pas kuptuar fare, ndërsa unë, e kam kuptuar pas 40 vitesh. Kështu, që ishte e vetmja grua shqiptare në gjithë emigracionin, para të cilës u ndalte 30 sekonda deri në një minutë, Kolonel Muharrem Bajraktari, i cili vinte një herë në javë në vizitë, në odën e babait tim. Bile edhe mua, më ka pas privilegjuar disa herë, duke më marrë direkt në pyetje mes 10 burrave, si seancë testimi apo provimi, ose duke më ftuar për t’u ulur afër tij, në ballë të Oxhakut. Ju thoshte mysafirëve të babait tim: “Mos gaboni për ta paragjykuar këtë djalë, i cili ndoshta ju duket tani në shikim të parë, si një majmun plot leshra dhe leçka… por dijeni prej meje, që ka diçka speciale dhe është shumë i zgjuar. Pastaj, mos mendoni që ky rri këtu me ne, pikë së koti, si një i droguar, ngaqë Brukseli ka mjaft kafe dhe diskoteka për të rinjtë, ku nuk mungojnë femrat belge… por ky rri me ne, me dëshirën e tij, për të na studiuar”!

-Me të vërtetë, e paske një histori pasionante, zoti Skënder… emri yt, a mos është Aleksandër, nga Aleksandri i Madh në gjuhët arabo-persike më duket?

-Po, ashtu më kanë thënë, zoti Claude, turqit dhe arabët, por edhe iranianët. Për shembull, qyteti i famshëm i Aleksandrisë në Egjipt, arabët e quanin vetë ‘Skënderia’ pastaj vjen emri – «Scander, Skander, Iskandar…”. Por, le ta harrojmë historinë time dhe të rikthehemi në antikitetin iliro-shqiptar! Kjo bota e odave shqiptare, siç ma keni shpjeguar juve, miku im Aleksandër, tek është super interesante dhe e meriton një trajtim më shkencor.

-Po, pse jo… porse kemi edhe gjëra të tjera, që janë po ashtu specifike dhe mjaft pasionante për një hulumtues profesional, etnolog apo antropolog. Pos faktit, që duhet për t’i analizuar hollësisht të gjitha shprehjet, fjalët e përdorura, sjelljet, gjestet preçize, ritualët dhe sensin e tyre të saktë… Mirëpo, zoti Strauss, ne shqiptarët kemi edhe disa rituale antike, për t’ia kërkuar dorën për martesë një vajze… pra, ka disa procedura mjaft precize. Nuk mund të rrokullisësh lirisht, për qejfin tënd, në bar apo në fushat e Zotit me një balësore, bardh si bora, duke tufatë kanabis dhe pirë birra, si në Woodstock Festival apo në Wight Island të Anglisë, ku kam shkuar vetë për aventura, duke bërë autostop. Këtu tek ne nuk luhet me rregulla, me rite dhe me kode antike, se të shkon koka. Janë gjëra të fiksuara me shekuj! Ndodh që në disa vende, edhe mund t’i plaçkisin, sipas një rituali të njohur, vajzat e fisit tjetër, për t’u martuar më vonë me to… Por, janë edhe aty disa rregulla… se nuk bëhen ato punë në kaos apo në improvizim. Përndryshe, do na dalë një film thriller apo western alla Quentin Tarentino, një delir pa limit. Kemi kode dhe rituale fejese dhe martese, rituale vdekje, rituale në veprimet e hakmarrjes, problematika e gjakut… Kemi vajtimet e grave, por edhe ato të burrave në zonën e Mirditës. Kemi kanunin e shkruar në vitet 1500 – nga Lek Dukagjinit, i cili është interpretuar më vonë, në disa variante. Kemi ritualët e Rugovës, ku na vjen nusja e mbuluar me vela, në një kal, e rrethuar mes 4 burrave të veshur me shallë dhe të armatosur.

-Pikërisht këto shalla rreth kokës, nga vijnë dhe pse i mbajnë? Se i kemi edhe në Afganistan për shembull?

Shiko, Claude, ky problem e do një studim, sepse kanë lëvizur popujt, janë përzier, kanë jetuar dhe kanë shkëmbyer së bashku dhe tani duhet ta dijmë se kush ka huazuar diçka nga tjetri dhe qysh? E kam pas menduar edhe unë, këtë çeshtjen e mbulesave mbi kokë (thënë me popullorçe: se çfarë kapuçësh kemi mbajtur mbi kokë?). Përkundër mbretëreshës Elizabeta e Anglisë, apo të nënës sime Xhevahire Sadria… popullsia shqiptare, sipas disa zonave gjeografike dhe sipas afërsisë me disa popuj të tjerë përreth tyre, kanë mbajtur kapuçë të një stili të veçantë rreth kokës. Për shembull, shallat i ke më tepër në regjionin e bjeshkëve të Rugovës, por edhe babai im dikur e ka pas mbajtur shallin, bile e ka një fotografi në studio i veshur me një shall. Dikund i kanë mbajtur Pliset e bardha, por sinqerisht, unë nuk ua di mirë origjinën preçize, dikund tjetër kapuçët alla turko-maqedonë? Pra, gjithë kjo traditë e mbulesave lidhet me «historinë e kostumografisë shqiptare» zoti Strauss dhe nuk e di, a e ka bërë dikush seriozisht atë studim, apo jo? Por ia vlen, ngaqë e kemi një pasuri të madhe në këtë fushë, si edhe në këngët dhe vallet tradicionale shqiptare.

-Po shqiptarët, pse e mbanin shallin? A ta kanë shpjeguar?

-Po, e kam pyetur babain tim dhe më ka pas thënë: “Shalli që e mbajmë rreth kokës, na shërben nëse rastësisht do vritemi, si një qefin për të na mbuluar trupin”. Do me thënë, në raste gjaqesh dhe hakmarrjesh, sipas ligjeve kanunore, nëse dikush të del në pritë për të vrarë, e ke shallin, që të shërben si qejfin, një lloj çarçafi për ta mbuluar trupin. Sepse, janë disa rregulla strikte edhe kur ta vrasësh dikënd, zoti Strauss, duhet me e vendosur trupin e personit në një mënyrë dinjitoze dhe me e mbuluar siç duhet. Çdo veprim bëhet me nder! Pastaj, edhe lajmërimi i vrasjes, e ka një ritual preciz, sikurse pamja mortore.

-Do me thënë, që shqiptarët e mbanin simbolikën e vdekjes mbi kokë?

-Në në farë mënyre, po, miku im, sepse nisemi nga ideja, që kush lind, do të vdes… pra, që në fillim e ka të shkruar dhe të programuar vdekjen e tij të ardhshme. Mirëpo, në ambientet dhe në kodet malësore, të orkestruara nga zakonet dhe ritet kanunore, vdekja nuk të vinte çdoherë natyrshëm, në moshën 80 ose 90 vjeçare qetësisht në shtrat. Bile kishe shanse për të vdekur i ri dhe jashtë normave normale apo logjike. Mos harroni, që je në botën e hakmarrjeve dhe të gjaqeve… Siç e ke në Siçili, në Korsikë, në Meksikë, etjera vende. Nuk është vetëm tek ne ajo praktikë, pak primitive apo barbare, me leximin e sotit modern dhe universitar mjedis metropoleve. Kanuni ka pasur sens real dhe logjik, sepse e ka vendosur një rregull shoqëror strikt në gjithë ato vende të egëra, e ka ruajtur një ekuilibër, e ka zëvendësuar ligjin… Sepse, nuk ke pasur andej shtet ligjor me Polici, me gjykata, me 100 kode civile, penale, etjera, me avokat dhe magjistra… Ligjin e kanë aplikuar spontanisht në bazë të Kanunit dhe zakoneve shekullore ata njerëz të urtë dhe të sprovuar të atyre vendeve, Pleqtë e urtë, Bajraktarët, personalitetet e besueshme me një autoritet evident dhe janë vendosur ato rregulla brenda disa Pleqërive.

Do me thënë, që është debatuar për çdo problem praktik të individit IKS apo të shoqërisë, nëpër Oda me një pleqëri, ose konsultim me të urtit e vendit. Dhe ata e kanë zgjidhur atë problem, përmes një vendimi të tyre kolektiv, të marrë publikisht në shoqëri dhe të aprovuar nga të gjithë. Pra, nuk ka qenë anarshi dhe bordelhane, por ka pasur disa rregulla dhe norma, miku im.

Kurse sot, jemi të supozuar për t’i pasur të gjitha institucionet profesionale, që merren me çështjet e drejtësisë. Çka quhet shteti ligjor! Tani me funksionuar perfekt në praktikë, sikurse në Beneluks, Gjermani apo Suedi, nuk mund të justifikohet sot në fundin e shekullit 20, praktika krejt e improvizuar e Kanunit, të cilin ka kohë që nuk e kanë lexuar njerëzit në imtësi. Por, gjenerata e babait tim e ka mbajtur vdekjen mbi kokë, është e vërtetë!

Pastaj e kemi pasur pushkën si diçka «kult» siç i kanë amerikanët sot «armët e garantuara me kushtetutë». Nuk mund të imagjinohet prototipi i Malësorit autentik dhe origjinal, pa kalë shale, pa veshje tradicionale dhe pa pushkë. Nuk mund të na paraqitet me Benz, Kostum Armani dhe një celularë Apple!

Dhe kur na lindte një djalë në Kullë – e kemi lajmëruar duke qitur pushkë, ia kemi vendosur një pushkë afër djepit të tij… sepse ka qenë i konsideruar si pasardhësi, si trashëgimtari i gjeneratave të mëparshme… ai i cili do ta vazhdonte atë traditë shekullore… me risk natyrisht që mund të vritet i ri!

Tek shqiptarët, specifikisht ata të zonave malore nëpër Alpe, e kanë patjetër dikund brenda vetës

-Prandaj, zoti Sherifi, e keni kultivuar atë lloj tragjedie, si tek Greqia antike.

-Po, me siguri, ka diçka, si në teatrin antik grek, si tek Racini, tek mitet e vjetra. Por nuk di me ta shpjeguar profesionalisht. Prandaj nuk jemi të lehtë, gazmorë, hajgarexhi, por mjaft hije rëndë, si në westernat e Leonës, nuk i sheh njerëzit duke qeshur… Nuk jemi duke u rrezitur nëpër Plazhet e Guadalupës! Jemi shumë më afër Eskilit dhe Sofoklit, sesa përrallave të Nastradin Hoxhës. Nuk e di si me ta shpjeguar, por e kemi gati gjenetikish, atë peshë serioze dhe hijerëndë, sepse unë mendoj krejt intuitivisht, si poet, por nuk mund ta faktoj shkencëtarisht, që çdo popull e ka brenda tij, një farë kujtesë gjenetike antike, të shënuar nëpër qelizat e tij ose tek subkoshienca e vet kolektive, të cilën na e përmend shumë qartë, edhe psikanalisti Jung… Por unë, po të flas ty këtu me logjikën e odave malësore, gjithë atë çka e kam kuptuar dhe perceptuar unë, si bazë prioritare dhe si mbështetje anësore, duke e veshur me disa elemente kulturore. Por tek unë, zoti Strauss, pavarësisht sesa kulturë apo shkollë kam, flet spontanisht përmes meje, çobani, bjeshkatari, pirati dhe poeti, memoria shekullore, urtësia e babë-gjyshërve… çka ju në botën europiane perëndimore, nuk mund ta kuptoni, se jeni të programuar komplet ndryshe. Ti bile e ke kuptuar tek Indianët e Amazonisë, përmes librit tënd: Mendimi i egër ose primitiv – që pavarësisht civilizimit apo primitivizmit, njerëzit, në anën e tyre natyrore dhe spontane, jashtë influencave kulturore apo fetare, funksionojnë në bazë të të njëjtave koncepteve bazë, në veprimet e tyre mbi këtë tokë… janë arketipe kolektive funksionimi tek raca njerëzore, të cilat na bashkojnë. Pra, nëse e lëshojmë në të njëjtën natyrë gjeografike, por pa civilizim apo thesar kulturor, një europian (gjerman, holandez, anglez, francez, grek) një aziatik (kinez, japonez) një amerikan, një indian i fiseve amazoniane, një afrikan primitiv të savaneve dhe të shohim sesi do veprojnë dhe do sillen për të mbijetuar… do konstatojmë shumë elemente spontanisht të përbashkëta. A e kam kuptuar siç duhet tezën tënde, zoti Strauss?

Dhe tek shqiptarët, specifikisht ata të zonave malore nëpër Alpe, e kanë patjetër dikund brenda vetës një peshë, një lloj përgjegjësie kombëtare (si me i ruajtur territoret, si me mbijetuar, si me i larguar armiqtë tanë të shumtë, si me shpëtuar prej të gjitha kurtheve dhe rreziqeve që na i kanë orkestruar tanët së pari, por më tepër gjithë komshinjtë përreth nesh) kështu, që nuk është tamam festa e 14 korrikut me Ballo Popullore në çdo fshat dhe ti si albanez, do jesh automatikisht i plumbosur nga gjithë kjo peshë, objektivisht mjaft helmuese dhe negative në fakt, por edhe nga pesha e gjithë historisë tënde shekullore, si popull, si fis apo si malësor. Ju mund ta kuptoni zoti Strauss, që anglezi i Londrës, francezi i Nicës, i Kanës, holandezi i Amsterdamit, danezi i Kopenhagës nuk e kanë atë peshë mbi supe dhe të incizuar në kokë. Mendojnë se çka do bëjmë për këtë week-end, çka do kemi për darkë sonte, ku do shkojmë në pushime dhe cilën dashnore do e marrë në diskotekë? Ndërsa tek ne dominon tragjedia, lufta, heroizmi, në përralla, këngë epike dhe rapsodike, apo në muhabetet tona nëpër Oda. Nuk ekziston lehtësia… Nuk na vjen spontanisht për të folur apo për t’i përshkruar fluturat, zogjtë, poezinë, pikturën, filmin, autorët e letërsisë, filozofët, mistikët e orientit, femrat magjike dhe sensuale, apo për të folur për pushimet tona në Karaibe. Nuk jemi në romanin e Milan Kunderës: “E padurueshmja lehtësi” e të qenurit ose në ambientet kubaneze të Havanës, me muzikën e grupit Buena Vista Social Club… tek ne malësorët qeshja dhe humori nuk janë të mirëseardhur! Edhe femrat tona e kanë një anë fisnike dhe burrërore, diçka të afërt me statujat mitologjike… një bukuri dinjitoze e jo kurëvërore”. / Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat