Natën e madhe të vitit 2013 laptopi im piu raki dëllinje

Kultura

Natën e madhe të vitit 2013 laptopi im piu raki dëllinje

Nga: Kalosh Çeliku Më: 26 janar 2023 Në ora: 09:23
Kalosh Çeliku

(Drekë Mbretërore me Zonjën Di

te këmbët e Aleksandrit Madh)

Mikja Di, vjen një ditë në Shkup

Edhe, më bënë zë për një kafe!

I përgjigjem: Mirë, ku do ta pish kafen?

Mundet te “Tivoli”, përkarshi Skënderbeut.

E pimë kafen. Porositë edhe muskul viçi

Mishi nuk i pëlqen. Thotë: Qenka i kuq?!

Gjysmën ma jep mua. Që, sot s’dua mish viçi

Mundësisht, kërkoj mish mështerrje!

Tekefundit, së paku marrë “ilaçet” e përditshme:

Një raki rrushi. Dhe, dy shtama me verë!

Ditën e nesërme, Mikja Di më merr në telefon:

Unë jam te “Pirini”. Përpara këmbëve Olimbisë

Me fëmijë në bark. Gji, dhe prehër.

Ecë, ta pimë nga një “hallall”turku!

Pastaj, dalim matanë Urës Gurit. Vardarit.

Vetëm, se: mos u vono shumë rrugës!

Jo, i gjegjem: t’i laj sytë. Dhe, veshi brekët

Plumb, ma pret: Mund të vish edhe pa brekë!

Fisi i kaçakëve, nuk ka kohë për brekë

Mauzerrin, sot patjetër duhet rrok në dorë!

Qeshem: Ndoshta, me tirqi. Struken krahëve.

Miken Di, e gjej te “Pirini” si qyqe majë Lisi

Përshëndetemi. Ulem, dhe e pyes për drekë?

Shkaku, se: mu kujtua Hoxha, mik i Asdrenit

Nuses së vëllait, kur e pyeti si mysafir për kafe.

I tha: po, Zonjë. Kafe mundet, vetëm pas buke!

Përgjigjet, Mikja. Mirë, ku do ta ndalim anijen

Matanë Urës Gurit. Qeshë, plotë gojën nervoze.

E marr përkrahu. Dhe, dalim matanë Vardarit

E lëmë Olimbinë me fëmijë në bark, gji e prehër.

Goce Dellçevi me mustaqe mbi kalë na hap rrugë

Karposhi këmbëzbathur, shalon një kalë pa shalë.

Nikolla Karevi me pushkën në dorë roje Ure.

E gjetëm restorantin tek Aleksandri Madh

Këmbëkryq, para Kalit tij “Bukefalë”.

Zonja Di, drekë kërkon herdhe viçi!

Jo, i përgjigjet çuni. Specialitet shtëpie

Sot, i kemi: herdhet e kalit teknefes:

Përmëkeq, edhe ato të “Kalit Shemës”.

Ndërhyjë, Unë: E, a keni herdhe mëzati?

Kamerieri, rrudhë krahët. Për herë të parë

Në këtë restorant, dëgjoj për këtë specialitet!

Megjithatë, kush e përgaditë tek ne, Ballkan?!

Qeshem, Unë. Dhe, i përgjigjem: shqiptarët.

Në fund, mezi e hamë nga një picë italjane

Dhe, strukemi në terr si dy zogj shtegtarë:

Kokë më kokë te këmbët e “Kalit Shemës”…

(Korre poezinë time

dhe kalo Dimrin)

Herët, sot drapërin e Nanës merre në dorë

Dhe, dilë në arë! Përveshi trutë!

Duart. Edhe këmbët deri në gjunj

Mes vapës madhe korre poezinë time!

Duaj - duaj në arë. Dhe, kalo Dimrin.

Pranvera, Nesër kur do zbresë Nuse

Lëma, veç ka shpërthyer luleqershie…

(Unë të gjuaj me lule

e Ti me borë)

Moti kohë, Unë të gjuaj me lule

Kopështi të lulëzojë në Pranverë.

E Ti, përçudi më gjuan me borë.

Dimër,jam vetë! Nuk dua tjetër Dimër

Pranverën e kam në shpirt… Gjak.

Engjëlli im mbrojtës, është Grua...

(Një pasmesnate Dimri

u strukëm nën ferrë)

(Jetës dalldisur si nxënës në

Shkup: 1966/’67 - 1969/’70).

Ishim në Disko: Unë, dhe S. -ja

Gjithë natën kërcyem. U dehëm.

Pak para agimit, u mbyllë lokali

Unë, dhe S. -ja krahpërkrahu ikëm

Mezi e gjetëm rrugën për në shtëpi.

Dimër. Borë. Jashtë, bënte ftohtë

S. -ja, më thotë: strukemi nën ferrë!

Edhe, u strukëm. Dimër, i Madh

Shtëpi pa çati. Stuhia, trokiste jashtë.

Përçudi, nën ferrë: Gjetëm bar të thatë

E shkulëm me dorë. Jastëk nën kokë.

Shtroje Hoteli, nën Qiellin e hapur

Qilim me yje. E përcollëm Natën.

Agimin, e pritëm nën një ferrë

Dielli me rreze na zgjoi mesdite...

(Ehu, Dëllinjat e mia

te “Parku i Grave”)

Ehu, Dëllinjave mia te “Parku i Grave”

Unë, dikur u fsheha kaçak nën gërmusha.

Netëve të Dimrit. Edhe, Ditëve Verës

E kalonim Natën. E prisnim Ditën:

Qafëpërqafe me Cuca. E Djemnusha.

Sot, jeni rritur. Jeni bërë koxha pisha

Në Shkup te “Parku i Grave”. Mes luleve.

Ehu, Dëllinjat e mia, te “Parku i Grave”

Sot, jeni rritur pisha. Unë, plak me mjekër.

Lakmi, ua kam Gjelbërimin. Përmendoret

Përderisa, Vetes mjekrën e Baba Shehut!

Dëllinjat e mia - pisha te “Parku i Grave”

Ende gjallë?! Përballë, sëpateve politike…

(Erdhi “armiku” Koronavirusi

dhe më trokiti te dera)

Kalosh Çeliku, jeni në shtëpi?

Jo, iu përgjigja: Kam vdekur.

Jetën, e vazhdoj mes varreve.

Përçudi. Më besoi. Iku pas porte

Unë, vazhdova jetën mes poezive:

Bibliotekë. Dhomën time me libra…

(Koronavirusi më pyeti

çka do marr me vete)

Koronavirusi pyeti: Çka merr me vete

Gjatë 85 orëve burg, në Karаntinë?

Iu përgjigja: Një ibrik me raki rrushi

Një fletore. Një lapës kimik. Një libër

Dhe, Dy shtama me verë të Mikes.

Jo! Rri, në shtëpi! Laj duart me sapun

Mbaj distancë dy metra larg Mikes!

Ani. E marr Koronavirusin në karantinë…

(Ditën e 28 Nëntorit Madh 2020

raki rrushi piu celulari Im)

Mes poezive rebele, me Covid -19

Përçudi?! Celulari im kishte vdekur.

Gjithë Natën kishte pi raki rrushi

Dy shtama me verë të Laydi Di.

Unë Poeti: Ende, isha gjallë në Shkup.

Djali, më paraqitet në telefonin tjetër

I them: Ka vdekur. Ka pi raki rrushi.

Vetëm Unë, ende kam mbetur gjallë

Dhe, ky telefon me Covid -19 -të:

Sot, do të dalim te “Parku i Grave”...

(“Parkun e Grave” e shpalla

“Zona e Lirë” e burrave)

Dhe, vazhdoj ta vras Veten nateditë

Me poezi erotike. Dhe, Gra besnike.

Rrospi meshkuj, të partive politike

Që, “afrojnë” Natë në Shtëpi Publike.

Nuk e di Nesër, si do ta vras Veten

Me poezi. Gratë e mia besnike, Apo:

Rrospitë meshkuj të partive politike?!

Përinat, do vras Veten: Me poezi erotike

Dhe, Gratë e mia azgane. Ende, besnike.

“Parkun e Grave”, e shpalla “Zona e lirë”

E burrave. Kundër dhunës ndaj burrave...

(Kufomën Time ende

nuk e keni në Varr)

E keni pritur me vite: Ringjalljen Time

Në Shkup. Korçë. Dhe, “Qafë - Thanë“.

Kohën e fundit, “Armiku i padukshëm“:

Kaq e kaq të infektuar. Dhjetë viktima.

Mes tyre, dhe një Poet rebel shqiptar:

Kalosh Çeliku, vdiq nga Koronavirusi.

Edhe, atë: Me Dy shtama verë të Mikes

Po, kufomën, ende nuk e keni në Varr?!

Kaq e kaq, u shëruan. Vdiqën, në spital:

“Lani duart me sapun“! Teshjet me bërryl!

Distancë, mbani edhe me Gruan besnike:

Në verandë, hiqni valle me këngë erotike

Aspak, në kronikat televizive: LINDJE?!

Sotekësajdite, nuk me do Zonja Vdekje

Pashterkëkuqja: Nuse, ende pa koçi.

Nuk ka problem. Marrëzisht, e dua Unë

Duartrokitje, Sot: Grave, të mia besnike!…

(Natën e Madhe të Vitit Ri 2023

laptopi Im piu raki dëllinje)

Natën e Madhe, të Vitit Ri 2023

«Hakerët», e sulmuan Laptopin?!

Me, metoda policore partiake

Nuk mund ta hap, Sot: marr lajme:

Nga gazetat. Portalet elektronike.

Rrugë. Dalje, për shtigje. Edhe:

Sot, m’i fshinë shkrimet. Librat

Urimet! Nuk ka problem. Çeliku:

Përsëri, do t’i shkruaj ato Libra.

Urime, Nesër! Nese, jemi gjallë

Shkaku, se: i dhashë raki Dëllinje:

Natën e Madhe të Vitit Ri 2022.

Dhe, vdiq. Sonte, nuk merrte frymë

Ditën e Nesërme, i them Djalit:

Vdiq. Iku. Ka pi raki Dëllinnje?!…

Nga Libri: ATDHEU Burrë pa Grua(përzgjedhje - Shkup, 2023)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat