Lasgushi dhe filozofia edukative

Kultura

Lasgushi dhe filozofia edukative

Nga: Ramiz Spahiu Më: 30 janar 2023 Në ora: 16:08
Lasgushi

Një thesar me vlera letrare, filozofike e psikologjike, është poezia e Lasgush Poradecit. Pikëpamjet ndaj njeriut, jetës, moralit e shoqërisë mund t’i mësojmë nga veprimtaria e tërësishme dhe biografia e poetit. Një rëndësi te veçantë ka filozofia edukative, mendimi për librin, kulturën, punën, artin, lirin, dashurinë etj.

Libri, leximi, studimi – Lasgushi iu përkushtua shkollës, tregoi etje të madhe për të mësuar. Ndjente kënaqësi dhe gëzim të veçantë kur e kishte librin në dorë, kur lexonte e studionte. Duke folur për një libër të Pjeter Bogdanit thotë: “kur pata gëzimin që t’a shëkoj me sy … t’a çik me dorë … t’a studioj dhe t’a përpij”. Dhe vazhdon më tej: “unë e kam jo lexuar, po studiuar se një libër që vlen nuk lexohet, po studiohet”. Me lexim e studim zhvillohet dhuntia natyrore, prirja, talenti për krijimtari.

Dëshira, vullneti, interesimi – si kushte psikologjike të domosdoshme për të mësuar, te Lasgushi vërehen në çdo hap, gjatë shkollimit të rregullt por edhe kur vet arsimohej. “Italishten e kam mësuar nga një libër kur isha gjashtëmbëdhjetë vjeç. Mësoja nga 20 faqe në ditë. Jo, jo nuk i mësoja! I përpija! … dhe ditën e dymbëdhjetë unë dija italisht”. Ose, kur flet për interesimin në ligjërata gjatë kohës së studimeve: “rrija gjithnjë në bangot e para që t’i dëgjoja e t’i përpija të gjitha”.

Poezia, mësuesi dhe kombi - sipas Lasgushit janë te ndërvarura nga poetet. Ai e shihte poezinë si mjet të pazëvendësueshëm e të domosdoshëm për edukimin e kombit, dhe poetët si mësues të tij. Lidhur me ketë thotë: “Si të mos jenë gjermanet ata që janë, kur kanë pasur një mësues (Getën) kaq të madh?”

Poezia, edukimi atdhetar dhe lufta - Duke folur për rolin edukativ poezisë dhe këngës, Lasgushi përmend Himnet kombëtare me të cilat populli mobilizohet, të shkojë në luftë dhe të vritet, duke kënduar. P.sh. “Me vargjet: / Për Mëmëdhenë, për Mëmëdhenë, Bashkoi burra se s’ka me prit … / , janë vrarë njerëz dhe janë fituar beteja. Prandaj duhet të shkruajmë poezi jo të mirë, po shumë të mirë, shumë të lartë, shumë të thellë, shumë të gjerë, që t’i vëmë shpirtit të kombit themele të shëndoshë.

Poezia dhe bashkimi kombëtar – Lasgushi e thekson rolin edukativ të poezisë për bashkimin kombëtar. “Për fenë e shqiptarisë do të fliste profeti i kombit shqiptar Naim Frashëri, i cili me shëmbëllesën dhe poezitë e tij fillon bashkimin e kombit duke mënjanuar gjithë paragjykimet pengonjëse . Me këtë rast kryesorinë e kishin vargjet. Ato i kënduan atdhetarët dhe shpirti i tyre u tund,… u bintnë ”.

Sistemi shoqëror dhe diktatura - Poeti nuk e pëlqeu mbretërinë zogiste, por ai s’pati si ta pëlqej as “mbretërinë” komuniste, bile ketë e urrente më shumë. “Ne po vdesim për bukë, rrimë në radhë sitë na ketë ngurosur shtriga e përrallave. …Çfarë jete po bëjmë! Mizerabël! Jemi më të pocaqisurit e Ballkanit dhe Evropës”. Këta ia kanë kaluar edhe shejtanit, thotë me një rast dhe vazhdon më tej ta shpreh mllefin ndaj sistemit diktatorial komunist duke pyetur : “Ku e gjejnë këtë të drejtë këta pushtetarë që ta shtrëngojnë rininë të jetojë në këto ferra dhe bunker. A s’është kjo çmenduri?!”

Liria, demokracia, qytetërimi – Lasgush Poradeci e urrente shumë diktaturën dhe e çmonte lirinë, demokracinë, qytetërimin. Kjo jetë që po e jetojmë s’është jetë! “ Sa bij nënash dergjen në fund të këtij liqeni, se djemtë tanë nuk e durojnë dot këtë jetë të mbyllur në vathë, ëndërrojnë të mjerët të dalin në botën e lirë dhe i bien me not, por … të rrallë janë ata që triumfojnë mbi vdekjen”. Dhe vazhdon më tej: “unë them se njeriu duhet të gëzojë të drejtën të shkojë ku t’i dojë e bardha zemër. Ndërsa te ne po ëndërrove të shkosh ne botën e lirë je tradhtar. Mua më vjen keq të mbytet rinia pa e parë Evropën“. Pastaj në një rast gjatë bisedës me një ish nxënësin e tij diplomat, Lasgushi thotë “ Ah sikur të kishin të gjithë udhëheqësat zemrën dhe mendjen tuaj, do të ishte Shqipëria “Amerika” e Evropës”.

Botëkuptimi fetar - i poetit u formua nën ndikimin e familjes, vendeve ku mësoi dhe miqve të tij të nderuar. Lasgushi e adhuronte Zotin. Vente në kishë të qetësoj shpirtin dhe të merr uratën e Zotit. ”Gjithësia ka një Zot”, thotë në një rast dhe vazhdon: “ Po të mos ishte Zoti do hanim njëri tjetrin”.

Qëndrimi i poetit ndaj fesë shihet edhe nga një bisedë që ai pati me në zyrtar komunist, në kohën kur në Shqipëri feja ishte ndaluar me ligj, me ç’rast thotë: “unë jam ortodoks, kam besuar dhe besoj që ka Zot. Juve i shpallët luftë Zotit. Doni ta vrisni. E keni të kotë. Zoti nuk vritet. Ke për të parë ai do të rikthehet një ditë edhe në Shqipëri”. Dhe, poeti e parashihte rikthimin e fesë , gjë qe vërtetë ndodhi pas rënies se sistemit komunist.

Përvoja dhe stoicizmi - Për formonin e personalitetit të njeriut, për vijëzimin e tipareve të shëndosha, për fisnikërimin e karakterit rëndësi të veçantë sipas Lasgushit ka përvoja jetësore: “Vuajtjet që më kanë rrahur si hekur të nxehtë, më kanë bërë më të pastër në shpirt dhe më të fortë në karakterin tim”. Poeti ishte një njeri këmbëngulës, i urtë dhe i durueshëm: “ Tërë jetën time, të gjitha ngjarjet që kanë pasur të bëjnë me mua ose jo, i kam parë më ataraksi që është një parim filozofik që të mëson të shohësh me gjak të ftohtë, me qetësi çdo gjë që ngjet rreth teje, për mirë ose për keq. Të mos gëzohesh shumë, të mos hidhërohesh tepër ”.

Puna dhe talenti – Perëndia bashkë me talentin më dhuroi edhe vullnetin për të punuar. Edhe prindërit që në vogëli ma futën në gjak ndjenjën e punës. Jam frymëzuar edhe nga eksperienca e poetëve të mëdhenj, si kanë punuar ata. Eminesku tha “poeti që të bëhet i madh, duhet të punoj ditë e natë”.

Kam punuar shumë, vazhdon më tej Lasgushi. Gdhiheshe mbi libra. Lexoja, shkruaja. Me punë e kam ndihmuar talentin të thur poezi. Në punën time jam frymëzuar edhe nga poeti i madh gjerman – Gete, kur thotë “gjeni është puna”.

“Nuk më shijon buka kur ma japin të tjerët. Do të hiqem zvarrë dhe do ta nxjerr me punë bukën e gojës”, i tha poetit një miku i tij i cili kishte lindur me të meta të rënda fizike. Dhe shtoj, “kur punon ai, ne duhet të derdhim djersë ditë e natë”.

Arti dhe edukata estetike - Poezia e Lasgushit është një bukuri poetike të rrallë, ajo “ngriti muzikalitetin e vargut shqip në një shkallë më të lartë”. Disa nga vjershat e Lasgushit kanë “vlera antologjike me bukuri të paparë e të padëgjuar në gjuhën shqipe, me harmoni e melodi të vargut”. Lirikat e Lasgushit e ruajnë freskinë e tyre dhe lexuesit i ngjallin emocione e kënaqësi të vërtetë estetike. “Ato janë një poezi – muzikë, harmoni”, një “gurgullimë harmonike e përsosur”. Rima e muzikaliteti i vargut i jep origjinalitetin dhe veçantinë stilit lasgushian dhe e bën atë më të fortë nga aspekti edukativ dhe estetik. Lasgushi thoshte: “qëllimi i artit është të na japë kënaqësi, gëzim estetik”. Dhe pikërisht në poezitë e tij lexuesi do ta gjejë atë kënaqësi, atë gëzim estetik.

Erotika edukative - Lasgush Poradecit në poezitë e tij vashat i vizaton si me brushë, duke ua theksuar elementet e bukurisë: flokë, faqe, sy, buzë, gushë etj, për t’i bërë që të rrezatojnë më shumë dashuri. Por edhe krijon rrethana romantike, natyrore e morale të përshtatshme për dashurinë. “Pa zuri dita perëndoi, /pa zuri nata na mbuloi, /pa zura shoqen ta pushtoj. Ndjenja e dashurisë është më e fuqishme, më e bukur, më humane dhe më natyrore vetëm në shoqëri të fshehtësisë: “Një dashuri - një fshehtësi /M’e fshehur sesa fshehtësia”. Dashurinë lasgushiane e përcjell turpi, intimiteti e fshehtësia dhe është në përputhje me kulturën, moralin dhe traditën tonë edukative. Prandaj edhe është erotikë edukative.

Duke përfunduar, shtojmë: Me filozofinë edukative te Lasgush Poradecit, letërsia dhe kultura shqiptare është më mësimtare dhe më edukative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat