Ta duam Kosovën - Kosova është e jona

Kultura

Ta duam Kosovën - Kosova është e jona

Nga: Shefki Stublla Më: 30 janar 2023 Në ora: 16:25
Autori Shefki Stublla

Kosova, në rrugëtimin e saj nëpër stuhi të kohës, edhe pse e shtypur shekuj me radhë, nga pushtues të shumtë, secili më i egër se tjetri, kurrë nuk iu nënshtrua armikut, ruajti gjuhën dhe adetet e veta, nuk e humbi krenarinë e vet, ishte një Kullë e Mikpritjes shqiptare me sofrën e shtruar me dorë në zemër. Përkundër ngushtëllëkut të përditshëm, rrallëherë ose hiç kurrë, nuk e dëgjoje dikë ta përbuzte vendlindjen dhe të bëhej gati për të ikur dhe për të lëshuar vendin. Nuk ishim të ndarë, por një përballë pritës, një në sofër të burrave, e një në bark të nënës. Nëna këshillonte të birin: Dy gramë besim në vendlindje vlejnë më shumë se katër palë duq dukatë në dhe të huaj, ku askush s’të njeh as nuk të sheh. Me këto fjalë ajo motivonte harmoninë që përgëzon mirëqenien e domosdoshme dhe, frymëzon marrëdhëniet ndër njerëzorë për jetë. Sepse njeriu ka nevojë për ngrohtësi me njëri-tjetrin. Andaj, ta duam Kosovën. Mos t’ia kthejmë shpinën. Vendi i huaj për të huajin ka vetëm stinën dimër. Kosova, tash për tash e varfër, ka kurajën, sharmin dhe bukurinë e vet. Kjo gjendje e rëndë nuk do të zgjasë gjithmonë. S’ka nevojë ta ndiejmë veten inferior, sepse: “ Ne, në Ballkan, jemi i vetmi piopull autokton”- Larousse.

Lexuese dhe lexues të nderuar, motivimin për këtë shkrim e gjeta në televizionet tona shqipfolëse, në familje, në autobus, në portalet e gazetave tona, ku për fat të keq, gjen pak gjë të mirë, përveç, ofendime, mallkime, zhvlerësime të ndryshme, me një fjalë vetëm atmosferë dëshpëruese. Andaj, e pashë të udhës t’i shfaq ca mendime të mira reale, për më të bukurin vend, për Kosovën tonë, për Dardaninë antike. Nuk pajtohem me disa sajues të kësaj atmosfere dëshpëruese, që Kosovës ia hanë bukën dhe ia përmbysin kupën, fikun urëzat e oxhakut të jetës. Luajnë me fatin e njerëzve të nëpërkëmbur ekonomikisht duke bërë politikë dëshpëruese edhe në Parlamentin e Kosovës. Flasin ca nga ta dhe dergjin popullin, nga taksat e të cilit bëjnë jetë luksoze dhe shesin fall për barazi. Rrëzbisin nafakën dhe shpresën. Me buzëqeshje diplomatike ia çelin rrugën mërgimit, i cili, tash për tash, siguron jetesën, por sjell, përkohësisht, largimin e të rinjve nga Kosova , pa të cilët Kosova s’ka ardhmëri.

Shumica nesh jemi të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë politike dhe ekonomike, por ne kemi pasur, para pak vitesh, gjendje më të rëndë në çdo aspekt, por asnjëherë nuk ke pasur rast të dëgjosh fjalën mbaruam, nuk i kemi ngritur duart lart. Nuk jemi dorëzuar. Por, kjo gjendje e rëndë, nëse bashkohemi dhe organizohemi, si e kërkon e mbara, do të tejkalohet. Mos të shkilet sofra e nënës Kosovë, ku jemi lindur, rritur e ushqyer. Është koha të farkohet vetëdija për të përgëzuar horizontin e unitetit kombëtar. Mos të kihet fort gajle se çfarë flasin ca analistë. Fjalët e tyre i merr era, edhe pse populli nuk e di se kujt ia bëjnë argatin. Ka rëndësi të madhe të veprohet me vetmohim si fidainjë të frontit kombëtar.

S’ka vend më të bukur se vendlindja

S’ka vend më të bukur se vendlindja, atdheu yt, sepse “aty të duket balta më e ëmbël se mjalta” (Çajupi). Atdheu i jep njeriut nder, i jep kuptim dhe vlera morale jetës së tij. Urtaku këshillon: mos lakmoni në luks, por në jetë normale. Ruani unin tuaj , mos u bëni servil , sepse servili edhe në sytë e atij që nënshtrohet është i poshtër. Për atdheun, jepe edhe jetën, po qe nevoja. Duaje familjen tënde, por kjo mos të jetë pengesë për t’i dashur të tjerët. Mos e lëshoni atdheun, sepse rrallimi i shqiptarëve plotëson kërkesën e armikut tonë shekullor. Blini libra, e lexoni sepse libri është shoku më i ngushtë i njeriut. . Ndaj çdo telashe qëndro burrërisht, me durim. Atdheun mbi të gjitha ta ruajmë dhe begatojmë me punë të mirëfilltë. Me flamurin e atdheut ta ndërtojmë ardhmërinë. T’i respektojmë dëshmorët e luftës dhe të paqes. Të shkallmohet “mrazi” i diellit që nuk ngroh njësoj. Të shlyhet hisja e huqeve. Mos të pranohet grepi i mjerimit që vjen nga pushtuesi ynë shekullor, i cili çnduki e do ende të çnduk pjesë të atdheut tonë. Të shuajë ekzistencën e “arnautëve”! Mos t’i besohet këtij armiku gjenocidali, i cili ndërron qimen e vesin kurrë!

Atdheu është në rrezik. Vetëm të bashkuar mund ta mbrojmë. Natyrisht, bashkë me ShBA dhe aleatët e qershorit të vitit 1999. Të mos frikësohemi, sepse myzhde kemi pavarësinë e mirëfilltë! Kërkohen fjalëmirët. Nxënësit e studentët e arsimuar të nxiten për dije të reja. Kërkohen burrështetasit e pakorruptuar. Kërkohet një terapi për ta shëruar shpresën e plagosur nga ca individë shqipfolës. Të bëhen gara për miqësi e jo për armiqësi. Kosova ka rini të shëndoshë, e cila duhet të edukohet dhe arsimohet sipas kërkesave të kohës. . .

Lexues të nderuar, mos ta rrudhim dorën për atdheun. Të gjendet zgjidhje për ditët e errta e ditët e nxehta. Hipokritët le të largohen, boll na dëmtuan! T’i ruajmë gjurmët e mira të atyre që sollën lirinë. Mos t’u besohet fjalëve të gënjeshtarit qoftë ai mashkull apo femër.

Vëllezër e motra, ju nxis të punoni dhe begatoni atdheun tonë, shtetin më të ri në botë, Kosovën e mrekullueshme. Ju lus të jeni kontribuues sipas mundësive tuaja dhe të vini këtë si primare të jetës. Mësoni gjuhën angleze, gjermane, franceze, jo për të ikur nga atdheu, por për t’i shërbye atdheut. Ta ngjallim Kosovën, e cila i ka të gjitha burimet për një zhvillim të hovshëm. Hiqni dorë nga neglizhenca dhe injoranca. Sidomos nga porosia e frikacakut “kjo nuk është punë e imja! ” . Gjatë udhëtimit në jetë secili të lë një vepër për atdheun e vet.

Është koha e fundit të çlirohemi nga shpirti i filozofisë së robit!

Boll më

Boll më me fryrjen e inatit mes nesh, sepse atdheu bëhet kurban, me mjedis të zgrapcuar, qoshe të përdhosura dhe me kthesa brrylore. Mos të lejohet që fitorja t’i përngjajë shkatërrimit. Mos të harrohet që tradhtia shiton ata që marrin në besë armikun tonë shekullor. Përse vetëm tek ne gjahtari smirëzi vret skifterin! Kujdes, armiku ynë shekullor, nuk pushon së bëri “shkencë” me emra të ndryshëm, si “Naçertania”, ”Reforma agrare”, ”Patkoi”, ”Bota serbe” e shumë të tjera të ngjashme, e ne kotemi! . Mëvetësia kombëtare ka kuptimin për të qenë i njëjtë me të tjerët që gëzojnë lirinë e tyre, kurse armiku ynë shekullor nuk pranon krimin që bëri dhe shkel vuajtjet tona dhe lëndon plagët e pezmatuara historike që i shkaktoi. Boll më, çarje e përçarje mes nesh, sepse uthulla e fortë pëlcet enën e vet. Boll më, shkundullimë të politikanëve tonë, që me sjelljet e tyre zhbirojnë shpirtin e popullit. Mos të lejohet që shtisi të marrë rolin e mbrojtësit, sepse ky “ustah” hipokrit shumë të zeza i ka sjellë popullit dhe tani stoliset me puplat a paqeruajtësit! Boll më, me gllabërimin e pasurive natyrore nga individë të papërgjegjshëm! Është koha e fundit të mos mohohen të mirat e tokës. Le të dihet se nuk rregullohet gjendja e rëndë ekonomike dhe politike me fjalët: ”por”, ”pse”, as me fjalën “duhet”. Askund e sidomos tek ne s’ka kurrfarë dobie nga urrejtja kombëtare fetare, që shtyn pykën e përçarjes, thellon skamjen dhe armikut tonë shekullor ia hap derën e atdheut, sepse ai ku e gjen but i mëshon pykës pa mëshirë! Është koha ta pastrojmë farën që mbjellim nga egjra.

Është koha që edhe Euroja ta kuptojë dhe t’i bie mohit të dinakërisë së dhelprës Serbi, e cila Kosovës do t’ia rigrabis bazenin e plumbit dhe pellgun e qymyrit, duke mbrojtur të drejtat e serbëve, pakicës me më shumë të drejta se çdo pakicë kombëtare në botë. Nga sundimi i saj shovenist, vite me radhë, Kosovën e bëri si vendin më i varfër në “Botën e civilizuar” në fundshekullin e kaluar.

Boll notuam nëpër pasoja

Boll notuam nëpër pasoja. Është koha të ndërgjegjësohemi dhe secili të marrë përgjegjësi për zhvillimin e Kosovës. Sot kjo është një çështje serioze, është koha e “të jesh apo të mos jesh”. Është koha për besa – besë, për unitet kombëtar, për një rrugëdalje të mirëfilltë, kur arsimtari t’i nxis nxënësit dhe studentët për dije të reja, por edhe vetë të eci me kohën. T’u tregojë atyre se Kosova është e tyre. Se ata nesër do ta drejtojnë shtetin, ushtrinë e policinë, ekonominë, sportin dhe aktivitetet kulturore.

Është koha e fundit të kuptojmë se hajmalive, rruazave magjike, patkoit, medalionit u ka kaluar koha, se nuk sjellin kurrfarë dobie, vetëm dëmtojnë. Me to nuk largohet e keqja, sepse ato vetëm mashtrojnë, si fallgjorët bashkë me filxhanin e kafes. Zgjidhja fatlume është, të shfrytëzojmë me plan resurset e tokës sonë. Vetëm dija e puna e mirëfilltë me sinqeritet e shpie përpara zhvillimin e një populli. Vetëm dija mund ta ngris një popull dhe t’i jap komoditet dhe bollëk. Dituria të ruan ty e ti e ran pasurinë e tënde. Dija është nevoja më jetike për njeriun. Zemrës nuk duhet t’i ndalohet kënaqësia. Injoranca është shenja e parë e rrënimit të zhvillimit të një populli që lidhet me lënien pas dore të arsimimit dhe dijes. Andaj, ka rëndësi të madhe, të dorës së parë, formimi i gjeneratës së re, me të gjitha virtytet dhe të gjitha aftësitë të cilat i kërkon koha në të cilën jetojmë për të qenë të aftë për bartjen e dijes dhe prezantimin e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat