Pusulla e zhubravitur

Kultura

Pusulla e zhubravitur

Nga: Biser Mehmeti Më: 31 janar 2023 Në ora: 18:53
Biser Mehmeti

Edhe pse kishin kaluar disa vite prej asaj dite të kobshme gjatë së cilës e kishte mposhtur vdekjen relative, komandant F. e kishte të vështirë ta dëbonte nga imazhi çastin kur me sytë e tij e kishte parë ushtarin e armikut si ishte hedhur mbi trupin e tij si të një ujk i tërbuar. Nëpër tisin e një errësire të tejdukshme e kishte parë si e kishte goditur disa herë me një thikë të mprehtë nëpër trup duke i shkaktuar dhimbje të tmerrshme. Si në ëndërr e ndjen krahun e djathtë si i shkëputej me vështirësi të madhe nga trupi sa në një çast dyshon sikur zemra bashkë me shpirtin i shkëputeshin me rrënjë nga kraharori. Edhe pse ishte orvatur me tërë qenien ta ruante drejtpeshimin e mendjes, nuk kishte pasur forcë ta bënte një gjë të këtillë. Me sytë e mendjes e kishte vështruar ushtarin, një djalë të ri, me fytyrë të hajthme, me sy të mëdhenj si të ujkut, me kamën në dorë si zgërdhirej me vdekjen relative. Në një çaste inercie në vend të ushtarit i ngjan sikur i shfaqet një korb i zi, i cili e rrëmben krahun e këputur. Derisa korbi i zi ushqehej me krahun e tij nga lumturia lëshonte një qeshje të neveritshme. Sa shumë dëshironte të ngrihej nga vendi ku përpëlitej në mes të jetës e vdekjes e pastaj ta rrëmbente atë korb të zi e t’ia këpuste kokën, po forca i ishte shteruar... Shpesh kur zgjohej në mëngjes i ngjante sikur afër shtratit e shihte si qëndronte i ngurtësuar vrasësi i tij, i cili i fliste në gjuhën e vet me zë të neveritshëm: duhet të jesh i lumtur që nuk ta këputa kokën, pa të cilën nuk do të ishte në gjendje të jetosh! Mungesa e njërit krah nuk të prish edhe aq shumë punë!... Sa shumë ndjente dhimbje të paanë pse gjatë asaj beteje të përgjakshme dhjetë e ndoshta më shumë bashkëluftëtarë ishin vrarë nga ushtarët e armikut. Sa shumë ishte pikëlluar pse nuk kishte mundur me duart e veta t’ua hapte varrin shokëve të vet, me të cilët kishte ëndërruar një ditë të jetonin të lirë në atdheun e dashur...

Sapo deshi të ngrihej nga shtrati nga një skaj i mendjes zuri t’i shfaqet koha kur për herë të parë ishte ngritur nga fushëbeteja pasi ushtari i huaj ia kishte këputur krahun. Në një çast i kishte thënë vetes: ndoshta më mirë sikur të ma kishte këputur kokën sesa që ma këputi krahun! Do ta kem të vështirë të jetoj me një krah! Pas pak i ishte dukur sikur sapo ishte kthyer nga amshimi ku kishte qëndruar një kohë që nuk mund ta përcaktonte dhe gjatë së cilës ishte shoqëruar me shokët që kishin vdekur duke luftuar me ushtarët e armikut. Prej asaj kohe gjërat që i shihte i dukeshin me pamje të çuditshme dhe sikur u mungonte diçka, diçka që nuk ishte në gjendje ta përcaktonte çka ishte. Shpesh i dukej sikur i mungonte edhe një pjesë e shpirtit,të cilin ia kishte vrarë ushtari i armikut...

Në një çast i ka thënë vetes: Nuk po më mërzit shumë mungesa e krahut sa po më neverisin shkuarjet gati të përditshme në shoqatën e pensionistëve! Ka tre e ndoshta më shumë vjet që disa herë në javë më duhet të shkoj e të interesohem nëse është vendosur diçka në lidhje me pensionin tim invalidor!... Ka kohë që i kam bërë të gjitha vizitat e nevojshme mjekësore, megjithatë sot e kësaj dite më zvarrisin prej një zyre në një zyrë tjetër duke më dhënë pretekste shpesh banale, të cilat më shkaktojnë dhimbje në shpirt!... Sa shumë jam i dëshpëruar me trajtimin që më bëhet mua dhe disa bashkëluftëtarëve të mi që gjatë luftës me armikun humbën pjesë të ndryshme të trupit! Si nuk u vjen turp të më shohin me një krah e sërish më thonë me ironi: ende nuk kemi marrë vendim nëse të takon pensioni ose jo!... Herën e fundit, kur ishte kryetar i shoqatës së pensionistëve, njëfarë Xhahili, i cili ka qenë disa ditë në luftë, po nuk ka përjetuar kurrafarë lëndimi trupor, më vështroi disi me një shikim të çuditshëm... Unë nuk vendosi nëse të takon pensioni ose jo, është ekipi mjekësor që vendos për këtë çështje!... Me zë të përvajshëm i thashë: në luftë humba njërin krah, kurse ekipi mjekësor tallet pa mëshirë me gjendjen time shpitërore, po edhe sociale... për kë luftova unë... për këtë vend e për këtë popull që të jetojë në liri... Dua trajtim të dinjitetshëm... Mos u tallni me mua, ju lutem... Ju po më vritni më keq se armiku...

Teksa u ngrit nga shtrati me vështirësi të madhe i ngjau sikur u ngrit nga varri ku kishte qëndruar një kohë të gjatë pasi e kishte vrarë ushtari i huaj... Nuk dëshironte edhe më tutje të mendonte çfarë kishte biseduar me kryetarin e shoqatës së pensionistëve. Sapo doli në dhomën tjetër, gruaja i tha diçka me zë të plogështë, të cilin nga turbullimi në kokë nuk ishte në gjendje ta kuptonte. Ndoshta iu përgjërua të mos dilte nga shtëpia pa ngrën mëngjes, sepse mund të vonohej shumë. Ndoshta edhe i tha se gjatë natës kishte parë ëndërr sikur sapo kishte dalë në rrugë një veturë e kishte goditur për vdekje, kurse shoferi kishte ikur nga vendi i krimit... Sapo doli në rrugë e kaploi dëshira të kthehej në shtëpi e pastaj t’i kërkonte falje gruas pse ishte sjellë keq me të, sepse ajo nuk kishte kurrfarë faji për krajatjet që po përjetonte tash e disa vite duke pritur të drejtën e pensionit invalidor... Rruga deri te shoqata e pensionistëve iu duk tepër e gjatë sa në një çast i ngjau sikur ishte duke ecur nëpër një rrugë që nuk e shpinte atje ku ishte nisur të shkonte. Edhe më tutje kishte dëshirë t’i largonte mjegullat e shqetësimit e të dyshimit nga hapësira e kokës, po e kishte të vështirë. Një mendje e marrë i thoshte të kthehej në shtëpi, sepse ekipi i mjekëve kishte vlerësuar se shakalla e invalidetit të tij ishte e ulët, prandaj pesha e dëshpërimit do të ishte shokuese... Kam frikë se do të ma vrasin shpirtin, mendoi disa herë me vete...

Sapo hyri në ndërtesën e shoqatës së pensionistëve iu bë sikur në një skaj e pa ushtarin që ia kishte këptur krahun si qëndronte i shtangur dhe sikur e kishte pritur t’ia prente edhe krahun tjetër... Me hapa të ngadalshëm e hapi një derë e pastaj edhe një derë tjetër. Brenda në zyre e pa kryetarin e shoqatës së pensionistëve, të cilit fytyra i mori një çehre të zymtë. Megjithatë, sërish u mundua të lëshonte një qeshje të hidhur, po nuk ishte në gjendje ta bënte. Pasi u përshëndetën kryetari i tha komandant F. të ulej në një kolltuk që gjendej afër tavolinës ku ai qëndronte i shtangur... Kryetari e pyeti nëse dëshironte një kafe, po nga shqetësimi komandant F. nuk pranoi. Këmbët po i dridheshin saqë frikësohej se do të plandosej në dysheme... Nuk mund ta qetësoj shpirtin derisa s’e kuptoj çfarë ka ndodhur me kërkesën time, tha me zërin që i dridhej nga ethet e shqetësimit... Kam një parandjenjë të keqe se kërkesa ime vazhdon edhe më tutje të zvarritet në pafundësi, kurse shpirti më është shkallmuar nga pritja që më torturon pa mëshirë... Kam bindje se komisioni mjekësor nuk mërzitet shumë për ushtarët që gjatë luftës për lirinë e këtij vendi mbetën përgjithmonë të gjymtë, e të cilët janë duke vuajtur për kafshatën e gojës... Komandant F. deshi të vazhdojë edhe më tutje, po kryetari e ndërpreu duke i thënë: qenke mllefosur kot, i dashur komandant... tash e tutje mund të flesh i qetë, pasi kërkesa jote është apovuar nga ekipi i mjekëve... Komandant F. u mundua t’i dëbonte mjegullat e zeza nga koka, po ato vazhdonin ta torturonin edhe më tutje... Dua të di sa është vlera e pensionit që do të marr tash e tutje për krahun tim të humbur gjatë luftës, i tha kryetarit me zërin që edhe më tutje i dridhej. Kryetari e vështroi një kohë të shkurtër pa mundur të nxirrte nga goja asnjë fjalë. Në sytë e tij komandant F. pa një hije të zezë si lodronte si një kalë i harbuar... Ngadalë e disi me frikë nga sirtari i tavolinës nxori një pusullë të zhubravitur, të cilën zuri ta mbante në dorën e majtë si të ishte një copë qefini. Disa çaste hezitoi ta lexonte. Kur vështrimi i rëndë i komandant F. u gozhdua në sytë e tij, kryetari zuri t’i nxirrte ngadalë e më vështirësi të madhe disa fjalë që i dukeshin sikur shkapërderdheshin nëpër hapësirën e zyrës si të ishin mjegulla të zeza.... Në vendim e komisionit mjekësor shkruan se krahu yt është vlerësuar njëqind... njëqind e... euro... Sikur ta kishte kafshuar një gjarpër në zemër komandant F. u ngrit nga kolltuku e pastaj me zë të lartë klithi: mos je duke u talluar me mua!... Aha, jo, jo, ti nuk tallesh... komisioni i mjekëve qenka tallur me mua... jo vetëm me mua, po edhe me lirinë e këtij populli... Sikur ta kisha ditur se kaq pak vlen krahu im nuk do të kisha luftuar për lirinë e këtij vendi... Krahun tim as për asnjë çmim nuk e kisha shitur!... Me këto të holla nuk mund ta shtyj as një javë... pthu... çfarë njerëz të poshtër... nuk i dua këto të holla... A e di ekipi i mjekëve sa të vështirë e kam të jetoj vetëm me një krah... Mbase edhe ju e dini se nuk jam në gjendje të bëj kurrfarë pune... Edhe herën e kaluar kur isha të tregova se jam duke bërë jetë të mjerë, jo vetëm unë po edhe gruaja dhe 3 fëmijët e mi... Djali im i madh është 13 vjeç, kurse vajza e vogël 7 vjeçare... Ju tregova se jemi duke jetuar nga ndihma që na i japin të afërmit si lëmoshë... Pse e rrezikova unë jetën, që të jetoj nga lëmosha që ma japin të tjerët?!... Gruaja shpesh mundohet të pajtohet me gjendjen e rëndë që jemi duke jetuar, po fëmijët e kanë të vështirë ta përballojnë varfërinë me të cilën ballafaqohemi... Më dhimbsen në shpirt kur i shoh si dalin nga shtëpia me rroba të leckosura... Më i madhi një ditë nuk shkoi në shkollë, sepse një ditë shokët e klasës ishin tallur me rrobat e tija të leckosura... Po më bëni të pendohem pse luftova për lirinë e këtij populli të mjerë... I shihni edhe vetë disa që gjatë luftës ikën si minjtë e tallës nëpër vende të ndryshme të botës e të cilët pasi përfundojë lufta zunë pozita të rëndësishme shtetërore, kurse sot bëjnë jetë të lumtur, sepse kanë krijuar pasuri marramendëse duke e vjedhur këtë popull të mjerë... Nuk jam i vetmi që luftova për lirinë e këtij populli e në fund përballem me varfëri ekstreme!... Po, po, është e vërtetë që shpesh në sofër gruaja nuk ka asgjë për të shtruar, andaj ngrihemi nga ajo pa shtënë asgjë në gojë... E tash komisioni mjekësor qenka tallur jo vetëm me mua, po edhe me lirinë që ia solla këtij vendi... Nuk dua të më japin mëshirë... dua të më mundësojnë një jetë të dinjitetshëm, për të cilën edhe kam luftuar...

I xhindosur e rrëmbeu pusullën e zhubravitur nga dora e kryetarit, i cili dridhej sikur para tij të gjendej një ushtar i huaj i gatshëm për ta vrarë. Me zë të mllefosur zuri t’i nxirrte nga goja do fjalë të gjymta. Sa më shumë që e lexonte aq më shumë mllefi e tërbimi rriteshin në shpirtin e tij. Nuk dihet nëse arriti ta lexonte deri në fund, po nga mllefi e tërbimi vendimin e komisionit mjekësor e bëri copë e grimë. Derisa copat e vendimit ia hudhte kryetarit mbi fytyrë i dukej sikur në një sakaj të zyrës e shihte ushtarin që ia kishte këputur krahun me një kamë si zgërdhihej me të. Ndoshta ai i thoshte diçka, po nuk ishte në gjendje ta dëgjonte zërin e tij...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat