Magjia e lojës së kukullave

Kultura

Magjia e lojës së kukullave

Nga: Skënder ZOGAJ Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 17:34
Foto nga vendngjarja

Teatri "Dodona" i qytetit të Prishtinës tash e 35 vjet ka dëshmuar se është tempull i denjë i kultivimit të artit teatror dhe i freskimit të zemrave, i pasurimit të mendjeve dhe i fisnikërimit shpirtëror të popullatës kosovare. Në kuadër të këtij misioni të është për t'u veçuar kontributi i jashtëzakonshëm i teatrit të kukullave, i cili kurrë nuk ka reshtur së punuari me pasion dhe ka shënuar shumë suksese, edhe pse kurrë nuk e ka gëzuar përkrahjen dhe kujdesin e duhur institucional, të kompetentëve komunal e ministror, të cilët as sot e gjithë ditën nuk e kuptojnë se Tempulli i Talias është monument i superstrukturës shoqërore e jo Han i Dilit!

Pavarësisht nga neglizhenca dhe vështirësitë, Teatri i kukullave i Teatrit Dodona, nuk heq dorë nga misioni i vet. Këmbë ngulshëm po e vazhdon traditën e suksesshme shumëvjeçare, ku këto ditë u bë pjesë edhe një vepër e re - premiera e shfaqjes "Zjarri", për të cilën, po të mos kisha qenë dëshmitarë në vendin e ngjarjes, kurrë nuk do ta kisha besuar se, një shfaqjeje teatrore do t'ia mësynte një numër aq i madh i fëmijëve dhe se, me dhjeta prej tyre, që nuk arritën të siguronin biletë, u kthyen të përlotur në shtëpitë e tyre!

Sa shumë do të kisha dëshiruar që lotët e fëmijëve t'i kishin parë zyrtarët përgjegjës të kulturës dhe sidomos ata të Ministrisë së Kulturës, që ta kuptonin sa larg janë dhe sa pak kanë bërë për Teatrin Dodona, e sidomos për Teatrin e Kukullave vatrën më specifike shpirtërore, artistike, kulturore dhe arsimore, jo vetëm për fëmijë. Fatmirësisht që me indiferenca institucionale nuk e ka ligështua pasionin krijues të artistes së devotshme, Melihate Qena, primadona e artit teatror të kukullave shqipe në Kosovë, aktore, regjisore, animatore, kostumografe, mjeshtre e kukullave, ndriçuese, organizatore, pastruese e skenës teatrore, por edhe autorja e dhjeta shfaqjeve që përbëjnë rrënjët e traditës së teatrit të kukullave në Kosovë!

Melihate Qena, le ta dinë të gjithë, është artistja që për teatrin ka lënë anash gjithçka: familjen, pasurinë, kënaqësitë dhe nuk ka hequr dorë nga skena edhe kur kjo iu ka ndaluar! Meli e ka ruajtur shpresën ndër kolegë duke kërkuar që të mos dorëzohen, e bindur se arti është më i fortë se prangat. Kështu ka qëndruar dhe ka ecur përpara Primadona, Melihate Qena, veterania e teatrit profesionist të kukullave shqipe në Prishtinë, e cila plot 4 dekada mbajti qëndrimin e saj artistik, pavarësisht nga moskujdesi e besa edhe nga përbuzja institucionale e shoqërore, e vetëdijshme se injoranca "nuk din se çfarë bën"; se pseudo krijuesit ziliqarë dhe zyrtarët mendjelehtë i turbullon lakmia personale. Jo, ideali i Melihate Qenës (motra e artistëve emblematikë: Muharren, Xhevat, Nehat dhe Agim Qena) ishte dhe është arti dhe vetëm arti, që Meli me kukullat e ka nis me regjinë e shfaqjes "Rosak baltaku" (1987) për ta vazhdon deri më sot, te shfaqja "Zjarri".

2.

Primadona Melihate Qena me Teatrin Dodona të Prishtinës në koprodukcion me OJQ Antigona&M, është autorja e regjisë dhe e dramatizimit të tregimit "Zjarri" të S.J. Marshak sipas të cilit është inskenuar premiera e shfaqjes, me të cilën hapet fillimi i stinës së re teatrore 2023, për fëmijët e Prishtinës. Këtë premierë e konsiderojmë ngjarje të rëndësishme kulturore artistike sepse, Teatri Dodona e përsëriti traditën e të qenit qendër grumbulluese e nxënësve të shkollave dhe fëmijëve artdashës të çerdheve, kopshteve të kryeqendrës, dhe e prindërve të tyre, që ia mësynë teatrit.

Kishin të drejtë: shfaqja "Zjarri" doli të ishte realizim i këndshëm artistik, një shfaqje e mirëfilltë dhe e plotë kuptimte profesionale e lojës teatrore të kukullave, apo më saktë - e lojës me kukulla, që e interpretoi me disponim një ansambël i përgatitur mirë, që luajti me frymëzim krijues dhe reflektoi bukurinë e artit të kukullave, si nga ana vlerës pamore (format dhe koloriti), ashtu edhe deklamimi i tekstit me gjuhë të pastër e diksion të rrjedhshëm dhe të artikuluar mirë me karakteret e kukullave, që ishin të bukura, të mira dhe shumë funksionale, duke gjetur përdorim vërtetë të mirë nga animatorët që u dhanë trajtë e gjallëri të frymëzuar dhe zotërim të plotë të roleve veç e veç, por njëkohësisht edhe në tërësinë e lojës kolektive që, regjisorja Qena e kishte sintetizuar brenda mozaikut kompakt e mbresëlënës për kureshtjen e fëmijëve, por edhe për të rriturit. Pra, shfaqja realizoi hierarkinë e personazheve që ndër komunikonin me një normalitet efektiv artistik por edhe edukativo mësimor, me lojën e thjeshtë, të çartë dhe të kuptueshme! Tema qendror është zjarri që regjisorja e eksploron për të fiksuar jetën e bukur e të gëzueshme, që nga moskujdesi mund të pësoj keq! Një nga këto mund të shkaktohet edhe nga një qiri i ndezur nëse nuk kujdesemi ku e vendosim dhe, nga flaka e tij mund të ndizet gjithë shtëpia dhe të rrezikohen të gjitha gjallesat brenda saj!

Porosia e shfaqjet u bart e plotë te shikuesit që reaguan me duartrokitje frenetike në çaste të gëzueshme, siç ishin: çastet e këndshme të argëtimit me saja e me ski mbi bregoret e mbuluara me dëborë; ose çasti shumë i lumtur, kur zjarrfikësi, xhaxhi Gjin e shpëton nga zjarri macen e vogël! Mirëpo ka edhe stepje, pikëllim e frikë, kur flaka e kaplon shtëpinë dhe zjarrfikësit rrezikojnë jetën e tyre duke u përpjekur për të shuar flakët e zjarrit!

Pamjen e zjarrit që e kaplon shtëpinë regjisorja e ka zgjidhur me një kreativitet dhe imagjinatë të hollë artistike, që realizohet duke e pushtuar skenën me dritën e kuqe, e cila valon si flakë dhe zjarrfikësit defilojnë gjithandej flakësh, derisa e shuajnë zjarrin. Kjo është një panoramë vërtetë spektakulare, e paharrueshme, sidomos për fëmijët që janë ndodhur për herë të parë në teatër.

Nuk ka dyshim se suksesi shfaqjes i dedikohet regjisores, mirëpo, të merituar gati sa regjisorja janë edhe të gjithë aktorët që në këtë shfaqje ishin kolektivisht në fahun e duhur të aktrimit profesional, të gjithë arritën identifikimin e duhur me personazhet letrare dhe lehtë, mirë, bukur, miqësisht ua transponuan rolin në skenë duke ndër komunikuar mes vetes dhe me publikun, prandaj si rrallë në ndonjë nga premierat e mëhershme, në këtë inskenim gjithë aktorët luajtën mirë, të gjithë janë njësoj të merituar për suksesin e shfaqjes, prandaj theksohen sipas rendit alfabetik: Arta Lahu, Avni Hoti, Ermal Sadiku, Leonit Maloku, Roza Berisha-Fejzullahu, Valdet Rama dhe Vjosë Tasholli.

Meritore në këtë projekt janë edhe kukullat e bukura të Doruntina Ukimerit, muzika e Rinor Ukimerit, dizajni i dritave nga Skender Latifi dhe realizimi i skenës nga Bedri Maloku, Fadil Bekteshi dhe Albert Gashi. Kjo shfaqje duhet të shëtis anembanë Kosovës, por edhe jashtë saj do ta prezantonte mirë vendin tonë.

Nga premiera e shfaqjes "Zjarri", në regji të Melihate Qenës, në Teatrin Dodona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat