Lamtumirë, miku im, Ibish Llugiqi - Hasanaj!

Kultura

Lamtumirë, miku im, Ibish Llugiqi - Hasanaj!

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 11:51
Ibish Llugiqi-Hasanaj (ulur) me nipin Enver Rugova, kryetar i Kuvendit në Istog

Emërtesa -Lamtumrë- bartë në vete emocionin e skajshëm të trishtë. U njohem tej 60 viteve më parë, si shkollarë të mesëm. Vinte nga Belica: "Krisi pushka n`Belicë te kisha, po lufton Nak Berisha, lufton Naku me Sadrinë..." Një djalë i beshëm, tip sportiv, gjithnjë gazmor, që rrezatonte pozitivitet.

Dy vitet e para të Normales, në Istog, banoi ke motra Shahë e tij, në Cercë. Pjesë e Familjes të bacës Ali Rugova, ishin edhe shkollarët: Ibrahimi, Rrustemi, Kumrija, Sanija, Drita, Ismajli dhe të tjerët më të rinj, që përbënin një ansambël simpatik shkollarësh, të cilët do të nismonin traditën e shkollimit masiv. Rrugëtimit të mëngjezeve, nga Cerca në Istog, i bashkohej edhe baca Ymer Rugova, nëpunës, i cili me bashkëshortën e tij fisnike, një çift për lakmi, Mihane Shatri - Rugova dhe 7 (shtatë) anëtarë të tjerë të Familjes Rugova, do të vriteshin në fshatin Kaliçan, nga soldateska serbe në vitin 1999.

Tri vitet tjera të Shkollës Normale Ibish Llugiqi-Hasanaj, do t`i vazhdonte në Pejë. Kishin zënë një banesë me qera, së bashku, me Ibrahim dhe Rrustem Rugovën, duke qenë gjitherë edhe shokë banke. Ibishi me Ibrahimin ishin miq dhe shokë të mirë, me një respekt të çiltër reciprok. Kishin diçka të përbashkët: të matur dhe fjalëpak.

Miqësinë e krijuar si shkollarë të mesem, e vazhduan deri në amshimin e Presidentit Rugova. Në përvjetorët e lindjes dhe të shuarjes të Dr. Rugovës, Ibishi intervistohej nga mediet, sepse afria e tyre ishte e gjatë në kohë dhe domëthënëse. 

Për studime kishin përzgjedhur profesionet që dëshironin, Ibishi pasion e kishte sportin. E kishte filluar atë në Shkollën 8-vjeçare, për ta vazhduar në Shkollën e mesme dhe, më pastaj, sportin profesional. Atëbotë, loja e Hendbollit ishte në formë. Skuadrën fituese e përcaktonte rrjeshtimi në atë që ishte Ibishi. Andaj, vazhdoi Fakultetin e Edukatës Fizike, duke e realizuar me sukses. Ai dha kontribut të madh në laminë mësimdhënëse dhe sportive.

Së fundi, Ibish Llugiqi-Hasanaj, u shua kësaj bote, atëherë kur nuk e prisnim. Por, kujtimet kanë mbetur në mendjet dhe zemrat tona përjetësisht.

Me dhimbje e nderim kulmor - shoku i klasës dhe i rinisë - Idriz Zeqiraj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat