Në përvjetorin e ditës ndërkombëtare të radios

Kultura

Në përvjetorin e ditës ndërkombëtare të radios

Nga: Esat Mehmeti Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 12:50
Esat Mehmeti

13 shkurti shënoi përvjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Radios. Në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë. Ishte një kontribut për një mision të madh, në përhapjen e fjalës në shumë shtëpi. Andaj, me këtë rast, kujtoj fuqinë unike të radios sot, funksionin promovues të saj, qasjen në informim dhe lirinë e shprehjes.

Pa dyshim, radio-ja është një ndër shtyllat kryesore të informimit të një shoqërie, andaj dhe roli i saj në shoqëri është faktor më rëndësi. Ajo sot luan një rol shumë vendimtar në ndërtimin e binarëve të një shoqërie të mirëfilltë. Radio ka luajtur dhe gjithnjë luan rolin e madh në ndryshimin e mentaliteteve të shtresave sociale, ka ndihmuar të ecë përpara shoqërinë, ka sjellë modele të një jete bashkëkohore etj. Radio luan një rol të rëndësishëm në ndryshimin dhe përmirësimin e opinionit shoqëror, në lidhje me imazhin e një individi, grupi, apo të shoqërisë në përgjithësi. Në këtë mënyrë, me një përkujdesje më të madhe, radio mund të arrijnë të ndryshojë sjelljet, qëndrimet, normat dhe vlerat, që përcaktojnë dhe ndikojnë në shoqërinë tonë. Vetëm kështu, në rolin e saj unik, radio mund të përcjellë zhvillimet, ndryshimet dhe fenomenet më të reja në shoqëri, qoftë ato pozitive apo negative.

Mediat sot nuk janë vetëm ato tradicionale, si; gazeta, radio dhe televizioni, por është shtuar numri i tyre që transmetohen përmes internetit apo mediave “online”. Vitët e fundit, falë zhvillimit teknologjik, sot kemi një shpërthim të medieve sociale. E vërtetë është se Interneti, teknologjia informative e ka transformuar radion, e ka lënë pak nën hije, por kjo shumëllojshmëri, është pjesë e rëndësishme dhe mendoj se sjell pasuri kulturore, shoqërore e historike.

Radio-ja, sidomos në të kaluarën, para shpërthimit të teknologjisë informative dhe transmetimeve satelitore, njihej gjithnjë si një medium me numrin më të madh të njerzëve që e ndjeknin anë e mbanë botës.

Por, tani, teknologjia, media elektronike janë bërë pjesë e pandarë e jetës sonë, në veçanti është një pjesë e rëndësishme e jetës së të rinjve dhe vështirë se këta të fundit mund ta shtyjnë kohën pa këta, si; Instagram,Twitter dhe Facebook. Këta janë vetëm tri nga mediat e reja më të njohura të cilat përdoren nga miliarda njerëz në të gjithë botën, ku pjesa më e madhe e të cilëve janë grupmosha të reja.

Sasia e madhe e kohës që të rinjtë shpenzojnë në këto media është jo pa arsye. Ato kanë një sërë arsyesh pozitive të cilat lehtësojnë jetën e të rinjve dhe i ndihmojnë ata në zhvillimin e perspektivave për çështje të ndryshme. Të rinjtë ndikohen në një sasi të konsiderueshme nga mediat e tilla, me gjithë anët pozitive dhe ato negative. Edhe pse këto media duken sikur nuk veprojnë mbi jetën e tyre, efektet e tyre nuk janë të menjëhershme, por dallohen më vonë në jetë, qofshin këto për të mirë, ose për të keq.

Duhet theksuar se, mediat në gjuhën shqipe, në Malin e Zi, kanë një përparim pozitiv, por është i pamjaftueshëm. Mali i Zi është mjedis multikulturor, por nuk e ka modelin e vet të zhvillimit kulturor sa duhet, si në vende të tjera demokratike dhe multikulturore. Me zhvillimin kulturor, me zhvillimin dhe demokratizimin e mediave, vetëm në këtë mënyrë do të kemi pluralizëm kulturor dhe demokratizimin e vendit në praktikë. Andaj, mediat e lira, janë themeli i zhvillimit të një shoqërie demokratike.

Roli i mediave nuk është vetëm të njoftojnë qytetarin, por duhet edhe t’i motivojë njerëzit, ta fitojnë dhe ta ruajnë besimin e tyre. Megjithatë, qëllimi parësor i radios sot, është Informim i mirë, i shpejtë dhe objekti. Radio sot, me një vizion modern dhe me një punë të palodhur, mund të bëjë edhe gjëra të mëdha. Është parimore që radio sot të punojë në çrrënjosjen e steriotipeve, të inkurajojë dialogun dhe debatin, të avancojë krijimtarinë e shtresave dhe gjinive të ndryshme, të riafirmojë njohuritë e të rinjëve, si dhe të shoqërisë në përgjithësi.

Sot, shumë stacione radiofonike, me mangësi teknike, finaciare dhe të kuadrove profesionale nuk arrijnë të tërheqin vemendjen e duhur të publikut

Vështirësitë financiare me të cilat përballen sot mediat në përgjithësi, janë arsyet kryesore për cilësinë e tyre. Për të pasur një radio pro interesave të publikut dhe jo pro interesave personale të pushtetarëve, duhet që fillimisht të sigurojë të ardhura financiare, që do t’a bëjë atë të pavarur financiarisht nga sistemi politik.

Në këtë rast do të veçoja pikërisht, Radio Ulqinin, i cili është në një moshë relativisht të pjekur, me një përvojë mbi tri dekada e gjysmë, me një numër të vogël të te punësuarve, po përballet me probleme të trashëguara financiare dhe kadrovike, çka dukshëm vështërson punën dhe ekzistimin e tij normal. Radio Ulqini, këtë se meriton ?!. Nuk e meriton për moshën dhe për kontributin e dhënë.

Postulatat në të cilat Radio Ulqini i ndërtoi, janë sukseset e veta që ky medium i ka.

Radio Ulqini nga themelimi e këndej ka qenë dhe është urë-lidhëse mes radiove si në rrafshin kombëtar, ashtu dhe atë ndërkombëtar, dhe kjo u arrit falë zhvillimit teknologjik, ku me vëmendje të posaçme përcillen aktivitetet e pushtetit vendor,ato qeveritare dhe më gjërë, si nga lëmia e ekonomisë, politikës, kultures dhe aktivitete të tjera.

Në këtë përvjetor, këtë shkrim po e përfundoj, duke theksuar se edhe përkundër gjithë këtyre vështirësive, falë vullnetit të mirë dhe angazhimit të vetë të punësuarve, Radio Ulqini, ka arrijtur të mbijetojë. Me këtë rast shpreh respektin dhe nderimin për të gjithë ata që dhanë kontributin në ngritjen, funksionalizimin e kësaj radio dhe gjithë ata që mbajten gjallë punën e këtij medium.Pata kënaqësinë që edhe unë të jam pjesë e stafit të kësaj radio për disa vite .

Sot, Radio Ulqini ka shansin të ndryshojë filozofinë në të mirë. Mendoj se është koha e duhur që pushtetarët tanë të vënë dorë në këtë institucion informativ dhe të sjellin ndryshime në të mirë. Duhet bërë më shumë për Radio Ulqinin, për ne, për Ju, e në veçanti për qytetarët tanë që na dëgjojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat