Pavarësia e Kosovës, Rexhep Selimi nga Haga çel ekspozitën në COD

Kultura

Pavarësia e Kosovës, Rexhep Selimi nga Haga çel ekspozitën në COD

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 20:55
Foto nga vendngjarja

Në vigjilje të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Rexhep Selimi, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), çeli në COD ekspozitën “Në emër të lirisë”, me 153 piktura të bëra gjatë qëndrimit në paraburgimin e Gjykatës Speciale të Hagës.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se, “iu bashkova kësaj ideje me shumë kënaqësi dhe me vjen mirë që është sot këtu familja e Rexhep Selimit, njërit prej katër komandantëve të UÇK, që sot gjenden të mbyllur padrejtësisht si rezultat i një historie të gjatë për t’u treguar sot, dhe i një fati të shënjuar nga barra më e madhe se sa vetë ata. Një barrë që e morën përsipër kur ishin shumë të rinj dhe u detyruan ta mbajnë deri ne fund, pavarësisht se kjo barrë vjen si zgjedhje ose si pamundësi për të zgjedhur ndryshe”.

“Është një nder i veçantë që sot kemi këtu bashkëshorten, bashkëluftëtaren dhe bashkëvuajtësen e Rexhep Selimit, se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një luftëtar gruaja e të cilit vjen për të mbushur boshllëkun, por me një çift bashkëluftëtarësh”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “nuk është ekspozita e një artisti, por e një njeriu që në izolimin e imponuar ka gjetur rrugën e krijimit, që në këndvështrimin tim është një rrugë lutje. Gjithmonë kam menduar qysh se kam hyrë në arenë të luftës politikë se, politika është luftë arti, është lutje. Kush ka fatin dhe mundësinë t’i bëjë të dyja, ka gjithmonë një hapësirë të vetën intime, ku mund të strehohet për t’i ikur realitetit, për të reflektuar apo për të lëpirë plagët, siç do thuhej për luanët”.

“Të tilla janë këto vepra që unë do t’i quaja lutje me ngjyra, lutje jo për mëshirë, jo për drejtësi, por lutje për njerëzillëk, edhe për mundësinë e një udhëtimi brenda vetes që e kemi shumë të vështirë, në të përditshmen, ku vetja jonë është e lidhur me shumë të tjera, ku është detyruar të përshtatet e përballet me gjithëfarëlloj pengesash, të cilat të bëjnë të harrosh se përveç asaj veteje që hyn në marrëdhënie me të tjerët, është edhe ajo zona ku je vetëm ti dhe vetja jote”, tha Rama.

Sipas tij, eksplorimi i kësaj zone në kushtet e një izolimi dramatik, siç është ai në Hagë dhe pastaj bujaria për ta ndarë këtë eksplorim me të tjerët, janë vërtet prekëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat