Qamili i Vogël dhe këngët e dashurisë

Kultura

Qamili i Vogël dhe këngët e dashurisë

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 20 shkurt 2023 Në ora: 09:22
Mr. sci. Sylejman Salihu

Mund të thuhet se realizimet  më të bukura muzikore të Qamilit të Vogël, janë ato me motive të dashurisë. Dhe s’ ka si të jetë ndryshe, sepse vet dashuria , si ndjenjë dhe si emocion i fuqishëm, është krijimtari, është frymëzim, është jetë.Madje jeta pa dashuri nuk do të kishte kuptim. Prandaj  nuk ka realizime të mirëfillta artistike me motive erotike, pa një dashuri të vërtetë. Psikologjia e krijimtarisë ka treguar se veprat më të arrira të krijuesve botërorë kanë lindur nga dashuri të vërteta, nga dashuri reale.Dashuritë lindin edhe nga pasioni, edhe nga dhimbja, edhe nga respekti, edhe nga miqësia. Kjo e fundit, madje nuk e ka shumë të përkufizuar vijën ndarëse të miqësisë dhe të dashurisë, sepse nga një miqësi e madhe mund të lind edhe një dashuri e madhe.

Të gjithë e dinë botërisht tashmë, siç e ka thënë edhe vet Qamili i Vogël,se  ai ka dashuruar një vajzë dhe edhe vajza e ka dashuruar atë.Dhe sikur të mos ishte ajo vajzë, fotografinë e të cilës  e mbante në portofolin e tij, si një thesar të çmuar shpirtëror, ai nuk do të bëhej as poet, as kompozitor, as këngëtar. Këtë e thotë vet në dokumentarin e tij të transmetuar nga RTK në emisionin “ARKIVI”, të cilin sikur ta parafrazojmë  me fjalët e Qamilit të Vogël do të dukeshin kështu:”Sikur të mos ishte ky rast tragjik, unë nuk do të kisha mundur të vija deri këtu”. Pra fjalëve të Qamilit të Vogël, sikur u përgjigjet ajo thënia se nga tragjeditë e mëdha dalin edhe vepra të mëdha.Nëse Herman Hesse thoshte se “kush dashuron, është fatlum”, kjo mjerisht nuk mund të thuhet për Qamilin e Vogël, sepse ai përjetoi të kundërtën. Po të kishte jetuar në një ambient tjetër evropian, mbase Qamili i Vogël, mund të kishte qenë fatlum, por ai jetoi në një ambient shqiptar, ku dashuritë, jo rrallë ishin edhe drama apo edhe tragjedi jetësore.Ai dashuroi një  vajzë të bukur gjakovare dhe  mendoi se dashuria e saj do ta bënte fatlum, por mjerisht ajo  dashuri nuk e bëri fatlum asnjëherë, përkundrazi  e bëri të vuajë, madje të vuajë shumë, sepse ajo përfundoi tragjikisht. Nuk ishte faji i asaj, por nuk ishte as faji i atij për këtë epilog. Faji binte mbi një palë tjetër, që mund të quhet pala e tretë, e që padrejtësisht e pengon realizimin e kësaj dashurie, duke u bërë edhe ekzekutorë të kësaj tragjedie, që vetëm e vetëm  dashuria të  mos reaalizohej me jetë martesore,ku do të lindte jeta por përkundrazi, ajo të përfundojë me vdekje. Pra dashuria e tij që zë fill te kënga “Kah dera të rashë me t’ pa” në vend që të kurorëzohet me martesë, ajo mjerisht u kurorëzua me vdekje.    

Kjo është një dashuri që shpreh dhimbje, vuajtje. Është një dashuri me vargje, nota dhe tone elegjiake, që zgjatë shtatë vjet dhe pas kësaj periudhe kohore është e destinuar të ndalohet dhe të dënohet si me dekret nga paragjykimet sociale:me vdekje.
Dhe pas gjithë kësaj kohe përpëlitjesh dhe dallgësh në jetë, pa arritur asnjëherë çastin e lumturisë.

Le të citojmë një nga strofat:  

“Vuajtjet tona s’ do t’ harrohen,
Shtat vjet rresht dashni na u banë, vajzë e re,
Shtat vjet rresht dashni na u banë.
O kush ke ai që na trazoi-e?
Veç yt at zemrat na i helmoi!”

Personazhet lirikë të kësaj poezie erotike, janë poeti , përkatësisht këngëtari dhe e dashura e tij, e cila fjalën e dhënë e mban dhe e ruan si një margaritar të shtrenjtë, që madje pranon edhe të sakrifikohet, sepse ka dhënë besën. E besa ishte e shenjtë te shqiptarët.Ky motiv real i kësaj dashurie reale, me personazhe reale, ngjan me baladat tona popullore shqiptare, ku besa e dhënë është strumbullari, rreth së cilës zvillohet gjithë subjekti i ngjarjes, sikundër që ngjan edhe me tragjeditë shekspiriane. E dashura e Qamilit të Vogël vdes duke mbajtur besën si edhe Çika Potureshë e baladës shqiptare, apo siç vdes edhe Zhulieta e Shekspirit, duke u bërë sinonime të besëdhënies dhe besembajtjes që janë një peng i rëndë si plumbi dhe që shkon  pashmangërisht drejt vdekjes.Vdekja e të dashurës së Qamilit të Vogël, nuk është një vdekje e stisur, por një vdekje që ka biografi, që ka histori dhe që ka vërtetësi. Ajo është një vdekje që ka ndodhur në realitet, sepse autori e ka varrosur vet me duart e veta, të dashurën e tij, për t’ i dhuruar asaj jo një kurorë lulesh që vyshken menjëherë, por duke i dhuruar një buçetë këngësh të bukura popullore, të cilat nuk vdesin asnjëherë dhe që janë perla të muzikës popullore shqiptare. Të tilla janë edhe “I vujtun jam në këtë jetë”, “Dil nji herë moj vajzë e bukur”,”Pasha sytë e mi, që i kam në ballë” e deri te kënga që e mbyll këtë cikël erotik me një krijim antologjik elegjiak, me një përfundim tragjik. E tillë është kënga ”Pa trashëgim paskem kenë”.

Autori në këtë këngë përmes gojës së të dashurës së tij tregon se dashuria e ka çuar personazhin drejt vdekjes, vetëm për të mbajtur besën, e cila në thelb nuk lihet peng.Pra ajo e kishte dhënë një premtim,e kishte dhënë një besë dhe atë e kishte mbajtur, sado tash po shkonte drejt vdekjes. Ajo kishte pasur ëndrra, se pas dashurisë, do të vinte martesa, dhe pas martesës do të trashëgohej me fëmijë. Por të gjitha këtyre po u vihej kapaku përfundimisht, sepse ata nuk do të martohen dhe si rrjedhojë edhe nuk do të trashëgohen:

“Pa trashigim paskem kenë,
Me u nda na t’ dy bashkë,
Der’ në vdekje unë kam ardhë,
Besën peng s’ e kam lanë!

Por vajza e zemëruar dhe e indinjuar me fatin e saj, që s’ kishte arritur të ishte e lumtur,  ajo e mallkon atë dashuri, sepse jeta e saj kishte qenë një burg i vërtetë:

"Kjo dashni qoftë mallku,
Rreth shtatë vjet dashni kalu’n!
Rrojtja ime n’ burg ka shku’,
Veç nji i dashtun m’ ka kujtu”.

Qamili i Vogël imagjinativisht vihet në pozitën e të dashurës së tij që flet dhe e cila pas atij mallkimi lë amanetin e saj përkatësisht testamentin duke bërë me gisht se kush janë shkaktarët e kësaj tragjedie:

“Amanet po ta la,
Qysh atë natë në bashkim,
Dhimtë e trupit s’ po m’ pushojnë,
Babë e vëlla në vorr po m’ çojnë”!

për t’ i lënë radhën tash vetes , që po mbetet prapa saj, për ta vuajtur për së gjalli mungesën e saj, madje duke e bekuar trupin e saj, me shpresën se një ditë ata do të bashkohen në botën e përtejme:

“Trupi yt mos u kalbtë!
Lulë e bukur ku je ra?
Nat’ e ditë po qaj me za,
Dhe n’ at jetë takim me ba”.    

Pasioni i dashurisë te këngët e tij është gjithmonë i zgjuar, një pasion që nuk shuhet asnjëherë. Si duket ky është lajtmotiv i të gjitha këngëve të dashurisë te Qamili i Vogël. Është pra vuajtja, një vuajtje, që nuk fashitet asnjëherë, por  veç sa vjen e shtohet dhe rritet pambarimisht dhe pafundësisht.Kënga e tij “I vujtun jam në këtë jetë” shpreh pikërisht këtë ndjesi: ai vuan por këto vuajtje dëshiron që një ditë të përfundojnë, sepse ai mjaft ka duruar, dhe durimi i tij i madh hiperbolik dhe metaforik, shembëllen edhe me vargun antologjik popullor, që e kanë huazuar edhe poetë të tjerë në letërsinë tonë:”Mjaft durova sa i mal me borë”, me shpresën se një ditë dashuria do të triumfojë, qoftë duke iu përgjëruar asaj që t’ i afrohet bandillit të përndezur ndjenjash jo shtatë ditë, jo shtatë javë, jo shtatë muaj, por shtatë vjet:

”Qe shtatë vjet n’ zemër m’ ke ndezë,
E t’ lutem me m’ u afru...!” 

Apo ai fundja edhe e ka guximin e tij kalorsiak, që të shkojë deri në fund, pra duke e rrëmbyer të bukurën e ëndrrave të tij,  siç bënin kalorësit e traditës së moçme të epikës kalorsiake, që nuk është e rrallë veçanërisht në eposin kalorsiak kreshnik të Mujit dhe Halilit, të cilët këto martesa i realizojnë  kryesisht përmes rrëmbimit:  “Vajzë s’ e la pa të shti në dorë” .

Ai i është përkushtuar asaj që ta marrë dhe këtë përkushtim do ta çojë deri në fund me veprime kalorsiake, sepse nuk ka ndonjë rrugë tjetër më të lehtë.

Në lirikën e tij erotike, poeti dhe këngëtari Qamili i Vogël i këndon të dashurës së tij shtatë vjet, sepse shtatë vjet ka zgjatur dashuria e tyre. Ngjan pak poetike, madje edhe hiperbolike, por kënga përveç që na jep një informacion estetik, ajo na jep edhe informacion faktik kohor. Shprehësia artistike shprehet me numrorin shtatë, që është edhe një numër fatidik në letërsi.Në fakt numri shtatë sikur shpreh një simbolikë tragjike, ashtu sikundër shpreh edhe në të vërtetë dhe një realitet të vërtetë, të asaj që ka ndodhur. Poeti nuk trillon dhe dehja e tij nuk është një ëndërr, por  me numrin shtatë veç sa e fakton këtë të vërtetë të këtij realiteti tragjik.Kjo mund të shihet te vargjet:”Shtatë vjet rresht dashni na u banë”,te kënga “Kah dera të rashë me t’ pa”, për të vazhduar te vargu:”Qe shtatë vjet n’ zemër m’ ke ndezë” te kënga: “I vujtun jam në këtë jetë” dhe për të përfunduar me vargun tjetër:“Rreth shtatë vjet dashni kalu’n” te elegjia “Pa trashgim paskem kenë”.

Pra numri shtatë sikur i rri mbi kokë autorit duke ia kujtuar se shtatë vjet ishin edhe vuajtje, edhe dhimbje, edhe ndarje, edhe mjerim,edhe mërzi,edhe përvëlim, edhe burg, por edhe sevda e dashuri të madhe sa vet jeta.

Prandaj këngët e dashurisë të Qamilit të Vogël janë krijime, që këndohen dhe vështirë harrohen,të cilat burojnë nga një dashuri reale sa të fuqishme, aq edhe të dhimbshme, sa të vërtetë e reale, aq edhe tragjike e  fatale, e cila që në fillim ishte e paracaktuar që të përfundonte tragjikisht,sepse ishte e lidhur me një konflikt të jashtëm social, një motiv, të cilin e hasim edhe në veprat letrare të letërsisë popullore shqiptare, apo edhe te autorët e krijimtarisë së shkruar shqipe, madje që nga vepra “Këngët e Milosaos” të shkrimtarit të madh arbëresh, Jeronim de Rada .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat