Andreas Dushi fiton çmimin letrar “Atë Zef Pllumi” me romanin “Në besë të tatuazhit tënd”

Kultura

Andreas Dushi fiton çmimin letrar “Atë Zef Pllumi” me romanin “Në besë të tatuazhit tënd”

Më: 25 shkurt 2023 Në ora: 09:43
Andreas Dushi

Më 24 shkurt 2023 u zhvillua në Lezhë ndarja e çmimeve “Atë Zef Pllumi”. Tradita e filluar vite më parë në bashkinë Shëngjin, ndërprerë për disa vjet që të rikthehej sërish më 2019, këtë vit njohu risitë e çmimeve honorifike, si ai i karrierës dhe ai i nderit.

Këtë e vuri në dukje kryetarja e jurisë, Fturua Açka e cila, bashkë me dy profesorët e letërsisë, Arbën Prendi dhe Tonin Çobani lexoi verdiktet e jurisë.

Për Çmimin e parë – prozë, konkurentët ishin të shumtë, mes të cilëve Tom Kuka (Enkel Demi), Odise Kote, Darien Levani, Ilirian Dahri, Ervin Nezha etj., me romanet e botuara vitin e kaluar. Juria kishte përzgjedhur “Në besë të tatuazhit tënd” të autorit Andreas Dushin si fitues të këtij çmimi. Motivacioni:

Për zhdërvjelltësinë dhe natyrshmërinë e rrëfimit; ligjërimin e pasur artistik; ndërtimin kompozocional si dhe kurajon e një shkrimtari të ri për të reflektuar e shprehur artistikisht problematikat e qenies njerëzore në tërësi dhe të asaj shqiptare në veçanti.

Gjatë fjalës së mbajtur pasi pranoi çmimin, Dushi tha se ndihej i vlerësuar, pasi kishte frikë mos gazetaria dhe puna e përditshme në Bibliotekën Kombëtare do ja vensinin sado pak profilin e shkrimtarit dhe do ta largonin nga letërsia, por ky çmim vërtetoi se kjo s’kishte ndodhur.

Çmimi letrar në publicistikë iu dha Eleni Laperit për librin “Kolë Idromeno, themeluesi i artit shqiptar”. Në fjalën përshëndetëse, ajo shprehu emocionet për vlerësimin dhe rëndësinë që ky çmim kishte për të.

Çmimi letrar në memuaristikë iu dha Xhahid Bushatit për librin “Fredi...” Bushati u tha të pranishëmve që ky libër i kushtohej poetit Frederik Rreshpja dhe kujtoi atë çka e nxiti për ta shkurar.

Në mbyllje, të pranishmit patën mundësi të merrnin autografe dhe t’i uronin fituesit, duke mbyllur siparin e këtij viti për të pritur aktivitete të ngjashme në vitet e ardhshme...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat