Prehje buzë grykë deti

Kultura

Prehje buzë grykë deti

Nga: Merxhan Jakupi Më: 27 shkurt 2023 Në ora: 18:21
Merxhan Jakupi

Çaushi prehej në një karrige, përpara një xhamie blu në Stamboll dhe vështronte me kënaqësi gjallërinë në grykën e Bosforit. Vinin e shkonin pa nda varka dhe anije të mëdha sa ndërtesa pesëkatësh, peshkatarë të kënaqur me gjahun e ditës. Shihte një përzierje njerëzish, që luftonin për ekzistencë. Ky, i ngulitur në vend, duke përsiatur se si i ndodhi që të ketë dy kaptina jete: një, në vendlindjen e tij, të egër, por të virgjër dhe, tjetra, në këtë qytet kozmopolit, ku mezi ndër vite arriti të integrohej disi.

Në fillim ndihej si rob i një civilizimi, që i dukej sa i afërt, po aq edhe i largët. Kishte bërë për 20 vjet shumë shokë e miq, kishte njohur shumë popuj e civilizime. Dëshironte të krijojë edhe ai një familje të ngrohtë, me fëmijë, për të cilët do të kujdesej. Jeta me hanëmen e Stambollit ishte një iluzion. Zgjidhe: ose këtë jetë, këtu, ose atë në vendlindje! Është koha e fundit. Këto dilema i rrotulloheshin në kokë. Kthehu në vendlindje, këtu s'të njeh kush, i thoshte një mendje.

Kishte mbushur dyzet vjet dhe habitej me veten se si gjysmën e jetës e kishte kaluar në vend të huaj. Por ngushëllohej me atë se nuk e kishte vetëm ky këtë fat të keq, disa madje ishin vrarë në beteja të ndryshme dhe ishin harruar, shumë të tjerë kishin gjetur punë dhe vazhdonin të jetonin larg vendlindjes.

Mbrëmja e zuri me këto mendime. Kur u kthye në shtëpinë e tij, hanëmja i doli me një tabak, ku kishte dy copa ëmbëlsirë dhe një gotë ujë. Ai ende ishte i mbërthyer me ato mendime të ditës. A thua ishte aq pa guxim që të vendoste të kthehej në vendlindje. Aty për aty vendosi që të nesërmen, me agun e parë të shkonte te kafja ku mblidheshin arnautët dhe boshnjakët, që të marrë ndonjë haber se ç'po ndodh në vilajetin e tij, në Ballkan.

Çaushi, sapo zbardhi, u nis për në Aksaraj, ku si ushtar e kishte vizituar Muzeun e Top-Kapisë. Deti, atë ditë, ishte i qetë, pa dallga. Me ato vite që i kishte bërë në Stamboll, Çaushi njihte çdo cep të asaj kryeqendre dhe nuk kishte ndodhur që të humbej apo të ngatërrojë rrugë.

Ashtu si e kishte bërë adet, sa herë që dilte andej Aksarajit, futej me një ngazëllim të pa përshkruar në Kapali-Çarshi, me njëmijë e një dyqane mallrash nga vendi, kontinenti evropian, Lindja e Mesme dhe Azia. Jo që donte të blejë diçka e as hanëmja e tij s'kishte porositur gjë, thjesht nga kërshëria dhe e ndillte ajo laramani brenda dhe gërshetim zërash të blerësve dhe shitësve.

Shumica e tregtarëve ishin hebre, armenë dhe grekë. Më pak ishin vendës. Ai kthente edhe te dyqani në Top-Kapi, i atij shqiptari toskë nga Korça, i cili shiste rroba e veshje kombëtare shqiptare dhe greke. Në atë çarshi që s'e kishte parë të ngjashme në botë, takoheshin racat e ndryshme njerëzish, gërshetoheshin gjuhë të ndryshme, allafrënga dhe allaturka. Aty mund të gjeje nga gjilpëra deri te ari dhe diamanti. Pasi rehatonte shpirtin me këtë gjezdisje nëpër dyqane, merrte turr drejt daljes. Takonte rrugës edhe miq që i kishte gjetur gjatë qëndrimit shumëvjeçar në Stamboll, të cilët e përshëndesnin për bujarinë, çiltërinë, zgjuarsinë dhe sjelljen e mirë që kishte ndaj tyre.

Çaushi ecte me hapa të matur në trotuar, përreth murit të xhamisë, pranë shatërvanit dhe çezmave, ku disa pleq pastronin gjymtyrët. Kishte një kohë që Sulltan Abdylhamidi II ishte rrëzuar nga froni dhe Çaushi me sy i përcillte kalimtarët, të cilët ende vrullshëm komentonin ngjarjet e mëdha që ndodhën në këtë perandori. Ai ende mendonte për takimin me shqiptarin çam që merrej me tregti, por që kishte njohuri për rrethanat politike.

Çaushi shqetësohej nga ardhja në pushtet e republikanëve, të cilët mund të bëjnë ndryshime të mëdha, ndoshta nganjëherë edhe në dëm të popullit. Kur arriti te sheshi Taksim, u ndal dhe vështroi mirë e mirë rreth e përqark, ndërsa përbrenda e shqetësonte mendimi se si do ta braktiste këtë vend. Atëherë iu kujtuan fjalët e një boshnjaku, i cili i shtyrë nga nostalgjia për vendlindjen e tij, kishte shkuar me gjithë dëshirë, por pas dy vjetësh ishte kthyer sërish dhe i kishte thënë se vështirë se mund të shqepej nga Stambolli: "Ai që pi një herë ujë Stambolli, mbetet të pijë përgjithmonë!", shprehej shpesh në muhabete.

Sa shumë e tërhiqte vendlindja Çaushin, ato kodra të larta, ato livadhe e bagëti, ajo jetë e qetë në katund, por gjithherë kishte rezerva dhe frikë nëse nuk do të mund të jetonte atje, atëherë duhej të kthehej edhe ky si shumë të tjerë. Kishte vite që Çaushi ndihej keq, sepse me trup ishte në Stamboll, por me mendje në ato livadhe të pa fund e kullosa bjeshke të vendlindjes, ku ajri i pastër shkonte deri në thembra e jo si aty ku i kishte bërë mbi 15 vjet dhe ngufatej nga lagështia e ajrit që kundërmonte nga deti. Nuk mund të duronte më dot nga ajo shkëputje gjaku dhe fisi. I dukej vetja si në ndonjë guacë i mbyllur dhe shi për këtë përjetonte ankthe, sidomos në orët e natës. U ul në një tavernë buzë Bosforit dhe deshi t'i kthjellojë ato mendime të zymta që i kaluan nëpër rradake. Veshët i lëshoi paksa të jenë mysafirë të bisedave që bënin tre burra në një tavolinë pranë, të cilët bënin fjalë për njëfarë lëvizjeje të xhonturqve, të quajtur "Përparimi", por nuk arrinte të kuptojë se ku rrihnin fjalët e tyre. Kur e ktheu për së dyti kokën nga ajo tavolinë, vërejti se ata kishin ikur. Ndezi cigaren dhe lëshoi mendjen të fluturojë në të katër anët. Atij i dhembte shpirti kur dëgjonte lajme të hidhura nga vilajeti i tij. Natën vonë u kthye në shtëpi. Sapo hyri, hanëmja e tij që ishte shtrirë për gjumë u ngrit menjëherë dhe i shtroi darkën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat