Sedo Harka përuron librin “Nobelistët”

Kultura

Sedo Harka përuron librin “Nobelistët”

Nga: Kadri Tarelli Më: 27 shkurt 2023 Në ora: 18:27
Foto nga ceremonia e përurimit të librit

Pak dit më parë, më: 25, Shkurt, 2023, në mjediset e hotel “Rogner”, Tiranë, u organizua përurimi i librit “Nobelistët”, të autorit Sejdo Harka. Merrnin pjesë personalitete të jetës letrare e shkrimore, pedagogë e dijetarë. Diskutuan: znj. Diana Çuli, Ymer Çiraku, Viron Kona, Përparim Hysi, Delo Isufi, Gëzim Tushe, Hektor Veshi, Zyhdi Dervishi, Ilden Spase, etj.

Në këtë veprimtari, pata nderin që edhe unë të them pak fjalë:

Sot miku ynë Sejdo Harka përuron librin e tij më të fundit, “Nobelistët”. (Esse dhe sprova letrare). Një vepër e nivelit shumë të lartë në shkrimtari dhe analizë lëtrare, që pasuron panteonin e letrave shqipe, ku përfshihet një biografi e shkurtër për 27 nobelistët, nga 117 që ka bota deri më sot, njëkohësisht edhe analiza kritike e një vepre letrare të tyre. I bindur se po shpreh një të vërtetë, them: Është libër shumë i mirë në formë dhe i rëndë në përmbajtje, do ta quaj të rrallë në letrat shqipe, që i vlen nxënësve të shkollave të mesme, stdentëve, letrarëve, pse jo edhe atyre që kanë passion letërsinë e bukur dhe kërshërinë njohëse. Kur ta lexoni do më jepni të drejtë.

Pyetja e parë që natyrshëm i lind çdo lexuesi, është: Ku e merr guximin autori Sejdo Harka, që prek majat e letësisë botërore, duke mbledhur në kuvend 27 nobelistë? “Kuvend letrarësh”, e quaj unë librin që përurojmë sot. Vetëm titulli të bën të stepesh: Nobelistët janë mali lartë që nuk arrihet lehte. Edhe unë bashkoj zërin tim, se është sipërmarrje e vështirë, por jo e pamundur. Besoj se nuk e kam gabim që mendoj kështu, ndaj dhe pyes: A ka punë që s’ka vështirësi? Dikush që ka përgjiigjen në majë të gjihës, thotë: “Vetëm ai që s’bën asgjë, e kalon lehtë”.

Është e njohur, se çdo studim sado i vështirë të jetë, kalon me vullnet, dëshirë, njohje dhe kulturë pune. Sejdo i ka të gjitha, madje vullnetin dhe dëshirën për punë disi me tepri, sepse ka dhënë prova suksesi.

Unë e kam të lehtë të përgjigjem pa mëdyshje, sepse para shtatë vjetësh, në prill 2016, publikova në shtyp një shkrim ananlitik, titulluar “Poezi brenda prozës poetike”, Vështrim mbi ibrin “Modernët e kohës”, të autorit Sejdo Harka. Botuar: “Fjala e lire” Londër, Gazeta “Dielli” SHBA, “Zemra Shqiptare”, Zvicër. Gazeta “Koha jonë” Tiranë.

Libri “Modernët e kohës”, ishte prova serioze për autorin, ku analizohen korifenjtë e letrave shqipe, si Naimi, Lazgushi, Kadare, Agolli, Ali Asllani, etj, të cilët, as më shumë as më pak, janë në një shkallë vlere e nderimi me nobelistët e shpallur botërisht.

Sa për kurreshtje, në atë shkrim, mes të tjerave shkruaja: Është e vështirë të merresh me “Modernët”. Sejdo guxon të përballet me ta, duke shpalosur idetë e tij mbi këtë “racë” të letërsisë dhe artit. Po mjaftohem me këto pak fjalë: “Për Lasgushin, Atdheu është edhe djepi edhe varri, edhe fusha edhe mali, edhe uji edhe zjarri, edhe hëna edhe dielli, edhe buka edhe mielli, edhe mjalti e sheqeri, edhe helmi e zeheri, edhe jeta e fantazia, edhe skllavëria e liria”.

Nuk kam ndërmend të analizoj të gjithë veprën. Parafolësit i vunë në dukje vlerat letrare dhe njohëse, që nga jeta dhe vepritaria e Alfred Nobelit, dijetarit dhe shpikst të madh, i dashurar edhe pas letërsisë, e më pas me radhë shkrimatrët e shumënjohur. Ndaj po përpiqem të gjej ca gjëra të veçanta, që i shtojnë dhe pasurojnë vlerat e këtij libri të “rëndë”, njëkohësisht dhe admirimin për punë kërkuese e krijuese të autorit. Janë copëza “të vogla” në dukje, por të zgjedhura bukur, që e bëjnë shkrimin dhe librin të ngrohtë, të këndshëm në lexim dhe shumë jetësor në përmbajtje.

Së pari: Çdo “Nobelist”, shoqërohet me një citat, apo fjalë të urtë të shkurtër, në më të shumtën e herëve nga vetë autorët: shembull:

“Unë jam Alfred Nobeli. Ato që kam deklaruar për nitroglicerinën janë të vërteta.”

Langerlof: “Kam shumë borxhe, baba, ndaj kam ardhur të më tregosh sesi t’i shlyej...”

Boris Pasternak: “Gjithë jetën kam ecur mbi një shtresë të hollë akulli...”.

Jorgos Seferis, poeti që i këndoi pikëllimit botëror dhe bukurisë e heroizmit shqiptar: “Mblidheni hirin e së shkuarës dhe mbilleni, që të lulëzojë e ardhmja.”

Së dyti: Autori është përpjekur të gjejë ç’ kanë thënë anëtarët e jurisë, për “Nobelistin”, dhe fjalën falënderuese të “Nobelistit”. Është një dialog i magjishëm, mes të mëdhenjve. Lexuesi në ato pak fjalë zbulon madhështinë e mendimit të tyre në krijimtari.

Përfaqësuesi i Akademisë Suedeze në këtë banket, Gustaf Hellstrom, laureatit të këtij çmimi i drejtohet me këto fjalë: “Për ju, z. Eliot, shpëtimi i njeriut qëndron në ruajtjen e traditës kulturore. Tradita nuk është ngarkesë e vdekur. Ajo është dheu në të cilin hidhen farat e të mbjellave të ardhshme. F. 35

Tomas Eliot, pionier i parë i poezisë moderne, përgjigjet: “Te çmimi “Nobel”, shoh dashamirësinë tuaj për të më kthyer në simbol të veçantë. Gjuha e poezisë është e veçantë. Të shijosh poezinë e një gjuhe tjetër, do të thotë të shijosh mirëkuptimin e atij populli me popujt e tjerë.” F. 34

Nuk jam i prirur të përsëris më tej autorin, as të bezdis lexuesin, sepse që në fillim të çdo shkrimi, do ta gjejë me lehtësi këtë lloj bashkëbisedimi. Janë copëza, që në pak fjalë japin “nektarin” e mjaltit që përmban kosherja.

Së treti: Autori gjen dhe vendos në libër, “Thënie të mençura”, të thëna nga Nobelistët. Besoj se për të hapur udhën e kërkimit, mjaftojnë vetëm këto dy-tre fjalë të arta:

. “Shkrimtari i madh është ai që shkruan kohën që jeton dhe që me idetë e tij troket në botën e të ardhmes”.

. “Drejtësia tentohet të korruptohet nga pasioni politik”,

. “Shumica e shqetësimeve në botë shkaktohen nga njerëzit, që duan të jenë të rëndësishëm... Faqe 43

Së katërti: Edhe vete autori, si mjeshtër i fjalës artistike, krijon fjali dhe shprehje që duhen mbajtur shënim, pasi kanë vlerë përgjithësimi, pa harruar bukurinë e fjalës:

. “Vepra e Eliotit është një përpjekje serioze për të treguar se poezia religjioze mund të fitonte privilegjet e dikurshme danteske dhe shekspiriane. Por, në fakt, kjo ishte një sipërmarrje e dëshpëruar, mbasi ishin kohë kur asgjë nuk mund të ngrihej mbi rrënojat e së shkuarës”.

. Kjo është arsyeja që lexuesi, sapo mbaron së lexuari këtë tregim të Heminguej, ndien ngrohtësinë e brendisë së sentencës popullore: “Një njeri mund të shkatërrohet, por jo të thyhet e gjunjëzohet”.

Të gjitha këto pjesëza, kanë vlerë universale, përgjithësuese, pasi e pasurojnë dhe e zbukurojnë përmbajtjen dhe cilësinë e librit, por më së tepërmi, i shërbejnë çdo krijuesi apo oratori, për t’i përdorur në shkrime dhe në fjalime.

Kam ndjesi, se një studiues i përkushtuar dhe i vëmendshëm, ka material të bollshëm për një libër të bukur me thënie të nobelistëve.

Urime Sejdo! Ke kuvenduar gjatë me “Nobelistët”, andaj këto biseda na i sjell në këtë shportë të artë shkrimtarie.

Kam frikë se, “Nobelistët” e tjerë do zemërohen, prandaj shpejto e mos prit. Edhe ata kanë dëshirë të jenë në kuvend e t’u flasin shqiptarëve.

Suksese! Fusha është e hapur. Libra të tjerë presim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat