Njihe edhe ti mësuesin tim

Kultura

Njihe edhe ti mësuesin tim

Nga: Nijazi Halili Më: 28 shkurt 2023 Në ora: 13:12
Fehmi Ymeri

Mendoj e gjykoj se heronjt e vërtetë janë të pranishëm në përditshmërinë tonë gjithmonë, ndër ta është edhe mësuesi im tani i ndjer profesor Fehmi Ymeri.

Sa herë nisem rrugës së rikthimit në kujtime për mësuesin tim, më mirë se sa veten kujtoj dy duart e bukura deri në fisnikëri, mbuluar nga pluhuri i bardhë i shkumësit që dallohej në to një dridhje e lehtë që buronte prej pasionit, një portret që mbi supet e veta mbante mantelin e mirësisë dhe dashurisë së madhe për gjuhën dhe letërsinë shqipe.

Më kujtohet ajo figurë që prej një mësuesi të gjuhës shqipe u kthy në figurën e një mësuesi të dashur e të paharruar për shumë breza qe la pas. Një mësues i veshur në bardhësi e mirësi dhe sot në kujtime më shfaqet në një fotografi me shumë ngjyra prej malli.

Pak dridhje mbi duar ashtu si në duart e tij, ndjej sot në duart e mija, kur nis t’i shkruaj emrin mbretëror: Prefesor Fehmi Ymeri. Po shkruaj sot për të, që ta njohësh edhe ti që se ke njohur..., të siguroj se ja vlen të më dëgjosh për një mësimdhënës që punoi aq shumë për arsimimin e shumë brezave dhe gjuhën tonë të shenjt qe e kemi ne.

Ka lindur në Sllatinë të Epërme të Vitisë. Mësova prej tij se shkenca është art.., art që ka nevojë ta duash për ta mësuar, mësova prej tij se këmbëngulja për të mos hequr dorë është çelësi i gjithë rrugëtimit, mësova prej tij si ta doja edhe unë gjuhën shqipe, mësova prej tij se ç’është qetësia dhe durimi, mësova prej tij se ç’është një njeri shpirt-bukur e mendje-ndritur.

Po, i mësova prej tij të gjitha këto, me po të njëjtin përkushtim dhe pasion që më mësoi për gjuhë shqipe. Mësova prej tij se mjafton pak besim dhe një dorë vendosur mbi shpatulla për t’i dhënë ngjyra botës së një fëmije dhe për të formësuar në realitet ëndrrat e tij...

E kujtoj si të ishte mëngjesi i kësaj dite hera e fundit që e kam parë,në oborrin e shkollës dhe buzëqeshjen e lehtë mbi fytyrë, kur përshëndetjen e mëngjesit ma jepte pasi i kishte hedhur orës së dorës një shikim si për të më kujtuar fillinin e orës mësimore, e kujtoj si të ishte sot hera e fundit kur me vështrimin e pandashëm nga sytë e tij, donte të tregonte çdo paqartësi, çdo dilemë të vogël ose të madhe…

Tani që shkruaj për të më rikthehet edhe njëherë ajo ndjesia e sigurisë prej filloristi se çdo gjë që mund t’i kërkoja nga mësuesi im ai kishte fuqinë t’i jepte zgjidhje. Nuk e kam për zakon të imponoj mendimet e të tjerëve, po nëse ndodh që ti që po i degjon këto rreshta ishe nxënës i tij, të lutem vlerësoje dhe duaje me shpirt…

Heronjt e vërtetë janë të pranishëm në përditshmërinë tonë dhe ai ishte dhe mbetet njëri prej tyre…

Në fshatin tim të vogël, mësuesi im i gjuhës shqipe ishte një njeri i madh…

I madhi Konica thoshte, po e shkruaj ketë letër gjatë sepse nuk po kam kohë ta shkruaj shkurt!

Ish nxënësi  

Nijazi Halili

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat