Frymëzim domëthënës i krijuesit kavajas Hasan Korbi

Kultura

Frymëzim domëthënës i krijuesit kavajas Hasan Korbi

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 16 mars 2023 Në ora: 14:43
Kopertinat e librit "Për Ty Vargjet Kuq E Zi", autori Korbi dhe personazhi Maxharraj

Rast i rrallë që një krijues e frymëzon një personazh, të cilin e kishte parë e përcjellur në televizor, në kërcimet e tij, ndër vite, në festivalet të organizuara anekënd trojeve shqiptare. Arsimtari veteranë, Sadik Maxharraj-Baca, i apasionuar pas historisë, hulumtues e studjues të historisë sonë ndër shekuj; ndriçues të  biografive të luftëtarëve zonalë, tashmë, të botuara në vëllimet "E djathta shqiptare", me përkujdesje botuese të historianëve të shquar, Muhamet Shatri dhe Nue Oroshi, me kolegë. Në faqet e saj zënë vend, kryesisht, figura të anatemuara nga regjimet e shteteve komuniste jugosllave dhe shqiptare.

Kryepersonazhi i librit, Sadik Maxharraj-Baca, veprimtar shumë demensional, pjesëmarrës në protesta e demonstrime, ndër vite e dekada, për barazi dhe liri të popullit tonë; arsimtar veteran, kërcimtar brilant, veprimtar dhe i parë në fshat e më gjerë. 

Në lokalet e Restorant "Freskia", në Istog, Familja Maxharraj, në bashkëpunim me komunën, nën patronazhin e kryetarit, Ilir Ferati, organizoi përurimin e librit "Për ty vargjet Kuq e Zi", të autorit nga Shqipëria, Hasan Korbi, botues të 23 librave me poezi, prozë, monografi, në shtrirje në kohë prej gjysmë-shekulli krijimtari. 

Image
Sadik Maxharraj-Baca në "Sheshin Pavarësia", në Vlorë

Një sallë e stolisur me shije, me pjesëmarrje solide: përfaqësuesit komunalë; drejtuesit e Shoqatës të Historianëve "Ali Hadri", dega në Istog; udhëheqësit e Klubit letrar "Podguri", të Istogut; intelektualë e artdashës vendorë; miq e dashamirë të Bacës si dhe familjarë të shumtë të personazhit të librit, Sadik Maxharraj-Baca. 

Autori i librit, poeti Hasan Korbi, duke marrë fjalën i pari, u prezantua para audiencës: "Kam trokitur tek ty, Istog. Sot ti je edhe Istogu im. Tek fletët tua të jetës, unë gjeta një personazh, Sadik Maxharraj-Baca. Erdha 300 e ca kilometra, për të biseduar me të, për të njohur Istogun dhe Kosovën e vlerave të mëdha historike dhe për të shijuar bukuritë natyrore perlë, sikur Zoti ia ka dhuruar.

Trokita në portën hyrëse të Istogut dhe ju më thatë "bujrem poet", me një frymë. Erdha dhe vargëzova për personazhin Sadik Maxharraj, 36 poezi të temave e të detajeve të ndryshme të Bacës. Menjëherë ky personazh më hyri nën lëkurë, për specifikën e tij të veshjes. Kudo me kësulën e bardhë dhe me kostumin kombëtar kuq e zi. Kjo është ngjyra shoqëruese e gjithë ecjës së Bacës, ngjyra e kuqe. Andaj dhe vija përshkuese e poezia është flladi kuq e zi, përshkues i gjithë vargjeve:

"Me plisin e bardhë borë,

Shikimi derdhur në largësi, 

Mustakët derdhur kosovar,

Veshur kuq e zi". 

Në ekspozenë e tij, mësuesi i gjuhë-letërsisë shqipe dhe gazetari, Idriz Zeqiraj, veç tjerash, tha se "krijuesi letrar kavajas, Hasan Korbi, ka një krijimtari sasiore dhe cilësore. Në qendër të librit "Për ty vargjet Kuq e Zi", janë arsimtari, artisti, veprimtari, Sadik Maxharraj-Baca, Istogu dhe Kosova. Autori me një mjeshtëri të veçantë poetike, me frymëzim të virgjër, thurë vargje me ndjesi të hollë, duke gërshëtuar artistikën me kombëtarën. Personazhi kryesor dedikues, është Sadik Maxharraj, ose Sadik Rexha, qysh i pëlqen atij ta thërrasin, por mbizotëron emërtesa nderim - Baca.

I lindur dhe i rritur me halle-shumë, i edukuar dhe shkolluar nga një familje e urtë dhe fisnike. Në një kohë zezonë për Kosovën, me bashkëshortën ideale, Gjylshahe Bujupaj- Maxharraj, lindën, rritën, edukuan dhe shkolluan 6 (gjashtë) fëmijë, katër djemë dhe dy vajza, të gjithë kanë mbaruar fakultetin dhe janë punësuar. Mësimdhënës i zellshëm i shumë gjeneratave. Hulumtues i vyeshëm i historisë të Podguerit dhe më gjerë në Kosovë. Meritë parësore e Profesor Sadik Bacës është se ai ka nxjerrur nga harresa shumë figura të shquara, duke i bërë pjesë të historisë sonë lavdi-plote.

Tej një dekade i pensionuar, por gjithnjë aktiv, në veprimtaritë shoqërore e politike të fshatit, bashkësisë lokale dhe të komunës të Istogut. Një artist i përkushtuar, me kërcimin brilant, duke sfiduar peshën e dekadave të jetuara, për të përformuar anekënd Kosovës, Shqipërisë dhe gjetkë në rajon.

Manastiri i Studenicës vazhdon të kontestohet për përkatësinë e tij iliro-romake, përkatësisht, shqiptare. Akademia Serbe, me kishën e saj autoritare në shtet dhe pushtetin serb, të shquar për falsifikimin e historisë, kanë ndërruar përkatësinë reale, duke e konsideruar si pronë të Kishës Ortodokëse Serbo-Sllave. Studjuesi Sadik Maxharraj-Baca, Idriz Zeqiraj, Milazim Maraj, së bashku me veprimtarët e moshuar të fshatit Studenicë, Zymer Zeqiraj, Ibrahim Belaj, me shokë, kanë bredhur Prizren e Prishtinë, duke konsultuar priftërinjtë katolikë; studjuesit e Institutit të Historisë, të Arkeologjisë, të prirë nga drejtori simpatik, Akademik Enver Rexha, me kolegët akademikë, organizuan një seminar, nën patronazhin e kryetarit të komunës të Istogut, atëbotë - Haki Rugova, (ndjesë pastë), me kumtesat e tyre, dëshmuan se Kisha nuk është Ortodokëse. Përkundrazi, ajo ishte iliro-romake.

Është, pikërisht, angazhimi i gjithanshëm i veprimtarit veteran, Sadik Maxharraj-Baca, i cili u bë frymëzim i poetit Hasan Korbi, për t`ia kushtuar një libër të tërë. Autori Korbi, i pakët në trup, i madh në mendje e vepra, e përjetësoi në art Bacën tonë".

Drejtori i Drejtorisë të Arsimit në Komunën e Istogut, Prof. Mr. Naim Behlulaj, përshëndeti në emër të kryetarit të komunës, Ilir Ferati. Ai përgëzoi autorin e librit, Hasan Korbin, për mjeshtërinë e tij krijuese dhe përzgjedhjen si personazh të veprës së tij, arsimtarin veteran, valltarin brilant dhe veprimtarin e pandalshëm, pavarësisht moshës, Sadik Maxharraj-Baca, si një personalitet i shquar. Ai ka dhënë kontribut të çmuar në arsimimin e brezave, në afirmimin e kulturës kombëtare, madje edhe në kohët e vështira të pushtimit të egër.

Drejtori Behlulaj i dorëzoi një dhuratë Bacës, të ndarë nga kryetar Ferati, e cila u jipet vetëm individëve, për kontribute të veçanta. Ne do t`i jemi për jetë mirënjohës për shërbimet e bëra për Kosovën tonë. Dhe,  zotohemi se do ta vazhdojmë me veprat e Bacës, si udhërrëfyese për gjeneratat tjera. Urime nga zemra, shëndet dhe gjithë të mirat për Bacën veprimtar veteranë", - u shprehë drejtori Naim Behlulaj.

Image
Pamje e pjesëshme nga përurimi i librit "Për Ty vargjet Kuq e Zi" (Foto: RTV "Fontana")

Profesor Sadik Bicaj, është autor i disa librave; i një mori artikuj studimorë gjuhësor e pedagogjik dhe krijime letrare; kryetar i Klubit letrar "Podguri", në Istog; si dhe drejtor shumëvjeçarë i Shkollës 9-vjeçare, në Vrellë; bëri vështrimin letrar të lbrit poetik "Për Ty vargjet Kuq e Zi", kushtuar Sadik Maxharraj-Baca. Ndonëse është botuar, më parë, si shkrim me vete, këtu po sjellim vetëm disa fragmente nga reçensioni i librit në fjalë:

Vëllimi poetik “ Për ty vargjet kuq e zi - Sadik Maxharraj - Baca”, veçohet edhe me gjuhën dhe stilin e shkrimit, si dhe me përdorimin e shumtë të figurave stilistike, si: epitete, krahasime, etj., që ia shtojnë edhe më shumë vlerën gjuhësore dhe letrare këtij vëllimi poetik të mrekullueshëm",- referoi, veç tjerash, drejtori dinjitar, Sadik Bicaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat