​Ekspozita “Europa ime”: Të rinjtë nga Kosova pesimistë për integrimin në BE

Kultura

​Ekspozita “Europa ime”: Të rinjtë nga Kosova pesimistë për integrimin në BE

Më: 27 mars 2023 Në ora: 23:48
​Ekspozita “Europa ime"

Më 28 mars në Tiranë do të çelet ekspozita “Europa ime”. Kjo ekspozitë përmbyll një projekt njëvjeçar që nxit diskutimin mbi Evropën përmes artit. E ftuar në emisionin “Në radio” që u transmetua paraditen e sotme në Radio Tirana 1, drejtuesja e projektit, Blerta Tuci, tregon se projekti lindi në kuadër të “Tirana European Youth Capital”.

“Falë kësaj ekspozite mund ta komunikojmë Evropën dhe atë që ne do përjetojmë falë këtij procesi edhe përmes artit vizual dhe përfshirjes së artistëve nga Shqipëria dhe Kosova për të dhënë dy kontekste të ndryshme të këtij procesi dhe se si të rinjë e shohin dhe e perceptojnë së brendshmi atë.”

Tuci shprehet se ekspozita kulmon projektin “Arti afron Evropën më pranë të rinjve”, për të kuptuar se si janë vlerat dhe dimensioni evropian dhe sa na prek ne ky kohezion. “Ajo që duam të sjellim përmes ekspozitës është që t’i vëmë artistët përballë një konkurrence dhe sfidash që ata do të hasin si artistë, qoftë në regjistrimin e veprave, promovimin e tyre, në shfaqjen dhe shkëmbimin në ekspozita të tjera.”

Elton Kuritari, ekspozita "Europa ime" një sukses, është e vështirê të sjellësh art nga Kosova

Kuratori i ekspozitës, Elton Koritari, tregon se do të shfaqen 20 punime në pikturë, skulpturë dhe pikturë digjitale. “Një ekspozitë e tillë në Shqipëri është një sukses sepse, më besoni, është më e lehtë të sjellësh në Shqipëri një ekspozitë nga çdo vend i botës se sa nga Kosova.”

Lidhur me punimet e prezantuara në ekspozitë, Tuci thotë se ka ndjerë pesimizëm dhe një qasje për ta ndërtuar pikturën nga konteksti politik.

“Personalisht do të kisha dashur të shikoja një frymë më optimiste se si e shohim ne Evropën. Nga ana e artistëve shqiptarë kishte vepra pak më optimiste, ndërsa të rinjtë nga Kosova, për arsye gjeo-politike, e shikonin pak më gri situatën.”

Pyetur nëse në Evropë ne duam të shkojmë bashkë kulturalisht apo të ndarë, drejtuesja e projektit, e cila prej vitesh është e angazhuar me çështjet e integrimit në Bashkimin Evropian, shprehet: “Në këtë moment është pak e vështirë ta shohim veten së bashku të integruar politikisht për arsye kontekstuale, politike dhe historike. Ajo çfarë duhet të bëjmë ne është të inkurajojmë që kulturalisht dhe socialisht të jemi bashkë.”

“Evropa ime” çelet më datë 28 mars në orën 16:00 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 31 mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat