Studiuesi Gjon Keka sjell librin e ri me titull:„Gjergj Kastrioti Skënderbeu -Bibliografi“, Prishtinë 2023

Kultura

Studiuesi Gjon Keka sjell librin e ri me titull:„Gjergj Kastrioti Skënderbeu -Bibliografi“, Prishtinë 2023

Nga: Gjon Keka Më: 29 mars 2023 Në ora: 15:49
Gjon Keka

Atdheu ynë mund të jetë i lumtur, ai nuk është i varfër me njerëz të tillë, nga veprat e të cilëve shpirti ynë nxjerr ushqimin më të pasur, gjurmët e të cilëve mbi tokë do të zgjasin përgjithmonë!“

Nga të gjithë ata, megjithatë, ka një që do të jetojë e vazhdon, një që ka jetuar për të gjithë popullin e tij, të cilit prej nesh,i detyrohet mirënjohje e pallogaritshme emrit të famshëm të të gjitha kohërave: Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.Hero i legjendës!

Ai edhe sot është një bir i Europës, në lavdinë e së cilës jeton kujtimi i tij,këtij mbrojtësi të madh të qytetërimit europian.Të gjithë europianët e konsideronin këtë kryehero arbëror si simbol i virtyteve më të larta.

U bënë shumë vite që merrem me studimin e figurave tona të shquara kombëtare, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, si dhe janë bërë simbol i përjetshëm në historinë e Arbërisë, të Europës dhe botës mbarë.

Përgjatë këtij studimit të specializuar dhe me plot përgjegjësi, rreth kësaj figure unike madhështore, krenari e ligjshme e kombit tonë, duke hulumtuar midis dokumenteve të shumta nëpër arkivat e vjetra europiane, kam ndeshur fakte të shumta jo vetëm historike, të përjetuara e të përmbledhura edhe si vepra historike, por të rrëfyera e të përjetuara edhe në art.

Në bazë të këtyre të dhënave që kanë bërë epokën e ndritur të legjendarit Skënderbe, janë frymëzuar gjenitë e letrave dhe të arteve të tjera për ta përjetësuar këtë figurë monumentale në memorien e kombit shqiptar e më gjerë.

E gjithë kjo punë kaq e madhe më ka kushtuar e vazhdon të më kushtojë jo vetëm kohë e mund, por edhe shumë privime të tjera. Çdo hulumtim, studim nëpër arkiva dhe biblioteka, botim e gjithçka tjetër e bëj pa asnjë mbështetje, pa ndihmën e shtetit apo të ndonjë institucioni e akademie. Porse, kur bëhet fjalë për një figurë të tillë, si ajo e Skënderbeut legjendar, kryembretit tonë arbëror, i cili na ka ruajtur qenien tonë identitare, që na ka dhuruar flamurin kombëtar dhe na ka bërë të njohur në botë si komb, që i përkasim familjes europiane, atëherë kjo është më e pakta që mund të bëja unë si pasardhës i gjakut të këtij arbërori të madh, si trashëgimtar i denjë i gjakut të arbrit.

Me mijëra vepra të karaktereve të ndryshme janë shkruar për arbërorët e vërtetë, të gjitha këto të frymëzuara nga epoka më e ndritur e Arbërisë, pjesë e pandashme e kontinentit më të vjetër, Europës, në zemrën e së cilës ndodhemi ne, Iliria e dikurshme dhe Shqipëria e sotme.

Në këtë Bibliografi të njërës prej figurave më të shquara të kombit, të emblemës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, me shumë ndjenjë dhe përgjegjësi kombëtare jam përpjekur t’i jap lexuesit një pasqyrë historike të të gjithë veprave që i janë kushtuar atij dhe epokës së tij, por sigurisht edhe një kontributi të mirëpritur në vlerësimin objektiv të vetë kombit tonë.

Së shpejti librin mund ta gjeni në Libraria Dukagjini në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat