Dëshmi e kujdesit shtetëror italian për ruajtjen e pastërtisë së gjuhës

Kultura

Dëshmi e kujdesit shtetëror italian për ruajtjen e pastërtisë së gjuhës

Nga: ADRIAN JORGJI Më: 7 prill 2023 Në ora: 09:23

Para disa ditësh Kryeministrja e Italisë paralajmëroi se do dënoheshin me gjobë ata që përdorin pa nevojë fjalë anglishte në komunikimin zyrtar.

Po ne shqiptarët ku jemi në ruajtjen e pastërtisë së shqipes sonë të bukur?

Pothuaj TË GJITHË emisionet në televizionet shqiptarë i kanë emrat ANGLISHT:

MORNING SHOW

TASK FORCE

OPEN

NOW

TOP STORY

REAL STORY

VIZION PLUS

AGON CHANNEL

TOP CHANNEL

KLAN

NEWS24

ORA NEWS

FAKE OFF

Etj.

Kjo është vetëm gjysma e së keqes. Dhe mund të them: „gjysma e mirë“ e së keqes.

Gjysma E KEQE e së keqes janë FJALËT TURKE QË MBYTIN DHE NDOTIN gjuhën e bukur shqipe.

Portokallia, Al Pazari, Klanifornia etj. janë të mbytur me:

AVASH – AVASH, me ISHALLA e MASHALLA, me SHYQYR e me MEAZALLA.

Deri tek moderatorët e emisioneve.

Të vjen pështirë kur dëgjon B. Fevziun që e mbush gojën bukur shumë me ISHALLA! Ose A. Çanin, me të famshmen e tij DYNJAJA!

Madje kosovarët shkojnë edhe më tej:

– MYSAFIR te emisionit të sontëm kam… – thonë moderatorët e televizioneve të Kosovës.

Pyes:

KUSH nëse jo mediat televizive dhe ato të shkruara duhet të kujdeset për të ruajtur pastërtinë e gjuhës shqipe?

Dhe jo vetëm kjo.
Kohët e fundit vihet re prirja për të folur në dialekt.

Bëhet ME DIJE, – thonë në vend të formës letrare BËHET E DITUR.

E po kështu edhe format dialektore të tipit: KAM KUPTU, KAM SHKU…

Nuk them se kjo është diçka e keqe apo e gabuar, pasi tek e fundit SHQIP janë.

Por lind pyetja: PËRSE E KEMI GJUHËN LETRARE?

Si do t'i vinte filli gjuhës shqipe sikur në televizion apo në shtyp secili të fliste/shkruante në dialektin e tij? Njëri në dialektin e Devollit, një tjetër në atë të Labërisë, një tjetër në atë të Tiranës dhe një tjetër në atë të Tropojës?

Gjuha anglishte flitet në shumë vende të botës, po KUDO ajo ka vetëm një drejtshkrim!

Nuk mendoj që ky problem të ndreqet me masa administrative, me anë gjobash.

Por këmbëngul që drejtuesit e mediave, gazetarët e moderatorët të bëhen më të ndërgjegjshëm kur shprehen në shtyp apo para kamerave.

Të folurën dialektore le ta flasim në shtëpi, në biseda me miq e shokë në shëtitje apo në lokale duke pirë kafe.

Ndërsa kur flasim në studio televizive apo shkruajmë në shtyp, gjuha letrare duhet të jetë E DETYRUESHME.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat