Pseudodeputeti

Kultura

Pseudodeputeti

Nga: Zymer Mehani Më: 7 prill 2023 Në ora: 10:05
Zymer Mehani

Tungjatjeta, deputet

Dje bari e sot si mbret

Dje n’katund e sot n’qytet

Dje përroskë e sot si det

Qumshti i nënës t’qoftë haram

Se gabove u fute n’klan

Ti verboi sytë politika

Ku t’mbet besa dhe etika?

Pse harrove ti qëllimin

Na bëre t’humbim besimin?!

Në Kuvend flet vend pa vend

Pse u bëre pizëveng?!

Pse n’Kuvend shtyh’ni me b’rryla

Ku t’mbet nderi e fytyra?

Në foltore del shet mend

Lart ngre zërin don t’na çmend!

Pse krekosesh si gjel deti?

Mos kujto se nuk je mbreti!

Theve besen e k’tij mileti

Dije mirë- ia ke bërë veti!

Turfullon, gjoksin qet para

Porsi derri nëpër ara

Mendtë i mban veç te paraja

Hajmedet ç’na zu belaja!

Flet pa rend e mendjen-murë

Dukesh krejt-karikaturë

Dallavere bën “si burrë”

S’ke as dije as kulturë

Si biban e sikur gjel

Në foltore sa herë del

Dukesh si dinozaur

Votën time s’ta jap kurr’!

Me fjalë t’pista bën debat

Duke prishë tëndin surrat

Fryhesh bëhesh si çuran

T’gënjen mendja- s’je azgan!

E merr botën nëpër gojë

Më shumë veten e vë n’lojë

Gjithsecilit i puth dorën

T’ka ardhë koha, k’qyre orën!

Deputet, more mjeran

Lumë si unë që afër s’t’kam!

Me hajni, korrupsion

Ty askush nuk ta kalon

Gojë-mjaltë e gjuhë-shpatë

Xhepat plot, por zemrën-thatë!....

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat