Çka ishte vija e kuqe në regjimin jugosllav?

Kultura

Çka ishte vija e kuqe në regjimin jugosllav?

Nga: Nijazi Halili Më: 15 prill 2023 Në ora: 20:33
Nijazi Halili

Vitet e 80-ta, vitet më të errëta të jetës sime. Isha nxënës i shkollës së mesme, ishin vite të errëta për ne shqiptarët, çdo lëvizje ishte nën përcjellje nga sigurimi apo shërbimet  jugosllave, fillojë të futet sigurimi edhe nëpër institucionet e vendit, çdo gjë ishte nën përcjellje e vëzhgim.

Shërbimet sekrete ishin edhe në shkollën tonë, çdo informacion kalonte në polici.

Në klasë kishim shkruar disa parulla si nxënës të shkollës, "rroftë  Kosova Republikë", "Bashkimi me Shqipëri, rroftë Enver Hoxha", si dhe  shumë kërkesa të tjera.

Pasi sigurimi kishte marrë këtë informacion nga shërbimi  i shkollës kishte filluar hetimet menjëherë.

Unë, edhe pse nuk e kisha pranuar se kisha kryer një veprimtari të tillë, sigurimi  i atëhershëm kishte vendosur të më largonte nga shkolla.

Pas dy tri dite ishte marrë vendim që mua të më dëbojnë nga shkolla si përson me veprimtari armiqësore.

Si sot më kujtohet ku në  një ditë mësimi papritmas hyri në klasë kujdestari i klasës i  nervozuar sikur nuk donte të më shikonte me sy, dhe më është drejtuar me gisht "hej t'i Nijazi Halili, ngritu në këmbë,  merre çantën dhe ik në shtëpi, nga sot je i përjashtuar nga shkolla për shkak të veprimtarisë suaj armiqësore, pa të drejtën e vazhdimit të  shkollimit dhe regjistrimit".

U ngrita në këmb i shikoja shokët e shoqet e klasës dhe morra çantën në dorë, e zhvesha uniformën, më kujtohet isha  i veshur me një bluzë kuq e zi me një shqiponjë, që ishte dëshirë e flakët.

Ishin momente që  kurrë nuk mund të harrohen, ditët më të errëta të jetës sime.

Fillova t'i  përshëndes  shokët për herën e fundit.

Sinqerisht ishin momente shumë të vështira pasi për një vitë mbeta i izoluar në shtëpi. U informova se edhe shokët e rrethit tim, profesorët i kishin sugjeruar që t'i ndërpresin kontaktet me mua, pasi konsiderohesha njeri i pa përshtatshëm ideologjikisht.

Prindi im pas dy tri dite kishte shkuar në shkollë me ftesën e kujdestarit të shkollës, dhe e kishte sugjeruar që të ushtron një ankesë në drejtori të shkollës.

Pas ushtrimit të ankesës   ishte vendosur  nga  Drejtori Idriz Halabaku, që të më rikthehet e drejta në ripovim në fund të vitit.

Një fat i mirë më përcolli më në fund, gjeta mbështetje nga profesori i fizikës Jakup Jahiri. Profesori Jakup e dinte mirë rastin dhe kështu e kalova vitin duke ju rikthyer  normalitetit.

Mirpo, pasojat më kishin përcjellur deri në kohën sa ishim në regjimin jugosllavë. Në studime e kisha të kufizuar të drejtën time, nuk kisha të drejtë të banoja  në konvikt, pasi të dhënat e mija ishin edhe në Gjykatë, person me  vijë të kuqe, besoj të moshuarit e dinë më mirë çka ishte vija e kuqe.

Tani, vetëm kujtimet mbesin. Mirënjohje dhe respekt pa fund për profesorin Jakup Jahiri i cili tani nuk gjendet në mesin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat