Poemë për refugjatët

Kultura

Poemë për refugjatët

Nga: Enver Sulaj Më: 17 prill 2023 Në ora: 17:52
Autori Enver Sulaj

Askund s’ka fund, askund s’ka shpresë

Për natën sterrë, për pyllin larg

O, Zot, thotë nëna, na ndihmo pak

Se m’u dogj shpirti, po m’kullon gjak.

Askund s’ka fund, askund s’ka shpresë

Për lotin e ëmbël të foshnjes n’gji

O Zot, thotë nëna, na ndihmo pak

Se m’u dogj shpirti, po m’kullon gjak.

Askund s’ka fund, askund s’ka shpresë

Për plagën e shpirtit që dhemb tmerrësisht

O Zot, thotë nëna, na ndihmo sonte

Ta mundim vdekjen që vjen pabesisht.

Dhe vjen një natë, që sjell një ditë

Dhe vjen një ditë, që sjell prapë natën

S’e shuan gjë etjen, asgjë urinë

Dhembjen për vdekjen, urrejtjen, zemëratën…

O Zot…

Na ndihmo sonte, largoje natën

Bëj që dielli të lindë më shpejt se dje

Se frymën e fundit po jep një shpirt

Pa e qarë kush n’këtë fushë, n’këtë dhe.

Atë trup të njomë që e këputi vdekja

Atë jetë të gjatë që mbeti n’djerrinë…

Në petale lulesh do t‘bëhet varg

Për lirinë dhe përjetësinë.

Nga libri “Diell mbi floknajë”, “ProkultPress”, Prishtinë, 2020

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat