Mitet, mëmëdheu dhe rrënjët

Kultura

Mitet, mëmëdheu dhe rrënjët

Nga: Petrit Aliaj Më: 18 prill 2023 Në ora: 14:16
Libri

Dy krijime me dy autorë të ndryshëm, patëm kënaqësinë t'i ndiqnim në takimin gjuhësor-letrar në qytetin tim të lindjes, Durrës, më 3 prill 2023, në sallën “Odeon” të pallatit të kulturës “A. Moisiu”. Aktiviteti u drejtua nga poetja dhe bibliografja zonja Teuta Dhima. Takimi u mundësua nga ana ime, si bashkëpunëtor i gazetës së përmuajshme e të pavarur “Rrënjët”, në kuadër të 20-vjetorit të saj në koordinim me organizatën mbarëkombëtare “Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile” me shoqatën “Durrësi Autokton” dhe Qendrën e Kulturës “A. Moisiu” në Durrës.

Kujtoj se në tetor të vitit të kaluar, me qendrën e Kulturës “A. Moisiu”, të drejtuar nga zoti Elio Bajramaj dhe me shoqatën “Durrësi Autokton” me kryetar zotin Abdulla Deliallisi, arritëm të sillnim nga Italia performancën teatrale “Burrnesha”, me regji dhe skenar të regjizores së palodhur Valbona Xibri, ku në rolin e burrneshës luante aktorja e talentuar ukrahinase Maryna Ivashchenko, e cila arriti të interpretojë për publikun në tre gjuhë.Me këtë rast për kontributin dhe bashkëpunimin tim të përhershëm në zhvillimin, evidentimin dhe demostrimin e veprave me vlera artistiko –kulturore për qytetin tim të lindjes,dashamirësit e artit më vlerësuan me titullin e lartë “Mirënjohja e Qytetit”

Përshkrimin tim për takimin letrar-gjuhësor e pagëzova me titullin “Mitet, Mëmëdheu dhe Rrënjët”, një lidhje që ua bën vetë gjuha personazheve mitikë me mëmëdheun, si pjesë themelore të një kombi, të cilat transformohen, evoluohen dhe trasmetohen për të mos humbur identiteti ynë që bart brënda tij historinë, kulturën, fenë, etninë dhe territorin.

Përpjekjet e shumta për t'i mbajtur të lidhur këto elementë në kohë dhe tashmë, nga disa intelektualë, studiues, patriotë të devotshëm e të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që kanë ndaj atdheut dhe kombit, u arrit bukur me përbledhjen që zonja Teuta Dhima i bëri përmbajtjes së librit “PËR MËMËDHENË” (volumi III),të autorit Dashamir Uruçi, ing. jurist, shkrimtar, poet, publicist, hulumtues, analist dhe autor i disa deklaratave ku shpreh shqetësimet e tij për zhvillimet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kosovën Lindore, Sanxhak e Çamëri.  

Me këtë rast pyetje-përgjigjet moderator-autor-autoditor u pritën me shumë kërshëri nga publiku në saj të fragmenteve të shkurtra, që vetë autori solli nga jeta e tij familjare dhe shoqërore, me aktivitetet e pasqyruara në libër ndërmjet shumë episodeve, artikujve, intervistave, mendimeve, opinioneve, fjalimeve publike si edhe kronika të ndryshme. Preokupimi i tij si intelektual i kompletuar dhe patriot e shtyn të luftojë në interes të shoqërisë me forcën e armës së tij, fjalës, për realitetin, për të thyer heshtjen dhe impaktin që ka pushtuar shoqërinë shqiptare të keqpërdorur, përfshirë median e parcelizuar, të politizuar e të topitur gjatë 32 viteve. Ngritja e zërit ndaj padrejtësive dhe mbrojtjes së interesave kombëtare kudo ku flitet shqip, i shtyn të dy autorët që të angazhohen për organizimin e një Kuvendi Kombëtar Shqiptar me veprimtarë nga të gjitha vendbanimet shqiptare dhe diasporë. 

Mitet dhe mëmëdheu janë rrënjët tona si pjesë e së njëjtës medalje që quhet komb, ku njera anë është e mbështjellë me shkencën e gjuhësisë për nga lashtësia, e dallon gjuhën shqipe të mbijetuar mbi perandoritë dhe si një rreze drite u heq pluhurin e shekujve dorëshkrimeve të fjetura, duke i vendosur ato në rrjesht, si nxitëse e zhvillimit të gjuhëve të tjera. Dhe tjetra, e sotmja dhe e pëhershmja gjuha. Pikërisht është ajo që arrin tu japi shpjegim “Miteve” ku brenda tyre të fshehur si djalli kanë hyrë personazhe të veshur me petkun helen por që flasin një gjuhë tjetër, të cilën studiuesi Agron Dalipaj e quan pellazgishtja e vjetër në funksion të sendit, vendit, karakteristikat kryesore reale të aplikuara mbi bazën e teorisë së embriomorfemave dhe të disa rregullave të njohura gjuhësore, të cilat zbardhin misteret e tyre të aplikuara në motivimin etimologjik të fjalës. 

"Mitologjitë që sot i njohim si greke, - shkruan studiuesi Agron Dalipaj në parathënie të librit të tij, - janë një nga shtyllat kryesore të asaj që na kanë mësuar t'i njohim si kulturë të antikitetit helen, por, në fakt, janë një përmbledhje e mitologjive të paraantikitetit grek, të përkthyera në greqishten e vjetër e që na kanë mbërritur, falë atij përkthimi deri në ditët e sotme, e kjo është një vlerë e madhe që i njihet greqishtes së vjetër." Mirëpo kjo gjuhë nuk arrin të shpjegojë siç e shpjegon gjuha shqipe kuptimin e emrave dhe të personazheve, duke dëshmuar se sot gjuha e gjallë dëshmohet automatikisht si gjuha më e vjetër e kontinentit Europian, e cila zbardh një të vërtetë, për të na dhënë një realitet gjuhësor tjetër dhe më bindës. Në këtë drejtim nuk munguan pyetjet e shumta dhe përgjigjet që Agron Dalipaj i shtjellonte me argumentet që parashtronte në të gjitha rastet e kuptimeve që shpjegimi i fjalës, gjendet brenda fjalës shqipe. Në këtë rast do të qëndroj të shpjegoj pak një takim që z. Dalipaj e realizoi në provincën Belluno në Itali me përkujdesjen e drejtuesit të shoqatës AlbaBell, ing. Artan Shyti në shpalosjen e librit të tij “Latinishtja dhe italishtja në prizmin e shqipes”. Për kuriozitet shtoj se në sallë ndodheshin dhjetra intelektualë vendas, të cilët në pyetjet dhe shpjegimet e shumta që plotësonte autori Dalipaj, dakordoheshin me tabelën e embriofermave me spektër sematik të bashkëtingëlloreve që kur bashkohen me të gjitha zanoret na krijojnë shtatë kuptime, gjë e cila nuk ndodh me gjuhët e tjera etj. Në pjesën e tretë të aktivitetit zj.Teuta Dhima u ndal mbi aktivitetin 20- vjeçar të gazetës së pavarur  “Rrënjët” nën kujdesin e z. Hasan Aliaj si drejtor dhe botues i saj në Romë, i cili gjatë këtyre viteve i ka dhënë zë gazetës në saj të një bashkëpunim me intelektualë të shumtë e me profile të ndryshme si; historianë, shkrimtarë, albanologë, përkthyes, studiues, gjuhëtarë, arkeologë, ndërtues, poetë e krijues të artit shumë planësh. Me këtë rast ajo i ftoi të pranishmit të merrnin një kopje të gazetës, të cilat u afruan nga unë dhe të ekspozuara së bashku me librat e autorëve.

Në takimin "Mitet,  Mëmëdheu dhe Rrënjët" ishin shumë intelektualë të elitës durrsake si dr. Arben Haxhihyseni, të cilin e falenderoj përzemërsisht për vlerësimet e tij si edhe për darkën që  ai shtroi për autorët dhe të ardhurit nga larg në një nga ambientet më të bukura të shëtitores, përgjatë bregdetit që e llamburisin me dritat shumë ngjyrëshe atë, deri në kufijtë e humbjes së tyre në bardhë e zi. Reflekset shumëngjyrëshe të dritave, kërcenin mbi valëzat e vogla në ndjekje të njëra tjetrës dhe  të ngacmuara nga një puhizë e lehtë që fryn ç’do mbrëmje, karakteristike për kohën që ndan dimrin me pranverën në Durrës. Nuk munguan në takim fotografi veteran Luan Jaupi, i cili dallohet për një “arsenal” të shumtë e të vyer, që ka realizuar me aparatin e tij ndër vite, mësuesi i letërsisë Shpëtim Kodra, drejtues për kulturën në shoqatë, detari Enver Gucia ish kapiten anije, piktori i apasionuar Arben Kristani, i cili pak ditë më parë demostroi punimet e tij në ekspozitën që u hap në Zarë të Kroacisë, studiuesi dhe shkrimtari Shpend Topollaj, letrari dhe poeti Agron Çalliku, dr. Frosina Bardhi, drejtoresha e bibliotekës së Durrësit dr. Mirela Ylli, dr. në shkencat mjeksore Eda Harizaj kandidate e shoqërisë civile për në Bashkinë e qytetit, Prenush Paloka, dr. Juliana Beqiraj e ngarkuar për marketingun në teatër, vajza e shokut tim të fëminisë, bateristit Xhani Mushketa, nga e cila mësova edhe për premierat që trupa e Teatrit A. Moisiu do të realizojë për gjatë sezonit veror. Nga Tirana nuk munguan edhe miqtë e artit z. Ilir Memlikaj dhe veprimtaria nga diaspora zj. Antoneta Nushi, një kohësisht edhe koordinatore e Organizatës së Kuvendit Kombëtar, e cila kishte ardhur së bashku me të nderuarën Flora N. Nikolla, themeluese dhe drejtuese e organizatës “Albanian Excellencë” autore, skenariste, gazetare, redaktore, analiste dhe aktiviste e shoqërisë civile në fushën e mjedisit. Me këtë rast shpreh kënaqësinë time që së bashku me dr. Flora N. Nikolla do t'u japim rrugë disa iniciativave të përbashkëta me Federatën Kombëtare të Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI) e gjetkë. Nga Luksemburgu në takim ishte edhe dr. Besmira Uruçi, specialiste në fushën e të drejtave kontraktuale, financuesja e librit "Për Mëmëdhenë" dhe vajza e zotit Dashamir Uruçi. Duke përfunduar, nuk mund të lë pa falenderuar fotografin e ri dhe të talentuar, mikun tim të papërtueshëm, Griseld Hoxha, i cili, thuajse, në çdo aktivitet më plotëson me fotot e tij kuadrin e bukurisë së takimeve në Durrës. Griseldi po përgatitet për një ekspozitë fotografike në bardh e zi, ku në objektivin e tij ka futur aspekte spontane të jetës së përditshme, mrekullitë e pejzazheve të natyrës që e rrethojnë qytetin tonë të lindjes.

Uroj që dikush të mundësojë hapjen e  një ekspozite të këtij djaloshi të talentuar Griseld Hoxha, që të bën të mendohesh, të admirosh një moment edhe një personazh të pa  njohur, një buzëqeshje apo një puthje ndërmjet të dashurve, aspekte të botës së trishtuar e individë pa të ardhme, të braktisur nga shoqëria e të tjerë albume fotografish, të cilat të kthejnë në një botë çudirash të një boshllëku që po kalon arti fotografisë në Shqipëri. Në këtë pasdite të bukur në qytetin tim të lindjes u ndjeva mirë, ashtu siç edhe ndihem mirë sa herë që miqtë e shumtë të artit dhe të kulturës janë gati të bashkëpunojnë për realizime takimesh artistike, të cilat e pasurojnë jetën kulturore të qytetit. Pak ditë më parë pata rastin të isha i ftuar nga z. Abdulla Deliallisi në manifestimin artistik kulturor “Festa e Pranverës 2023” organizuar nga shoqata “Durrësi Autokton” me Bashkinë e qytetit, në të cilin u vlerësuan me titujt e nderit “Ambasador i Qytetit të Durrësit”, violinistët Pandush Gjezi dhe Olen Cezari për virtuozitetin e tyre në violinë me debutime në koncerte me orkestra bashkëkohore dhe baritoni Gëzim Myshketa për interpretimet e tij në operat Bohem, Madam Baterflay, Carmen, Figaro, Turandot etj.

Të vlerësosh ata që i japin emër Shqipërisë është një punë e paqme, ashtu sikurse unë i përshëndes të gjithë me urimin nga zemra për të pasur gjithmonë pranverë, arti në qytetin tim të lindjes Durrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat