Poeti i dashurisë me ndriçim vlerash në sytë e shpirtit

Kultura

Poeti i dashurisë me ndriçim vlerash në sytë e shpirtit

Nga: Baki Ymeri Më: 22 prill 2023 Në ora: 22:36
Foto ilustrim

Remzi Basha të përball me hapësirat pa kufi të fantazisë krijuese. Ai sjell një vlerë të shtuar në begatinë letrare të vendit dhe “qëndis” vlerësime, fisnikëri e sinteza për vyrtytet më të mira njerëzore. Çdo shkrimtari e poet ia zbulon vlerat e ndjesitë njerëzore dhe plot fantazi “qendis” bukuri të adhurueshme të vendlindjes, me një shpirt që të “trondit” mendimet dhe impresionet pakufi të ndjenjave…

Dritë e ndjesi të larta sjell autori me vyrtytet themelore të popullit tone. Remzi Basha i ka ngritur në vlera arti me një gjuhë të thjeshtë rrëfyese dhe ndjesi të mëdha shpirtërore. Madje është e dukshme vlera humanitare brenda të cilave zhvillohen ndjenja të thella të gëzimit e të optimizmit, dhe i gjejmë të zhvilluara edhe në filozofinë e krijimarinë e ekzistencialiste siç janë nobelistët Sartre (1905–1980) dhe Kamy (1913–1960) apo tek folozofi gjerman Jaspers (1883–1969). Penda artistike e Remzi Bashës përshkruan me ngjyra mallangjyese jetën në vendlindje dhe në diasporë. Atë e sjell edhe si romansier, edhe si poet i shquar dhe prozator i arirë në letërsinë shqipe, si një prurje plot hijeshi e bukuri.

Me krijimtarinë e tij, autori takohet tek limani i dashurisë së paharruar, ku zhvillon vlera njerëzore midis kujtesës dhe harresës, midis dhimbjes e frikës, midis plagëve të shpirtit dhe ëndrrave të paharruara. Në romanet e tij përplasen kundërshtia e mendimeve dhe botëkuptimeve të personazheve me tipare të veçante dhe me psikologji të ndryshme, të urtë e të durueshëm, me plot femra të hijshme e të ëmbla si mjaftë e gërshetuar me zjarrin e dashurisë. Mbi tavolinën e lexuesit autori vendos një kryevepër të bukur. Me fisnikërinë e kujtimit të një kirurgu, ai flet me pedagogun dhe shkencëtarin që në mjekësi është i rrethuar me aureolën e vyrtyteve të larta njerëzore. Sipas misionit të këtij mjeku dhimbja e të sëmurit bëhet pjesë e jetës së tij. Afërdita e tij është ajo që ia dha veshkën dhe ia shpëtoi jetën.

Që të jesh mjek nuk mjafton përkushtimi profesional, njeherësh duhet të përjetosh shpirtërisht edhe gjendjen e të sëmurit. Remziu shpalos për lexuesin e gjerë mesazhe të humanizmit dhe vlera të mëdha njerëzore të bluzave të bardha, duke paraqitur mjekun si model të një etike shëmbullore në jetë dhe thekson me zë të lartë për brezat se vyrtyti është dhuntia më e shenjtë, më hyjnore dhe humanizmi është fryt i qytetërimit. Si një mozaik diamantesh, thjeshtë pa zhurmë e pa bujë, shkrimtari na e sjell në vemendje faktin se personazhet historike ilire na dhurojnë në shpirtë hapësirë, kulturë dhe kënaqësi.

Autori me këto përshkrime vyrtytesh na e rishfaq femrën ilire si një hyjni dhe realisht të përjetuar. Në të gjitha këto përshkrime dritëson njëherësh edhe dëshira për paqe duke e lënë të lirë hapësirën për të adhuruar, ashtu sic ndodhi me të vërtetë me këtë figurë të madhe historike. Nëpërmjet zhvillimit të ngjarjeve autori na bënë të njohur ashpërsinë e maleve të Sllapuzhanit me një bukuri romantike të veçantë, sepse Zoti e ka krijuar Kosovën për bukuri e teatër lufte.

Tek realizimet lirike, Remzi Basha shpërthen në ndjenja poetike dhe llavën e tij shpirtërore, që i shton dhe përkushton diasporës shqiptare ylberin e atdhut. Krenaria e artit kombëtar shqiptar është një mesazh i madh i unitetit shpirtëror, moral e psikologjik të popullit tonë dhe kjo forcë tërheqëse e leximit të bënë për vete me freskinë e larminë e saj. Prurjeve në letërsinë shqipe me stil të vecantë lirik dhe prozaik, autori nderon emrin e vet që shquhet për ndjesinë shoqërore dhe atdhetare. Remzi Basha ka krijimtarinë e vetë origjinale që shquhet për prurje të reja në letërsinë shqipe. Ai është shkrimtar realist që i qëndron besnik jetës shoqerore dhe vlerëson faktin e artit letrar në pasqyrimin e plotë të ndodhive apo fenomeneve jetësore në të vërtetën e saj. Ai është autor i 70 vëllimeve me poezi dhe tregime.

Krijimtaria e tij është vlerësuar nga kritika letrare me shumë vlerësime, fisnikëri e sinteza për vyrtytet më të mira njerëzore në veprat e tij me natyrë krenare e kombëtare, të shkruara fisnikërisht dhe bujarisht, siç është shpirti i krijuesve tanë të nderuar në tempullin e artit e letërsisë së diasporës sonë. (Bukuresht, Prill 2023)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat