Ndërlidhja fiktive dhe reale e rrëfimit tradicional te romani “Gurë mbi kala” të autorit Ismail Arsllani

Kultura

Ndërlidhja fiktive dhe reale e rrëfimit tradicional te romani “Gurë mbi kala” të autorit Ismail Arsllani

Nga: Remzi Salihu Më: 26 prill 2023 Në ora: 17:09
Romani

Me një dhunti dhe angazhim dinamik e sublim, autori Ismail Arsllani nga Tetova, në romanin e tij të dytë të botuar këtyre ditëve, pas “Misionarit të kasabasë” (dy vjet më parë), ka krijuar një art të kapshëm dhe të rëndësishëm për lexuesit e kohës sonë, kryesisht duke pasur përherë në orbitën e tij të ndërgjegjes së pastër, meditimin dhe qëllimin e njeriut të angazhuar për risi dhe art e kulturë përparimtare. Kjo shihet qartë në marrëdhëniet e tij të përhershme me ngjarjet dhe sakrificat jetësore të shoqërisë. Këto ide dhe qëllime të autorit, vëmendshëm, prekin ngjarje (segmente kulturore) që janë të lidhura ngushtë me kohën dhe hapësirën. Sepse kjo anë apo “kasaba” ku frekuenton imagjinata e autorit, është e mbushur me plot ndodhi dhe sakrifica tronditëse, të cilat autori nuk i lë pa i identifikuar realisht dhe artistikisht nëpër rrjedhat e kohës. Të sjellësh në dritë ndodhitë nga e kaluara e popullit tënd do të thotë të mbash të freskët kujtesën historike dhe peripecitë e shumta të tij, bashkë me shkaqet dhe pasojat e ndodhura, gjatë zhvillimeve të shumanshme shoqërore, ku vëmendshëm ngjizen së bashku gëzimi dhe hidhërimi i tërë popullatës së kësaj ane të qytetëruar. Kështu, duke u përballur me të vërtetën dhe ngjarjet e së kaluarës, ndriçohet kthjellët e sotmja dhe e nesërmja shpirtërore e sociale e këtij populli, që kërkon me çdo kusht ta mbajë gjallë veten dhe hapësirën ku jeton e vepron. Hapësirë e dhimbshme, ngandonjëherë edhe tragjike, që përfshinë në vete nocione realiste dhe ekzistencialiste të trashëguar me vështirësi e sakrificë nga gjenerata në gjeneratë. Kemi këtë bindje, mbase kemi të bëjmë me një autor serioz që një kohë të gjatë ka qenë i angazhuar me përvojën e tij të madhe në jetën kulturore të kësaj ane dhe, si i tillë dhe i përkushtuar, i ka përcjellë vazhdimisht fenomenet e ndodhura të kohës dhe të njerëzve.

Në këtë kontest të njohjes së rrethanave dhe fisnikërisë së njerëzve, Ismail Arsllani shpalon vlerat dhe angazhimet e qytetarisë, të relikteve autoktone, ose dukurive të tjera tipike shoqërore që kanë mbetur si organizëm i fuqishëm dhe i trashëguar nga e kaluara historike. Kështu duke vizatuar kara- kteret e personazheve, qoftë ato pozitive apo negative, autori kërkon me zgjuarsi të vendos fakte historike të një etnie ekzistuese, në përputhje me njohuritë e tij artistike e estetike të kursyera dhe të grumbulluara me vëmendje, kryesisht për një të kaluar ndikuese kulturore, me tradita e zakone të bartura edhe në kohën tonë. Duke shfaqur vazhdimisht ngjarje dhe karaktere egosh të theksuara, me mjeshtëri narrative, autori Ismail Arsllani, harmonizon lirinë shpirtërore të tij me mentalitetin e trashëguar nëpër rrjedhat e historisë së kësaj ane.

Autori Ismail Arsllani, bën për lexuesin kodimin e ndodhive të shumta historike, të cilat kanë ndodhur në këto anë. Nëse Umberto Eko dekodonte shenjat e ikonave, Arsllani dekodon artistikisht gurnajat e kalave, doket dhe zakonet vepruese të popullit, bashkë me ngjarjet e shumta që kanë ndodhur rreth kësaj kështjelle të kasabasë, për ta sublimuar më në fund idenë dhe ngjarjen në një rrjedhshmëri atraktive dhe interesante.

Autori në strukturën e romanit “Gurë mbi kala” ka futur intertekstualitet për të qenë më i kapshëm në ngjarjet që rrëfen. Brenda tekstit shihet edhe konvencioni i shprehjeve të posaçme nga e folmja dhe të menduarit tradicional të kasabalinjve dhe fshatarëve, ku zhvillohen ngjarjet dhe veprimet njerëzore. Po ashtu ka fragmentaritet të qasjes, por aty në atë përqasje artistike, në asnjë moment nuk humbet rrjedhshmëria e natyrshme e rrëfimit. Kështu, Malësor Deda mik me samarxhi Selmanin, i cili kishte qenë shkaktar apo ndërmjetësues për të shërbyer te Baba Dijetari, do të bëhet subjekt rrëfyes, apo narrator i ngjarjeve të shumta, që kanë ndodhur në një hapësirë dhe kohë të caktuar. Ai duke na e shfletuar Ditarin për të parin e pashallëkut të Kasabasë, jep efektin e kureshtjes dhe të dinamikës së ngjarjes së evidentuar.

Në roman ndeshemi edhe me mekanizmin e idealit të mbajtjes së fjalës së dhënë, ku përveç rregullave të rrjedhshmërisë së konfliktit psikologjik e dramatik, vihen nën vetëdije edhe elementet estetike të trashëguara nga letërsia popullore, siç është ajo ndarja e Aga Ymerit dhe fjala e dhënë me të dashurën e vet, e cila duhej ta pres me besnikëri deri sa ai të kthehej nga largimi dhe koha e pa definuar. Kështu, në këtë detaj të konfliktit gërsheton ndodhitë e ndarjeve, prandaj ndalja e akrepave të orës, dhjetë minuta pas mesnatës dhe fjala e dhënë e Rronës, që koha të pushojë derisa të kthehet Duraku, ishte vendimi dhe sinqeriteti njerëzor midis këtyre dy të rinjve, që kishin kryqëzuar simpatitë dhe zemrat për njëri-tjetrin.

Për shkrimtarin Ismail Arsllani, shihet qartë se arti i të shkruarit nuk është vetëm provokim, por edhe vetëmohim për të mbrojtur vlerat e mirëfillta shoqërore të trashëguara të kohës. Kjo bëhet me një përqasje individuale, që për bazë ka pikën e qendrës së kreativitetit estetik, për të treguar një harmoni të kuptueshme midis lexuesit dhe ngjarjeve që zhvillohen brenda konfliktit, me kundërthënie të shumta në rrëfim.

Në roman bëhet fjalë për kasabanë e vilajetit të Rumelisë dhe në këtë kohë më 8 tetor 1826 formohet edhe “Pleqësia Atdhetare”, e cila kishte për synim çlirimin e vendit nga pushtuesi. Shkrimtari nga shumë detaje e ngjarjesh, krijon një tërësi rrëfyese, e cila lidhet me botën e personazheve që evoluojnë në karaktere të ndryshme sipas rrethanave dhe kushteve sociale të kohës. Autori e lidh shumë mirë fiktiven me realitetin me anë të personazheve historike me ato të imagjinuar. Romani ka një fillim dhe mbarim të koordinuar mirë, ku shihen qartë shkaqet dhe pasojat e jetës së personazheve në një kohë të caktuar historike.

Ngjarjet kanë tension rrëfimi artistik, ku dalin në skenë shumë motive shoqërore të kohës së atëhershme dhe të kohës sonë. Duke rrëfyer një ngjarje të së kaluarës, autori me stilin e tij gjuhësor paraqet diskursin e përshtatshmërisë së gjuhës dhe mendimit konvencional, ku ndërlidhet mjeshtëria e spontanitetit dhe objektivitetit, kryesisht nga ana stilistikore për të krijuar subjektivitetin kreativ të të rrëfyerit të rrjedhshëm. Fryma e kësaj vepre letrare, bashkë me personazhet e vendosura në rrëfim, ndërlidhet në një metonimi, kryesisht duke u mbështetur në dukuritë ekzistuese, në hapësirë dhe kohë, që shëmbëllen botën përreth nesh.

Romani ka në brendi, një lëmsh ngjarjesh të ndërlidhura njëra me tjetrën, të cilat ndërtojnë kompozicion formal të tërësisë, në strukturën e të rrëfyerit. Kemi të bëjmë me një model merceologjik, mal njohurish me informacion të duhur dijesh, kryesisht duke i lidhur ngjarjet e shumta me tërësinë.

Në roman kemi të bëjmë me një ngjarje që ka ndodhur në të kaluarën, e cila del në skenë nga ditari i gjetur apo i fshehur në muret e kullës, e që bie në duart e narratorit Malësor Deda. Kemi të bëjmë me një parafiguracion, që ngërthen në vete dokumente letrare, burime historike apo edhe ndonjë rrëfim familjar, por nuk mbetet aty pa u ndërthurur edhe elementi i figuracionit artistik të rrjedhshëm gjuhësor, që ka të bëjë me botëkuptimin dhe fiksionin e autorit për këtë gjini letrare.

Këto paradigma dalluese në romanin “Gurë mbi kala” të autorit Ismail Arsllani, inkarnojnë në rrëfim refiguracionin që ndërlidhet artistikisht me mesazhin, vizionin, apo edhe me idenë e tij. Kështu lexuesi mund ta shpalojë figurën duke e bërë sa më konstruktive, e që në esencë të idesë ndërlidhet teoretikisht me figurën e mikrotekstit dhe makrotekstit strukturor të romanit. Por aty nuk mbetet pa u vërejtur edhe elementi etnologjik i shoqërisë, ku dominon jeta sociale dhe ideologjike e personazheve, bashkë me zakonet dhe doket ekzistuese në rrjedhat e kohës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat