Nji pllambë “Mirditë” në New York!

Kultura

Nji pllambë “Mirditë” në New York!

Nga: Artan Lleshi Gjomarkaj Më: 6 maj 2023 Në ora: 17:28
Kopertina e librit

Miqtë e mi e dinë se e kam dashurue librin qysh prej kopertinës e deri në shpirt të kuptimit fletë për fletë deri në të fundit faqe. Ata që ma ngjiten këtë “sëmundje të ambël” kan qenë shkrimtarë të përmasave, poetë e burra të gjurmëve të fjalës së artë. Kam njohur për pak kohë të madhin poet Frederik Rreshpja e me kujtohet fort mirë tryeza e çelçit plot dorëshkrime e gota përzier e kurrë nuk i harroj perqafimet atnore të Frederikut, ato perqafime që për fat të keq kurrë nuk m’u dha rasti t’ia ktheja në ditët e tija të vështira. Sa herë dilja nga ajo lagje, nuk shqitesha kurrë pa u përshëndet edhe me at’ Zef Pllumin.

Kam qënë fort i ri ato vite kur me një turrë rimini në sy, kapesha herë pas herë tek klubi i poetëve ku më të preferuarit ndër miqtë e mi ishin fisniku Zyhdi Morava , i mençuri e i rralli Pano Taçi e i mrekullueshmi ati i poezisë së Re, Fatos Arapi të cilin nuk e ulnim dot në tryezë sepse ai nuk pinte kurrë verë, ndoshta sepse vetë Fatosi ishte vlimi ma i bukur i poezisë shqipe.

Ju betohem, miq lexues e ju premtoj se do të ndalem shpesh ndër stacionet e ktyre gjigandëve duke menduar se kësaj radhë rreshtat e mi i përkasin një zhanri paksa ndryshe, zhanrit të letërsisë historike me muzë Kombi përzier, sikur kam gjetur ne në një  përmbledhje shkruar larg viseve nga mjeshtër të artë të mendimit të sotëm.

Dikush ende jeton plot shendet e vizion fisnikërie, virtyt e traditë malësori dhe burrat e mërgimit i thërrasin në emër, baca Tomë Mrijaj. Emri i tij ishte përzgjedhur fshehurazi dijes se tij nga historiani i njohur Z.Nue Oroshi dhe është sjell ne librin ” Tomë Mrijaj – Një jetë në shërbim të nacionalizmit, humanizmit dhe kulturës shqiptare, botuar në Prizren nga shtëpia botuese “Lumbardhi”, me redaktim te prof.dr Muhamet Shatri, recensent Eugjen Merlika dhe Klajd Kapinova, me interesim dhe shpenzime te kryera nga shoqata patriotike “Trojet e Arbrit” me seli ne Kiel të Gjermanisë.

Libri sjell pranë lexuesit “fytyrën” engjëllore të një njeriu të madh të ditëve tona, të cilin nuk e shohim ndër televizione sepse ai merret me pune të zakonëshme dhe me patriotizëm. Rrënjët  dhe origjina e patriotit Tomë Mrijaj janë Mirdita e vjetër nga ku dy shekuj më parë, të parët e tij mërguan ne Gjakovë. Sikurse mërgimi i bë plagë për trojet shqiptare, qysh shumë vite më parë, edhe Toma largohet prej vendit të tij te lindjes dhe vendoset në shtetin e Lirisë se të gjitha lirive, në Amerikë.

Për vite e vite, Tomë Mrijaj ka qëndruar pranë fisnikëve te Mirditës në New York, kapidan Ndue Gjomarkaj dhe Monsinior Zef Oroshi, ku kapidan Ndue Gjomarkaj ka qënë drejtues i Bllokut Kombetar Indipendent ndërsa at’ Zef Oroshi ka qënë themelues i kishës katolike “Zoja e Shkodres” në New York.

Unë e kam njohur Tomën pas daljes së librit të jetëshkrimit të tij, dhe nga ai shtrëngim duarsh kam kuptuar arsyen pse një mori shkrimtarësh e publicistësh i janë kushtuar me kaq zell jetës dhe veprimtarisë se tij patriotike dhe nacionaliste.

Në libër sjellin përshtypjet, emocionet dhe përshkrimet e tyre autorët e dëgjuar si: Prof.dr Muhamet Shatri, Prend Buzhala, Eugjen Merlika, Klajd Kapinova, Bianka Gjomarkaj, Mërgim Korça, prof.dr.Riza Sadiku, Msc Kristinë Oroshi, dr. Ermelinda Kashah, dr.Besim Morina, Pal Canaj, Sadri Morina, Beqir Sina, Selman Etemi, prof.Isuf Bajraktari, Pjeter Nikolla, Astrit Tota-skenograf, Avni Bilalli, Mr.sc Rezehana Hysa, Prend Gjokë Prendi, Leonora Laçi, Lekë Mrijaj, Mikel Gojani, Laureta Mrijaj dhe përmbledhësi e organizatori i librit,Mr.sc Nue Oroshi.

Kjo larmi e jashtëzakonshme autorësh përshkrues e sinkronizim librin në një trup të vetëm letrar me të njëjtin qëllim dhe subjekt personazhi  por me modele e stile të veçanta përshkrimi duke arritur më së miri ne zbulimin e ngjyrave dhe notave te rralla te patriotizmit, cilësi që veshin imazhin e ktij atdhetari të shquar ashtu sikurse edhe në realitet. Është rast i rrallë në letërsinë shqipe kur një detektiv autorësh bien heshturazi në të njëjtën gjuhë, sejcili me stilin e tij në përshkrimin e të njëjtit personazh dhe prapë më i rralle mbetet rasti sepse autorët janë te krahinave te ndryshme e pa te njëjtin angazhim të përditshëm, të gjithë pikasur e nuhatur me mjeshtri nga përmbledhesi i librit, z.Nue Oroshi e bashkuar ne një vepër të vetme. Për mendimin tim këtë rast më shumë se asgjë e ka sjellë të ndodhë fakti i nevojës së vetë letërsisë shqipe për t’u përshtatur me realitetin e sotëm historik si fazë letrare sepse vetëm kjo fazë e ndihmon letërsinë shqipe të shkëputet pa shenja e dëmtime të penës nga realizmi stoik socialist. Në një të tillë rast ,letërsia kuptohet sic duhet ne misionin e saj ne raport me shoqërinë ,letërsia bashkeudhëton gjithashtu në një hap me shoqërinë  dhe fiton luftën mbi personazhin imagjinar të shterrur e sajuar si dhe i jep nxënësit dhe lexuesit shembullin e freskët të mishërimit të cilësive të mira të personazhit me qellim dhënien e kuptimit të së sotmes kombëtare duke diktuar llojin e intelektualit dhe të patriotit të cilit ende i rreh zemra për atdhe e vendlindje.

Kushdo është kurioz për këtë vepër të vyer, le të kërkojë adresën t’ime sepse do t’ua mundësojmë kopjen edhe pse për momentin kopjen që më është nënshkruar mua un po ja dhuroj redaksisë së gazetës  “Nacional” në shenjë respekti e mirënjohje për punën e vyer të mbledhjes dhe vlerësimit të letërsisë së sotme shqipe, edhe kjo në fazat më të vështira të saja për te gjitha arsyet.

Tek ky libër un kam zbuluar një copë Mirditë të herëshme në New York e ju falem nderës te gjithë autorëve të cilët kanë përcjell me aq mjeshtri në faqet e librit frymën dhe rolin e rëndësishëm të njeriut të vlerave si shembull të gjallë për sejcilin bashkëkombas pavarësisht se ku ai aktivizohet e jeton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat