Libri publicistik “Rugovën, si e kam njohur” (ngjarje, takime, kujtime) - i botuar në Tiranë në qershor të vitit 2022 nga Uetpress me një parathënie të Henri Çilit.

Kultura

Libri publicistik “Rugovën, si e kam njohur” (ngjarje, takime, kujtime) - i botuar në Tiranë në qershor të vitit 2022 nga Uetpress me një parathënie të Henri Çilit.

Nga: Prof. Pal Sokoli Më: 31 maj 2023 Në ora: 08:56
Prof. Pal Sokoli

Libri përfshinë ngjarje të viteve të tetëdhjeta e deri në vitin 2006 kur Ibrahim Rugova ka ndërruar jetë. Për të shkruar memoare për një protagonist duhet të jesh bashkëveprimtar i tij. z. Gani Mehmetaj ka përcjellë nga afër ngjarjet dhe për atë edhe memoaret e tij për një personalitet të shekullit, një urtaku të shekullit, mendarit dhe mandatarit, studiuesit dhe vizionarit, Ibrahim Rugova janë autentike, reale, me të gjitha të mirat dhe të këqijat qe kanë përcjellë qëndresën e popullit shqiptarë, një gjakim për Dardaninë e pavarur.

Ibrahim Rugovën e solli fati në krye të qëndresës historike kundër regjimit kriminal të udhëheqjes serbosllave. Fati i të gjithë dardanëve ishte se pikërisht në kohën e ndryshimeve të mëdha të shekullit u ndryshua edhe elita politike qe doli përballë diskursit politik nacionalist serb. Ishte koha kur republikat tjera kishin filluar të formonin alternativën politike. Në Slloveni varrosët stafeta e rinisë në oborrin e Universitetit në Lubjanë. Serbia shtrëngonte rrethin e hekurt qe me kohë ta nënshtroi dhe ta përmbysë edhe atë autonomi qe kishim nga viti 1974, dëshironte qe ta koncentronte të gjithë vendimmarrjen në Beograd.

Formimi i Lidhjes Demokratike ishte ngjarja më e rëndësishme e shekullit XX me 23. 12. 1989, dhe u përkrah masovikisht nga populli shqiptarë i Dardanisë duke u konsideruar si vazhdimësi e Lidhjes së Prizrenit. Mori përmasat e një partie ma të madhe në gjithë gadishullin ilirik me mbi shtatëqind mi anëtarë dhe me kryetar Dr. Ibrahim Rugovën. Këtë libër memoar të z. Gani Mehmetaj mund ta studionim në tri periudha të rëndësishme:

1. Prej viteve tetëdhjeta deri të formimi i LDK-së.

2.  Uniteti kombëtar dhe ndërkombëtarizimi i çështjes se Kosovës, dhe njëkohësisht reprezaljet dhe krimet serbe në vazhdimësi, dhe 

3. Periudha e pasluftës, pozicioni i palëkundur i Rugovës ne trusninë politike ndërkombëtarë dhe brenda kombëtare.

 1.Periudhën kur Ibrahim Rugova në krye të LDK-së formoj sistemin paralel të pushtetit në Kosovë. Bashkoi të gjithë popullin rreth kësaj lëvizje dhe ndërkombëtarizoi kërkesat e popullit të Kosovës. Është simptomatike për të mirë dorëzimi gjithë popullor i librezave të LK-të Serbisë- Jugosllavisë dhe anëtarësimi në LDK. Diplomacia e tij jo imponuese por me qasje intelektual hapi dyert e të gjitha qendrave të vendosjes në Europë dhe në Amerikë. Kultura prej demijurgu dhe studiuesi ishte brumi kryesor i demokratizimit shoqëror. Kjo periudhë është karakteristike edhe me organizimin e zgjedhjeve demokratike ku u angazhua i tërë populli qe këto zgjedhje të realizoheshin me sukses, dhe ku besimi ju dha gjithmonë, Presidentit Rugova. Këtë periudhë autori Gani Mehmetaj na pasqyron rrjedhshëm me gjithë veprimtarinë e presidentit Rugova dhe ballafaqimet e tij me diplomat dhe diplomacinë europiane dhe botërore por edhe me përkrahjen dhe kundërshtitë e brendshme nga të shpifur e të shitur, të njohur si kolonë e pestë.

Përgatitja për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, evidentimi i popullsisë së aftë për luftë dhe e komandove në shtetin amë ndiqej më shumë kujdes nga sigurimet e ndryshme, UDB-ja serbe por edhe sigurimi shtetëror i shtetit amë. Fatkeqësisht veprimtaria konspirative u deshifrua shpesh edhe nga aty kah nuk pritej. Kjo bëri qe presidenti Rugova anashkaloj shpeshherë edhe figura të ndryshme të udhëheqjes shqiptare asokohe. Të marrësh pjesë në zgjedhje serbe apo edhe në institucione shtetëore serbe sugjerohej shpesh nga disa udhëheqës shqiptarë sidomos të partive të majta dhe bërthamave të tyre në mërgatë qe më vonë u kthyen në kolonë të pestë kundër demokracisë rugoviane dhe dardane. Tentohej që me “Kuaj Troje” të futej përçarje  n´mes të krahut të mbrojtjes popullore dhe politikës së presidentit, sidomos keqpërdorej edhe raporti i ushtarit besnik të Rugovës Adem Jashari, i cili Presidentin Rugova e quante Komandanti suprem. Kjo ndodhi sidomos pas rënies heroike të tij. Filloi mosnjohja e Rugovës si komandant , edhe pse ishte me votën e popullit president i zgjedhur e njëkohësisht edhe Komandant i forcave të armatosura. Në librin e z. Mehmetaj kemi mjaft dëshmi të raporteve të presidentit edhe me disa grupe siç i quan autori të “çajit të rusit” të cilët Rugovën e kryqëzonin si Jezusin.

2. Periudha e golgotës shqiptare dardane dhe qëndresa gjithë popullore ishte periudha tjetër qe Rugova e përjetoi më së vështiri. Vrasjet, përndjekjet dhe krimet ç´njerëzore nga regjimi serb, marrja peng e presidentit nga Beogradi, kurthet nga brenda dhe vrasjet e njerëzve më të afërt të Presidentit trajtohen në këtë libër kujtimesh me një besueshmëri të kohës më të vështirë të presidentit. Përvetësohet struktura dhe infrastruktura e mbrojtjes popullore e themeluar me vështirësi nga LDK- dhe institucionet e zgjedhura në mënyrë demokratike, dhe vënia nën kontroll të disa grupeve marksiste leniniste të mërgatës, satelit të sigurimit shtetëror të PPSH-së së Enver Hoxhës dhe ndihmën e udhëheqjes socialiste. Lufta e paepur e ushtarëve të Kosovës dhe përcaktimi i tyre për lirinë e gjithë popullit të Kosovës dhe jo për ideologji, sidomos jo aso qe përshëndetnin me grusht, kur librezat komuniste në Kosovë i kishim dorëzuar me thes në komitetet qe i kishin prodhuar ato, të na ktheheshin për derën tjetër prapë në truallin tonë.

Në “Rugovën, si e kam njohur” rëndë kumbojnë lajmet për vrasjet e figurave më eminente qe me dekada kontribuan për lirinë e Kosovës dhe në të njëjtën kohë futen figura të panjohura, të pa verifikuara nga dera e pasme e parapolitikës, politikan të serave qe pas kishin figurat vendimmarrëse të shtetit amë, pas kishin marrëveshjet e fshehta të Kretës dhe të tjera.

3. Periudha e ndërhyrjes së NATO-s ishte kulminacioni i thirrjeve qe bënte Rugova me dekada më herët (dhe kur zgërdhiheshin ata të “Çajit të rusit”) dhe protektoratin ndërkombëtar qe po bëhej realitet. Vrasjet e disa nga intelektualët dhe komandantët më me zë të Dardanisë ishte turpi dhe mëkati më i madh qe i bëhej nënave e baballarëve, motrave dhe nuseve, bijve dhe bijave që ënde nuk ju kishin terur sytë nga dhimbja qe kriminelet serb ju kishin bërë, tani nga dorë e zezë shqiptare ishte peshë e rënd. Presidentit Rugova iu desh t’i kapërdinte edhe këto dhimbje për vizione më të rëndësishme kombëtar. Rugova kishte studiuar mirë luftën e imzot Pjeter Bogdanit dhe hilet rreth e rrotull, kishte përjetuar dhe studiuar mirë edhe skenat e dhimbshme të komunizmit kur ja kishin vrarë më të dashurit e familjes dhe figurat qëndrestare  të kombit pikërisht pas luftës së Dytë Botërore dhe pas marrëveshjeve të shqiptaro- jugosllave për zhdukjen e nacionalistëve. Nacionalistët shqiptarë i zhdukën, fizikisht  ose politikisht, por fatkeqësia merr dyfishim kur nacionalistët jugosllav i graduan dhe i mbrojtën jugosllavët. Situata nuk ndryshonte shumë as tani në kohën e pasçlirimit, vetëm se tani çka nuk mund e zhduknin me format e cekura, atëherë u konvertuan në formate tjera e sidomos në islamin politik qe njëkohësisht është edhe më i keq se doktrinat komuniste.

Kjo periudhë aq sa e dhimbshme karakterizohet me kthimin historik të besimit të dardanëve për presidentin Rugova dhe besimi i postit te merituar Presidenti i Kosovës së lirë. Vdekja e presidentit Ibrahim Rugova përshkruhet nga z. Mehmetaj si përjetim i rënd, përcjellja dhe homazhet qe i bëri populli dardanë janë biblike, janë madhështore. Pjesëmarrja e figurave më të fuqishme të botës dhe homazhet e tyre për presidentin, sa ishin lavdëruese për figurën e tij aq ishin edhe shpresëmbytura pët besprerët dhe kundërshtarët e tij.

Gani Mehmetaj është gazetar, shkrimtar, kineast, publicist dhe dramaturg, dhe drejtues i disa gazetave të njohura shqiptare ditore dhe periodike, Ganiu është autor i mbi 30 vepra letrare, publicistike, kinematografike dhe publicistike, kështu qe edhe përvojën e tij në ruajtjen, përpunimin dhe paraqitjen e kujtesës së tij para lexuesve e bën për mrekulli.

z. Gani Mehmetaj me pendën e tij të mprehur letrare dhe publicistike, na vjen përherë me prurje të reja qe vë në thumb të mirat dhe të ligat e këtij populli. Me “Rugovën, si e kam njohur” sjellë kujtimet origjinal të kohës së tij, kohë qe lidhet ngushtë edhe me kohën e presidentit Rugova. Në brendinë e këtij libri gjinden të gjitha ngjarjet vendimtare të kohës, kujt i dha koha të drejt dhe kujt jo. Për bashkëkohësit dhe për ata qe i qëndruan besnik rugovizmit kur e lexojmë këtë libër na duket se e kemi shkruar vet. Origjinaliteti dhe dokumentariteti i japin besim dhe vend të lavdëruar në literaturën e memoarit, gjithashtu dhe autorit Gani Mehmetaj vend të posaçëm në letërsinë shqipe. Unë personalisht e përgëzoj për gjithë veprimtarinë e tij dhe e falënderoj përzemërsisht qe na zgjodhi edhe Lidhjen e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani për ti promovuar dy nga  veprimtaria e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat