Detaje interesante nga vështirësitë që i kaloi Beethoveni

Kultura

Detaje interesante nga vështirësitë që i kaloi Beethoveni

Më: 18 qershor 2023 Në ora: 15:04
beethoveni

Beethoveni pati vështirësi financiare për pjesën më të madhe të jetës e karrierës së vet.

Në rastet që fitonte shumë para, prirej t’i investonte në aksione bankare. Megjithatë, zhvlerësimi i valutës austriake si pasojë e luftës së pambarimtë të Napoleonit, ia zbriti pasurinë me mbi pesëdhjetë për qind, dhe ia uli ndjeshëm pagën vjetore që merrte nga Arkduka Rudolf dhe princat Lobkowitz e Kinsky.

Edhe kur Beethoveni nuk kishte pse shqetësohej për paratë, frikësohej vazhdimisht për situatën financiare.

Të nxjerrësh jetesën si muzikant i pavarur nuk është e lehtë, dhe në fillimet e tij në Vjenë, Beethoveni ngriti reputacion si pianist virtuoz. Për më tepër, aftësia e tij improvizuese ishte legjendare.

Pjesa më e madhe e të ardhurave në vitet e para në Vjenë, i vinte nga performancat në sallone. Më vonë, mundi të vendoste një tarifë hyrjeje për koncertet e tij, dhe në tridhjetekatër vitet që qëndroi në Vjenë, Beethoveni u pagua për performancat në vetëm pesëmbëdhjetë koncerte publike. Megjithatë, Vjena e asaj kohe kish’ nisur të tërhiqte pianistë e muzikantë nga të gjitha anët e kontinentit, e kështu, iu desh pak kohë sa t’u bënte ballë xhelozive dhe intrigave të bashkëkohësve e rivalëve të tij.

Cherubini, për shembull, e përshkroi si “të ashpër” mënyrën sesi Beethoveni luante në piano, dhe atë vetë si ende të paformuar mirë artistikisht. Me gjithë popullaritetin që fitoi, Beethoveni ia doli të kërkonte shuma të majme parash për performancat. Fatkeqësisht, dëgjimi nisi t’i binte, dhe ky burim fitimi do t’i mbyllej njëherë e mirë.

Për të shtuar të ardhurat e tij, Beethoveni nisi të jepte leksione private, gjë të cilën e urrente krejtësisht. Me temperamentin që kishte, kjo veprimtari pedagogjike nuk i përshtatej fort dhe njëherë, u acarua kaq shumë me studentin e tij, Karl Hirsch, saqë e kafshoi në sup, e pickoi dhe i bërtiti pa ndërprerje, me furi të madhe.

Konteshat e reja dhe sharmante i pranonte si studente, por, në përputhje me një traditë të vjetruar dhe me dëshirën për t’u konsideruar pjesë e aristokracisë, shpesh refuzonte të paguhej për shërbimet. Kur kontesha Susanne Guicciardi e shpërbleu me një dhuratë për mësimet që i dha së bijës, Giuletta, Beethoven i shkroi:

"E udhës është që ta dini, e dashur konteshë, se dhuratën do t’jua ktheja mbrapsht dje në mëngjes nëse nuk do të ishte për tim vëlla, që u gjend aty me mua. Por, tani, për t’ju paralajmëruar, dhuratën po e pranoj, por nëse ju shkon edhe një herë ndër mend diçka e ngjashme, ju betohem se nuk do të më shihni më në shtëpinë tuaj."

Fort i mërzituri juaj, Beethoveni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat