Ikona e lirikës shqiptare në atdheun e fjalëve

Kultura

Ikona e lirikës shqiptare në atdheun e fjalëve

Nga: Baki Ymeri Më: 5 korrik 2023 Në ora: 17:02
Foto ilustrim

Poeti është mbreti i imagjinatës, poetesha është mbretëresha e befasive, kurse poezia është një dhuratë hyjnore, balsam i shpirtit, testamenti i jetës, drita e fjalëve, princesha e arteve, thesari i ndjenjave dhe një burim i pashtershëm energjishë hyjnore. Në poezi, vargi i parë dhe vargu i fundit duhet të jetë si një vetëtimë, apo si një krismë e pushkës. Ejup Ajdini është ikona e lirikës shqiptare që jeton dhe vepron në atdheun e fjalëve. Ai ka fatin të jetë e nderuar me libra që e bëjnë historinë. Libri për të është përmbushja e një ëndrre për të vajtur nga drita në dritë.

Poeti krijon vargje artistike me një ndjeshmëri të lartë lirike me elemente astrologjike. Në spektrin e inspirimeve të tij vërejmë një vërshimë ndjenjash dhe fluturime ëndrrash në botën stelare. Poeti bëhet mbret kur fluturon nga realiteti në qiell. Ai është një mbret i lirikës erotike me frymëzime të fuqishme: Ti je arsyeja pse kam ardhur në këtë botë/ në botën e padashjeve, e dashura grua/ pa ty nuk di se si do më bëhej jeta/ pa plagët dhe dëshirat që vet i krijuam. (Gruaja). I admirojmë vargjet e tij si një magji e bekuar ku ballafaqohemi me brigjet e mendimit e të atdheut: Dashurinë ty ta falëm, Atdhe/ Posi vajza dashnorit besnik,/ Dashuri më të madhe s’kemi/ Në këtë tokë e në këtë qiell./ / Ah, atdhe, atdhe, atdhe!/ Një lum ëndrrash kemi ende përpara.../ Ndoshta në oqeanin e qetë do të takohemi,/ Ku do t’i ndajmë veprat nga përrallat! (Ah, Atdhe, Atdhe, Atdhe!)

Në vargjet e Ejupit dëgjohet një zë i bukur që kumbon me jehona përqafimesh të ëmbla, me puthje të zjarrta dhe mall dashurie: Dashuritë e mëdha nuk tronditen dot në jetë/ edhe mosha le të bëhet sa të dojë, edhe 101/ unë pa ty s’do mundja të jetoja në këtë botë/ pasi ti ishe arsyeja pse ishte e bukur kjo jetë. (Gruaja). Dhe më tej: Rrugët nuk i patëm shtruar me lule malësie/ as lekun nuk e patëm mjaftueshëm e me bollëk/ dashurinë e patëm tejet te madhërishme/ dhe ëndrrat e jetës na e bënë të bukur këtë botë.

Në poezi, vargu i parë dhe vargu i fundit duhet të jetë si një vetëtimë, apo si një krismë e pushkës. Poezia është pjesë e bukurisë së shpirtit. Pse? Sepse shpirti ka nevojë për poezi dhe njeriu ka nevojë për dashuri. Kohë pas kohe poeti shkruan vargje që të shpëtojë nga një presion i papërmbajtshëm shpirtëror, për të dëshmuar se jeta është art dhe arti është jetë: Në rrugën e parë ecin/ Zbukuruesit,/ Në rrugën e dytë vrapojnë/ Shkatëruesit,/ Në rrugën e tretë mendohen/ Të marrët,/ Ruana Zot, kush do të fitojë,/ Po s’fituan të parët? (Tri rrugët e botës)

Fjala e Zotit është e mbuluar me ar. Ejup Ajdini na fton ta duam njëri-tjetrin dhe ta kultivojmë gjuhën shqipe për të dëshmuar se Shqipëria dhe Kosova ekzistojnë që nga krijimi i botës, dhe se shqipja është gjuha e perëndive: Kur të ndërtoni shtëpi/ Çojeni një mermer në Kosovë/ Atje është gjaku i freskët/ Mbushur me dëshmorë. (Ju). Ky libër, me dy autorë, i dinamizuar me krijime të bukura, del në dritë në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. Lënda letrare është e struktuar në dy kapituj: Poezi dhe Haiku, para të cilave pason parathënia dhe bibliografia. Poeti vjen para nesh me fluturime ëndrrash, me dashuri hyjnore, me dritat e shpirtit dhe me dhuratat e zemrës. Autori është poet i ndjeshmërisë dhe dashurisë. Duke ikur nga instinkti, nga ekspresiviteti artificial, ai krijon vargje të një natyrshmërie të mprehtë, ashtu siç shungullojnë lumenjtë e pranverës, apo siç vajton syri për ndjeshmëri dhe dashuri. Vargjet e tij më të bukura i dedikohen një dashurie të bekuar, idilike dhe romantike:

Në më te mirin gjumë të vëzhgoj ty e dashura grua/ dhe rri zgjuar si gjysmëhënë mbi koke/ ah, sa jetë e bukur ishte për mua, e dashura ime/ Sikur një engjëll na përkëdhelte me lule në duar./ Po e dashur, për ty rri zgjuar një jetë, pse të mos rri/ vetëm të t’i puthi buzë e duar me hënën në përqafim/ ti ishe më tepër se grua, gjithmonë me një mall të ri/ buzëqeshja e parë që na lidhi neve, vetëm ne e dimë. (Gruaja). Jeta është një jehonë që kalon nëpër tunelin e kohës. Jeta është e shenjtë, dhe realiteti shihet lart në Qiell. Tek-tuk vërejmë kohën me përjetësinë e meditimeve filozofike të kërkimeve erotike me zjarr dashurie: Për xhelozi të yjeve unë e preki hënën/ dhe ajo të mbulon ty mbi çarçaf/ dhe vetëm atëherë ulem pranë teje/ sikur e kam globin për një jetë të tërë.
Para nesh kemi një poezi të bukur me imagjinatë të fuqishme. Një koleksion stilistik me shprehje ekspozive dhe satirike: Kur të/ dehesh nga luksi/ Mos u ç’deh kurrë/ Luksi yt është sarkazëm/ Dhe gërvisht çdo gurë. (Ju). Kënga e bylbilit të pranverës jehon në vargjet e tij, si dhe shpirti i florinjtë dhe ëndrra për një jetë të bukur e të lumtur. Pason një kazan i madh fjalësh që e trazojnë gjumin dhe botën: Miqtë e mi të dashur/ Mua ata më thoshin/ Të tjerët hanë ashuren/ E ti ruan kazanin.

Ejup Ajdini shkruan edhe për fatin e një kombi me një filozofi të veçantë: Ju burrat e botës/ Krekoseni e krekoseni/ Për një imazh të ri/ Pa ngritur kokën/ Të shikoni anë e mbanë/ Sa vdesin nga uria e ju/ Kur të pini një gotë verë/ Çojeni një gotë ujë në Afrikë/ Kur të ngiheni mirë/ Çojeni një bukë në Etiopi (Ju). Mund të thotë kush prej jush se poeti i lindur në zemër të Sharrit nuk ka prirje për poezi dhe për ndjeshmëri të thellë? (Baki Ymeri)

SHËNIME PËR AUTORIN

Ejup Ajdini u lind më 14. 02. 1954 në Shipkovicë të Tetovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Gjimnazin në Tetovë, kurse Fakultetin për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë, më 1979. Studimet pasuniversitare i kreu në Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë - Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Tiranës. Më 17.04.1997 mbrojti me sukses të shkëlqyeshëm tezën e disertacionit me temë:“Tradita kulturore dhe letërsia e ekskomunikuar shqiptare në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”, ku edhe mori gradën shkencore Doktor i Shkencave Filologjike. Ligjëron në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Botoi përmbledhjet poetike: Dritëzat në natë, Tiranë 1993, Tempulli i mëkateve,Tetovë 1995, Një verë fola me hënën, Tetovë 2006, Misteret e shpirtit (haiku), Tetovë 2012. Më 1997 ndriçoi dhe botoi dramën Lalë Bajrami të Sadudin Gjurës, kurse nga veprat shkencore botoi: Ekskomuniki, kulturor dhe letrar te shqiptarët e Maqedonisë, Tetovë 1999, Shkrimi akademik, Tetovë 2008, Rrjedhave të letërsisë shqipe, Tetovë 2011, etj.

AH, ATDHE, ATDHE!

Dashurinë ty ta falëm, Atdhe
Posi vajza dashnorit besnik,
Dashuri më të madhe s’kemi
Në këtë tokë e në këtë qiell.

Ah, atdhe, atdhe, atdhe!
Një lum ëndrrash kemi ende përpara...
Ndoshta në oqeanin e qetë do të takohemi,
Ku do t’i ndajmë veprat nga përrallat!

TRI RRUGËT E BOTËS

Në rrugën e parë ecin

Zbukuruesit,

Në rrugën e dytë vrapojnë

Shkatëruesit,

Në rrugën e tretë mendohen

Të marrët,-

Ruana Zot, kush do të fitojë,

Po s’fituan të parët?

S’KA JETË PA QENJTË

Nëse do të bëhesh i pasur

Ushqeje një qen

Nëse do të bëhesh prijës

Ruaje një qen

Në donë të flesh i qetë

Lakmoje një qen

Nëse donë mbrojtje e siguri

Përkëdhele një qen

Nëse të ka kapluar stresi

Afroje një qen

Se ai s’lejon

Të të hanë

Qentë

KAZANI

Miqtë e mi të dashur

Mua ata më thoshin

Të tjerët hanë ashuren

E ti ruan kazanin

Dikur këto fjalë

Si vëreja dot

Një kazan i madh

Sot më zien në kokë

JU

Ju burrat e botës

Krekoseni e krekoseni

Për një imazh të ri

Pa ngritur kokën

Të shikoni anë e mbanë

Sa vdesin nga uria e ju

Kur të pini një gotë verë

Çojeni një gotë ujë në Afrikë

Kur të ngiheni mirë

Çojeni një bukë në Etiopi

Kur të ndërtoni shtëpi

Çojeni një mermer në Kosovë

Atje është gjaku i freskët

Mbushur me dëshmorë

Kur të dehesh nga luksi

Mos u ç’deh kurrë

Luksi yt është sarkazëm

Dhe gërvisht çdo gurë

Ç’kuptim kanë takravatet tuaja

Kur njerëzit vdesin nga uria

Kur njerëzit vuajnë

Nga barbarët-nga robëria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat