Valeriu Covrig-Cudrec në gjuhën shqipe

Kultura

Valeriu Covrig-Cudrec në gjuhën shqipe

Nga: Baki Ymeri Më: 11 korrik 2023 Në ora: 17:26

Valeriu Covrig-Cudrec u lind më 12 shkurt 1957 në lokalitetin Rëpa de Zhos, rrethi i Mureshit. I biri i Gheorghe dhe Ioana, fshatarë të lindur për punët e dheut dhe të respektit ndaj vlerave tradicionale të fshatit rumun. Absolvent i Liceut të muzikës dhe arteve plastike, dega e Arteve plastike, promocioni 1976, Tërgu Muresh. Kreu Fakultetin e Drejtësisë në kuadrin e Universitetit të Jashit në Moldovë (1988) dhe master në Drejtësinë e punëve të Fakultetit të Drejtësisë në kuadrin e Universitetit të Kluzh-Napokës në Transilvani (2007). Grafikant reklamash të filmit në periudhën 1978-1988, këshilltar juridik ndërmjet viteve 1989-1993, gjykatës gjatë viteve 1993-2009, kurse nga vjeshta e vitit 2009 deri më sot: avokat. Anëtar fondator dhe president e Shoqatës „Simion C. Mândrescu”. Debutoi me vëllimin poetik “I kryqëzuar në mall...”, Editura Şcoala Ardeleană, Kluzh-Napoka, 2015, vëllim që përfitoi Mirënjohje për debutim dhe çmimin e revistës „Caiete Silvane” në Festivalin Nacional të Poezisë „George Coșbuc” në Bistricë (2015).

FJALË VLERËSIMI

Ngado ekziston një rrugë dhe një njeri i përshtatshëm, të cilit ia shkelin rërën dhe ia kthejnë gurët nga e prapa... dhe një këngë e njeriut gjatë rrugës, që mund të shprehet, ose me imitim, ose e shoqëruar me murmurima të matura, të trembura... Gjatë rrugës së „kryqëzimit në mall”, poeti Valeriu Covrig-Cudrec i mban bisagjet me pasigurinë e dashurisë totale, njësoj dhe djepin e fshehtësisë, në të cilin ka strehuar fjalën e pashprehur, hiçin që e nënshtron, klepsidrën me flori dhe botën paralele. Aq druajtje në prezencën e dashurisë! Aq brishtësi të fshehur në qilar! Aq bujshmëri pranë fermrës, aq shqetsime përpara shprehjes!

Edhe pse gjithëçka është mall: jeta, kuptimi, agimet, muzgëtimi, kërkimi, e djeshmja dhe të nesërmet, sot është e paqartë sekonda, ngase e pashmangshmja vjen dhe fshehtësinë që e fsheh edhe argjendi i pasqyrës e deformon në grimca, sepse me siguri, absolutisht me siguri, vjen terri dhe bie në humnerë, në asgjësi... në harresë. Dashuria e tij është tmerr dhe megjithatë, lutje; fjalët e tij bërtasin, mu për këtë përsëriten, me obsesion përsëriten, deri te frika për të kaluar përtej mallit dhe agonisë... Është e dhimbshme dashuria e tij, apo, së paku, përjetësisht e sëmurë; edhe pse i pasur, endet i mërguar, duke shkelur me pasiguri mes jofjalëve, në galaksinë e përmallimit të humbur, por atypëraty të ripërfituar, porsi zhiva e derdhur padukshmërisht nëpër gjethet e shndërruara në hije.

Poeti i ngritur nga përjetimet, i fshehur në kanapetë e lulëkuqeve, përpiqet mos ta humbë rrugën, duke kërkuar fragmente përmallimi në klepsidrën e kohës së shkuar, por edhe në atë të tanishmen, duke ëndërruar fshehtësitë e ditëve që do vijnë, ëndërrimtar frenetik në dashuri. Edhe pse i strukturuar në pesë rrugë, libri konstituohet në këngë, një këngë unike e dashurisë, dhuruar gruas që e ka pranë, pranë së cilës e me të cilën po trembet, por edhe tenton të digjet nga dashuria, një flakadan i përjetshëm në pasqyrë.

Më shumë dhe më bukur është e pamundshme, edhe pse, përtej të shkuarës, gjithmonë dhe gjithmonë më larg, duke u kthyer prapa në ardhmëri, ngase pasqyra e fshehtësisë sajon bota paralele, kurse përtej rrugës është... malli (patent i branduar, Valer) ... gjithandej gjendet një rrugë, por rruga e këtij libri është e shtruar me mall, në çdo hap një nyancë tjetër, nga e kuqja e ndezur te e bardha e pangjyrshme. Lavdi poetit që ka farkuar një lutje të këtillë, i përgjunjur nga gruaja që ia ka nxitur dashurinë komplete! (Dorina Manu)

Valer Covrig Cudrec – në portat e mallit

Të flasish për mall don të thotë ta shpalosh qenjen deri në thellësitë e identitetit të saj. Filozofia dhe arti i kanë përplasur valët për këtë kep të spiritualitetit rumun ndaj atdheut, që nga përmallimi i hatashëm i Eminescu-t, Blaga, Bernea, Cioran, Eliade, Nichita Stanescu, deri te malli ndaj qiellit të lartë të “Kolonës së Infinitit”, apo malli ndaj rrënjës tringëllimtare të atdheut në “Rapsodinë Rumune” të Enescu-t. Shumë hipostaza tjera të prezencës së mallit ndërmjet temave të mëdha të artit mund të citohen për të sugjeruar intenzitetin dhe perenitetin e tij në kulturën tonë.

Ta pranosh këtë temë në mënyrë ekspliçite është një privilegj dhe një rezik i madh. Një doktoratë lidhur me këtë temë do të kurorëzohej me dështim ngase një prespektivë e thuktë shkencore ndaj gjendjeve të tinëzishme e të pashmangshme të mallit është një brisk që e zhduk paralelisht me ekzaminimin. Nuk mund të intervenosh me cfurkun për të grumbulluar nga dy zambakë të fushës fijet e freskëta të merimangës ku është qepur vesa e mëngjesit – që faktikisht është djersa e bilbilave që janë cfilitur tërë natën duke kënduar. Grumbullimi i të lashtave është zero.

Funksioni për njohje i poetit është intuitiv, joracional, dhe ai mbetet si një nevojë për komplementaritetin me atë të dijetarit. Personaliteti i tij është i theksuar në linjën e mbisundimit të dionisiakut, të pashfaqshmërisë, të herakleitikut, të krijuesit. Metafora, me forcë dhe fshehtësia e saj, me vlerën e një instrumenti intuitiv, si dhe angazhimi personal, i përulur, janë rrugët më të mira për të depërtuar në portat e mallit, kurse Valer Covrig Cudrec e ka ditur këtë gjë. Duke e ushtruar dhe angazhuar kahjen poetike të personalitetit, autori është nisur në rrugë me fuqinë kulturore si ushqim i thatë dhe me freskinë e me përvojën e pashtypur personale që shëmbëllen me një pije.

Rruga, shtëpia, porta, bregu tjetër, janë repere të diskursit poetik në librin „I kryqëzuar në mall” (Kluzh-Napoka 2015). Flasim për një diskurs poetik dhe për një filozofi poetike, më parë se sa për një poezi të thjeshtë, ngase raportimet intuitive, në realitet dhe në elemente konkrete të jetës janë të pakta, në libër duke predominuar një regjistër konceptual dhe refleksiv.

Kjo intencë, për të zhvilluar një filozofi poetike të mallit, është e paralajmëruar që nga faqja e parë me një motto ku është cituar Lucian Blaga, filozof dhe poet, që në tekstin respektiv e vë mallin në relacion me kohën, çastin në relacion me përjetësinë. Përndryshe edhe poema e parë e autorit tonë fillon në të njëjtën linjë, duke përshkruar toposin ku plasohet kërkimi i shtigjeve në drejtim të mallit: „Përtej kohës/ Dhe tejet më larg/ Nga çdo botë/ E destinuar për njohje…/ Përtej vetë dritës/ E kuptimit të saj/ Na numërohen vitet,/ Derisa dhe shpërndarja e tyre,/ Mblidhet e përpjestohet,/ Shumëzohen apo ndahen, / Në matematika/ Mëndjet ende të panjohura për mendjen.”

Në këtë topos të pashfaqur gjendet shpëtimi, në këtë vend ku poeti duhet të depërtojë me mjete jokonvencionale që të gjejë burimin e asaj gjendjeje të cilën ai tenton ta kartografojë. I vetëdijshëm për vështirësinë e përçapjes, poeti niset në rrugë të dyshimtë, duke deklamuar: „Kush jam unë:/ Çasti,/ Personazhi,/ Apo vetë/ Heroi i luftës/ Me klishetë/ E banalitetit?” Pyetja nuk është retorike ngase më poshtë poeti definohet të jetë si „krenari e një mendimi” që kërkon në liri një shpirt të dyfishtë, i joshur drejt përjetësisë. Duke e pranuar konditën e „Skllavit, të palodhur të përsëritësit të unit tim...”, poeti vazhdon sondazhin e brendshëm duke cituar nostalgjinë dhe melankolinë si do plazhe ku nuk degdisen valët e përmallimit në kohën kur tradhëtohen dëshirat.

Libri është i strukturuar në pesë kapituj që përshkruajnë rrugën drejt portave të mallit, dhe flasim përherë për porta dhe jo për gjendjen si e tillë, ngase në libër është i qartë mendimi se malli nuk mund të shprehet si një e shkuar në fjalë, por vetëm mund të jetë i përmendur, i invokuar, ngase esenca e tij është personale dhe jokomunikuese, duke patur lidhje me shpirtin e çdonjërit, si dhe me identitetin e tij.

Sipas kapitullit „Përtej të shkuarës, prapa në ardhmëri”, nga i cili patëm cituar paraprakisht mendime që zhvillojnë një filozofi poetike të mallit në relacion me kohën, në skecionin e dytë „Ndërmjet botëve paralele” metafora e pasqyrës bëhet rrugërëfim dhe çelës i tinëzisë: „Oh, fshehtësia ime e vulosur,/ mendimi im i palodhur/ malli im i papërmbajtur”. Pasqyra e depozituar e fshehtësisë mbyll edhe një shpresë, atë se ndërmjet botëve paralele diçka mund të rruhet, diçka që është e paprishurt dhe stabile: „dashuria”. „Për tepër i lodhur nga rruga/ duke kërkuar fshehtësinë/ po mbrohem/ duke e rifolmuluar lutjen:/ më prangos në dashuri,/ ndalmë përjetë/ nga ikja ime e pa arësyeshme/ nëpër hiçin e harreës.../ më kryqëzo në mall”.

Sekcioni i tretë „Pasqyra e fshehtë” i përforcon shprehjet poetike paraprakisht të invokuara. Gjatë rrugës për në portat e mallit zvogëlohen fjalët dhe poeti invokon gjithnjë e më shpesh heshtjen dhe tinëzinë: „Se vetë malli/ nuk është veçse një metaforë/ për të përcaktuar harresën,/ për të prangosur tinëzinë..”, ndërkaq portat e zhurritura drejt të cilave diskursi poetik niset duke e ditur që nga fillimi se nuk mund t’i hapë, janë gjithnjë e më afër dhe në të njëjtën kohë gjithnjë e më të tinëzishme. Tradhëtia, harresa, dashuria, dëshira, ëndrra struken në heshtje dhe aspiratat përse gjenden përtej portave intensifikohen: „Jemi dy pasqyra/ Që shikojnë njëra tjetrën,/ Njëra përmes tjetrës, njëra për tjetrën,/ Vetëm atëherë kur janë paralele…/ Porsi botët në të cilat jetojmë…/ Porsi përmallimi i paskajshëm…”

Në sekcionin „Përtej mallit... rruga” bëhet një rrethim i tinëzisë së mallit duke qenë të ftuara momente nga jeta në të cilën njeriu që ndryshon e zhduk tinëzinë, e anulon mallin dhe nga dëshira ndaj ndryshimit e than rrugën për askund. Në këtë pikëshikim, malli i rruajtur me qëndresë, fshehtësia që e mbron pa u ndryshuar, duket se janë do funksione pozitive dhe rrugërrëfyes të përbërjes së vetëvetes. Braktisja e mallit është tradhëti dhe ndryshimi i dashurisë, degdisje në një rrugë të pafund.

Me një funksion pozitiv në këtë mënyrë, malli mbetet si një invokim në degën e pestë që quhet „Gjithmonë, gjithmonë më larg”. Sipas një rendi donkishotesk: ashtu siç kavaleri i figurës së trishtme ishte në gjendje të riinstaurojë idealin social për çudi të faktit se bota e tij ishte nga një pragmatizëm dhe një merkantelizëm të thatë që e deklaronin si të tmerrshëm, poeti kërkon rruajtjen e mallit në zemrat e njerëzve, për humanizimin e tyre dhe për shpëtimin e tyre shpirtëror. Poezia ka madje këtë rol për të qenë Itaka e përsëritshme, gjithmonë rrugës së përtërirë të Uliksit – poeti, drejt zemrës së gruas së tij, Penelopës, e cila e priste me besnikëri dhe devocion: „Metafora, qoftë e shpërndarë,/ s’është tradhëti,/ është vetëm fshehtësia e mospërmbushjes së dëshirës,/ malli i jetëve të pangjara, ëndrra...”

Në botën ku jetojmë dhe ndërmjet njerëzve që lexojmë, shkruajmë letërsi, tetojmë në mënyrë ndjesore duke mbajtur me ne përmallime të shumta, ky libër mund të ketë kërkesë dhe të bëhet i dëshiruar. Filozofia poetike që e përmban si një lapidar i ekspozuar, dhe shpesh herë në kodifikime të matematikës së fshehtë, edhe nëse nuk e përkëdhel mallin, e përshkruan, i tregon shtigjet drejt tij dhe nga ai bën një rrugërëfim të ndritur të jetës sjpirtërore. Pranë poetit nuk mund veçse të dëshirojmë të jemi edhe ne të kryqëzuar në mall, në një çast në të cilin kupola e kësaj gjendjeje mund të na mbrojë nga gërryrjet e kohës, nga bota meskine dhe nga tradhëtitë e përditshme. (Alexandru Uiuiu)

IKJE

Shpirti im,

Nostalgjia e një çasti me pretendime për

Përjetësi që as përmbushja s’i kërkon,

Dhe as përshkrimi…

Shpirti im, kujtimi i një përjetimi

Që pothuajse në mënyrë eksçentrike

Ngatërrohet me vetë personazhin

Kryesor të librit më të mirë të lexuar.

Kush jam unë: Çasti, Personazhi,

Apo vetë Heroi i luftës me klishetë

E banalitetit?

Shpirti im nuk është ndërkaq krenaria

E një mendimi që të kërkon me ngashërim apo,

Më parë, mosnënshtrimi

I një mendimi drejt teje duke ardhur…

Prej teje duke ikur…

BALLKONI NOSTALGJIK

Po shembem përditë

Në fjalët e pashprehura,

Po rrokullisem

Në vetë klepsidrën time,

Tinëzishmëri e çastit

Që konsumon supremacionin;

Tradhëtitë e pashprehura të tij tani…

Dhe gjithmonë,

Pothuajse përditë,

E gjej vetëveten

Në nostalgjinë e një

Ballkoni ku Ai,

Princi dhe Princesha

E fjalëve, e palojnë

Përmallimin,

E shkrijnë ëndrrën,

E konstruktojnë

Harresën, e fshehin

Fshehtësinë… Tradhëtinë.

PËRTEJ TË SHKUARËS, PRAPA NË ARDHMËRI…

Përtej kohës

Dhe tejet më larg nga çdo botë

E destinuar për njohje…

Përtej vetë dritës e kuptimit të saj

Na numërohen vitet, derisa dhe shpërndarja e tyre,

Mblidhen e përpjestohen,

Shumëzohen apo ndahen, në

Matematika

Kurse mëndjet e panjohura

(por as për kuptimet tjera)…

PORSI NJË HOC…

Porsi një hoc* po furishohem

Në altarin e ditës…

Porsi një mëkatar po e dëshmoj

Fshehtësinë e gabimit,

Fshehtësinë e pamundësisë sate…

Porsi një hoc… Oh,

Ti, shpërdorues…

Oh,

Ti, vetëvrasës i çastit…

____

*Cub, kusar, hajdut

MALLI, QË PO DO…

Dhe megjithatë,

Është vetëm një trup

Ku malli kërkon rrugë

Drejt shpellës së ndjenjave…

drejt marrëzisë së një kohe

Ku të kërkoj të të mund,

Që të mundem…

BREG I SHTRUAR ME PERLA

Jam një ambassador i imtë

I shpirtit tim.

Po e markoj

Njërën nga makiavlezmat

Më të njohura të shpirtit:

Dëshirën ndaj vetëvetes.

Më ka kapluar malli!

Trupi im,

I stërshëtitur nga perlat,

I është nënshtruar përjetë klepsidrës

Ku jo rënia llogaritet,

Por ari i rërës…

KAMELEON

Përjetoj një ekzistencë të dyfishtë:

Unë jam Aktori,

Unë jam Regjisori,

Dhe megjithatë,

Në hijen e fjalëve tua jetoj,

Në hijen e fjalëve tua pushoj.

Skllav,

I palodhur unit tim të përsëritshëm…

DHURATA

Kam çliruar një përrua…

Yti është,

Apo mua më përket?

Po zgjohem se ma përkëdhel zemrën…

Dhe menjëherë pyes:

Është përkëdhelja ime,

Apo ty të përket Dhurata?

FJALOR INTIM

Oh, o Zot, për tepër herët

Të kam rritur në stërplotësimin

E dëshirave të mia,

Për tepër herrët

Kam ndarë kufirin e

Nostalgjisë nga melankolia

Dhe

Për tepër herët kam përballuar

Kohën e kalimit të përngutshëm

Në nevojën për tanishmëri

Dhe dëshirën për ty...

PASQYRA

Je uni im i përbujshëm në fjalë

Je klepsidra ime që i nënstrohet

Po atyre rrethanave të tretura në vetëvete

Je vala

Që e shpartallon bregun e vte,

Itakën e vet

Përmes teje fillova të ëndërroj,

Përmes meje po i përgënjeshtron ëndrrat…

PËRULJA

Me përulje

E fsheh nostalgjinë,

E depozitoj fshehtësinë,

E tinëzoj mallin,

E ndërtoj harresën…

Dhe njësoj dhemb

Çasti i kaluar me dështim në mall,

I shprëndarë në shpresë,

I shkundur në humnerë…

Porsi rëra e klepsidrës…

Porsi koha…

Oh, koha ime tradhëtare!

ALUVION

S’do dish kurrë sa aluvione mbeten

Pas

Paqëndrueshmërisë së çastit, sa jetë

Lind nga rëra e ashpër e klepsidrës,

Nga nostalgjia,

Nga malli i papërmbushur…

E sheh?

Kjë është Fshehtësia, Fshehtësia ime…

TRADHËTIA E PAFAJSHME

Nganjëherë, iluzionet e mia, dëshirat, malli

Ma përkëdhelin trishtimin, refuzimin,

Harresën…

E ndërmjetësoj ëndrrën, vetë fshehtësinë.

E përsëritshmja dhe e pafajshmja ime tradhëti…

Nganjëherë, harresa e pashpresuar…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat