Poetja e vrarë antologji ukrainase

Kultura

Poetja e vrarë antologji ukrainase

Nga: Visar Zhiti Më: 11 korrik 2023 Në ora: 23:21
Foto ilustrim

Ukraina qëndron… Ajo po lufton, po lufton dhe me libra, me poezi, po fiton…

Bota u trondit sërish, kur u vra nga bombardimet poetja dhe romancierja e re Victoria Amelina, dëshmitarja e sulmeve ruse, me artin e saj. Mediat në Perëndim, në Itali, Francë, etj, e deri në SHBA e shpërndanë lajmin e kobshëm: po bombardohet poezia…

Edhe një miku ynë shkrimtar, Dashnor Kokonozi, shkruajti i pari për atë.

 Ukraina na dhimbet, Ukraina na mrekullon, vazhdon jo vetëm luftën, por dhe luftën kulturore, takimet letrare, çmimet, përkujtimoret, botimet, ja, Panairi i Librit në kryeqytet, në Kyiv, etj, etj.

Miku dhe poeti i dashur ukrainas Dmytro Chystiak nxori një antologji të poezisë së popullit të tij, “Klarinetat diellore”, me nja 50 poetë, në gjuhet frënge dhe atë italiane dhe po përurohet si të ishte një mision. Ai kujton ata që kanë mbështetur Ukrainën tani, poezinë e saj të lirisë dhe rendit vendet nga janë: Shqipëri, Belgjikë, Brazil, Spanjë, Itali, Kanada, Poloni, Rumani, Slloveni, Turqi, Hungari, Francë, Zvicër... Shqipëria sigurisht është e para se fillon me A, Albania. Ndërkaq atje, në Ukrainë, edhe pse janë të gjithë të armatosur, nuk po gjej ankesa që s’është ky poet apo ai a unë e të qëllojnë mbi antologjistin, të marrin tanksin dhe të hedhin predha mbi shtëpinë botuese a raketa mbi promovimet…

Vetëm pushtuesit rusë vranë dhe një shkrimtare ukrainase së fundmi, Victoria Amelina, 37 vjeçe, ishte më koleget e saj të huaj në një pizzeri dhe po bisedonin për organizimin e Festivalit të ri të poezisë, “New York”, poezia si metropol…

Ndërkaq në Kiev para u bë Panairi i Librit, pllakati i tij, punim i çiftit të dy artistëve, Romana Rymanyshyn dhe Andriy Lesiv, bëri “xhiron e botës”, sepse “Librat janë mbrojtje kundër çmendurive të çdo lloji”, shkruanin gazetat dhe kompozimi ishte i tillë, shikojeni: poshtë një libri të hapur si nën një strehim janë njerëz, burra që mbajnë librin mbi krye, me shpatulla, me krahë, me muskujt e mendjes e të shpirtit, edhe një foshnjë nga karroca e saj zgjat këmbkat të mbajë librin të mos bjerë, edhe një njeri me bastun mundohet të largojë një gjarpër në anë, kurse sipër librit rrumujshëm janë raketat, avionët luftarakë bombardues, tanket, (pikërisht mbi këmbkat e foshnjës), misilet, shkrepëtimat e tyre mizore, shenjat e trafikut të vdekjes…

Dhe një shkrimtare u vra… ciflat e bombave na kapën të gjithëve, mishi i poezisë rrjedh gjak…

Tre poezi të saj këtu, trini në nderim të triumfit të jetës mbi vdekjen, të qëllimit hyjnor, të vetë poezisë që po lufton, të Victoria Amelina-s, të atij çasti, për ju…

VICTORIA AMELINA

 (1 Janar 1986 - 1 Korrik 2023)

 STATISTIKAT E HUMBJEVE…

Statistikat e humbjeve tona janë sekrete,

deri në fund të luftës, nuk ka shifra.
 Aty do të jetë fqinji, burri i asaj gruas

eksentrike që mbolli lulet e kuqe.

Miku, i cili nuk lajmëroi askënd.

Mësuesi që e pëlqenim aq shumë.

Ajo vajza irrituese dhe piktori

i çmuar nga të gjithë, që e dashuronin.

Në emër të sekretit shtetëror,

Betohem, nuk do t'i numëroj

të rënët tanë,

Nuk do t'i numëroj deri në rraskapitje

dhe deri në fund të luftës.

(Në fakt u përpoqa të numëroj – por e humba)

SIRENA

Sirenat e sulmit ajror në të gjithë vendin

Ndjehen sikur të gjithë

janë nxjerrë jashtë për ekzekutim

Por vetem një person është

në shënjestër

Zakonisht ai më këndej…

Këtë herë jo ti; gjithçka e qartë.

NUK SHKRUAJ POEZI

Nuk shkruaj poezi

shkruaj prozë

Por realiteti i luftës

i ha shenjat e pikësimit

kohezioni i fakteve

kohezionin ha

Sikur në gjuhë

të kishte rënë një granatë

copërat e gjuhës

janë poezi

por unë s’jam

dhe as kjo nuk është.

Ajo është në Charkiv

Ajo po lufton

Përktheu: Eda Zhiti

Shkrimtarja ukrainase Victoria Amelina,

e vrarë nga bombardimet ruse para ca ditësh…

Shkrimtarja Victoria Amelina duke fotografuar gërmadhat e luftës në Atdheun e saj…

 Antologji e poezisë ukrainase “Klarinetat diellore”, në gjuhët franceze dhe italiane, përgatitur nga poeti, Profesor Dmytro Chystiak…

Poeti Dmytro Chystiak dhe një antologji e poezisë së popullit të tij…

 Pllakati i Panairit të Librit, Kyiv, Ukrainë, 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat