Musliu: Ne të gjithë jemi udhëtarë, arti është i përjetshëm

Kultura

Musliu: Ne të gjithë jemi udhëtarë, arti është i përjetshëm

Nga: K. G. Më: 16 korrik 2023 Në ora: 13:23
Pamje nga ekspozita

Në një ambient të bukur, në galerinë “Kult” në Gostivar të Maqedonisë së Veriut, Imri Musliu, ka hapur ekspozitën me fotografi të shumta dhe me domethënie të veçantë. 

Morën pjesën një numër i madh në ekspozitë, ku u mahnitën me pamje të ndryshme të fotografive.

Vlora Demiri shprehet me fjalë miradije për ekspozitën e Musliut.

Image

“Imri Musliu me këtë ekspozitë të titulluar: ‘Kush i solli mitet?’ qëndron me këmbë përtoke, pa lëvizur fare nga natyrorja. 

Ai fare nuk vepron si romantik apo natyralist, të cilët e kërkojnë ta riprodhojnë natyrën, për të na bindur se çdo gjë natyrore është e bukur, por na prezanton lidhjen dhe ndërthurjen mes natyrës dhe mitologjisë, për të na e vërtetuar se asgjë në jetë nuk është e rastësishme, dhe duke na lënë që të shohim dhe të vërtetojmë se ajo që natyrisht, ose etikisht është e shëmtuar, artistikisht qëndron bukur në raport me ndjenjat që ato provokojnë”, thotë Demiri. 

Image

Imri Musliu ka folur para të pranishmëve, duke treguar edhe  qëllimin e kësaj ekspozite. 

“Jemi në Galerinë ‘Kult’ në Gostivar, falë natyrës dhe bukurive të saj mahnitëse që shpesh përbëjnë një art që na bënë kureshtarë ta shohim, për format e habitshme që i krijon.

Image

Qëllimi i kësaj ekspozite nuk është për të treguar se kam bërë art, se këtë e gjeta në natyrë, por qëllimi është shumë më fisnik. 

Përmes këtyre pamjeve, në të cilat nuk ka ndërhyrë dora e njeriut, tentohet të vetëdijesohet masa, nëse jo për ta ndihmuar, bile për të mos e shkatërruar atë që na e dhuron natyra.

Këto pamje i pashë rastësisht gjatë shëtijeve në natyrë dhe i regjistrova. 

Disa prej tyre i publikova në rrjetet sociale dhe pashë se shtohej interesimi për to, dhe pëlqeheshin, komentoheshin e bile kishte shumë të tillë që filluan ta shihnin natyrën me një sy tjetër dhe filluan të më dërgonin edhe fotografi, gjë që më bënte të lumtur”, ka thënë Musliu. 

Bukuria është për t’u parë dhe është e shenjtë.

 “Thonë se bukuria është për t’u parë dhe se edhe  Zoti e do të bukurën.

Nëse është kështu, e unë besoj se është,  mund të konkludoj se bukuria është e shenjtë dhe do respekt, por për ta respektuar, së pari duhet ta shohim. 

Një pjesë nga ajo që e pashë, po e shpalos para jush, duke e kryer një obligim ndaj vetes dhe natyrës.

Asgjë më shumë!  

Ne, të gjithë jemi udhëtarë,  arti është i përjetshëm”, thotë Musliu.

Vlora Demiri ka thënë se arti nuk është ajo që shikojmë, por ajo që ndjejmë: “Pra, titulli apo pyetja është kush i solli mitet, Musliu na përgjigjet me fotografitë e kësaj ekspozite, të cilat janë të titulluara me emra të mitologjisë dhe gojëdhënave shqiptare dhe me këtë vërteton thënjën se arti nuk është ajo që shikojmë, por ajo që ndjejmë”..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat