Një libër ndryshe po marrim në dorë

Kultura

Një libër ndryshe po marrim në dorë

Nga: Mark Simoni Më: 21 korrik 2023 Në ora: 10:56
Lulëzime Malaj

Qytetin e saj imagjinar, të ndërtuar me lirika, na ka sjellë këtë radhë Lulëzime Malaj nëpërmjet librit interesant “Gruaja me këpucët e kuqe”. Një urbanistikë e veçantë fantazishë, rrugë të pafund ndjenjash, godina mbushur me ngjarje dhe subjekte poetike, fasada që llamburisin nga figurat e bukura letrare, ka ndërtuar kjo poete.

Sa herë që hap një fletë poezie duket sikur shtynë porta vendesh plot ngjarje dhe përsonazhe. Dikund letrat e verdha të pa dërguara prej vitesh rrijnë të heshtura në raftet e postës, pak më tutje një pallto brenda së cilës mungon i zoti i saj, atje tej një kitarist i vetmuar që këndon poshtë ballkonit të Anës, pak më tutje një baba që kthehet i dehur në shtëpi dhe nëna bërë sa një dorë, tek një kthesë xhaketa e njeriut i vishet një manekini, mbi kokë të qytetit hëna e sëmurë nga vetmia, në ballkonin e shtëpisë së vjetër u kthyen përsëri dallëndyshet, dikush që kupton se në regjistrat e zogjëve ka veç vaje, atje larg në stacionin e vetmuar mbërrijnë parreshtur urbanet por me asnjërin nuk mbërrinë ti, atje tek mëhallat e vjetra plot thashetheme, gratë me shtiza, një sarahosh që tund rrugëve shishen e pijes si të qe një marinar i vjetër, tek një shtëpi digjet shamia e beqarit, një letër e dashur për vëllain që sillet mbi qiellin e memorjes së poetes, nëna që thurë një xhaketë me kuadrate, një këmbë e drunjtë që kërcet mbi çatitë, pranvera që mbush një këpucë plot lule, dhe dikund në një sallë shfaqjesh ku asnjëherë nuk erdhi ai që kishte biletën në karrikën 20.

Dhe kudo ndjehen tek kërcasin e vezullojnë këpucët e kuqe me taka të gruas fatale, mbi të cilën ra dora e ashpër e paragjykimeve dhe dhunës. Poezitë e Autores Lulëzime Malaj janë tepër delikate, fine, të hajthme, gati transparente, të bardha si fajancat, fragile, lirika ku dallohet pak dramë në periferi të tyre, ku në tërë atë botë të madhe ndjenjash diçka dhemb, në gjithë ato bukurina ka një lëngatë të lehtë të autores dhe përsonazhit poetik, ka ca trishtim dhe dhimbje, pak vuajtje dhe pritje dhe ikje të pafund. Ky libër i veçantë nuk ka lirika monokrone, me energji të njëtrajtshme, nuk ka peisazhe të romanticizmit bukolik, por ka vargje me energji, mbushur imazhe dhe përfytyrime, shkruar prej frymëzimesh dhe fantazishë, me figura letrare me masë, aq sa duhet për të mos e sheqerosur poezinë në tejngopje. Poetja është e vetdijshme për misionin e saj poetik, ka një maturi racionale, shkruan saktë dhe me kujdes, duke i artikuluar qartë mendimet e saj, dhe vënë në këto poezi mjete të zhdërvjellta komunikimi me lexuesin. Lulëzime Malaj ka një intuitë leksikore të mprehtë në përdorimin e një fjalori funksional që u shkon përshtat lirikave.

Ajo ka marrë në gardarobën e raftit të artit të fjalës, pikërisht bash ato fjalë që ia zbukurojnë lirikat e saj, u japin atyre energji, imazhe, akustikë, muzikalitet, rima dhe ritme. Tërë kjo na sjellë në lexim lirikat e një poeteje që e njeh mirë estetikën, raportet dhe harmoninë e saj, figurshmërinë dhe zhdërvjelltësinë apo finesën e krijimit.

Ndryshe nga mjaftë poetë që bien në grackën e idesë se rreshtimi i vargjeve të ngopur me figura është i mjaftueshëm për ta bërë poezi të bukur, poezitë e Lulëzime Malajt veç figurave kanë subjekt, secili bazohet në një fabul apo ngjarje të vogël, që e bën poezinë konkrete, të përfytyrueshme, filmike dhe me një narrativë me kuptim.

Subjektet poetike janë vërtetë interesantë, mbahen mend. Ata janë shkruar me zhdërvjelltësi dhe finesë, me art dhe klas. Lulëzime Malaj ka aftësinë intuitive për të thirrur në arsenalin e saj poetik, dy regjistra leksikor atë të gegërishtes dhe gjuhën e kulturës dhe akademizmit. Ajo kalon përtej gardhit gjuhësor të saj, dhe për t’i dhënë përmasë e dimension mendimit poetik, tërheq në poezi gegnizma të till si Prajshme, Prore, Potere, apo dhe dije të saj kulturologjike si Etruske, Van Gog , Kafka, Davinçiane, Kanavacë, Ritushim, apo dhe kalke të figurshme Shporta e harresës, Vjeshtën cullake, Natë e ujshme, Gravurë, Krizantemë, Shëndrruar në arie, Akuarel pranveror etj. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta përshëndesim poeten Lulëzime Malaj për këtë libër interesant dhe të veçantë që na ka sjellë!

(Ky libër doli me datë 15 korrik 2023, nga shtypi i Shtëpisë Botues MUZGU)

Cikël poetik nga vëllimi me lirika; "Gruaja me këpucët e kuqe"

 Këpucët e kuqe

Një shi i hollë vjeshte sa kish filluar,

blicat e vetëtimave filmonin atë natë,

burrat kthenin kokën pas këpucëve 

të kuqe, të një zonje në bulevard!

S’di si më humbi nga sytë në rrugicë,

po takat u dëgjuan nëpër një shkallë,

ndërsa kaloja poshtë një ballkoni,

ulërimën e saj e dëgjoi një mëhallë!

Si nuk ju tha dora kriminele burrit,

mbuloi në gjak gruan e tij, pa jetë!

Ku ta dinte ajo se ish nata e fundit

dhe s’do i shihte më fëmijët e vet.

Në pellg gjaku notonte trupi isaj,

nga gryka e prerë i rridhte pikë-pikë.

S’do dëgjohet më refreni i takave,

muzgjeve nën neonet plot me dritë!

Agoi. Në vend të simfonisë së tyre

gjëmuan këmbanat lindje e perëndim,             

saqë shiu qulli deri në palcë qytetin,

që protestoi përvajshëm në një tubim!

Eh, këpucët e tua te kuqe, ritmojnë

marshin funebër, të vargut tim!

U kthye përsëri dimri                 

Hej dreq! U kthye përsëri dimri!

Gjithë natën shiu s’prajti që s’prajti,

qepallave të çative rrodhi ujvarë,

a thua se qielli aq e pati!

 

Në mëngjes mësova ç’kishte ngjarë,

pse bënte tërë natën aq potere,

i kishte rënë rrugës një këpucë,

ndaj qante si nxënës mbas dere!

 

Dhe iku hallakatur s’di se ku,

kapërceu kalendarin e po bredh,

nuk po lë vend pa e kërkuar dhe

nga inati që nga lart borë na hedh!

 

Iu thyen gjymtyrët nëpër suferinë

dhe këmba e drunjtë çative kërcet,

fshikullon, vërshëllen dhe ulërin

dritareve me erën që të pret!

 

Ai u kthye se i ra një këpucë,

goxha burrë plak, sytë plot me lotë,

një ditë prilli e gjeti më në fund,

gëmusha ia pat mbushur me lule plot!

 

Karrigia Nr. 20

 

Ti s’erdhe atë natë në teatër            

dhe karrigia jote mbeti bosh.

Pranë m’u ul veç hija jote,

që vashdimisht flirton, më josh!

 

Mes ovacionesh ra perdja e kuqe,

unë lotoja, lotonte dhe aktorja.

Mos vallë protagonistja isha unë

dhe ajo ish spektatorja!?

 

Tani sa herë shkoj në teatër,

shoh karrigen tënde numër njëzet,

atje padyshim ulen të tjerë

dikush me kokë më përshëndet!

 

Veç në sallën e shpirtit tim,

karrigia jote pa diskutim rri bosh,

s’duhet biletë, as ftesë personale,

mjafton që ti të më kërkosh!

 

Ç’emër ti vë kësaj mungese,

është dhimbje ëmbël si`për çudi,

mbushet - derdhet dhe përsëri

mbushet boshllëku me dashuri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat