Shoku im Vasil! Nga 42 vite punë, 32 vite drejtor shkolle

Kultura

Shoku im Vasil! Nga 42 vite punë, 32 vite drejtor shkolle

Nga: Bashkim Saliasi Më: 28 korrik 2023 Në ora: 13:03
Bashkim Saliasi dhe Vasil Staka

Me Vason u njohëm kur shkuam ditën e parë, në ILP Shkodër, si student të degës biologji-kimi në vitin 1975. Në planifikimin e vitit shkollor ‘75-‘76, drejtoria e ILP Shkodër, kishte vendosur që, dega matematikë dhe letërsi të tre viteve, të kryenin aksionin në Lukovë të Sarandës, për mirëmbajtjen e ullinjëve dhe portokalleve. Me këto degë na kishin planifikuar edhe ne.

Me Vasil Stakën u takuam në Shkodër, që në autobuz, por më mirë u njohëm në aksion në Lukovë. Ishte dita e parë e fillimit të punës dhe përgjegjës për kurset matematikë dhe ne të biologjisë kursi parë Drejtoria e Istitutit kishin caktuar profesor Tonin Shkupa. Profesori në mëngjes pasi bëri apelin dhe ndau punët sipas grupeve, para se të shpërndaheshim sipas detyrave shtroi pyetjen:

-Kush do e marr gjygymin për të mbushur ujë?

-Heshtje?!

-Vaso, -kujt i thotë gjygym, -profesori?

-Ja, nuk e shikon atë sendin afrë këmbve të profesorit?,- më thotë Vaso.

-Profesor - e marr unë - i them.

-Në cilin kurs je ti, mor djalë?,- pyeti profesor Tonini.

-Në kursin e parë të biologji-kimisë, - i përgjigjem profesorit.

-Merr gjygymin, - më urdhroi profesori dhe ndiq kafsharin pas, aty ku të shkoi ai, do të shkosh edhe ti… Bëj kujdes që shokët e shoqet mos mbeten pa ujë, më këshilloi profesor Tonini.

Gjithë muajin shtator unë kreva detyrën e furnizimit me ujë të pijshëm për studentët që punonin dhe iu shkonte djersa çurg.

Gjatë gjithë muajit punuam në taracat e Lukovës duke realizuar objektivat e ngarkuara për çdo ditë nga shtabi aksionit. Në mbrëmje argëtoheshim me aktivitete të ndryshme artistike. Ditët e diela shkonim në plazhin e pashfrytëzuar të fshatit Lukovë pasi e kishim si ditë pushimi. Gjatë gjithë muajit u njohëm më mirë me shokët dhe shoqet e kursit. Me Vason na bashkonte profesioni i mësuesit, pasi të dy vinim nga shkollat e mesme pedagogjike Fier dhe Shkodër, kurse gjithë shokët e tjerë vinin nga gjimnazet e rretheve të ndryshme. Vason e karakterizonte thjeshtësia, sinqeriteti, besnikëria dhe vendosmëria për të realizuar detyrat me korrektësi. Gjeta një shok të mirë, të rregullt dhe më pëlqyen sjellja dhe veprimet në shoqëri, e cila ndikoi në marrdhënien tonë gjatë tre viteve studentore.

Kështu filluam vitin e parë mësimor. Pedagogët na njohën me programet, oraret e veprimit, tekstet që do të përdornim si dhe auditoret, ku do të zhvillonim leksionet të ndarë sipas grupeve.. Me Vason ishim në një dhomë bashkë. Çdo pasdite në kohë të lirë, dilnim bashkë në Shkodër në shetitje për tu njohur me qytetin, rrugët lagjet etj. Vasua e njihte mirë qytetin dhe më shëtiste në të gjitha qendrat kulturore, duke më treguar teatrin, kinemanë, pallatin e sportit, Stadiumin “Vojo Kushi” etj.

Gjatë tre viteve kaluam shumë mirë me njëri-tjetrin. Shoqëria jonë erdhi duke u forcuar nga viti në vit, duke lënë kujtime dhe mbresa shumë të bukura midis nesh, të cilat i ruajtëm në memorie tonë gjatë gjithë jetës.

Në mbarim të shkollës së lartë, Vason e emëruan në Gramz, një fshat në rrethin e Krujës, ku punoi si mësues për 5 vjet nga viti ‘87-’93. Në vitet e para të punës, ne nuk patëm komunikim me Vason, pasi u shpërndamë në rrethe të ndryshme të vendit tonë si mësues. Unë në vitin 2008 punoja në shkollën e Valiasit dhe një ditë një nxënëse më pyeti nëse e njihja mësues Vasilin nga fshati Fushë-Kuqe?!

-Po, -i thashë, e kam shumë shokë dhe të falenderoj shumë për mesazhin që më përcolle.U gëzova shumë…që më erdhi ky mesazh, si një dritë jeshile, për të filluar komunikimin, me shokun tim të rinisë Vasil Staka. Pas disa ditësh arritëm të lidheshim në telefon dhe realizuam takimin tonë të mbas 39 vitesh. Takimi ynë ishte një mrekulli. U takuam të përmalluar me njëri-tjetrin, duke i treguar njëri-tjetrit për vitet që kishin kaluar dhe familjet tona, që kishim krijuar.

Vasili në ato vite drejtonte shkollën 9 vjeçre të Fushë-Kuqes. Shkolla e Fushë-Kuqes, ishte një shkollë e vogël, por e mirëmbajtur shumë mirë. Një godinë njëkatëshe dhe me një teren sportiv mjaft funksional. Kabinetet e ngritura në vite, ishin ruajtur shumë mirë, kjo fal punës, njohjes dhe respektit që gëzonin banorët e fshatit Fushë-Kuqe për shkollën dhe drejtorin e saj.

Vitet e pandemisë, u bënë pengesë, për tu takuar me njëri-tjetrin. Vasua më kishte bërë disa herë ftesë për një vizitë në qytetin e Laçit ku kalon pjesën më të madhe të kohës. Ditën e martë, më 20 qershor 2023, mora rrugën për në Laç. U nisa me furgon nga terminali i Tiranës ku nisen autobuzat dhe për një orë e 30 minuta arrita në qendër të qytetit në Laçit. Furgoni qendroi përballë Bashkisë Laç. Përballë Bashkisë qendronte shoku im në pritje të takimit tonë. U takuam me Vasilin dhe shkuam së bashku të shlodhemi në një bar-lulishte. Në bisedë e sipër, e pyeta Vason, nëse e kishte parë shokun tim të maturës ’73, Bashkim Balanin, që kishim mbaruar bashkë shkollën e mesme Pedagogjike në Fier.

-Jo, më tha Vasua,- kam disa kohë që nuk e kam parë. Në këto momente shohë shokun tim, të viteve të rinisë Bashkim Balani, që doli nga cepi pallatit dhe mori rrugën drejt nesh. E përshëndeta nga larg Bashkimin dhe kuptova se më njohu. Erdhi dhe na takoi në lokalin ku ishim ulur unë dhe Vasua. Në tavolinën tonë pas pak erdhi dhe një mësues i ri në moshë Kolë Gjinaj, mësues biologjie.

Biseda jonë nisi shumë e këndshme me kujtime nga vitet e shkollës së mesme dhe koha e punës. Me Bashkim Balanin na bashkoi zbori në Shëndëlli, në Fier. Biseda jonë me Bashkimin ishte rreth librit “Hijezim i bukur”, kushtuar takimit të maturës ’73 me autor Bashkim Balani dhe Hana Hoti.

-Ti Vaso, je një nga drejtorët që qendrove më gjatë në drejtim, - i drejtohet Vasilit, Bashkim Balani.

-Po aprovoi Vaso, më emëruan drejtor në shtator të vitin 1983 në shkollën e Fushë-Kuqes dhe e mbylla punën në këtë detyrë, po në atë shkollë në mujin nëntor të vitin 2020. Pas një pause Vasua sqaroi:

-Unë sillesha mirë me popullin dhe kolegët e shkollës Fushë-Kuqe dhe ata më donin dhe më respektonin,- Baçi.

-Po, nuk e vë në dyshim dhe unë vete, 10 vite qesh në drejtim, sqaroi Bashkimi. Bisedat tona u vërtitën rreth tematikave të arsimit dhe një ndër pikat e diskutimit ishin dhe rezulatatet e provimit të shtetit në lëndën e gjuhës shqipe. Vetëm 15 dhjeta ishin marrë në provimin shtetëror në lëndën e letërsisë në rang republike, -tha Vaso.

Unë, nisi tregimin e tij Bashkimi, do u tregoi një episode nga jeta ime. Ishte viti parë i punës dhe vija nga Fushë-Kruja. Një ekip i Ministrisë së Arsimit në ato vite shkon në Krujë ditën e provimit dhe i kërkon drejtorit të shkollës dhe mësuesit të gjuhës të zgjedhi tre nxënësit më të mirë të 10 për ti dëgjuar. Në përfundim të përgjigjes të tre nxënësit nuk ishin të nivelit të dhjetës. Po kështu ndodhi dhe në Fushë-Krujë. Ditën tjetër vijnë te unë. Ishte ora rreth 12 e ditës dhe pothuajse e kisha mbaruar një klasë të maturës, kurse dy klasat e tjera ishin pasdite. Pasi bënë prezantimin shokët e Ministrisë më kërkojnë që të marr tre nxënsit më të mirë në provim që ti dëgjonin dhe vlerësonin ata. I sqarova që vetëm një nxënës i mirë është jashtë që si ka ardhur radha për provim veç nëse dëshironi që ti marrë nga matura tjetër.

-Merri dhe futi në provim urdhëroi kryetari ekipit. Dola jashtë dhe gjeta nxënësit në pritje. U tregova arsyen dhe ata qenë të gatshëm.

-U përgjigj nxënësi radhës dhe për fat doli mirë. Njëri nga tre nxënësit, që futa në provim gjatë kohës që erdhi ekipi, pasi mbaroi shoku tij përgjigjen ngre dorën dhe kërkon leje për t’u përgjigjur. Përgjigja e tij i kënaqi shokët e ekipit. Po kështu edhe dy të tjerët. Më përgëzuan dhe aty në sytë e mi i thanë shefit të arsimit: -Bashkimin emërojeni drejtor të gjimnazit dhe drejtorini mereni në Seksion të arsimit.

-Pas një muaji donin të më shkarkonin nga detyra e drejtorit që më dhanë dhe arsyeja ishte tepër banale, e vazhdoi bisedën Bashkimi. Ja si ndodhi: - Në grupin e teatrit të shkollës, rolin e oficerit fashist, e luante djali i një të persekutuari. I jati kishte qenë në burg dhjetë vjetë dhe e kishte kryer dënimin. Nuk kisha dijeni për veprën kriminale të prindërit të tij. Në orën e letërsisë kur ndava rolet për një pjesë teatri midis nxënësve, atij i takoi roli i oficerit fashist, që e lunate kaq bukur sa e kishin pëlqyer gjithë kolegët e shkollës. Dikush nga mësuesit spiunoi në Komitetin e Partisë, që drejtori përkrah fëmijët e të dënuarve, në orën e mësimit, të cilën unë nuk e kisha vënë re në këtë aspekt. Që mos të zgjatem shumë kryetari ekipit më pyeti: -çfarë roli i ke dhënë atij nxënsit maturantë në pjesën e dramës? Unë e sqarova përsa fola më lartë dhe ai mu dejtua: -po a e luan mirë këtë rol ky nxënës?!

-Po – i thashë. Këtë problem e shtruam në kolektiv dhe pjesa më e madhe e kolektivit për çudi ishin kundra meje. Kur mori fjalën kryetari i ekipit i pyeti të gjithë kolegët e mi.

-Ky djal, për të cilin po diskutojmë, a e luan mirë rolin e oficerit fashist?!

-Po…thanë të gjithë njëzëri.

-Atëhere lëreni djalin që të demaskojë fashistët dhe drejtorin të bëj punën e tij…

-Me kaq u mbyll ky problem. Më pas kreva detyrën si drejtor i gjimnazit Laç për dhjetë vjetë radhazi, përfundoi bisedën e tij Bashkim Balani.. Bisedat tona qenë të tematikave të arsimit dhe tehu i bisedës ishe, se nxënësit, nuk po i kushtojnë shumë vemëndje leximit të librit, por janë zhvendosur në rrjetet sociale dhe po gabojnë në shkrimin e gjuhës letrare.

Po kush është shoku im Vasil?

Vasili lindi në 02.04.1955, në fshatin Gorre, Krujë. Në vitin 1970 mbaroi shkollën e mesme pedagogjike “Shenjaze Juka” Shkodër me rezultate të mira. Pasi kreu stazhin në prodhim në vitin 1974-1975 në shkollën “Sadik Koni” Bruzë, Mal të Krujës, në shtatorin e vitit 1975 i jepet e drejta e studimit në ILP Shkodër dega biologji -Kimi. Në vitin 1979 mbaroi ILP Shkodër me rezultate shumë të mira.

Nga viti 1979-1983 punoi si mësues në shkollën 8- vjeçare Gremze të rrethit Krujë. U dallua në procesin mësimor-edukativ dhe zgjidhet Kryetar i komisionit lëndor të biologji-kimisë, për zonën Borizanë. Në vitin shkollor 1983 transferohet në shkollën “Albulene”, Fushë-Kuqe. Përsëri ngarkohet me detyrën e Kryetarit të komisionit lëndor, të cilën e kryen më së miri dhe vlerësohet nga Ministria e Arsimit me Distiktivin “Mësues i dalluar”, firmosur nga Ministri Arsimit Skënder Gjinushi.

Në vitin 1988 me votim unanim të kolegve të shkollës “Albulene”, Fushë-Kuqe ngarkohet me detyrën e drejtorit të shkollës, të cilën e kreu me devotshmëri për 32 vite, deri sa doli në pension, në nëntor të vitit 2020. Në detyrën e drejtorit të shkollës ka mbajtur lidhje të ngushta me komunitetin kështuqë shkolla u ruajtë nga ky komunitet dhe në vitet më të errta ’97- tës.

Për rezultate të larta në procesin mësimor në vitin 1989 kolektivi shkollës 8- vjeçare Fushë-Kuqe me drejtor Vasil Staka është nderuar me Medaljen “Naim Frashëri”, me motivacion: “Është dalluar për mobilizimin në aksionin kombtar, për ngritjen e terreneve sportive dhe për arritje të larta në procesin mësimor-edukativ”.

Në vitin 1993 është dekoruar nga Presidenti i Republikës të asaj kohe, me urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë me motivacion: “Është dalluar për nivel të lartë metodik e shkenor dhe për kontributin e dhënë në punë për edukimin e brezit të ri, me ndjenja e ideale patriotike”.

Në vitin 1990-1992 Vasili vazhdoi kualifikimin duke plotësuar njohuritë në degën e Biologjisë, me provime plotësuese nga tre vjeçari në katër vjeçar, në Universitetin Pedagogjik “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

Vasua është i martuar me zonjën Mrika Bërhani, mësuese gjuhë-letërsie dhe kanë së bashku dy vajza, të cilat jetojnë në Itali dhe kanë krijuar familjet e tyre.

-I kam dokumentat italiane, më tregon Vasua, por nuk ka si vendi yt. Shkoj e rri nja dhjetë ditë, shmallem me vajzat dhe fëmijët e tyre dhe kthehem në vendlindje. Së bashku me Vason kaluam një drekë të këndshme në një lokal që gatuante prodhime me mish derri. U ndam me Vason me përshtypjet më të mira, duke i uruar njëri-tjetrit jetë e shëndet të mirë familjarisht…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat