Tradhëtari

Kultura

Tradhëtari

Nga: Valbon Osmani Më: 30 korrik 2023 Në ora: 14:11
Foto ilustrim

Vetëm tradhëtia e parë është e trishtë! Gjatë aktit të tradhëtisë djersët shkojnë kokrra-kokrra dhe, me të pëlcitur të kokrrës së parë të djersës, pëlcet edhe turpi. Tevona, tradhëtia të bëhet ushqim shpirtëror, të bëhet ves, të bëhet bindje, të bëhet fe! Tradhëtari është i bindur se vetëm këtë zanat e di më së miri dhe, këtij zanati i jepet me shpirt, deri në frymën e fundit. Njëherë tradhëtar, përjetë tradhëtar

Tradhëtia është rrjedhojë e ushtrimit të spiunimit. Gjatë çdo spiunimi kryhen një sërë tradhëtishë. Tradhëtohet miku, tradhëtohet familja, tradhëtohet ideali, tradhëtohet atdheu. Tradhëtia “amnistohet” vetëm përmes spiunimit, ndërsa spiunimin nuk ka veprim që mund ta amnistojë!

Njeriu pasi të vdesë, për në botën tjetër e përcjellin, deri në varr, të afërmit dhe miqtë, nga varri e tutje e përcjellin veprat! Tradhëtia dhe spiunimi nuk pranohen për vepra por për veprime të cilat janë të pafalshme si nga njeriu ashtu edhe nga Krijuesi dhe, si të tilla, vepruesit ia sigurojnë vetëmse ferrin!

Spiuni dhe tradhëtari gjithmonë kërkojnë mbrojtje, gjithmonë marrin masa që të mbrohen duke i kamufluar këto veprime. Ose jepen formalisht pas lutjeve e devotshmërisë, ose aftësohen profesionalisht për të ligjëruar fe, madje ose edhe e mësojnë përmendësh Librin e Shenjtë! Tradhëtari dhe spiuni kur e mashtrojnë dhe e marrin më qafë krijesën më të përsosur, nuk e kanë për frikë Krijuesin, sepse, përmes veprimeve të poshtra, tradhëtari dhe spiuni në fakt i përçojnë mesazh Krijuesit se nuk i frikësohen, se kanë aftësinë e mashtruesit që mund ta mashtrojnë edhe Vetë Atë!

Te jeshë ruajtës i Librit të Shenjtë, ta keshë të regjistruar në tru Fjalën e Krijuesit të Gjithëdishëm, ndërsa këtë virtyt ta përdorësh për spiunim e për tradhëti, është goxha guxim prej satani. Tradhëtarët dhe spiunët jepen pas këtyre veprimtarive vetëm pasi të joshen për ndonjë interes meskin, për ndonjë post a pozitë të cilën nuk mund as ta ëndërrojnë! Kur të mbushet kupa me spiunazhë e me tradhëti, atëherë kërkon shpërblim të bëhesh i madh, për shembull si Shaqir Fetai reis!

Posti reis i arritur falë angazhimit të devotshëm në spiunim e tradhëti, është pozitë prej nga pastaj këto veprimtari kryhen edhe më denjësisht dhe më lehtë, sepse si person publik tashmë gëzon mbrojtje dhe siguri nga punëdhënësi “i pushtetshëm”. Çdo spiun e tradhëtar në ndërdije e ka të sigurtë që nuk mund ta gëzojë mbrojtjen e Krijuesit prandaj i duhet mbrojtja nga “i pushtetshmi”! Spiuni dhe tradhëtari nën petkun e reisit kërkon që të vizitohet sa më shumë, kërkon që të vizitojë sa më shumë, kërkon që asnjë aktivitet politik, shkencor e fetar të mos kryhet pa prezencën e tij dhe, mundësisht, aktivitetet t’i përshkruhen si meritë e “reisit”! Spiuni dhe tradhëtari nuk e ka dert se preznca e tij e njollosë ndejën, i njollosë njerëzit, i devalvon ata, sepse, ky është qëllimi i tij: meqë është vetë i njollosur, dëshiron të njollosë sa më shumë dhe të shtohet fara e tij! A nuk është ky synimi edhe i Satanit?!

Sepse, spiuni dhe tradhëtari e di fare mirë se “fara” e tij do të jetë e lumtur dhe me kënaqësinë më të madhe do ta nderojë “pemën” e vet duke folur ëmbël për të dhe duke e marrur nën mbrojtje! Fara ta mbrojë pemën!? Ndërsa Krijuesi ynë porositë: “Dhe mos u bëj mbrojtës i tradhëtarëve” (En Nisa, 105).

Për të gjithë hoxhallarët, për të gjithë myftinjtë, për të gjithë profesorët, drejtorët, për të gjithë politikanët, shkencëtarët, i Madhi Zot ka porositur: “Dhe mos i mbro ata që mashtrojnë vetveten! Se Allahu nuk i do tradhtarët dhe gjynahqarët.” (En Nisa, 107). Kurse në ajetin 109 të po të njëjtës sure, duke iu drejtuar mbrojtësve të spiunit e tradhëtarit Krijuesi në fakt ia bën me dije vetë tradhëtarit se “Ja, ju i mbrojtët ata (tradhëtarët, spiunët) në këtë botë, por kush do t’i mbrojë tek Allahu në Ditën e Kiametit ose kush do të bëhet përfaqësues i tyre?”

A do ta mbrojnë, a do t’i bëhen “përfaqësus” për shembull do imamë e do “pari fetare” manipulantë e të manipuluar – a do ta mbrojnë këta Shaqir Fetain tek Ai para të cilit përkulen natë e ditë?! Shaqir Fetai i thërret ata dhe iu premton bashkëpunim, sepse, ideologjia komuniste më së shumëti ka qenë e frikësuar nga diaspora. Mijëra bashkëpunëtorë të UDB-së kanë përcjellë aktivitetet e diasporës. Natyrisht, shtetet e dala nga ai sistem edhe më tej i friksohen diasporës dhe, edhe më tej kanë njerëz, ekip, institucione e mënyra për ta përcjellë “veprimtarinë armiqësore” të diasporës. Shaqir Fetai mendon se detyra parësore e tij është që të ketë kontrollë absolute mbi çdo gjë nga diaspora dhe, këtë angazhim policor vullnetar e interpreton si “bashkëpunim”! Çka i duhet diaspora Shaqir Fetait, çka i duhet Shaqir Fetait diasporës? Diasporës nuk i duhet as për presh në bahçe, kurse Fetait i duhet diaspora për ta mbrojtur, për ta përkrahur, për t’i dhënë shpirt e jetë.

“Allahu nuk i do ata që tradhëtojnë”! Pra, i Madhi Zot nuk e do tradhëtarin, atëherë, si mund ta duan interpretusit dhe thirrësit në fe?

Shaqi Fetai kreu tradhëtinë më të tmerrshme në historinë e Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së! Ai e legalizoi dhe e institucionalizoi tradhëtinë në çastin kur ju premtoi myhybëve të vetë se do t’i lumturojë e do t’i kënaqë nëse do ta ndihmojnë në nguljen e thikës pas shpine njeriut që i dha kuptim, që i dha përmbajtje, formë dhe rëndësi jetike Institucionit të Bashkësisë Fetare Islame në RMV! Shaqir Fetai e lëgjitimoi puçin në këtë Institucion në momentin kur e tradhëtoi dhe kur e rrënoi njeriun (Sulejman ef. Rexhepin) i cili një jetë të tërë ia kishte kushtuar ngitjes së “personalitetit” të Shaqir Fetait! Dhe, tani, po ky spiun e tradhëtar të ftohet nëpër çaste e ceremoni të hifzit, mevludit e momenteve ngushëlluese! Shaqir Fetai vetë është “hafiz” dhe nuk e ka dert të tradhëtojë e të spiunojë. Ky e ka shprehi pune (prej spiuni e tradhëtari) që të futet në çdo skutë, në çdo institucion, në çdo komunitet, të pritet e të vizitohet prej personaliteteve të sferave të ndryshme, të dashurohet prej myhybëve të vetë, sepse, kësisoj ai mendon se mund t’i bëjë karshillëk të Madhit Zot. Ndërsa, ata që e respektojnë për interesa të veta, ata që i rrinë pas, ata që e përkrahin, ata që mendojnë se ka fuqi të hatashme, ata edhe mund të pendohen dhe ta përbuzin, por, ata që sinqerisht mendojnë se mund ta mbrojnë, për të tillët Zoti ka thënë: “Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës” (En Nisa, 145).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat