Gratë shqiptare kanë dinjitet dhe shpirt të florinjtë

Kultura

Gratë shqiptare kanë dinjitet dhe shpirt të florinjtë

Nga: Baki Ymeri Më: 1 gusht 2023 Në ora: 23:45
Kopertina

Gratë shqiptare nga hiçi bëjnë shumëçka. Gratë shqiptare janë punëtore dhe jo vetëm kaq, por ato janë të bukura, si dhe të mençura. Gratë shqiptare janë raca më e bukur mbi sipërfaqen e dheut. Gratë shqiptare kanë pasur shumë diktaturë në jetën e tyre, janë shtypur, nuk janë lejuar të punojnë, iu është cënuar jeta private, si dhe shkollimi, dhe prap kanë shkëlqyer në jetën e tyre. Gratë shqiptare çdo gjë e gatuajnë, e bëjnë siç duhet dhe nuk ka grua në Evropë që e njeh një shqiptare e nuk ia ka lakmi, si përnga gatimet, poashtu edhe përnga pastëria dhe puna e sjellja dhe respekti.

Gratë shqiptare rrisin fëmijë të pastër që nga morali, edukata dhe sjelljet. Gratë shqiptare i japin botës racë njerëzish të bukur. Gratë shqiptare janë heroina të gjalla. Çdo burrë që e nënçmon një femër shqiptare, veç nuk ka ditur ta ruajë e ta mbështesë në jetën e saj, ta respektojë dhe ta nderojë siç duhet. Për më shumë, gruaja shqiptare përgjatë historisë ka qenë edhe burrë edhe grua, sepse burrat ose kan shkuar në gurbet, ose nizam (ushtarë me detyrim apo edhe me dëshirë në luftëra atdhetare apo në ato me pagesë. Sidoqoftë, edhe burrat kanë ndikimin e tyre. Rastet devijante të abuzimit me gratë janë veprime qyqare dhe të padinjitetshme. Fillimisht dhe përfundimisht mund të themi se gratë shqiptare nuk u dorëzohen sfidave të jetës, sepse ato kanë moral ideal, kanë shpirt të florinjtë dhe janë të hekurta.

Poezia femërore mbetet poezi në dallime strukturore. Është evidente se prej shekujsh ka ekzistuar një poezi tipike femërore, gjë që mund të dëshmohet nga prania dhe theksimi i një ndjeshmërie pragmatike, që ekziston në krijimin e emrave të njohur të poezisë shqiptare. Në tekstet kushtuar gruas ka më pak utopi dhe nuk ka përshkallëzime sarkastike, që përqafon realitetin në një ndjeshmëri që ndryshon të dhënat e dashurisë tokësore dhe besimit te Zoti. Mund të thuhet se poezia është vokacioni origjinal i Zonjave shqiptare dhe lirizmi i tyre është kthyer në një vlerë tipologjike të vazhdueshme. Vargjet e tyre na ofrojnë harmoni dhe ekuilibër, një klasicizëm strukturor, përmes një poezie të vetëdijes së akteve ekzistenciale, pa impulse të mëdha dhe me projeksione të moderuara në imagjinare.

Poezia e tyre bëhet një klepsidër (orë rëre) e ndërgjegjes e bazuar në një kujtesë dinamike që është gjithmonë në bazë, por që duhet të aktivizohet nga disa stimuj të menjëhershëm, si natyra, dielli, pyjet, fushat, ngrica, stuhia dhe murlani me kujtime nga vendlindja. Poezia e tyre ndriçon si nuse me krahë shumëngjyrëshe. Duke kënduar mbi fusha të mjegullta, ajo fluturon nga gëzimi, deri në një fortune. Gruaja është buzëqeshja e fjalëve që ka ardhur në botë për të sjellë gëzim dhe bukuri, për të na e veshur shpirtin me mjaltin e fjalëve. Nëpërmjet bukurisë hyjnore të poezive të tyre, gruaja shqiptare fiton simpatinë dhe admirimin e lexuesve, të shkrimtarëve dhe të admiruesve. Shpirti është subjekti kryesor i poezisë së tyre. Poezitë e tyre përfaqësojnë një ishull paqeje dhe dashurie, gëzimi dhe lumturie, shpresash dhe ëndrrash. Mirazhi i poezive të tyre jep jetë.

Vargjet e tyre, herë të buta, herë rebele, herë të sjellshme, herë me thelbin në sipërfaqe, herë të fshehura, janë të rrumbullakëta dhe të ndritshme si një margaritar, me rrezatim të ylbertë dhe me tinguj e jehona që na mbushin me energji hyjnore. Poezia e tyre është ajo që ne duam dhe kërkojmë te njerëzit: diçka e ndritshme që na ndihmon të ndiejmë dhe të marrim frymë, diçka që na qetëson, na harmonizon, na frymëzon. Tekstet e tyre janë emocionale, sentimentale, rrëfyese, të rrjedhshme, meditative dhe filozofike, me një muzikalitet të rrjedhshëm, të qartë dhe brilant.

Komente. Vilhelme Vranari Haxhiraj: Të lumtë mendja dhe dora për këtë monument që i ke ngritur në art gruas shqiçtare! Je në një mendim me mua dhe ecim në të njëjtat shina përsa i përket segmentit të pazëvendësueshëm që mban emrin e nderuar "Grua", e cila është embrioni i jetës. Prej saj lind e bukura "jeta", e cila është vazhdimësia e gjenezës së të parëve. Pikërisht kjo që shkruan ti, ka bërë që unë kam dalë si askush tjetër në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të gruas. Edhe unë, si krijuese, luftoj për emancipimin e gruas dhe integrimin e kombit. Jam mirënjohëse që i ke dhënë gruas shqiptare vlerat e saj të pakrahasueshme!

SI U KRIJUA GRUAJA?

Për krijimin e gruas ka një gojëdhënë indiane, e cila, besa, duket t’i përshtatet krejt të vërtetës. Kur Perëndiae Zjarrit dshi të krijojë gruan, pa me dëshpërim se të gjithë matetialin e kishte harxhuar për krijimin e burrit. Atëherë, për të krijiar gruan, u detyrua të marrë ecjen e derdhur të gjarpërit, të dridhurit e barit të njomë, hollësinë e kallames, freskinë e trëndafilit, lehtësinë e gjethit, syrin e sorkadhes, shkëlqimin e rrezeve të diellit, mosqëndimin e erës, ëmbëlsinë e mjaltit, ashpërsinë e tigrit, flakën e zjarrit, zërin e bylbylit dhe dinakërinë e dhelprës. Kështu, me të gjitha këto e krijoi gruan, më të bukurën e krijesave të universit, e cila e stolis botën dhe shtëpinë.

VAJZA E LIBOHOVËS QË BËRI EMËR NË AMERIKË

E para shqiptare që punoi për “New York Times”, CNN dhe “Zëri i Amerikës” Nexhmie Zaimi (1914-2004) ka lindur në Libohovë në vitin 1914. Ishte një prej katër fëmijëve të libohovitit Musafa Zaimi që kish shërbyer si një nënpunës i lartë i perandorisë osmane. Nexhmia kishte një motër, Hanifenë dhe dy vëllezër, Mehmetin dhe Hiqmetin. Ky i fundit do të vdiste në moshë të re. Familja e Mustafa Zaimit u vendos në Tiranë dhe atje kaloi vitet e rinisë dhe u shkollua Nexhmie Zaimi. Bashkë me një nga vëllezerit e saj, Mehmetin, vazhduan mësimet në një shkollë drejtuar nga misionarët amerikanë të Kishës Protestante. Kjo, sipas tregimit të birit të saj, gazetarit Erik Margolis, nuk ishte dëshirë e prindërve, madje ata dëshironin që vajzën ta vishnin me perçe, por Nexhmia 14-vjeçare kundërshtoi duke e hedhur perçen nga dritarja e shtëpisë, kësisoj ajo publikisht refuzoi të ndiqte traditat turkoorientale dhe ndoqi rrugën e kulturës perëndimore.

Familja, që kishte një traditë e mentalitet oriental, e martoi kundër dëshirës së saj kur ishte 16 vjeçe, po ajo nuk pranoi të bashkëjetojë me burrin që i kishin dhënë dhe me vdekjen e nënës, ajo me ndihmën e zonjës Jesse Munger nga New Jersey, në vitin 1937 u largua nga Shqipëria për në Amerikë. Vazhdoi studimet universitare në “Wellesley College” dhe gjatë viteve të studimeve shkroi e botoi librin “Bija e shqiponjës”. Më pas vazhdoi studimet në Columbia University ku u diplomua në gazetari. U martua me një jurist nga Nju Jorku, Henry M. Margolis. Nga kjo martesë, që ishte e shkurtër, në vitin 1943 lindi një djalë që i vuri emrin Erik Skënderbeg Margolis, e cili do të bëhet gazetar i njohur dhe sjell kujtimet për nënën e tij.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Nexhmia shkoi në Itali, ku dhe një ndihmesë të madhe për shqiptaret që ishin larguar nga atdheu për shkak të vendosjes së regjimit komunist. U njoh me shqiptarët arbëreshë të Kalabrisë dhe studioi traditat, zakonet e gjuhën e arbëreshëve. Për veprimtarinë e saj humanitare u dekorua nga autoritetet italiane me titullin Comandatoressa della Coronna d’Italia (Komandante e Kryqit të Kuq të Italisë).

Në mjaft nga analizat e Nexhmie Zaimit në median amerikane, ajo, duke promovuar vlerat më të mira të shqiptarëve, fshikullonte me forcë regjimin komunist të vendosur në Shqipëri menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk i shkëputi për asnjë çast lidhjet e saj me vendlindjen dhe kudo u krenua me faktin që ishte shqiptare. Pas luftës dhe në vitet 1950 dhe 1960 ajo ka dërguar ushqime dhe veshmbathje për njerëzit e saj në Tiranë që ishin në varfëri të skajshme dhe ishin shpallur armiq të regjimit komunist duke i burgosur të vëllain për 16 vjet në burgun e Burrelit. U bë një gazetare dhe veprimtare e njohur në Amerikë dhe veprimtaria e saj përfshin shkrimet në “Zëri i Amerikës”, organe të tjera si dhe stacionin televiziv CNN, por edhe në shoqatën “Vatra”, si një prej drejtuesve të saj më aktive. Kishte njohje me figurat e mëdha kombëtare si Fan Noli dhe Faik Konica. Në kujtimet e saj lexojmë:

“Ishte prill i vitit 1924, kur u takova për herë të parë me Nolin në qytetin e Vlorës. Ai kishte ardhur aty për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Avni Rustemit. Në karrocën me të cilën shkonim në funeral bashkë me mua dhe prindërit e mi ishte edhe nëna e Avni Rustemit, që herë pas here lotonte dhe qante me dënesë. Ky çast mortor u bë shkak të njihesha me Fan Nolin, i cili ndjehej shumë i dëshpëruar për humbjen e papritur të Avniut, që siç thoshte ai, kishte qenë një patriot i rrallë. Mbaj mend që nëna ime Sherifja, gjatë atyre ditëve vuri në dritaret e shtëpisë pëlhurë të zezë. Ndërkaq, nëna e Avniut për ditë të tëra pas kësaj ndenji në shtëpinë tonë”.

Nexhmie Zaimi do të takohej vite më vonë me Nolin në Nju Jork në veprimtaritë e federatës atdhetare “Vatra”. Ajo përfaqësonte Shqipërinë në Ligën e Kombeve të Evropës Juglindore me qendër në SHBA dhe në Kongresin Amerikan për çështjet shqiptare ku tregonte për gjendjen e mjeruar të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Eshtë për t’u përmendur se ka qenë një gazetare e veprimtare e njohur që kurrë nuk e ka fshehur identitetin e vet si shqiptare. Madje edhe e ka manifestuar. Në një nga udhëtimet e saj si gazetare në Jordani ka një episod në takimin dhe intervistimin me mbretin Hussein të Jordanisë për median amerikane.

Ja çfarë shkruan ajo në shënimet e veta për takimin me mbretin e Jordanisë. “Kur e përfunduam intervistën, mbreti Hussein më tha se do të më përcillte deri te hyrja e pallatit mbretëror. Madje vuri në dukje se kishte rezervuar një surprizë për mua, gazetaren shqiptare që kisha shkuar nga larg për opinionin e tij. Ndërsa zbrisnim shkallët e pallatit, në të dy anët e tyre na nderonin me qëndrim gatitu 60 roje të Gardës të gjatë e të veshur me uniformë ceremoniali. Diku më tha se mund të komunikoja me ta.

“Anglisht?”,- i thashë. “Jo, shqip”, - më tha ai, duke u ndalur para tyre. “Shqip?!” “Po, po, shqip”,- këmbënguli mbreti Hussein. “Si ka mundësi?”, - e pyeta unë e habitur. “Këta të gjithë janë shqiptarë”, - sqaroi ai surprizën që kishte vendosur të më bënte në ndarje e sipër. Kur i thashë se pse kishte zgjedhur pikërisht shqiptarët për t’i bërë roje, mbreti Hussein shpjegoi se ata janë besnikë dhe trima”.

Nexhmije Zaimi ka marrë me dhjetëra dekorata nga institucionet ndërkombëtare. Eshtë dekoruar së pari nga shoqëria amerikane e veteranëve të luftës American Legion. Ka marrë titullin e nderit Komandante e Kryqit Italian dhe një nga medaljet italiane më të larta. Ndërkaq, është dekoruar me Medaljen e Mirënjohjes nga presidenti i SHBA-së, Franklin D. Roosevelt. Vitet e fundit të jetës Nexhmie Zaimi vuante nga sëmundja e glaukoma-s, që e pengonte dëshirën e saj të madhe për të shkruar një libër tjetër, pas atij që kishte botuar që në rininë e saj “Bija e shqiponjës”. Ndërroi jetë në Santa Barbara të Kalifornisë në moshën 90-vjeçare.

Romani “Daughter of the Eagle: Autobiography of an Albanian Girl” (“Bija e shqipes: Autobiografia e një vajze shqiptare”), i botuar së pari në New York në vitin 1937, dhe nga kërkesat e lexuesve i ribotohuar pas disa muajsh po të atij viti, do të pasonte dhe me një botim të tretë në vijim, përkatësisht më 1938, nga shtëpia botuese “Ives Washburn.INC. Në gjuhën shqip është përkthyer nga Enida Rusi dhe është botuar më 2007 nga shtëpia botuese “Plejad” në Tiranë.

Erik Margolis, i biri i Nexhmie Zaimit nga Libohova, aktualisht drejtor editorialist i gazetës më të madhe në Kanada “Toronto Tun”, ka edhe ai një veprimtari të madhe si gazetar. U lind në Nju Jork më 4 shkurt 1943. Ndoqi shkollën e muzikës dhe më vonë shkollën private në Nju Jork, e më pas shkollën ndërkombëtare në Gjenevë, Shkollën e Shërbimit të Huaj “Foreign Ser vice School” në universitetin “Georgetown University” në Uashington DC, “New York University Graduate School”, si dhe universitetin e Gjenevës. Hyri vullnetar në ushtri gjatë luftës së Vietnamit dhe shërbeu për dy vjet. Pas kësaj shkoi në Xhamajka, ku punoi në projektet për zhvillimin e vendit. Më pas, u punësua në kabinetin e ish-presidentit Nikson, ku punoi për përgatitjen e fjalimeve në fushatën e dytë elektorale të tij. Në vitin 1975 punoi në Nju Jork, për Estee Lauder Internationl, në drejtimin e bizneseve të saj në Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore.

Nisi të shkruajë për gazetat në vitin 1982 fillimisht për “New York Times”, “Wall Street Journal”, e më vonë për “International Herald Tribune”, “Mainichi”(Tokyo), “Chicago Tribune”, “Los Angeles Times” etj. Njëherazi, filloi të punojë edhe për TV dhe radio të ndryshme. Si korrespondent i luftës për kanalin mediatik “Canada’s Sun” ka mbuluar luftërat në Angola, Mozambik, Afrika e Jugut, Rodezia, Peru, Salvador, Nikaragua, Egjipt, Irak, Kashmir, Liban, Kurdistan, Afganistan. Kam mbuluar konfliktet në Lindjen e Mesme, Bashkimin Sovjetik, (duke përfshirë Kaukazin dhe Azinë Qendrore), Evropë, Kinë, Indi, Pakistan, Liban, Amerika Latine etj.

Eshtë autor i disa librave. Qysh nga viti 1980 është komentator i përhershëm për çështjet e jashtme në kanalet televizive CNN, Fox, CBC, CTV dhe Britain’s Sky News TV. Anëtar i Institutit Ndërkombëtar të Stu dimeve strategjike Londër, “Klubi kombëtar i shtypit, Uashington DC. Fitues i disa çmimeve, për 5 gazeta të kanalit kombëtar. Eshtë i njohur si një nga mbrojtësit më të mëdhenj të çështjes shqiptare për lirinë Kosovës në shtypin ndërkombëtar sa ishte bërë tmerri i regjimit të Milloshevicit në Beograd. “Gjatë luftës së Kosovës, tregon Eric Margolis, serbët në Toronto u përpoqën të më vrisnin, por unë vazhdova të shkruaj dhe të punoj për median. Profesioni i gazetarit është pak a shumë si ai i luftëtarit që thoshte nëna ime. Guximi, qëndre sa dhe forca për ta thënë të vërtetën pa ndrojtje, janë ABC-ja e tij…” (Nga libri “Libohovitët e Amerikës”, nga K. P. Traboini)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat