Përvjetori i vdekjes së Gjon Nikollë Kazazit

Kultura

Përvjetori i vdekjes së Gjon Nikollë Kazazit

Më: 5 gusht 2023 Në ora: 08:04
Përvjetori i vdekjes së Gjon Nikollë Kazazit

Sot, është 271 vjetori i ndarjes nga jeta i ipeshkvit, lëvruesit të gjuhës shqipe dhe teologut, imzot Gjon Nikollë Kazazi.

Ai në vitin 1740, gjatë kërkimeve të tij në Arkivin e Vatikanit, kishte zbuluar veprën monumentale të kulturës shqiptare “Mesharin” e Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Zbulimi tij do të mbetej në hije deri më 1909, kohë kur studjuesi arbëresh Pal Skiroi e kishte rigjentur në po këto arkiva nën shënimin “Katalogu: R.G. Liturgia III,194”.

Gjon Nikollë Kazazi është lindur më 1 janar 1702 në Gjakovë. Karriera e tij studimore kishte filluar me studimet teologjike në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit dhe më pas në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe në Loreto, ku kishte përfunduar studimet.

Ai në vitin 1727 kishte marrë titullin Doktor në Filozofi e Teologji. Po atë vit ishte shuguruar meshtar. Në moshën 41 vjeçare është shuguruar ipeshkëv i Shkupit.

Gjon Nikollë Kazazi në vitin 1743 kishte botuar veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane”. Kazazi ka qenë studiuesi i parë shqiptar që metaforikisht ka hapur rrugën për të gjithë studiuesit e mëvonshëm drejt Arkivit të Vatikanit, e kryesisht, arkivit të Propaganda Fide.

Imzot Gjon Nikollë Kazazi ka ndërruar jetë më 5 gusht të vitit 1752. Në këtë ditë të amëshimit të tij, kontributi i imzot Kazazit shihet si gurthemel në panteonin e besimit dhe gjuhës shqipe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat