Datëlindja e akademikut Eqrem Çabej

Kultura

Datëlindja e akademikut Eqrem Çabej

Më: 6 gusht 2023 Në ora: 07:47
Eqrem Çabej

Më 6 gusht të vitit 1908 është lindur në Eskishehir të Turqisë akademiku i shquar Eqrem Çabej.

Ai studimet fillore i ka kryer në Gjirokastër, shkollën e mesme në Klagenfurt dhe pasi ka braktisur fakultetin e mjekësisë në Romë, është regjistruar në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Gracit e më pas në Universitetin e Vjenës, ku edhe ka përfunduar studimet.

Me kthimin e tij në Shqipëri. Çabej ka dhënë mësim në gjimnazin e Shkodrës, në Shkollën Normale të Elbasanit, në Liceun e Tiranës, si dhe ka punuar për një kohë të shkurtër në Ministrinë e Arsimit.

Më 1940 ka filluar punën ambicioze dhe fort të vyer për hartimin e Atlasit Gjuhësor të shqipes. Pas Luftës së Dytë Botërore, ai ka qenë anëtar i Institutit të Shkencave e më pas pedagog në Universitetin e Tiranës dhe anëtar themelues e akademik në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Ndërkohë, jo vetëm puna e tij, por edhe jeta profesionale e intelektualit dëshmojnë se me atdhedashurinë, ai nuk ka bërë kompromise. Kjo duket edhe nga dokumenti i shtatorit të vitit 1942, dorëheqja e atëherëshme e prof. Çabejit nga anëtarësia në Institutin Mbretëror të Studimeve Shqiptare.

Çabej ka kryer studime në fushë të leksikologjisë, gjuhësisë historike të shqipes, dialektologjisë, etimologjisë, etj.

Është autor i botimit kritik dhe faksimile të “Mesharit” të Gjon Buzukut dhe autor i Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe.

Akademik Çabej ka ndërruar jetë pak ditë pas ditëlindjes së tij së 72-të, më 13 gusht të vitit 1980.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat