Atdheu i ëndrrave dhe poezisë

Kultura

Atdheu i ëndrrave dhe poezisë

Nga: Baki Ymeri Më: 13 gusht 2023 Në ora: 06:33
Marieta Vasilescu

Kur dashurohen dy fjalë, lind një gjuhë. Kur vjen fjala për rumunët, fjala është për do njerëz me një shpirt të florinjtë, të ngjashëm me shqiptarët, përnga mentaliteti, përnga fizionomia, përnga lashtësia, përnga fjalori. Ekzistojnë do shprehje në gjuhën rumune, që tingëllojnë më shqip se sa sintagmat shqiptare: “bukurie” (gëzim), “bukuros” (i gëzuar), “bukëtërie” (kuzhinë), etj. Emil Wagneri, pasardhës i Richard Wagnerit të famshëm, në moshën 107 vjeçare thekson se “Rumaninë do ta shpëtojnë vetëm të rinjtë”. Në Amerikë, sipas bindjeve të tij, ekziston një kapitalizëm social që hap vende pune, ndërsa kapitalizmi marksist i zhduk ato.

Zonja që flet me lulet

Është kënaqësi e veçantë të shkruash për atdheun e folklorit më të bukur në botë. Rumania është vendlindja e një populli të mençur, krijues vlerash kulturore e materiale. Para 15 vitesh, me rastin e shpërthimit të revolucionit antikomunist të dhjetorit (1989), bota kuptoi se në Rumani gjendet numri më i madh i njerëzve në botë, të etshëm për paqë dhe liri. Fjala është për do njerëz me një shpirt të florinjtë, të ngjashëm me shqiptarët, përnga mentaliteti, përnga fizionomia, përnga lashtësia, përnga fjalori. “Bukuraci-vë oameni buni!” (Gëzohuni njerëz të mirë!) - thonë fshatarët në periudhën më të bukur të vitit, me rastin e Kërshëndellave dhe Vitit të Ri. Ekzistojnë do shprehje në gjuhën rumune, që tingëllojnë më shqip, se sa sintagmat shqiptare: “bukurie” (gëzim), “bukuros” (i gëzuar), “bukëtërie” (kuzhinë), etj. Albanologu Grigore Brënkush din t’i shpjegojë këto, përmes deshifrimit etimologjik të tyre, duke e ndërlidhur me një nënshtrat të lashtë, të periudhës parasllave dhe paralatine. Për momentin, të vetmit që e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj fqinjësie të lashtë, janë shkencëtarët e Institutit Albanologjik të Prishtinës, të cilët e nderuan albanologun Brënkush, me rastin e 75 vjetorit të tij.

Shumë të huaj që kanë kaluar këndejpari, e ndër ta edhe Asdreni, Lasgushi, Kuteli, i kanë përvetësuar fshehtësitë e artit të fjalës, duke lënë vepra të pavdekshme në fushë të kulturës. Të huajtë kanë patur rastin ta përjetojnë mikpritjen përrallore të do njerëzve që në vend të ksenofobisë, i karakterizon ksilofonia: admirimi ndaj të huajve. Popullin shqiptar e karakterizon trimëria, ndërsa rumunët shpirtbutësia. Mikpritja edhe për ta, edhe për ne, është një dhuratë e shenjtë e Perëndisë. Me se mund të të ndihmoj?, të pyet madje, edhe ajo që ka më pak se ti: Marieta Vasilesku, kunata e një shqiptari, zonja që flet me lulet, e ëndërron Emineskun, dhe të mahnit duke rrëfyer për vlerat shpirtërore, veprat e shkrimtarëve, dhe jetën e shqiptarëve përgjatë periudhës së Mbretërisë.

“Gjuha më e zhdërvjelltë në botë, është gjuha shqipe”

Rumunët kanë një traditë të shquar që ndërlidhet me përfitimin në turnetë sportive apo artistike ndërkombëtare, të medaljeve të shumta e të larta. Paralelisht me shqipen, rumanishtja është një gjuhë plot shpirt, e zhdërvjelltë dhe shumë më e pasur, se sa gjuhët e tjera. E konsideruar nga liberalët si një mrekulli e historisë, Rumania sipas Lazim Rexhepit nga Piatra Neamci (1920-1983), “është vatra e ëndërrimit dhe poezisë”. “Nga popujt e Ballkanit që i njoh më mirë se vetveten, shkruan zotëria e tij në kuadrin e një dorëshkrimi, kam përshtypjen se nuk ka njerëz ,më të përzemërt se sa rumunët, një popull i përsosur me ndjenja fisnike, që zgjon simpatinë e çdo të huaji që kalon këndejpari”. Po këtë bindje ka edhe Hajro Hajra nga Arizona, linguist kosovar që ka patur fatin ta njëhë Lazimin para 30 vitesh. Populli rumun sipas Emineskut “është i mirë, i drejtë, dhe i ndershëm si një fëmijë”. Këtë e thot bardi i ndjeshmërisë lirike rumune, i cili qe shprehur para 100 vitesh: “Unë kam përshtypjen se gjuha më e zhdërvjelltë në botë, është gjuha shqipe”.

Është një numër i konsideruar shkrimtarësh, shkencëtarësh dhe politikanësh rumunë, që përgjatë periudhës së Mbretërisë kishin një admirim të hatashëm ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, Shqipëri duke e konsideruar njëri prej tyre (Konstantin Sterie Konstante), Arnautllëkun e dikurshëm me katër vilajete, që nga Janina e deri në Prishtinë, dhe tejmatanë saj. Bolintineanu, Hashdeu, Konstante, Shunda, Kapidan, Jorga, etj., i konsideronin shqiptarët si “kushërinj të një gjaku” me rumunët, disa prej tyre duke i konsideruar, madje, edhe si “vëllezër”. Njëri prej tyre, vjen apostafat në trojet e Shqipërisë Veriore, që sipas tij shtriheshin mes Shkupit, Prizrenit, Mitrovicës dhe Nishit, për të shkruan një libër për Shqipërinë (Konstantin S. Konstante). Ja se ç’thot në kuadrin e parathënie së njërës nga veprat e tij, dedikuar “sivëllezërve” të tij në jug të Danubit: “Erdha i angazhuar për të hapur një shkollë rumune në Prizren, si dhe t’ua bëj të njohur traditat dhe zakonet kurreshtare të popullit trim shqiptar, pothuajse i panjohur për publikun rumun dhe vetë popullin. Dhe meqenëse fati i popullit rumun është i ngjashëm me atë të popullit shqiptar, ma merr mendja se e kryej detyrën duke e njohur për këtë popullin rumun, dhe sidomos njerëzit tanë politikë, me shpresë se ndoshta do të arrij kështu të zgjoj interesin tonë për një popull që meriton kujdesin tonë të sinqertë”(C.S.Constante, Spre Albania, Bukuresht, 1905).

E hapur ndaj NATO-s, Kosovës dhe Komunitetit Europian

E përfshirë në gjriin e NATO-s, me parapregaditjen e terenit për t’u bërë anëtare e denjë e Bashkësisë Evropiane, edhepse e varfër, Rumania e Emineskut është një vend i bekuar nga Zoti, një emër që nuk ka provokuar kurrë konflikte të armatosura, fakt për të cilin shkon duke u shndërruar dalngadalë, në një vlerë evropiane. Forcat e saj japin kontribut për ruajtjen e paqes në Bosnjë, Kosovë, Irak, Afganistan, e gjetiu. “Vendi dhe fati im janë në Rumani”, thot Laura Buruiana, violonçelistja që e përvetsoi Amerikën. “Në Rumani e ndjej veten më mirë se në shtëpinë time”, thot Al Bano, sa herë që vjen këndejpari. Nikolla Naço dhe rilindasit tanë, e konsideronin këtë vend, si atdheun e tyre të dytë. Përgjatë periudhës së Çausheskut, gjermanët shiteshin një nga një, sigurimi jugosllav vepronte si në shtëpi të vet, Shqipëria konsiderohej si vendi më i varfër në Europë, Kosova as që përmendej. Këtu askush nuk të pyet i cilës fe je, apo i cilit komb. Vetëm demonët e komunizmit e kanë shfrytëzuar fenë si instrument politik të të urrejtjes, përçarjes dhe mosbesimit. Dhe kjo s’duhet të na mahnisë, ngase i kemi do tentakule të këtilla, edhe në Shqipëri, edhe këndejpari, do korçarë e do pogradecarë, do pseudomiq të Shqipërisë, madje edhe një parlamentar, të infektuar nga virusi pansllavist i islamofobisë, të cilët i ka kapluar paranoja si pasojë e shpirtit të sëmurë. Edhe ata që ishin kundër bombardimeve për ndërprerjen e holokaustit serb në Kosovë, tashmë janë bërë të urtë e të butë si qengji. As që guxojnë t’i përkujtojnë deklaratat e tyre proserbe, ngase kanë frikë mos ta humbin admirimin e Perëndimit, funksionin, postet, beneficionet, privilegjet që kanë.

Ata që botonin dikurë artikuj për Kosovën dhe “verbërimet e Perëndimit” (1999), tani shkruajnë mbi Shqipërinë Etnike. Ngjarjet e marsit, për fat të keq, i ntrashën ata që ishin kundër Perëndimit dhe aspiratave të shqiptarëve, për t’u shkurorëzuar njëherë e përgjithmon, nga kolonializmi serb. Tani as që guxon ta përmendish kudo, Kosovën dhe shqiptarët. Ende nuk dihet në e dha Zoti që të ndodhë kjo, apo, ku ta dish, ndoshta shërbimet e fshehta të djallit, të atyre që ende s’e kanë flakur alergjinë ndaj marksizëm-leninizmit, edhepse marksistë në këtë subjekt delikat dhe kompleks, konsiderohen edhe ata që brenda pesë viteve, nuk dhanë kontribut për flakjen e varfërisë në Kosovë. “Kosova nuk mund të jetë poligon ku mund të strëvitet kushdo”, thot në kuadrin e një interviste, Ministri i Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidenciale, z. Behxhet Brajshori. “Kthim prapa apo kthim në realitet”, thekson Ibrahim Shala me një rast, Këshilltar politik i kryeministrit Rexhepi. Edhepse ekzistonin do “mospajtime” me hungarezët e Transilvanisë, rumunët nuk kanë ngritur kurrë dorë kundër fqinjëve, përkundrazi, ata kanë dhënë kontribut të pashoq për përlindjen kombëtare të bullgarëve, grekëve, hebrenjve, shqiptarëve, serbëve, dhe jo vetëm të tyre. Krejt bota e din se në Rumani ka funksionuar para 100 vitesh (1876), teatri i parë në gjuhën e hebrenjve (idish). Këtu shqiptarët kanë hartuar abetaren e parë (1844), shtypshkronjën e parë (1886), liturgjinë e parë në gjuhën amtare (1909), meshën e parë shqipe (1911).

Derisa Amerika hap vende pune, kapitalizmi marksist i zhduk ato

Emil Wagneri, pasardhës i Richard Wagnerit të famshëm, në moshën 107 vjeçare thekson se “Rumaninë do ta shpëtojnë vetëm të rinjtë” (2003). Në Amerikë, sipas bindjeve të tij, ekziston një kapitalizëm social që hap vende pune, ndërsa kapitalizmi marksist i zhduk ato. Kapitalistët marksistë i deponopjnë paratë në botën e jashtme, për të jetuar nga renta”. Kurë do ta përvetsojnë politikanë e Ballkanit këtë leksion të demokracisë, për gjermanizimin e shpirtit shqiptar, edhe përnga pikëpamja e xhepit, dhe jo vetëm përnga fjalët? E dini se ç’thonë banorët e Shipkovicës për ata që e përvetsojnë popullin me premtime? “Prejt magjar se do hash bar!”. Rumunët sipas ambasadorit të Britanisë së Madhe në Bukuresht, Quinton Quayle, “janë njerëz të dashur, të përzemërt dhe të ngrohtë. Rumania është një vend i bukur me një potencial të hatashëm turistik”. Femrat më të bukura të Europës, gjenden në Rumani. Bukuria nuk fshihet vetëm në fytyrë apo sy. Ajo shprehet edhe përnga pasuria e shpirtit. Trup e shpirt. Nga ky pikëshikim, Rumania është vendi i grave më të bukura në botë. Mashtrohen ata që mendojnë se sëmurja e rumunëve është varfëria dhe intoleranca. “Urdhëroni e shkoni në fshat, theksonte ish-diplomati shqiptar Eqerem Petoshati, po qe se doni ta zbuloni shpirtin shqiptar, te fshatarët rumunë!”.

Bukureshti është kryeqendra botërore e frymëzimit

Nga rrënjët tua lind qytetërimi i një kombi. Rumania është vatra e ëndërrave dhe poezisë, vendi ku përnga numri i banorëve, del numri më i madh i revistave kulturore në Europë. Është fjala për një vend që din ta mbrojë kulturën, si një produkt për të gjithë, e jo vetëm për disa. Pse e themi këtë? E themi ngase kultura mundëson shumëfishimin e vlerave dhe përkëdheljen e shpirtit. Bukureshti për dr. Vehbi Bexhetin është “qyteti më i bukur në botë”, kryeqendra botërore e frymëzimit. Këtu i gjen njerëzit që dinë ta çmojnë kulturën e cilësisë më të lartë. Ngjashmëritë ndërmjet shqipes dhe rumanishtes janë impresionuese. Kur dashurohen dy fjalë, lind një gjuhë. Fjalët më të bukura dhe më të vjetra të gjuhës rumune, kanë korrespondencat e tyre edhe në gjuhën shqipe: buzë, gushë, bre, pllajë, bukuri, gjurmë, luftë, qafë, fyell, kalë, katund, vatër, dhe elemente tjera të shumta, disa nga nënshtrati, e disa nga latinishtja ballkanike, që përnga pikëpamja etnike, folklorike, etnografike, gjeografike, linguistike dhe historike, reflektojnë lidhjet tona me antikitetin.

Siç duket, fjala është për do lidhje dhe për një simbiozë, që e e ka zanafillën e saj, në zanafillet e historisë. Të shikosh, të lexosh dhe të mahnitesh se sa bukur dinë t'i’deshifrojnë këto lidhje, albanologu Brënkush, i harruar nga autoritetet shqiptare. Dhe të shikosh, të lexosh e të mahnitesh, se sa bukur dinte t’i bëjë publike para 100 vitesh këto lidhje, në sallën e madhe të Akademisë Rumune, Bogdan Petriçeiku Hashdeu, babai i filologjisë rumune: “Albanesii dară nu sunt rude cu noi românii, ci ne sunt chiar fraţi buni, fraţi din acelaş sânge (...). Albanesii sunt pentru noi românii, ceea ce sunt celţii pentru francezi” (Shqiptarët nuk janë fis me ne rumunët, por na janë vëllezër, vëllezër të mirë të të njëjtit gjak (...). Shqiptarët janë për ne rumunët, ata që janë keltët për francezët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat