“Të ribashkuar në vatrën e dijes”

Kultura

“Të ribashkuar në vatrën e dijes”

Më: 13 gusht 2023 Në ora: 17:37
Brezi i parë i nxënësve të shtëpive shkolla të Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë

Brezi i parë i nxënësve të shtëpive shkolla të Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, kanë ndarë mirënjohje për qytetarët e Loxhës të cilët në periudhën e rëndë për arsimin shqip, hapën shtëpitë e tyre dhe i bënë shkolla.

Nxënësit e gjeneratës 1991/1995 kanë falënderuar të gjithë mësimdhënësit që kontribuuan në atë periudhë të vështirë.

Lexoni shkrimin e plotë:

Së bashku i rezistuam vendimeve të pushtetit serb, shkollimi nuk u ndal, shtëpia u bë shkollë, dhoma u bë klasë, mësimdhënësi e ndoqi misionin dhe betimin e tij, nxënësi i rrudhi këmbët dhe e afroi shokun/shoqen në dhomën e ngushtë, dyshemeja u bë bankë, dera u shndërrua në tabelë, frika në guxim, ëndrrat veç u shtuan edhe pse dyert e shkollës nuk i gjetëm të hapura e para tyre gjendeshin forcat policore që na ndalonin hyrjen në hapësirat shkollore. Rrahje e maltretime te nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve qe s’kërkonin asgjë më shume se të drejtën e shkollimit ne gjuhen amtare.

Ata që angazhoheshin në këtë sistem e sfiduan frikën por jo edhe sistemin...Jemi dëshmitarë të kësaj periudhe të errët që e ujitëm me dëshirën e madhe për shkollim dhe nuk ndaluam asnjëherë.

Mësimi bëhet në çdo formë, në çdo vend, atëherë kur dëshira për dije është e madhe. Të mbledhur bashkë si brezi sypatrembur ndaj regjimit dhe të etur për dije, ku për fatin tonë; shtëpia u bë shkolla jonë, sot pas gati tri dekadave mirënjohjeje e falënderime për vendasit e Loxhës, bashkërisht si gjeneratë kemi vendosur ta japim edhe një shenjë simbolike si mirënjohje e përhershme ndaj qytetarëve të fshatit Loxhë, që nuk hezituan t’i hapin dyert e shtëpive për ta fituar vulën e përjetshme të guximit dhe bujarisë që e shfaqën përmes këtij veprimi.

Takimet tona janë të përvitshme dhe të qëllimshme përpos mallit dhe kujtimeve që i ndajmë së bashku, ku një pjese e tretur rrugëve te gurbetit, disa vdekja na i mori por sot u mblodhëm me misionin për ta shpalosur vlerësimin tonë ndaj atyre që dikur na dhanë kurajën për rrugëtimet e ardhshme të jetës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat