Planeti poetik i një poeti

Kultura

Planeti poetik i një poeti

Nga: Pjetër Jaku Më: 19 gusht 2023 Në ora: 12:08
Kopertina e librit

“Nëse nuk do që të harrohesh sapo të vdesësh, ose shkruaj gjëra me vlerë për t’u lexuar, ose bëj gjëra të vlefshme për t’u shkruar” - B. Franklin

Në të dyja këto cilësi e gjejmë poetin Ndue Dedaj. Ka vite që ai shkruan për t’u lexuar dhe për punën krijuese të tij, kurdo mund të shkruash. Poezia është një dashuri planetare, sepse ajo është planeti, gjithësia brenda një gjithësie të “vogël”, të vetëm një njeriu, që ka aftësitë të krijojë planetin, ta shembë atë, ose t’i japë format që ai ka në fantazinë krijuese të tij. Brenda çdo njeriu është një planet, në lëvizje të herëhershme, ndërsa te poeti planeti lëviz kurdoherë, sipas përfytyrimit të tij. Edhe pse na vjen të themi dhe vazhdojmë të themi, që kur lindi shkrimi, ndoshta më shumë se 27 shekuj, se poezia është arti i elitës, tek disa krijues ndryshon ky përkufizim. Ata krijues, që nuk u bënë rob të figurës për figurë, ata poetë që ditën të kapin në krijimtarinë e tyre përditshmërinë dhe natyrshmërinë, pa fryrje figurative të pavend, ishin dhe janë edhe elitë, por planete të “vegjël”, tek secili planet lexues. Ndue Dedaj i takon kësaj lloj elite!

Poezia është një lloj blete, që merr nga të gjithë dhe jep për të gjithë, ndaj shijohet edhe si libër, edhe si këngë, edhe si ritëm edhe si ndjenjë, edhe si lot… Ndjeshmëria e vargut është e përjetshme, që e shoqëron njeriun që në këngët e djepit e deri në këngët e përcjelljes për në botën tjetër. A është kjo një gjë e re?! Këtë e di edhe Ndue Dedaj, që e mendon vargun para se ta shkruajë, para se ta hedhë në “tregun kulturor” të librit, që të mos harrohet nesër, që të bëj vend te lexuesit dhe t’u duhet atyre. Nuk duhet dhe nuk mjafton, nëse këtë kënaqësi estetike dhe shpirtërore ta ndjejnë vetëm krijuesit brenda rrethit të tyre, por çdo njeri që e ndjen sadopak planetin brenda vetes së tij. Kështu poezia e Dedajt erdhi natyrshëm me rritjen dhe pjekurinë e saj, që nga libri i parë poetik “Ajzbergu i hanës” deri tek ky, për të cilin po shkruajmë, “Planetare”, ndërmjet të cilëve pati edhe krijimtari të një lloji tjetër, jo më pak njerëzore dhe humane, jo më pak poetike, edhe pse shkruante për “tokën e katedraleve”, për Mirditën e tij, të sakatuar shpirtërisht nga regjimi komunist. Pra krijuesi poet nuk ka kohë të pushojë. Pushimi i tij më i mirë është vetëm ndërrimi i formës së shkrimit në tryezën e tij të punës. Një çlodhje duke punuar si kjo, e bën atë poet vetëm si Ndue Dedaj!

Pas librave poetik “Ajzbergu i hënës” dhe “Këndej kaloj koha”, Dedaj vjen në kohen e duhur me librin e tretë poetik “Planetare”*. Në këtë ecje të matur, ai është më i konsoliduar në poezinë e tij kualitative, edhe pse në dukje (në leximin e parë) e lehtëmbajtshme, por që ka veçoritë e saj në ritmikën përshkruese-ndjesore, që e dallon nga brezi i tij, që metaforën e përdorin në poezinë teknike, pa e njohur teknicitetin e përdorimit të figurës, pa lexuar shkollën poetike, as shqiptare, as atë të korifejve të letërsisë botërore. Nuk ka shkollë poetike më të mirë se të lexosh poetët e të gjithë brezave, që të dish t’i zgjedhesh dhe klasifikosh ata. E ky poet edhe nga formimi kulturor-profesional, qëndron në lartësinë e duhur. Libri “Planetare”, edhe pse ka një organizim tradicional, i ndarë në cikle, ku në përmbajtje të tij ka 5 të tillë, është krejt ndryshe në strukturën e ndjesisë, me një përzgjedhje, që vjen përherë e më shumë në ngjitje me vetjen tënde.

Të shohësh bardhë, do të thotë të jesh poet

Të parët bardhë është një nga cilësitë e personalitetit të poetit dhe çdo krijuesi me vlera të mirëfillta krijuese. Pikërisht me një poezi të tillë çelet libri (një si përjashtim - poezia e të birit, Besianit, kushtuar të atit poet): “Kam parë ëndërr mbrëmë, baba/ se krejt bota është kjo shtëpi,/ e siç përherë ti ke thënë/ të shohim bardhë,/ po kurrë zi…” Por, duhet ditur se poetët, si instrumenta ndjesor të një cilësie të veçantë, edhe indinjatën, zemrimin, padrejtësitë dhe veset e këqia i ndjejnë ndryshe dhe i përcjellin ndryshe, me një fuqi urrejtje shumë më të madhe se një matematicien, që kundrejt ndjeshmërisë ka llogarinë, se deri ku të qesin veprime të tilla, ose ç’përfitime kanë prej tyre. Poeti, krijuesi përgjithësisht, është i njëjtë me mendimin e Euripidit, që thotë: “Urrejtja më e keqe, më pak e shërueshme, është ajo që zëvendëson një dashuri të thellë.” Pikërisht poeti, ndjeshmëria e të cilit reflektohet në krijimtarinë e tij, nuk mund të rrijë, në asnjë rast dhe për asnjë shpërblim! Ndaj poetit s’i pushojnë veshët asnjëherë: “Veshët s’më pushojnë së zukaturi asnjëherë,/ kemi shtigje për të lënë, rrugë për të bërë./ Nguten mjegullat, fjalosen erërat në kozmos/ Shtatoren e diellit ta flakin në bosh…” Poeti nuk ndjen rehat, kur edhe diellin duan ta flakin në bosh, le pastaj ç’mund të bëhet me njeriun dhe kohërat, të cilët për më të fortin janë: “…si tespie, si lodra/ Parajsën japin e marrin me gogla”; të kundrosh ndërkohë: “Gjinkallat, si në etjen e zhegut bien heroina.” (“Pendlat e zhegut”). Të krijosh është mund. E për këtë poeti Dedaj do të shkruante: “Kur shpirti më epet në orët e krijimit,/ më merr vetmia përdore/ më mbyll në njëqind dryna.” (“Vetmore”).

Tek Ndue Dedaj mbartën jo vetëm ndjenjat për persona e ngjarje, por edhe për malet, për udhët, për natyrën. Në të gjitha këto raste, ku krijohet me këtë temë, do të ndeshësh me Nduen ndryshe, me një lloj përjetimi, jo vetëm pamor e përshkrues, por edhe ndjesor e prekës. “Më duhet një kalë/ për të ngarkuar ikjen! Nga kreshtat e maleve/ Në fushën e begatë./ Një det i thellë/ I pavah…/ Më duhet një ëndërr tjetër/ Për të shkarkuar ikjen/ Mali/ Heshtima ime e gjatë/ E vargut të gjyshërve.” (“Poema e sprasme e lisit”). Abacia e poetit janë malet, historia e tyre, nga ku Dedaj nuk ndjehet asnjëherë vetëm. Aty ai do të jetë edhe ne shekullin që vjen, prej aty do të lutet për brezat që do të vijnë, kur ne do të jetojmë vetëm si shkronja të prekshme, të metalta, apo të gurta, por jo të drunjta. Në atë abaci do t’i flasë edhe Doçit, Fishtës, Kaçorrit, Kimzës dhe gjithë atyre që do vijnë pas e më pas nesh. “Gjeta një abaci të vjetër në male/ Muret veshur me lëmyshk/ Diellin, të vetmen dritare./ Vajta e u mbylla dymijë vjet./ Aty do të jemë edhe shekullin që vjen…(“Abacia”). Për poetin, Mirdita do të jetë: “Borxhi im i palarë kurrë”. (“Mirdita”).

Vertikaliteti dhe mosha e poetit

Vertikaliteti është teoria e të qendruarit në këmbë, përjetësisht në këmbë. Siç duket për mungesë të tokës kinezët dhe indianët e sajuan një kanun të tillë. Por unë e kam fjalën për një lloj vertikaliteti tjetër, atë poetik. Në disa raste, poezitë e Ndue Dedaj mund të lexohen ashtu, edhe pse janë të shkruara normalisht, në strofa, me varg të matur, herë - herë edhe me rimë, me varg të gjatë dhe pa matje rrokjesh, por gjithnjë ritmi i bën të tingëllojnë vertikalisht. Asgjë nuk është forma se si e shkruan poezinë, gjithçka është nëse poezia është poezi. Poezia mund edhe të mos shkruhet dhe ne të themi “ç’poezi e bukur?”, psh para një femre të bukur, një peizazhi të realizuar mjeshtërisht etj. A nuk iu ka ndodhur të thoni për Mona Lizën, “Xhokondën”: “të duket sikur të flet”, “e ka bërë të gjallë”, “të pavdekshme”, për një vërshim plot dufe, dallgë, stuhi, që ngjan me një njeri të zemruar, që shpërthen bukur dhe fort. “Për ty tash është endur qielli,/ Atje ku dhimbja nuk ka fjalë,/ Si një pëlhurë e trishtë kujtimi/ Si një pëshpëritje, si një mall./ Prek mermerin dhe s’e besoj!/ Por, kjo heshtje më përvaj!/ Këtu sa herë do vij e shkoj/ Botën s’kam si e lë pa faj…” (“Baladë e vonë”). Poeti arrinë, që më një lojë të bukur artistike, të alternojë nënkuptueshëm abstraksionin me veti njerëzore, siç përmendet në leksikun e tij të zgjedhur dhe të përdorur me vend: “…vij gjurmëve të tua të parritura,/ ngec gjurmëve të mia”, ose “di të qaj në heshtje, di të qesh,/ kjo verë ka sytë e tu/ kjo verë nuk ka qënë vjet...” (“Kjo verë nuk ka qenë vjet”).

Poezia “Monaliza ime”, për mua, pasi vlerësimet artistike, në ndonjë rast janë subjektive, është më e arrira. Poeti i ankohet vetes pse nuk i bëri dot sytë e saj të shihnin vetëm atë dhe, një sërë “ankesash” të tjera që artistikisht rrinë shumë lart dhe krijojnë emocion të veçantë meditativ. Poeti i kërkon sytë e saj çdo ditë, që të zgjohet e të shuhet në ta. Shkallëzimi vertikal, me një ritëm që të zbret vetëtishëm nga vargu i parë te i pesti, të krijon emocionin e portretizimin e një femre ideale, që vetëm në poezi mund të ekzistojë. Më pëlqen ta citoj të plotë këtë poezi!

Monaliza ime

Përshkuar prej një filli të tejdukshëm mërzie,

Përshkuar nga vetja… dhe orët e mia!

Vetëm ti mund ta deshifrosh shenjtërinë tënde

Prej gruaje, prej femre.

Prej brenge.

E drojtura e fatit, përherë me pak pluhur-

Rregulli përjetësisht i shprishur i botës,

Kur shihemi, kur prekemi, kur epemi…

Orët e mia s’flenë.

Sytë e tu,

Që s’i bëra dot të shihnin veç mua!

I kërkoj sot e nesër, të zgjohem në ta

E në ta të shuhem!

Në poezinë e Ndue Dedaj, përgjithësisht mbizotëron vargu i matur, por jo tërësisht i rimuar, çka nuk e pengon fare poetin të jetë shprehës i ndjenjave dhe përjetimeve origjinale dhe transmetimit të tyre më të njëjtën forcë tek lexuesi. Tetë dhe dhjetërrokshi janë më të përdorshmit për lirshmërinë e të shfaqurit të mendimeve poetike, në rastin kur poezia, përveçse është ndjenjë, është edhe thënie, (diçka e mençur e thënë disi ndryshe). Një ndër poezitë që i ka të gjitha metrat, ose stilizimet poetike, është poezia: “Shi i bardhë”. Nuk është e tëra e lirë, por as e matur, alternimet varg i lirë, i matur, me dhe pa rimë, tetë, dhjetë dhe njëmbëdhjetërrokshi, nuk e pengojnë aspak që poezia të jetë unike, dhe të shprehë mungesën e njëri - tjetrit, në një ditë vjeshte, me shi, pa gjethe, që ajo do të flasë “me një pinc shiu kredhur në balada” dhe ai do t’i rrëfejë poetikisht filozofinë e mungesës, që edhe pse ra shi, ai qe një shi i veçantë, i bardhë, i ëndërrt, që vetëm përfytyrimi i poetit e krijon, ku bota zvogëlohet sa unaza në gishtin e saj. Poezia që prezanton vertikalitetin edhe në formën poetike, është ajo me titullin “Qielltoka”: “bie ajo përherë me fytyrë kah qielli,/ bie ai përherë me fytyrë kah toka…”

* Ndue Dedaj më pas ka botuar dhe dy vëllime të tjera poetike: “Hylli i zotit njeri” (2015) dhe “Mjegullat e gjenezës” (2020).

Shënim për autorin e shkrimit:

Pjetër Jaku është shkrimtar, autor i katër librave poetikë dhe dy ramaneve, dy librave publicistikë, i një trologjie për Fishtën, si dhe botues i revistës “Kuvendi”, fillimisht në Lezhë dhe më pas në Amerikë, organizator veprimtarish për letërsinë në komunitetin e shqiptarëve në Detroit etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat