Dashuria magjike e universit shqiptar

Kultura

Dashuria magjike e universit shqiptar

Nga: Baki Ymeri Më: 20 gusht 2023 Në ora: 20:43
Kopertina

Sadije Aliti e kërkon harmoninë e fshehur të universit dhe mirëkuptimin njerëzor në kontekstin e lirikës së sotme shqipe. Vlen të ripërkujtojmë faktin se, jo vetëm në këtë vëllim bilingv, por edhe në përmbledhjet paraprake, defilon një gamë subjektesh atraktive dhe ekzistenciale, që nga dashuria e vjetër, e deri te mahnitja me pjesën më të shtrenjtë, që s’blihet me para. Autorja vjen para opinionit me vëllimin e nëntë, ku ëndërrimet e saj i mahnit melodia e valëve, livadhi i blertë, gurgullima e kroit të moçëm që mbledh ngjyrat e luleve të shpresës për të thurrur me to kurora dashurie. Sadija shndrit në letrat shqipe me një kthjelltësi mendimesh të cilat i rradhit si në një legjendë, me mollat në kopshtin e ndaluar, që nga ato të Adamit e Evës, e deri te ato të Tetovës. E preferon pavdekshmërinë e buzëqeshjes së Monalizës, shushurimën e gjallë, të dallgëve të liqenit, përplasjen e tyre mbi shkëmb, natën e zgjuar në syrin e saj, shtegtimin e modernizmit të përgojuar, dollitë e ngazëllimit e të pendimit të vonuar.

hapëron në horizontin e realitetit poetic si një zanë mali, brigjeve të kundrimit dhe të inspirimit. Fitorja evidente e lirikës së saj qëndron në qartësinë e diskursit: “Nga livadhi i blertë/ Mbledh ngjyrat e luleve të shpresës/ Thur kurorë dashurie/ Afër kroit të moçëm/ Gurgullima e ujit shqetëson/ Troket e lehta të kuajve/ Ngacmojnë shkronjat e emrit” (Kurorë dashurie). Dhe më tej, në spektrin e të njëjtit titull: “Shkapërderdhen shkronjat e emrit/ Nëpër livadhin e blertë / Mbledh lulet e shpresës/ Thuri prapë kurorë dashurie”. Ecja e saj zgjohet nga klima mesdhetare e melankolisë, freskia e Sharrit e trimëron kohën, kur babai e përcjell nusen me duvak të bardhë, porsi një zanë Shqipërie. Vdekja e zanave dhe vallja e tyre. Papritmas, zanat ushqenin kreshnikët u dilnin në ndihmë rë dashuruarve, kur krushqit shndërrohen në lugetër, dhëndërri vrapon katundit, s’i bie nuses në sy, prindërit janë humbuar anësh, s’u besohet kjo marrëzi, kushërinjtë ngrenë dolli, rrafsh e kanë muhabetin, çdo gjë si në ëndërr. Dominant në lirikën e Sadijes është elementi syrealist, që përbëhet nga lidhja e “panjohur” e fragmenteve me realitetin.

Nuk është hera e parë kur themi se fshehtësia e artit të saj, nuk është panjohshmëri, por bukuri. Qenja e saj poetike shndërrohet në një flijim të mundimshëm, porsi te porosia e Boalosë, apo ajo e Azem Shkrelit, të lindësh e të shuhesh për një fjalë! Ja vetëm një nga shembujt e shumtë! “Mos e kafsho mollën në kopshtin e ndaluar/ Monaliza jote pikturohet e pavdekshme/ Në qenien malësore/ Dreqërit e ditës bredhin qytetit/ Gjurmojnë pëshpëritje/ Ndrydhen ndjenjat Urbanizmit të akullnajave/ Mos e kafsho mollën/ Ëmbëlsia e saj të helmon/ Mbaje Monalizën/ të pavdekshme”. (Monaliza). Dhe ja shëndeti me këmbë të shembura, kur përnjëherë, kërcet optimizmi, në këtë tokë arbërore, ku shtigjet bëhen të shndritshme, si ato të Parajsës!

Në kontekstin e evokuar, shpërthen herë pas here edhe ironia, me buzëqeshjen e zgjuar nga gjumi, duke u tretur në pafundësinë e brigjeve të bjeshkës, kur loti e përpiu qeshjen e ngrirë, në shkullin e brishtë. Dhe vazhdon kështu, ritmi i njëjtë i melodisë së jetës, ku shtatbilonja duket, herë e poshtëruar, e here mbretëreshë. Ja pra dhe gurët e kohës ilire, luginat e Sharrit me valltarë të rinj, shkuma e detit që shëmbëllen me mundimet e motrave tona. Autorja ironizon bajraktarizmin, duke parashtruar pyetjen: Sa do të ketë jetëgjatësi, në këtë kohë pabesishë? Ikja nga ligësia “Shërron dashuritë e rebeluara/ Ëndrrat e thyera”, kurse “Lugina e të dashuruarve/ Ruan/ Dosjet e paprishura të sekreteve”.

Duke kaluar nga “Dritë dashurie” te “Dasmë zanash”, kuptojmë se poetesha e ka përvetësuar psikologjinë e lumturisë, sensin e atdhedashurisë: Flamuri, besnikëria, kënga e shpresa.Të jetosh, don të thotë të fillosh: me mirësi, butësi e urtësi. Dasmë zanash, me fjalët besnike, dhe baladat e dashurisë. Në vend të përfundimit, vlen të ripotencojmë faktin se poetesha është qenja më e ndijshme, dhe më e shenjtë e një populli. Fati i saj, është fati i kombit.

Dasmë zanash me zërin e zemrës së Sharrit

Po rikthehemi në pranverë të vitit 2001. Në kohën kur kurreshtarët sorrollateshin rrugëve të qytetit duke u mahnitur nga krisjet e krisura të luftës, të cilën e provokoi byrokracia neokomuniste e një pushteti barbar, një poeteshë merr guximin burrëror dhe depërton atje ku e ka vendin: në zemër të Sharrit, për të raportuar për gazetë shpërthimin e shqiptarizmit në trojet e Iliridës. Ishte gazetarja e parë shqiptare që iu qep kodrinave të diellëzuara të Xhermës, prehërit të magjepsur të Sellcës, gështenjishtes shpeshtake të Shipkovicës, guximit të pamposhtur shqiptar. Artikujt e botuar në shtyp, qëndrojnë si dëshmi multimilenare e gjendshmërisë, mençurisë dhe atdhedashurisë. Një vit para se të krisë, del në kryeqendrën e Shqipërisë libri i saj i dytë, Dasmë zanash, një përmbledhje simpatike poetike, me 66 vjersha, që nga Dashuria e vjetër, e deri te mahnitja me pjesën më të shtrenjtë, që s’blihet me para.

Duke i parafrazuar ëndërrimet e saj, vërejmë se fjalët shpalosin flamuj gënjeshtrash, apo e thonë të vërtetën e zbërthyer. E mahnit livadhi i blertë, gurgullima e kroit të moçëm që mbledh ngjyrat e luleve të shpresës për të thurrur me to: kurorë dashurie. E preferon më tepër të vërtetën e hidhur se sa gënjeshtrën e ëmbël. Sadija është zana, që kërkon trajtimin e gjërave mbi tavolinë, aty ku të trimëron hija, apo fytyra e ngjyrosur. Autorja vjen në letrat shqipe me një kthjelltësi mendimesh të cilat i rradhit si në një legjendë, me mollat në kopshtin e ndaluar, që nga ato të Adamit e Evës, e deri te ato të Tetovës. E preferon pavdekshmërinë e buzëqeshjes së Monalizës, shushurimën e gjallë, të dallgëve të liqenit, përplasjen e tyre mbi shkëmb, natën e zgjuar në syrin e saj, shtegtimin e modernizmit të përgojuar, dollitë e ngazëllimit, të pendimit të vonuar.

Poetesha hapëron si një zanë, brigjeve të kundrimit, e të frymëzimit. Ecja e saj zgjohet nga melankolia, e trimëron, në kohën kur e përcjell nusen me duvak të bardhë, porsi një zanë Shqipërie. Vdekja e zanave, dhe vallja e tyre. Papritmas, krushqit shndërrohen në lugetër, dhëndërri vrapon katundit, s’i bie nuses në sy, prindërit janë humbuar anësh, s’u besohet kjo marrëzi, kushërinjtë ngrenë dolli, rrafsh e kanë muhabetin, çdo gjë si në ëndërr. Fshehtësia e artit të Sadies, siç duket, nuk është panjohshmëri, por bukuri. Qenja e saj poetike, shndërrohet në një flijim të mundimshëm, porsi te porosia e Boalosë, apo ajo e Azem Shkrelit, të lindësh e të shuhesh për një fjalë, kthjelltësi në fytyrën e personazhit, të tragjedisë klasike. Rrjeshtat e përzjerë, e bëjnë kontinuitive, mjegullirën e brendësisë, si te Mirçea Dinesku: vdekja lexon gazetën, shëndeti me këmbë të shembura, dhe përnjëherë, kërcet optimizmi, në këtë tokë arbërore, ku shtigjet bëhen të shndritshme, si ato të Parajsës.

Ja pra: gurët e kohës ilire, mundimet e motrave tona, zemra e Sharrit me heronj, maja e tij me dëborë, kësula e bardhë, nuset me kurorë. Poetesha e ka përvetësuar psikologjinë e lumturisë, sensin e atdhedashurisë: Flamuri, besnikëria, kënga e shpresa.Të jetosh, don të thotë të fillosh: me mirësi, butësi e urtësi. Dasmë zanash, me fjalët besnike, dhe baladat e dashurisë. Në vend të përfundimit, urime autores, redaktorëve, sponsorëve, recensentëve, botuesit, Fatmir Toçit, për elegancën e librit, konditat teknike evropiane, të librit shqiptar. Zërin e zemrës së Sharrit, zanën e dasmave shqiptare, zonjushen e Gllogjit, doktorante e Universitetit të Tetovës, edukatore e fëmijëve tanë, gazetare me një përvojë të përsosur, poeteshë me një ndjeshmëri të lartë, e presim edhe me vargje të reja në bibliotekën e ndjenjave letrare. Poetesha është qenja më e ndijshme, dhe më e shenjtë e një populli. Fati i saj, është fati i kombit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat