Urtësi e shkencëtarëve dhe mendimtarëve të mëdhenj të huaj dhe shqiptarë

Kultura

Urtësi e shkencëtarëve dhe mendimtarëve të mëdhenj të huaj dhe shqiptarë

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 31 gusht 2023 Në ora: 13:02
Libri “Dashnia shpëtimi i shpirtit”

Libri “Dashnia shpëtimi i shpirtit” të autorit Nikë Palkola , i shkruar në dialektin gegë, u bashkohet botimeve shqiptare të cilat trajtojnë tematika të ndryshme, duke filluar nga filozofia jetësore, pasqyrimi i bindjeve, besimet më të hershme të njerëzimit, virtytet dhe bekimet njerëzore, e deri në moralin, shprehjen e dashurisë dhe të urtësisë shqiptare dhe botërore.

Që në titullin e librit dallojmë mesazhin e dashurisë dhe miqësisë që janë shpirtrat binjakë të njerëzimit.

Në këtë libër prozaik-poetik , të parin me radhë, të autorit Nikë Palkola ka disa tërësi. Në to janë radhitur tregime mistike, shpirtërore dhe religjioze, që kanë të bëjnë me jetën, lindjen, vdekjen, dashurinë midis njerëzve, mirësinë njerëzore, mëshirën, lutjet, pendimin, reinkarnimet, egoizmin, dhunën, mëkatet, shpirtmirësinë dhe shpirtkeqësinë, paqen, lumturinë, bekimin, mallkimin, parajsën, skëterrën, urrejtjen, misteret, prostitucionin, femrën, abortin, suksesin, pasurinë, luftërat, nderin, besën dhe burrërinë.

Pjesë e këtij libri , të përmbledhur në pesë kapituj, janë citate , mendime dhe thënie filozofike të cilat shprehin përvojën dhe urtësinë e shkencëtarëve e mendimtarëve të mëdhenj të huaj e shqiptarë që nga lashtësia e deri në kohën e sotme. E gjithë kjo mençuri popullore e përzgjedhur dhe e përgatitur me dashuri, përkushtim dhe kujdes nga autori ka një vlerë të qëndrueshme dhe të përhershme. Ajo është më e vlefshme dhe më e fuqishme se ari dhe argjendi, ajo jep kuptueshmëri për fjalën e Perëndisë dhe na udhëheq në shtigjet e drejta. Po ashtu, ajo ka shërbyer dhe vazhdon të shërbeje edhe sot si udhërrëfim i sjelljes së shumë njerëzve kudo që ndodhen, në shtëpi, në punë, në pushim, duke biseduar me miq, duke u përpjekur të mos jetë i njëanshëm, por të respektojë edhe mendimet e të tjerëve.

kopertinave të librit janë përfshirë edhe disa poezi dhe gazmore ( humor e satirë) të përzgjedhura nga autori. Çdo poezi të autorëve tanë madhorë si Fishta, Noli, Asdreni, Çajupi, Mjeda, Frashëri, Poradeci, Pashko Vasa, etj., e përshkon një ndjenjë e shprehjes së bukur, me ndjenja shpirtërore , por mbi të gjitha e atdhetare. Psikologët pohojnë se me anë të humorit njerëzit bëhen më tolerantë, i përballojnë më mirë zhgënjimet dhe mbeten të shëndetshëm mendërisht dhe fizikisht. Sipas tyre humori i mirë mund të asimilohet, njëlloj sikundër asimilohet shkrimi dhe leximi.

Të gjitha këto tregime, poezi e thënie të urta kanë të bëjnë me njeriun në kohë e rrethana të ndryshme historike, me filozofinë e ekzistencës njerëzore ashtu siç i kanë shkruar e shqiptuar shumë mendimtarë, shkencëtarë, shkrimtarë, poet, klerikë, e besimtarë të Zotit...

Nga këto shkrime interesante lexuesi do të mund të mësojë shumë gjëra për të kaluarën e largët dhe të afërt të njerëzimit, duke përfshirë këtu edhe botën shqiptare, që patën një rëndësi të madhe për gjallimin dhe formimin e botës sonë në përgjithësi dhe të rrjedhave dhe dukurive që e cilësuan atë.

Autori Nikë Palkola me këtë vepër troket, ngacmon dhe provokon lexuesin për çështje, fenomene dhe dukuri të ndryshme, mirëpo nuk i imponon lexuesit mendimet dhe bindjet e tij. Ai e le lexuesin të përcaktohet për atë përgjigje, për atë mendim ose thënie që i përgjigjet atij për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Përmes këtij libri autori na zbulon edhe rëndësinë e pranimit të qortimit, disiplinimit, këshillimit dhe korrigjimit për t’u bërë njerëz më të mirë.

Serioziteti i punës së autorit në hartimin e kësaj vepre me vlerë vërehet qoftë përmes mënyrës së parashtrimit të lloj-lloj tematikave, qoftë të përdorimit të burimeve të shumta dhe të një literature të pasur që përdori kryesisht në gjuhën kroate, por edhe shqipe për të sjellë përfundimet e veta për dukuri të ndryshme.

Ky libër të shtynë të ndjekësh “rrugën e drejtë” të pajtimit të njeriut me Zotin. Porosia e tij është të bashkojë edhe më shumë njerëzit me përkatësi të ndryshme fetare, duke treguar se ajo që i bashkon besimet është më e madhe dhe më e fortë se ajo që i dallon, dhe fuqia që e bashkon njerëzimin, pra Zoti, krijon harmoni dhe jo ndasi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat