Meditimi transcedental poetik

Kultura

Meditimi transcedental poetik

Nga: Arsim Kajtazi Më: 31 gusht 2023 Në ora: 13:03
Foto ilustrim

1. Shkrimi i poezisë dhe komunikimi intensiv poetik në rrjetet sociale kibernetike, siç është edhe “Facebook” ,  ka vite që  praktikohet edhe ndër ne . Edhe shkrimtari tashmë i shquar Remzi Limani,  me një opus të gjerë krijues letrar, është ndër të rrallët që këtë e ka preferuar  që më parë, po edhe tani, sepse po duket se është bërë një formë shumë e preferuar dhe nxitëse për kreacionin e tij, duke mbajtur një kontakt të vazhdueshëm komunikimi me lexuesin e tij të preferuar, që duket është bërë edhe një mekanizëm  motivues i ndërsjellë krijues-receptues, për të shkruar dhe komunikuar aktivisht në kohë reale.

Kjo ndërlidhje shkakore me lexuesin e digjitalizuar ndodhi edhe muajt e fundit,  e duket se e bërë me  nevojën për të shkruar më  ritual, e herë herë edhe me rutinën thuaja ditore, në një etapë të caktuar jetësore, tashmë po i shohim edhe  të  përmbledhur në formën e librit klasik, që po përgatitet ta bëjë jetën e saj  me të gjatë si libër klasik poetik.  I tillë pra është edhe libri më i ri me poezi “Zëri i heshtjes” i autorit Remzi Limani.

I sfiduar e i testuar në rrjetet sociale, tashmë i kulmuar në formën e saj më të denjë brenda kopertonave të librit klasik, ofron një realtet kompleks poetik që ende fton dhe sfidon për të komunikuar e kapur fshehtësitë e porositë thellësisht poetike të këtij libri , për shumë çka të veçantë në opusin e autorit. Pra format bashkëkohore të shkrimit, e të  leximit, kështu formësohen dhe transformohen në klasiken moderne poetike, në aspektin e formës dhe zhanrit letrar.

Nevoja imanente për të lënë gjurmë në kohë reale, madje edhe në hapësirat e pafundme kibernetike, ta quajmë edhe si formë poetike, poezia kibernetike,  mundëson vërtet një komunikim  e receptim tejet dinamik, edhe në formën eksplicite, por në raste të caktuara, varësisht nga niveli intelektual i lexuesit, edhe tipin e receptimit implicit.  Forma e lehtë e komunikimit, nuk do të thotë se e toleron lehtësinë e padurueshme e sipërfaqësores, përkundrazi, poezia e Limanit tashmë i referohet lexuesit të formuar dhe të pasionuar, që zhytet në  thellësinë  e  poezisë, për të shijuar thellësinë meditative modeluese e kreativitetin imagjinativ poetik.

2.

Libri me i ri i Remzi Limanit me poezi “Zëri i heshtjes”,  duket fund e krye përshkohet me një  intencë  të kërkimit dhe të shpalosjes së thelbit të dashurisë,  në një gjendje e atmosferë limonite, dhembje e lëngate,  në aspektin e saj më të gjerë, ndërsa e fokusuar deri në obsesion, në dashurinë si fenomen universal, dashurinë  ndaj femrës, në kuptimin e saj  më të gjerë e më  të thellë.

Në kërkim të dashurisë së humbur, idealizuese, gati mitike, edhe poeti Remzi Limani sikur zhytet në transcendencën e përvojës njerëzore, në vetëdijen dhe ndërgjegjen kolektive, për të kërkuar fillimin e kësaj ndjenje të nevojshme, pasioni dhe instinkti, në përvojën më herake, biblike e mitologjike, duke e krijuar Evën e tij të dashur nga qenia e tij, nga eshtrat, mishi dhe gjaku i tij poetik, sipas arketipit  biblik të Adamit!

Dhembja është për humbjen e dashurisë së krijuar nga bota  e tij prej krijuesi, dhe në këtë atmosferë limonite, ku zotërojnë tonet e errëta të jetës, ku e verdha kontraston me të kuqen, errësira me dritën, poeti përmes heroit lirik shpalos në detaje këtë rrugëtim në “rrathet dantesk”, dhe me  ekspresionizmin dhe impresionizmin gati vangogian, ngjyros pamjet e fiksuara deri në detaje drithëruese, për të krijuar një poezi tipike të imazheve. Kështu,  duke i dhënë atyre emocione e ngjyrime nga më finet,  autori  shpalos me një veçori tipike boten e tij prej poeti e artisti, me një  shqiptim autentik poetik. Me këtë qasje autori i jep krah forcës mentale e shpirtërore të heroit lirik, dhe sado që i ndien tiktaket e orës dhe kohës në të sosur,  i jep jehonë fuqisë së dashurisë, etjes dhe pasionit për të dashuruar deri në frymën e fundit, madje duke e dëgjuar në vetminë e tij edhe zërin e heshtjes, ku rri e fshehur apo e pulitur për t´u zgjuar sërish emocioni i dashurisë, për femrën dhe jetën!

Në trajtimin e figurës së femrës në kuptimin e përgjithshëm ( e shfaqur si nuse, grua,  e dashur etj) ,  deri në obsesion me pasion dhe dhembje, Limani është nga autorët e rrallë që temën e dashurisë ndaj femrës e detabuizon, por prore duke e ruajtur ndjenjën e çiltër dhe të drejtpeshuar, kur shpalos ndjenjën e dashurisë ndaj bukurisë fisnike e hyjnore të femrës - deri në sensualizëm. Aktin e dashurisë më paralojën dhe lojën e saj, që bartë pasionin më të bukur njerëzor, autori i qaset me një ndjenjë skofiare, që këtë akt e bënë sa të bukur aq edhe madhështor! Dhe ajo ndjenjë sa e thellë dhe enigmatike, deri në thellësi dhembjeje, na bëhet aq e çiltër dhe transparente, më të gjitha dritëhijet e saj!... Zëri i heshtjes është edhe zëri i dashurisë së thellë, që kumbon edhe pa zë, edhe më heshtjen, edhe me hijet e feksura nga netët pa gjumë  me ndriçim hëne e vizione ëndrre.

3.

Temat dhe motivet poetike të kapura e shpalosura përmes heroit lirik trajtojnë situata nga më të ndryshmet jetësore, psikologjike (krizat mentale e shpirtërore të njeriut modern), trajton poetikisht edhe aspekte sociale, ekzistenciale e filozofike, të kohës aktuale, madje subjekti krijues i kredhur ne një auto analizë,  një zhytje mentale e shpirtërore transcendentale në vetvete, përmes një meditimi krijues poetik, nxjerr në pah analizat me të thella “radiologjike” e “onkologjike” jetësore. Imazhet poetike shpalosen, rrëfehen thjeshtë, ato pikturohen me ndjeshmërinë e artistit modern, pra të shpeshtën kjo bëhet me një tip të poezisë deskriptive, që funksionalizon simbolin, metaforën, krahasimin , duke i dhënë mundësi që imazhi të kumtojë mesazhin poetik të balancuar sintetikisht. Këtë e kërkon autori më ngulmë deri në obsesion:

“E dua një fjalë që zgjedh nyjet e dhembjes”

(Poezia “Dhembja e thyer në kryq”) fq.

“Unë jam i shtrirë,

Nënkresë kam duart e tua të buta.

I shtrirë

Solemnisht hesht për të dëgjuar

Zërin e heshtjes sate.”

(Poezia: “ Zëri i heshtjes”, fq.37

Në gjedhën e lektisjes pas të dashurës, të tipit të Beatriqes së Dantes, apo edhe të modelit jetësor  poetit tonë të  Rilindjes, Sef Serembe, Remziu do të na shpalos këtë dashuri-dhembje , në krijimin e modelit të tij që kap stinët e jetës së tij në kohën kur jeton e krijon.

“le t´i marrim bojërat e syve tan të ndezur,

le të pikturojmë përqafimin tonë

dhe gjithë gjëmat e ngrykosura në shpërthim!

(Poezia: “Mjaltore”, fq. 54)

Remzi Limani do të na shpalos aq sinqerisht,  përmes heroit të tij lirik, artin e ti të rëndë të dashurisë, edhe në ecjen burrërore stoike  kah fundi, epilogu jetësor!

“Në errësirën e shpirtit tim

Përqafoj mungesën tënde.”

(Poezia: “Nëpër pamjet tua”, fq 116)

Edhe në gjendjet e ankthshme e morbide, Remzi Limani do ta zbërthejë pasionin e madh të dashurisë, që ta lartësojë përmbi dhembjet, ndjenjën e çiltër dhe pasionin për dashurinë!...

Libri që tashmë e kemi në dorë, e po e përjeton  dritën e botimit,  do mbetet një himn për kohën -  kënduar dashurisë!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat