Paralelizmi i ëndrrave të jetës

Kultura

Paralelizmi i ëndrrave të jetës

Nga: Hajdar Mallaku Më: 2 shtator 2023 Në ora: 19:18
Hajdar Mallaku

Pasi i kreva punët që i kisha, hyra në kafeterinë më të afërme që e pata. Thashë le të pushoj pak dhe ta pi një kafe. Në hyrje më bëri përshtypje emri i mirë i saj, "Morea" dhe i gjithë teksti reklamues, shkruar në gjuhën shqipe. M'u kujtua balada e dhimbshme e një vajze për atdheun e lënë, për varret e prindërve të lënë atje që kurrë më s'i pa, m'u kujtua dhe kënga "Moj e bukura More" kënduar para 600 vjetësh dhe botuar nga Dhimitër Kamarda, m'u kujtua këndimi aq i butë e aq i ëmbël i këngës nga këngëtarja Elsa Lila. Këtë të keqe e kishim përjetuar edhe ne në luftë dhe hyra disi i mallëngjyer.

Para se të ulesha, pashë se përballë meje ishte ulur mësuesja në pension, Qefsere Bejta, me dy vajzat e saj: Zogën dhe Tringën. I njihja që të tria, madje vajzat e saj i pata pasur dikur nxënëse.

S'di pse nuk i shkova mirësjelljes radhazi që në fillim t'u thosha "Ju bëftë mirë!", por u thashë:

- Sa mirë! Nëna me dy bija. "Molla t'kputuna n'nji deget/Dy qershija lidh nji rrfanë" (Të dy vajzat ishin martuar dhe "shkëputur" nga nëna, por natyrisht dashurinë dhe respektin për nënën e kishin medalion varur në gjoks. Ishin si kyçet e brezit që nëna s'i heq dot deri sa të vdesë "I hoqe kyçet e brezit/Si trimi armët e mesit/Ti nuk jeshe (ishe) grua,/Po ishe trime e fajkua" - thoshte një këngë vajtimi. Ishin si dy qershia lidhur në rrfanë që zbukurojnë brezin e një nëne). Isha i bindur se që të tria i dinin këto vargje të Mjedës, prandej i përmenda.

- Po, profesor."Kush ka vajza, botën ka" - foli e ëma.

- Vërtet botën e ka! - pohova unë.

- Tash erdhi radha t'u them: Ju bëftë mirë! - thashë me vonesë.

- Ju falem nderit - tha zonja Qefsere. Nëse je vetëm dhe nuk e pret ndokend, na bën nder të ulesh me ne. Ne jemi të një profesioni dhe vajzat e mia i ke pasur nxënëse dikur. Kemi çka bisedojmë.

- Nënë, profesori merret dhe me shkrime - tha vajza e dytë, Tringa. Mund ta keshë lexuar ndonjë tregim të botuar në gazeta apo portale.

- Aq më mirë, atëherë - tha ajo.

S'kisha rrugë tjetër dhe pse jo, u ula me to. Pasi u përshëndetëm me radhë, biseda e parë që e bëmë ishte ajo e zakonshmja, për shëndetin, për familjen dhe mirëqenien e tyre në përgjithësi.

- Më erdhën vajzat për pushim dhe dolëm së bashku ta shohim dhe të na shohë bota. Sa u gëzova! Po e pimë nga një kafe bashkë, por, beso, s'po i vjen radha gjerbes së kafesë nga fjalët tona. Janë pleksur malli i nënës për bijat e, në anën tjetër, përmallimi i vajzave për nënën. Kur erdhën në pushim, unë gufova nga gëzimi e kur të shkojnë...

Kur i përmende vargjet e Mjedës, thashë "Sa mirë e paska vërejtur profesori!" - se ëndrra e emiton ëndrrën" e nganjëherë realiteti gati e prek ëndrrën me pak nyansa ndryshimi. Jeta ime i ngjan asaj poeme. Dallimi është se unë jetoj në qytet dhe e kam një djalë.

Po të tregoj për jetën time. Burri më vdiq e më la me tre fëmijë jetima. Isha ende e re. E kisha djalin, Fortin, bebe një vjeç. Punoja si mësuese dhe mbahesha finansiarisht, por më mungonte im shoq edhe si bashkëshort, edhe si siguri e familjes, edhe si prind që fëmijëve t'ua kompletojë ngrohtësinë prindërore.

Kur më pat lindur vajza e parë, e pagëzova me emrin Zoga. Më brente në zemër liria e femrës shqiptare dhe urova që me këtë emër ajo të fluturojë atje ku është lumturia.

- Në prag të luftës isha studente në Prishtinë, tha Zoga. U vonova të kthehem në shtëpi dhe kur na dëbuan me "Trenin e fundit" (aludoi në një këngë vajtimi nga lufta) për në Maqedoni të Veriut, unë humba çdo lidhje me nënën. Vaj, ankth e tmerr, pashë ato ditë në kampin e Bllacës. Kur filluan të bëjnë lista për deportimin në SHBA apo Kanada, unë u lajmërova për SHBA. Kur po i thirrnin emrat, që për të nesërmën të përgatiteshin për Kanada, u ftua një vajzë me emrin Festa Hoti. Ajo nuk u lajmërua dhe unë u lajmërova si pa menduar në emër të saj. E mora aplikacionin dhe e plotësova me emrin Festa Hoti (se ashtu e kishin ata në listë) e me shënimet tjera të miat.

Kështu përfundova në Kanada...

Kosovën e gjen kudo, profesor, dhe unë e gjeta atje. U martova me një djalë nga Kosova dhe kam dy djem. Vërtet fluturova si fluturon zoga, mbi shtatëdhjetë e shtatë bjeshkë si thuhet në përralla; mbi dete e oqeane dhe emri im Zoga përfundoi në emrin që e mbaj sot, Festa. Kështu e deshi fati, apo jo, nënë...?

- Po, moj të keqën nëna... Deri kur u lajmërove nga Kanadaja, unë shpirt nuk pata. Vajzë e rritur, e hudhur rrugëve të botës. Ku e dija unë ku do të përfundoje. Mendët sa s'më lanë.

Kur më lindi vajza e dytë, më shkoi mendja ta pagëzoja me emrin Tringa, anipse e pata anashkaluar radhën me Zogën. Disi më fjeti si emër melodioz si tringu i një instrumenti dhe m'u zbeh ndjenja e bestytnisë. E mendoja dhe Tringë Smajl Martinin, atë kreshnike të maleve, sepse edhe vetë ne ishim të robëruar. Tringa, si fëmijë, pati një ftohje dhe qe në gjendje kritike. Falur mjekëve shpëtoi, e mori veten dhe u bë shtat bjeshke, si po e sheh, por unë sa s'mbarova. U bëra prapë bestyte, pa nevojë, dhe më shkonte mendja te Tringa e vargjeve të Mjedës. Mos do ta ketë edhe vajza ime fatin e saj. Kjo e kreu fakultetin, u martua dhe po ashtu ka dy fëmijë: vajzë e djalë. Jeton dhe punon në Prishtinë dhe shpesh më viziton.

- Për ta mbyllur rrëfimin për familjen time, po të tregoj se kam një djalë. Ai poashtu e kreu fakultetin dhe me nusen dhe djalin shkuan në Gjermani. Këtu unë ndryshoj nga Lokja e Mjedës. Kam nipër dhe mbesa, si nga vajzat ashtu dhe nga djali, por nuk i kam pranë dhe syri nuk më ngihet as shpirti nuk më pushon për një muaj, sa rrijnë në pushim. Bijtë dhe bijat tona po plaken në kurbet, ndërsa nipërit dhe mbesat po rriten pa i parë. Ninullat dhe përrallëzat po ua them përmes celularit.

S'di... Po i frigohem fundit të jetës. Edhe pleqëria, edhe vetmia- dy barrë ngarkuar në kohën më të vështirë.

Kur më ha vetmia e vendos një pjatë në tryezë e kafshata s'përbihet dot. E radhis së paku dhe një pjatë tjetër që ta bindi veten se kjo është darkë familjare. E kur e harroj ndonjë kafshatë, them "Uh! Dikend e paskam të uritur!"

E ardhmja për pleq është enigmë. Uroj që të fluturojmë me kollajllëk nga kjo botë...

- Kurbeti u bë plagë e hapur, moj zonjë - thashë unë. Perëndimi thonë se na dha shumë, por unë them se na dha pak e na i mori të gjitha. Gati nuk ka familje që s'e ka dikend në kurbet. Unë më shumë anëtarë i kam atje se këtu, në shtëpi. I rritëm dhe i shkolluam me rrogë arsimi dhe të gatshëm na i mori kurbeti. Dikur pyetnim: "A e ke dikë në kurbet e sot po pyesim a e ke dikë në shtëpi?". E kush kemi mbetur në shtëpi? Ne që një ditë s'do të na punojë këmba dhe dora. Ne që më shumë konsumojmë medikamente se bukë.

Më thirri në mëngjes nipi në telefon:

- Halo, babëlok! Mirëmëngjes...

- Mirëmëngjes, shpirt i babëlokut! - i them.

- Çka po bën?

-Po bëj teraqillëk me barëra gjyshi.

- Po, a ke ngrënë bukë.

- Bukë! - më pak.

- Hajde, babëlok, hajde!

Posa i bleva medikamentet se ato i blejmë posa ta marrim pensionin, ndërsa pjesën tjetër të pensionit e hargjojmë me kursim si milingona kokrrën e grurit, edhe pse nuk na mungojnë dhe ndihmat tjera. Na dhimben paratë e fituara me shumë mund: me djersë, me sakrificë, me mall...me... Sa i rëndë kurbeti! Bjeshkë mbi supe të bijve dhe bijave tona.

E lexova veprën e shkrimtarit Jules Renard "Histori natyre" ku ai thërret që bota t'i kthehet natyrës, pikës fillestare prej nga ka ardhur njeriu, florës dhe faunës. Ja vetëm dy margaritarë nga ai: "Flutura. Kjo pusullë e palosur ëmbël në dysh, që kërkon një adresë nëpër lule". Iriçi: "Më pastroni, por mos më përqafoni shumë se..."

- Nuk patëm mundësi të flasim për kohën e kaluar në arsim, tha zonja, ani pse ajo periudhë ishte më frytdhënësja. Vendin e saj tash e kanë zënë preokupime të tjera.

- Nuk duhet ta mbajmë mendjen gjithënjë te e keqja, thashë më në fund. Ne kemi mundësi ende t'i dhurojmë dhe t'i marrim jetës gjëra të mira. Kemi dhënë mund dhe dije tërë jetën për familjen, për shoqërinë dhe presim të frymojmë në gjenerata e gjenerata. Nuk mbetemi pa përkujdesje. Beso!

U përshëndeta me zonjat duke ua kursyer kohën dhe duke i lënë të flasin në ëmbëlsirën e bisedës, si dinë ta bëjnë nëna me dy bija.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat