Malësori stoik nga malësia e Sharrit

Kultura

Malësori stoik nga malësia e Sharrit

Merxhan Jakupi Nga Merxhan Jakupi Më 9 shtator 2023 Në ora: 11:52
Hebib Sellca

Disa sociologë dhe studiues kanë theksuar në shkrimet e tyre, kohë pas kohe, se në njëfarë mënyre, disa njerëz pa shkollë e të rëndomtë, në të vërtetë lindin dhe nga natyra bëhen filozofë. Këta njerëz posedojnë njohje të thella, së pari njohin vetveten, botën dhe njerëzimin që i rrethon. Ata janë të urtë, por të thjeshtë, nuk kanë lënë vepra nëpër biblioteka, por mes njohjeve, të kuptuarit, shprehjes së mendimeve nëpër kuvende, oda e mexhlise, kanë dëshmuar cilësitë e tyre prej oratorie e urtësie.

Për shkak të dhuntisë, pasionit, mençurisë dhe aftësisë së të rrëfyerit, kanë lënë shumë vlera, virtyte dhe histori për brezat që vijnë. Njëri nga ata protagonistë, që iku këtyre ditëve nga kjo jetë, me tipare të një filozofi, ishte tashmë i ndjeri Hebib Sellca. Për shkak të personalitetit që kishte krijuar, mbiemri i tij ishte burimor, nga katundi Sellcë, ku kishte lindur. Të afërmit e thërritnin LALA HEBIB. Ky malësor i racës arbërore, kishte një fizik të shëndoshë, gjigant për nga pamja, me shtat të lartë e shpatulla të gjera prej graniti, flokë biondë. Që nga fëmijëria ishte veshur si gjithë malësorët, me tesha tradicionale: tirqit prej leshi, këmishë, xhamadan, lurkë dhe kësulë të bardhë. Këto kostume, ky malësor i mbajti deri në vdekje. Shpesh kur e pyetnin për kostumet se si i bartë verës, në atë vapë, ai kishte humor dhe rrëfente se kostumet dhe plisin e bardhë nuk do t’i nxjerr deri në ditën e vdekjes, kur ta mbështjellin me qefin.

Ky malësor, ka qenë një tregtar i njohur në Maqedoninë Perëndimore, por edhe në Kosovë dhe në pazaret e disa qyteteve të tjera. Babai im i ndjerë ishte tregtar bagëtish dhe kuajsh, por edhe mik i ngushtë Hebib Sellcës. Ishin dy tregtarë me të njëjtin emër. Shpesh nëpër pazare, pazarakët i ngatërronin emrat e këtyre dy tregtarëve. Për t’i identifikuar më lehtë, u thoshin njerëzve se njëri quhet HEBIB SELLCA dhe tjetri BIBAJ I VESHALLËS. Babai im kishte emrin Hebib, por thirrej me nofkën Bibaj, kurse në katundet e malësisë thirrej La Bib.

Tregtari i Malësisë kishte depërtuar deri te Sulltani

Në periudhën e monizmit, tregtia ishte e ndaluar dhe quhej “shverc”. Ata që merreshin me tregti i ndiqte regjimi dhe mallin e bagëtinë ua konfiskonin, ndërsa njerëzit të ndikuar nga propaganda e regjimit, i quanin xhambazë e dallaveraxhi. Megjithatë, tregu i lirë ishte në dobi të klientëve, me çmimet liberale. Një anekdotë thotë se dikur një tregtar me nam nga malësia e Sharrit kishte furnizuar ushtrinë osmane me kuaj luftarakë. Tregtarët e kuajve edhe sot, në perëndim, kanë reputacion. Edhe pse makinat luksoze janë të shtrenjta, kuajt e zgjedhur janë shumë më të shtrenjtë sesa një makinë.

* * *

La Hebib shpesh, në pazare dhe tek çajtorja “Kabashi” në Çarshinë e Epërme të Tetovës rrëfente do anekdota e batuta. Më kujtohet, në vitet e ’70-ta, së bashku me babanë tim, në pazar, Lala Hebib rrëfente se si një plak tërë jetën kishte dalë në pazar, por pasi kishte hyrë në moshë, këtë punë ia kishte lënë djalit të vet. Plaku i kishte thënë djalit se nuk blihet në pazar vetëm kafshë, por edhe mençuri. Po ashtu, më kujtohet rrëfimi rrëqethës i një miku, tregtari nga Kumanova. Miku i kishte treguar një histori të tmerrshme. Në periudhën e reformave të Mbretërisë jugosllave, mikut të gjyshit ia kishin konfiskuar të gjitha pronat dhe ajo familje ishte shpërngulur në Turqi. Nëna e tij i kishte lënë amanet se këta serbë po qe se shesin tokën e babait tim, detyrimisht ta blejnë. La Hebib rrëfente se miku i tij një ditë e kishte kthyer në pronësi tokën e gjyshit. Kur ia kishte dhënë paratë serbit të ardhur nga Bosnja që ia kishte grabitur tokën, kishte pasur shumë emocione dhe i shkonin lotët. Miku nga Kumanova e kishte pyetur se pse po qanë. Kjo pronë dhe paratë, kishte thënë ai, kanë qenë të gjyshit tim, kurse tash po detyrohem ta blejë tokën e gjyshit tim. Serbit i kishte thënë se me këto para të shqiptarëve që janë fituar me gjak, do të blini pallate në Serbi.

Po ashtu, flitej për një fabul të Lala Hebibit. Miku i babait tim, rrëfente se kishte dëgjuar nga një mistik, se ka tre lloj njerëzish: njerëz-kafshë, njerëz gjysmë- kafshë dhe njerëz normalë. Ai e kishte pyetur mistikun se kush janë ata. Mistiku i kishte thënë se njerëz kafshë janë ata që nuk ndryshojnë; njerëz gjysmë kafshë janë ata që nuk pranojnë kritika, kurse njerëz racionalë janë ata që ndryshojnë dhe pranojnë kritika.

Familja e këtij malësori është bujare, mikpritëse, fisnike dhe humane. Malësori me nofkën HEBIB SELLCA njihet si një ndër familjet më të mëdha patriarkale. Ishte vetë malësori një patriark dhe sovran, i mençur dhe atdhetar, sikundër familja e tij që ka kontribuar çështjes kombëtare, por edhe me punë bamirësie e me shumë kontribute të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat