Askush për institucionalizim të kulturës, të gjithë për amnisti të kriminelëve

Kultura

Askush për institucionalizim të kulturës, të gjithë për amnisti të kriminelëve

Nga: Hejza art Më: 20 shtator 2023 Në ora: 12:07
Foto ilustrim

Asnjë shtet si Maqedonia e Veriut nuk e ka përjetuar shkallëzimin e poshtërimit që po i vije nga popuj e shtete të ndryshëm! Në emër të euro-integrimeve u desh të ndërrojë emër, flamur, kushtetutë, mësime fetare, historike, gjeografike etj. Në vitin 2001 edhe shqiptarët kërkuan ndryshime racionale për të cilat u desh të zhvillohet madje edhe një luftë! Të gjithë ata që kërkuan ndryshime, dolën të nderuar. Urrejtja nacionale maqedonase u derdh dhe po derdhet vetëm mbi shqiptarët! Pengesa e fundit për perspektivën e ndritshme të Maqedonisë së Veriut ka ngelë edhe ndërrimi i Kushtetutës! Për këtë qëllim në këmbë janë ngritur shqiptarët! Natë e ditë i apelojnë popullit maqedonas që të ndërgjegjësohen dhe të përfshihen në votim për ndryshimet kushtetuese (duhet të përfshihen bullgarët në Kushtetutë!) Opozita maqedonase nuk pranon dhe po flitet se, meqë ka mjaft ish-funksionarë të burgosur e në procese gjyqësore për vjedhje e korrupsion, kërkon që fillimisht Kodi penal të pësojë ndryshime, të sillet ligj për amnisti të politikanëve dhe pastaj mund të zbuten e ta mendojnë votimin për ndryshime kushtetuese. Krejt kjo me shpresë se do t’ju amnistohet edhe ish-kryetari i VMRO-së, azilanti Nikolla Gruevski, dhe të kthehet në vend nga Hungaria për të na “udhëhequr”!

Pra, Maqedonia (ndërsa shqiptarët janë dakorduar) ka vendosur që përmes Ligjit për amnisti të kriminelëve, të sigurojë kushte për euro-integrime! Fatkeqësisht, në këtë proces si më të zëshëm dhe më aktivë ishin shqiptarët e RMV-së dhe sikur u përcaktuan që edhe përmes kësaj forme të dëshmojnë se janë puro pro euro-integrimeve!

Partitë politike shqiptare, sidomos ato në pushtet, si kurrë më parë e patën mundësinë që të ngulin këmbë në krijimin e një buxheti për ngritjen e resurseve për institucionalizimin e kulturës shqiptare në RMV! Në vend të marrëveshjeve për sjellje të ligjeve për amnisti të elementëve të kriminalizuar, do të ishte shumë e njerëzishme që të vënin kusht: shqiptarët e Maqedonisë së Veriut inkuadrimin në Evropë e dëshirojnë me teatro nacionale, me shtëpi të kulturës nëpër komunat shqiptare, me filarmoni nacionale, me operë shqiptare, me shtëpi artistësh, piktorësh, me shtëpi të librit shqip, me themelim të manifestimeve, festivaleve, konferencave e kongreseve kulturore si institucione nacionale. Këto janë vlera për Evropën ndërsa, amnistia, korridori 8 apo 80, takimi apo jo me Gruevskin, të gjitha këto janë dofarë “mëlmesa” për mirëqenie për shoqërinë e vendit!

Prej të gjitha kërkesave me të cilat u përball RMV-ja, vetëm kërkesat për institucionalizim të kulturës shqiptare do të ishin të logjikshme, të pranueshme e të arsyetueshme nga evropianët! Megjithatë, shqiptarët zgjodhën të ndryshojnë Kodin penal në pjesën që do t’i amnistojë politikanët dhe segmentet e kriminalizuar, sidomos Nikolla Gruevskin, te i cili janë varur të gjitha shpresa e sigurimit të votave për ndryshimet kushtetuese!

Për katër vite u shpenzuan mbi 500 milionë euro për ta “antikizuar” Maqedoninë, ndërsa për ta institucionalizuar kulturën shqiptare në vend nuk do të duheshin as çereku i kësaj shume. Ja pra që prioritet e paskemi pasur jo kulturën e një shoqërie (shqiptare), por amnistinë e segmenteve të kriminalizuar që do të sjellin “mirëqenie dhe stabilitet” në vend! Me këta elemente destruktivë në politikë, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut edhe më tej do të bëjnë jetë të varfër kulturore, kulturë amatore dhe do të jenë konsumues besnikë të kulturave dhe vlerave që nuk kanë asgjë të përbashkët me identitetin kulturor shqiptar. /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat